Kasem Trebeshina – nga Nehas Sopaj

Gazeta

Nehas Sopaj
Nehas Sopaj
Kasem Trebeshina
nga Nehas Sopaj

Kasem Trebeshina ka lindur në Berat në vitin 1926. Shkollimin fillor e kreu në vendlindje, të mesmen në Elbasan, kurse në vitin 1942 inkuadrohet në LNÇ, me ç’rast ndërpret shkollimin përkohësisht për shkak të plagosjes. Pas çlirimit, si edhe shumica e shkrimtarëve shqiptarë, shkon në Rusi, në Sans Peteburg, por për shkak se në atdhe përjashtohet nga Lidhja e shkrimtarëve, i merret e drejta e studimeve dhe kthehet në Shqipëri. Duke qenë një njeri që e kishte përjetuar luftën dhe kishte bindjen e një idealisti, Trebeshina iu kundërvu kryetarit të shtetit, andaj tri herë do të burgoset, ndërkaq iu ndërprenë edhe botimet. Duke u shpallur edhe i çmendur, K. Trebeshina do ta kalojë jetën mbi 17 vjet në burg, kurse të gjitha këto vuajtje personale do t’i artikulojë në veprat letrare, të cilat shëmbëllejnë me një mori krijimesh artistike, të cilat dalin nga ajo botë e përjetuar si ironi absurde e fateve njerëzore, individuale dhe kolektive. Pas ngjarjeve të njohura të vitit 1997, Kasem Trebeshina e braktis atdheun, Shqipërinë, dhe vendos të jetojë në Turqi. Vdiq në Ankara më 6 nëntor 2017.
Si një ndër krijuesit e veçantë letrarë shqiptarë, K. Trebeshina paraqet një individualitet dhe profil të një shkrimtari që njihet shumë vonë, edhe pse ai s’është më. Duke qenë një ndër shkrimtarët që kanë përjetuar një golgotë personale gjatë regjimit komunist, veprat e tij nisi t’i botojë vetëm kur u përmbys komunizmi. Edhe pse vepra e tij e parë Artani dhe Min’ja ose Hijet e fundit të maleve ishte botuar qysh në vitin e largët 1961, atëbotë kur shkrimtari ishte i ri dhe kishte dhënë provat e një talenti. Koha e tij e artë e defilimit para lexuesve, koha e vërtetë e botimeve të veprave të tij, janë vitet e ‘90-ta, atëherë kur nisën të radhiten një mori përmbledhjesh me poezi, novela, romane dhe drama të shkruara shumë më herët, si dhe krijime të tjera aktuale, që do të botohen për herë të parë. Si edhe shumë krijues të tjerë të cilët censura dhe ndalimi i botimeve s’u shkonin për shtati burokratëve të kuq, siç shprehet ai, në punëtorinë letrare të K. Trebeshinës, pranë veprave të botuara pas viteve të ‘90-ta, akoma presin të botohen një varg romanesh, librash me poezi dhe pjesësh teatrale, që flasin për një shkrimtar shumë produktiv dhe të gjithanshëm, vepra këto që presin të vlerësohen dhe të studiohen nga kritika e kohës.
Marrë në përgjithësi, kritika letrare shqiptare akoma nuk është marrë seriozisht me veprat letrare të K. Trebeshinës. Përveç disa shkrimeve të përcipta dhe gjithsesi favorizuese për të dhe veprën e tij, kritika letrare shqiptare akoma hesht për gjerësinë, thellësinë dhe profilizimin letrar të autorit, i cili gjithsesi është shumë interesant, si dhe me rëndësi të veçantë letrare dhe të një krijuesi akoma të pastudiuar. Një simbolizëm dhe surealizëm interesant, janë vlerësimet fragmentare të kritikës letrare pa një thellim dhe analizë të stërholluar të veprës letrare që pret të studiohet, analizohet dhe interpretohet nga kritika, por edhe të botohet ajo që është në dorëshkrim, në mënyrë që mendimi kritik për të të jetë relevant dhe i verifikuar. Disa vlerësime të A. Klosit, S. Hamitit, B. Gjokës etj., dëshmojnë se vepra letrare e K. Trebeshinës është e shumtë dhe me peshë, e shumënduarshme, e thellë dhe shumë ironike. Vepra e K. Trebeshinës e ka kompleksin e regjistruesit të drejtpërdrejtë të ngjarjeve të kohës aktuale dhe vështirësinë e receptimit të distancës së kohës të leximit, dyshimit dhe receptimit pa rezervë, që d.m.th. vështirësitë e njohjes së realtë të së vërtetës që na ofrohet neve si lexues, në mënyrë që gjykimi të jetë i drejtë dhe pa emocione. Absurdi, ironia dhe tallja janë shenjat e qarta e të shpeshta që e shenjëzojnë gjuhën letrare të shkrimtarit, me të cilën e shëtit lexuesin vepra letrare e K. Trebeshinës. Absurdi i kohës kur shkrimtari i shkruan veprat e tij janë, për shembull, vitet 1953-56, kur botohet vëllimi prej tri novelash: e para Stina e stinëve, e dyta me titull Odin Mondalsven dhe e treta Fshati mbi shtatë kodrina, që të gjitha me nga një nëntitull veç e veç. Pastaj është fakti i përpunimit, kur kompleksiteti i fakteve të reja, që në artin e tij patjetër duhet ndryshuar, pra fakti letrar përmbi atë jetësor (që nganjëherë duhet të ndryshohet), e mpleksin tekstin para lexuesit si një faktografi që e lufton të vërtetën reale nga e vërteta reale artistike.

Kasem Trebeshina (1926-2017) - punim grafik A. Vataj
Kasem Trebeshina (1926-2017) – punim grafik A. Vataj

Novela Odin Mondalsven ka një kohezion të brendshëm për shumë arsye: e ka kompleksitetin e përzierjes së kohërave dhe të hapësirave. Heroi Odin Mondalsven, një danez që më pak është danez e më shumë shqiptar, në fakt është një K. Trebeshina, që në hullinë e absurdeve kërkon identitetin e humbur në këtë kohë dhe hapësirë të tëhuajësuar, të egër dhe të barbarizuar brenda unit që s’e njeh veten, s’e prek, s’e identifikon dot atë. Vepra, sipas datës së shkrimit, mban datën 1953-56, ndërsa është botuar për herë të parë në fillim të viteve të ‘90-ta në Prishtinë e në Tiranë. Më pak se histori dashurie, ajo ngërthen ironinë e një fati tragjik të heroit, një intrigim për një abuzim fatal të fatit të tij, i cili mund të jetë një “i krisur” që i bën të krisur të tjerët, pra ata që e pandehin për të tillë. Odin Mondalsveni është një personazh që para botës thotë se është danez, se gjyshin e ka pasur italian të martuar me një franceze, por nënën e ka daneze. Një personazh, i cili ka humbur toruan e kohës dhe të hapësirës, që është i mbyllur në një spital psikiatrik dhe mediton për kohërat dhe hapësirat, të cilit i shkrepin ide fantastike për realitetin, një Don Kishtot ose një psikopat që të çmerit me ide racionale, por që gjatë meditimit i “ngatërron” ngjarjet, emrat dhe personazheve të tij.
Odin Mondalsvenit i është turbulluar gjithçka. Koha e tij bredh nëpër intuita të papritura, kurse hapësirat nëpër të cilat shëtit mendja e tij janë ato të viseve nordike ose ato të Mesdheut. Të gjitha këto “kurthe” artistike të shkrimtarit, shëmbëllejnë me botën reale të tij, i cili për të na shëtitur në botën e tij shpirtërore, heroin e hedh herë në spital psikiatrik, herë në burg e herë e nxjerr në liri. Gjithë ky kaos, sikur synon të dëshmojë se çdo rrugë “lirie” përfundon me tragjedi. Kjo liri shpaguhet me çmenduri, ndërsa çmenduria shpaguhet me një përfundim tragjik për njeriun. Duke ironizuar me të vërtetën e hidhur të ideologjisë komuniste në të gjitha poret e shoqërisë shqiptare në kohën e pjesës së dytë të shekullit të kaluar, shkrimtari radhit paradokset e njëmendësisë komuniste, kur individi i zhduk vlerat e tij individuale, duke u shndërruar në një kokë pa tru. Gjithë kjo bëhet ironi therëse në vetëdijen e tij kur e ballafaqon heroin Odin Mondalsvenin me absurdin e përditshëm dhe të gjithanshëm deri në skajshmëri.
Novela Odin Mondalsven është vepra që lë mbresë të madhe te lexuesit. Thamë se ajo është shkruar me një dozë ironie të thellë. Në të vërtetë, shkrimtari e satirizon shoqërinë shqiptare të periudhës komuniste, duke i vënë në bisht lahute sa kolektivitetin, po aq edhe individin, kolektivin ose shoqërinë, që është njëmendësi, dhe individin, që është katandisur në qenie pa tru. Në rrëfimin satirik shkrimtari shpik një personazh të cilin e shëtit herë nëpër burgje e herë nëpër spitale çmendurie, madje nganjëherë edhe në fushë të lirë, ku liria është robëri. Odin Mondalsveni, heroi kryesor i rrëfimit, të gjitha veprimet i bën rreth dy koncepteve të përgjithshme njerëzore, siç janë liria dhe robëria. Në planin intim, aty është një grua e ndarë nga burri, e cila do të martohet me të, por meqë ai është një njeri i përndjekur, atij i bie që të luftojë që ta kthejë atë (gruan) kah vetvetja, d.m.th. të çlirohet nga ndjekja që ia bëjnë të tjerët. Aty parakalojnë njerëz që përpiqen “ta shërojnë” nga gjendja e vështirë mentale që e ka pllakosur. Është vështirë kuptohet në janë ata mjekë, njerëz të politikës ose edhe gardianë burgu.
Të gjitha alegoritë shpijnë në Shqipërinë komuniste – edhe kur “danezi” Odin Mondalsfen, “i ardhur nga një planet tjetër” sikur me të vërtetë është një ardhacak. Konstelacionet e analogjive për të flasin për një shqiptar, i cili gjendet brenda procesit gjyqësor, kurse në rrëfimin e autorit rreth tij sillen hetues, trupa hetuesish, po kaq sa edhe mjekë e spitale neurologjish. Këtu parakalojnë Putifari, faraonët, gruaja e bukur e Putifarit, Josifi, që mund të ishte Isuf, Mehmeti etj., personazhe që ironizojnë dhe satirizojnë personalitete të ndryshme të kohës publike dhe anonimate të kohës. Novela ka një pështjellim të qëllimshëm të kapitujve, të ngjarjeve dhe të personazheve, ku çdo gjë sillet sipas terkut të absurdit të aktualitetit. Teknika e rrëfimit është një rrëfim i rrëfimtarit të gjithëdijshëm, që nuk emocionohet gjatë dialogëzimit të personazheve dhe në to shihen përgjasime të stilit të Kafkës etj., përgjasime që, megjithatë, janë më shumë koincidenca letrare sesa ndikime të autorit.
Ndër veprat më të realizuara të K. Terbeshinës patjetër është Ku bie Iliria, një vëllim prej gjashtë tregimesh, që lexuesi mund t’i lexojë edhe si një roman. Tregimet Dy mijë vjet në një natë, Ngatërresa në Apoloni, Kambanat e Shën Ilisië, Hani i Bregomirës, Koka e Artemidës dhe Ëndërr qershori, ndërtohen mbi bazë të konceptit të jetës dhe të ëndrrës, që për bartës kanë personazhet e tregimeve të tyre të ndryshëm. Shkrimtari, ngjashëm si edhe te Odin Mondasveni, me qëllim bën përshndërrimin e koncepteve kohë dhe hapësirë në të cilat kohërat alternohen, duke u nisur nga koha e tashme e deri te ajo fiktivja (por edhe mitikja), kurse hapësirat alternohen që nga Shqipëria, Egjipti e gjer te ato të trilluarat, të ironizuara pafundësisht. Si edhe në të gjitha veprat e tjera, romanet dhe dramat, personazhet e këtyre tregimeve sorollaten brenda një hapësire në të cilën sundojnë padrejtësia, pasiguria, snobizmi, egocentrizmi etj. Pena e K. Trebeshinës është tepër kryengritëse, rebele dhe skajshmërisht e nxjerr fatin ironik të personazheve, të cilët shpesh janë tragjikë dhe ruajnë në vete hovin shpirtëror të mohimit të realitetit tallës të kohës. Prandaj regimet e tij mund të kuptohen si parodi të ndryshme që kanë ndërtime që e përplotësojnë njëri-tjetrin.
Tregimi Lashtësi moderne, me një nëntitull që e parodizon historinë dhe vlerat morale kombëtare, bashkë me kultet e besimeve fetare, me një ironi të thellë fsheh thekse bizare me elemente të komikes e humorit, që shpesh arrijnë deri në fundin tragjik të epokave të ndryshme, që për rrethanë e kanë të tanishmen e përhershme. Në këtë tregim në mënyrë artistike rrotullohen kohërat dhe hapësirat, duke i kthyer ato me kokë teposhtë – koha e partisë moniste me kohën e Egjiptit të lashtë, ndërkaq hapësira ku ndodh kjo është hapësira e epit të Niberlungëve të Gjermanisë. Aluzioni i ndrydhjes së lirisë, robërimi i njerëzve, është transparent gjithandej si në të gjitha tregimet e tjera. Për personazhe bartës të rrëfimit shkrimtari merr Asmut Rrakataken dhe Dylon Shuploin, shkrimtarë oborrtarë, që në fakt janë njerëz servilë të pushtetit. Rrëfimi i shkrimtarit është tepër sarkastik – ai ata i ngarkon mbi gomarë njëlloj si Servantesi Don Kishotin.
Tregimi tjetër, Dy mijë vjet në një natë, rrëfen për një arkeolog i cili është fshehur buzë një qyteti të lashtë për t’i bishtnuar dënimit të diktaturës dhe shkrimtari e ballafaqon atë me një ëndërr sikur të ndodhte para dymijë e katërqind vjetëve, diç që më vonë përshndërrohet dhe bëhet bashkë me një grup piratësh të shekullit XI. Ëndrra ndërpritet me ardhjen e agut, kur shkrimtari na kthen në atmosferën e tmerrshme të pushkatimeve masive, kurse zëri i ngjirur i personazhit që fsheh zërin komentues të autorit zbraz komentimin gjithsesi sarkastik.
Më interesant është tregimi Ngatërresa në Apolloni, në të cilin personazhi Nazo Ymeri shpallet kulak sepse ka blerë një gomar dhe me të e ka dëmtuar pasurinë e popullit, kurse revolta e tij, e cila do t’i zbardhë qëllimet e ironisë së shkrimtarit, bëhet përmes ëndrrës. Ëndrra e tij është tmerrësisht sarkastike: ai e sheh ëndërr Hiqmetin, shokun e tij të luftës, të cilin pasi e kanë vrarë shokët e tij partizanë, i shpijnë lule mbi varr. Ëndrra vazhdon më tmerrshëm – atij i dalin njerëz të para njëzet shekujsh, që e akuzojnë për rrëmbimin e një vajze, pastaj i fanitet një skenë tjetër e një epoke më të re, diçka si ëndërr në ëndërr, sikur i del para sysh Isa beu dhe koha e pushtimit turk, kurse ata e marrin për një akinxhi. Nazo Ymerin e shpëton një njeri i vogël, që është personifikim i një ndërgjegjeje të fjetur brenda vetes së tij. Ai i vegullohet me barkë, për ta ndihmuar që ta shpëtojë kokën.
Tregimet e tjera më shumë se tregime klasike janë balada të bukura dhe jashtëzakonisht të realizuara artistikisht. Në tregimin Kambanat e Shën Ilisë personazhi kryesor është kapetan Tafili, i cili sikur me parandjenjë parasheh se nëse u bie kambanave, mund ta gjejë fati i kobshëm. Dhe, ashtu ndodh – ai vritet në luftë me pashain turk, ndërkaq e fejuara e tij, e veshur e tëra me të bardha, hidhet në greminë. Te tregimi tjetër, Hani i Bregomirës, dy gra të internuara nuk duan t’i bien në dorë njeriut të sigurimit dhe prandaj bëjnë vetëvrasje.

Rezart Palluqi
Profesor Nehas Sopaj falenderimet e mia te përzemërta për analizën e letërsisë së shkrimtarit me guximtar shqiptar të 90 viteve të fundit!

Agron Shele
Prova me e spikatur e disidencës shqiptare, ishte Kasem Trebeshina!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit