Kasem Trebeshina – Disidenti që mbush shekullin… – nga Jozef Radi

Gazeta

Kasem Trebeshina (8 gusht 1926-6 nentor 2017)
Kasem Trebeshina (8 gusht 1926-6 nentor 2017)

Kasem Trebeshina – Disidenti që mbush shekullin…
nga Jozef Radi

Kasem Tërbeshina, mbush sot 100 vjeç. Nuk besoj se mund të ketë ndonjë ceremoni përkujtimore, aq më pak ndonjë pllakë te pallati ku jetoi, ndonjë bust, emërtim rruge a shkolle që të lidhet me jetën dhe veprën e tij, në këtë jubile të shenjtë.
Ndër ne, njerëzit që luftojnë me kurajo ndaj së Keqes, e që dëshmojnë integritet dhe qëndresë nuk kanë ndonjë vend të veçantë në historinë tonë kombëtare, përkundrazi…
Kasem Trebeshina në 100-vjetorin e tij, do të ndjehej sot, siç u ndje mbas së rënies së diktaturës, ku ishte ndër të parët (në të vërtetë qe i pari) që tha: “Nëse demokracinë do ta vazhdojnë ata që e bën diktaturën, foshnja ka lindur e vdekur!”
Mjafton kjo bubullimë e tija e 91-shit, që sot të mos nderohet prej askujt, (me asnjë rresht të vetëm), prej hierarkive politike të vazhdimësisë, në 100-vjetorin e tij.
Mbetet trishtim i madh që Trebeshina të mos nderohej prej të djeshmëve, as prej të sotmve dhe besoj as prej të rinjve të sotëm që synojnë të ardhmen, sepse pakkush ndër ne e kupton se çdo të thotë të jeshë i lirë, e s’kanë për ta kuptuar kurrë se çdo të thotë të jeshë një adoleshent që e përqafon luftën, një djalosh që ëndërron një botë të re… dhe zhgënjimi i thellë të shtyn ta braktisësh rrugën e një partie, së cilës i ke shërbyer si idealist, për një periudhë krejt të shkurtë kohe, dhe të ndëshkohesh përjetësisht… Këtë vetëm Partia Shqiptare mund ta bëjë…
Kasem Trebeshina sot është 100 vjeç.
Ai ka lënë aq vepër dhe aq dinjtet, ndër ata që e kanë njohur dhe ata që e kanë lexuar, sa e ka siguruar përjetësinë, pikërisht pse ai si intelektual i vërtetë qe në konflikte interesi me kohën (kohrat) që jetoi.
Mendoj dhe besoj se në historinë e Disidencës Shqiptare, Kasem Trebeshina është në kryekrè, dhe meriton një vend nderi.
Po me që “nderi” në shqip lexohet si e kundërta e asaj çka përfaqëson, Trebeshina, nuk mund të nderohej prej të panderëve… bile ai nuk e dëshiroi këtë nderim, sepse prej të panderëve pranojnë lëmoshë vetëm viktimat e mjerimit të tyre!
E Kasem Trebeshina, i përkiste një tjetër fisi!
Me kët rast po paraqes disa fragmente dokumentesh nga arkivat, ku Kasem Trebeshina ka insistuar të largohet nga Partia. Lidhja Sh(krim)tarëve s’mundet ta pranoonte largimin e tij me forma të paqme, ndaj ajo gjen mënyrën përmes një konklave ideollogjike inkuizicioniste, ta shëndrrojë në trajtë gjyqi, përjashtimi e tij nga Partia.
Dokumenti në fjalë ka 13 faqe, prej të cilave kam mundur të siguroj vetëm 6 prej tyre, por besoj të mjaftueshme për lexuesin që të kuptojë dy gjëra thelbësore që: Kasem Trebeshina i paska shkruar disa herë diktatorit, dhe se Promemoria e famshme, edhe pse nuk gjendet gjëkundi është pjesë e këtij gjyqi inkuzicionist letrar dhe lexohet nga një grusht shkrimtarësh.
Dashakqinjtë e shumtë të Trebeshinës, iu ndrit fytyra që ajo Promemorie nuk gjendet she shpesh kanë brohoriturpër këtë “mashtrim” tij, por në këto dokumente, flitet qartë për një njeri që ka vendosur ta kundërshtojë me forcë realizmin socialist, dhe po me forcë ka vendosur të largohet nga Partia, edhe për parimet e veta mbetet konsekuent, edhe për pasojat e kësaj konsekuence i pagoi dinjitetshëm…
Në materialin e paraqitur, krahas Kasem Trebeshinës janë edhe figurat e shkrimtarëve Mark Ndoja e Mehmet Myftiut, ku dëshmon katërcipërisht se Promemoria është diçka e lexuar në rrethe të ngushta të Lidhjes Shkrimtarëve, dhe është zhdukur për mos t’u lënë asnjë lloj hapësire njerëzve të disidencës së vërtetë në Shqipëri, e për t’ia faturuar këtë disidencë, ikonave për të cilat partia u kujdes gjer në ditën e ikjes së tyre.
I përjetshëm kujtimi i Kasem Trebeshinës!
Njeriu që me idealizëm u përfshi në Luftën e Madhe, i zhgënjyer e braktisi qysh herët anijen e krimit, dhe e vazhdon këtë Luftë të Madhe Morale, edhe sot duke lartuar vlerat e qëndresës intelektuale, edhe atëherë kur intelektualizmi po zhdukej përmes dhunës…
jozef radi, 7 gusht 2026


 

Organizata e Partisë e Lidhjes së Shkrimtarëve (perjashton nga Partia Kasem Trebeshinen)
Organizata e Partisë e Lidhjes së Shkrimtarëve (perjashton nga Partia Kasem Trebeshinen)

Organizata e Partisë e Lidhjes së Shkrimtarëve*
(AQSH FB/AP – shkruar me laps të kuq)

“Protokoll i Organizatës Bazë të Partisë të Lidhjes së Shkrimtarëve
për Mbledhjen e Datës 5 Shtator 1953”,

me këtë rend dite.
(faqja 1) Leximi i letrës së shokut Kasem Trebeshina drejtuar Sekretarit të Përgjithshëm të Partisë së Punës së Shqipërisë, shokut Enver Hoxha, me të cilin kërkon largimin e tij nga Partia. Në këtë mbledhje janë prezent Luan Qafëzezi, Mehmet Myftiu, Mark Ndoja, Llazar Siliqi, Kolë Jakova, Dhimitër Shuteriqi, Aleks Çaçi, Kasem Trebeshina dhe Efìtali Qirko. Mungon Shefqet Musaraj,me leje jashtë shtetit. I deleguar i Komitetit të Rrethit të Tiranës, shoku Njazi Jaho. Në këtë mbledhje merr pjesë edhe shoku Manush Myftiu, Sekretar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës së Shqipërisë, dhe shoku Fatmir Gjata, nga aparati i Komitetit Qendror të Partisë.
Aleks Çaçi (Sekretar i Organizatës) – Në këtë mbledhje të Organizatës do të lexojë letrën që shoku Kasem Trebeshina, i ka drejtuar Sekretariatit të Përgjithshëm të Partisë së Punës, shokut Enver Hoxha, me të cilën kërkon largimin e tij nga Partia. Këtë letër do ta lexojë shoku Kolë Jakova. Shoku Kolë Jakova, meqenëse unë kam munguar me arsye për disa kohë dhe nuk jam shumë në korrent me zhvillimin e dy mbledhjeve të fundit të Organizatës, ku kanë dalë shumë çështje me rëndësi në lidhje me letërsinë, do të raportoj duke u nisur nga kjo letër. Çështjet do të shtrohen kanë rëndësi të posaçme për letërsinë tonë, prandaj Organizata duhet të thellohet dhe të dalë me konkluzione. Pikëpamjet që kanë shfaqur disa shokë janë kundra vijës së Partisë në letërsi. Unë kam bashkëpunuar me shokun Kolë Jakova, në përpilimin e raportit dhe jam dakord me raportin.
Kolë Jakova lexon raportin e mëposhtëm: “Siç e thotë vetë shoku Kasem, kjo nuk është e para letër me të cilën ai shfaq dëshirën të largohet nga Partia. Para afro tre vjetësh Kasemi e ka paraqitur edhe një herë këtë dëshirë, me letër dërguar Partisë. Komiteti i Partisë, me sa di unë, e këshilloi Kasemin të heqë dorë nga ky mendim i padrejtë dhe i huaj për anëtarët e Partisë, dhe nga ana tjetër e porositi Organizatën Bazë të Lidhjes që të ketë kujdes për veprat dhe punët e vetë Kasemit, në mënyrë që shokët ta ndihmojnë, edhe vetë Lidhja t’i japi atij dorën të lëvrohet si shkrimtar. Me dëshirën e tij, ai erdhi në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe u pranua edhe si Sekretar Kolegjiumi i “Letrarit të Ri”, ku ka punuar mirë. Që tre vjet e këndej, Kasemi ka botuar, “Ushtojnë Malet”, (poemë) ka shfaqur në Teatrin Popullor “Heronjtë”, (dramë); ka botuar “Partizanët”, (pjesë dramatike), ka botuar gjithashtu në revista dhe gazeta vjersha dhe tregime. Pra, për sa thotë Kasemi, se “veprat e mia nuk janë botuar dhe nuk janë shfaqur”, në parim kjo nuk është e drejtë. Kasemi ka botuar ashtu si kanë botuar edhe të tjerët. Ka pasur raste, siç thotë edhe ai rasti i dramës “Kruja e Çliruar”, që vajti shumë kohë, duke u sjellë në Teatrin Popullor, në Komitetin e Arteve, dhe vetëm pas…

(faqja 2) vitesh e gjeti rrugë të dalë në dritë si vepër e mirë, siç është rasti i romanit “Nëpër dy botë”, të cilën Shefqet Musaraj e gjeti të mirë, por s’u bë gjë me të, dhe siç është rasti i poemës “Kruja e rrethuar”, të cilën ndërmarrja e librave e rrëzoi me një recension të padrejtë. Pjesa mund të rrëzohesh, por analiza duhej bindëse dhe jo ashtu siç e bëri Ndërmarrja. Kasemi, ka diskutuar në lidhje poemën “Shqiponjat e maleve”, “Kruja e rrethuar”, “Ushshtojnë malet” dhe vëllimin e vjershave “Këngët e këngëve”.
Përsa u përket veprave, që është bërë një punë e padrejtë me to, si zgjatja e kohës për dramën “Kruja e çliruar”, për romanin “Nëpër dy botë”, e për poemën “Kruja e rrethuar”, shkaku është tek një punë e dobët administrative dhe letrare në përgjithësi, që është bërë mjaft herë në Lidhjen e Shkrimtarëve në të kaluarën. Ne kemi mjaft fakte të tjera të kësaj natyre, të cilat kanë sjellë çrregullime dhe keqkuptime. Nuk është kritikuar kot disa herë Lidhja, për punë të tilla. Kjo rrjedh edhe nga mosngritja jonë ideo-artistike, e cila mosngritje ekziston tek ne dhe për zhdukjen e saj kemi nevojë studimi të vazhdueshëm.
Po të merret në tërësi puna që është bërë nga shokët e Lidhjes me shokun Kasëm, del e qartë se shoku Kasëm nuk ka qenë i persekutuar siç pretendon ai, përkundrazi, me të është bërë punë më tepër se me disa të tjerë të cilët, si Kasëmi, e si ne të gjithë, kishim nevojë për të botuar, për t’u konsultuar dhe për ndihmë shoqërore. Ideja e persekutimit që shfaq shoku Kasëm është e pathemeltë (që ai shfaq kundrejt shokëve të organizatës dhe të vetë Partisë). Ai thotë: “Persekutim i hapët, qëndrim i partisë dhe sharjet e çdo lloji, tregojnë se puna ime duhet ndërprerë dhe do ta ndërpres.”
Partia jonë, mban një qëndrim për të gjithë anëtarët e saj, ashtu siç ka mbajtur edhe për shokun Kasëm. Partia i dënon njerëzit kur ata bëjnë gabime në punën e tyre dhe u jep dorën kur ata shohin gabimin dhe në punë e sipër e eliminojnë.
“Mos vallë sjellja e këtyre tri vjetëve nuk tregon persekutim, thotë Kasëmi? Pikërisht, sjellja e këtyre tri vjetëve nuk tregon persekutim. Faktet që rreshtova më lart janë të qarta. Prandaj, shoqja Fiqerete kishte plotësisht të drejtë ta dënonte këtë mendim të shtrembër të shokut Kasëm, kur ai e paraqiti në organizatën bazë. Por çështja e persekutimit është e lidhur me një seri mendimesh të huaja për Partinë që Kasëmi i shpreh edhe në letër. “Forca është forcë dhe fakti është fakt”, thotë Kasemi. Kjo do të thotë, me fjalë të tjera, se njerëzit e Partisë që rrinë lart, kanë forcën në dorë dhe këtë e përdorin edhe kundër fakteve të drejta për Kasëmin. Pra, njerëzit e partisë (këtu është fjala për shoqen Fiqerete pasi asaj i referohet në letër) përdorin forcën kundra fakteve. Kjo ide është armiqësore për Partinë dhe për njerëzit e saj. Kasemi ka mendimin se në parti përdoret forca, prandaj është në kundërshtim flagrant me vetë Partinë. Ky mendim është i lidhur me një mendim tjetër të shokut Kasem, i cili është mendimi bazë nga rrjedh gjithë të tjerët. Kasemi thotë. “Unë jam romantik dhe në vjershat e mia duket revoltimi dhe protesta, por për këtë nuk kam asnjë përgjegjësi. Përgjegjësinë për këtë e kanë ata që më frymëzojnë. Jo vetëm me fjalë, edhe me vepër. Kasëmi është romantik dhe në shumë vende romantik i revoltuar. Kundër kujt? Kundër realitetit që e rrethon. Kundër atyre që e frymëzojnë. Kasemi është romantik dhe revoltohet kundër shkrimtarëve të cilët përpiqen të shkruajnë me metodën e realizmit socialist dhe kërkon të heqë dorë nga të shkruarit romantikçe

(faqja 3)  dhe bile ta përçmojë si anakronike sot këtë metodë. Nuk i shkruajnë hënës që perëndon në det, dashurisë plot nostalgji dhe vaj, natyrës që të humb në misteret e saj, nuk shajnë shokët e vet me fyerjet më të rënda, por përpiqen me shkrimet e tyre të pasqyrojnë jetën heroike që kalon sot populli ynë në ndërtimin e bazave të socializmit.
Këtu sipas mendimit tim qëndron gabimi dhe meta kryesore e shokut Kasëm. Shoku Llazar Siliqi në analizën e vjershave të shokut Kasëm vërejti se një sasi vjershash me tematikë të tillë që reflekton jetën e popullit tonë, si edhe disa vjersha dashurie dhe të së kaluarës ishin të mira në vëllimin e paraqitur, kurse pjesa tjetër nuk i shërben çështjes sonë, qoftë për formën, qoftë për përmbajtjen e saj, prandaj nuk duheshin botuar. Ky qëndrim i shokut Llazar në parim është i drejtë, partia na orienton që në shkrimet tona të përdorim metodën e realizmit socialist, por na porosit të marrim eksperiencën e letërsisë sovjetike, e cila të bëhet burim frymëzimi për ne, Kasëmi e thotë në fillim: “Unë jam romantik, unë revoltohem!” Ky mendim i Kasemit është në kundërshtim flagrant me orientimin e partisë, me vijën e partisë. Unë nuk mendoj si Mark Ndoja, që thotë se Kasëmi mund të thotë çka të dojë; ai me veprën është me realizmin socialist. Kasëmi në vëllimin e vjershave ka një dozë të madhe romantizmi, ashtu siç është e vërteton me gojë, realiteti i sotëm nuk e tërheq Kasemin. E gjithë kjo jeta jonë nuk i bën përshtypje atij, e vetmja përshtypje është revolta kundër atyre që nuk duan ta njohin veprën e tij me shkollën e tij të të shkruemit. Atëherë, ata që nuk duan të pranojnë këtë, e këtë e quan Kasëmi fakt. Ai i ai ish bijë i kompromisit që e bëjnë kompromis e e pranojnë këtë, (e këtë Kasemi e quan fakt), ai i shan “bijë të kompromisit” (që bëjnë kompromis me partinë), plehra që do t’ju tresë era, etje.
Kasëm Trebeshina ka talent dhe shkruan mirë, kur ai zhvishet nga mendimet e huaja që ka që i ka huajtur nga leximi i shkrimtarëve të mëdhenj të shekujve të kaluar. Qoftë nga mendimi, qoftë nga forma, qoftë nga vetë metoda e romantizmit, të veshur shpesh me misticizëm, melankoli të tepruar, pra me dekadentizëm. Drama “Kruaja e çliruar” tregon se ai mund të shkruajë mirë dramë. Vjershat e Stalinit, Një tufë lule; Shamia e komitit; tregojnë se ai mund të shkruajë mirë vjersha, ndonjë tregim që kam lexuar unë tregon se ai mund të shkruajë mirë edhe këtë gjini letrare, pikërisht në këtë drejtim janë përpjekur shokët ta orientojnë Kasëmin, pikërisht këtë mendim kanë shfaqur edhe shokët e aparatit të Komitetit Qendror!

Shokë,
të gjithë këto çështje ne i kemi shkruar tri herë me radhë në organizatën bazë të partisë, shoqja Fiqerete për të dytën herë bëri konkluzionet e mbledhjes dhe dha vijën e partisë në lidhje me letërsinë sovjetike, në lidhje me klasikët dhe me metodën e realizmit socialist, mirëpo fill mbas mbledhjes shoku Kasëm paraqet këtë letër, e cila është dëshmi e qartë se ai nuk është dakord në disa raste me vetë vijën e Partisë. Unë mendoj se partia dhe vetë organizata bazë e i kanë dalë hakut shokut Kasëm, prandaj organizata bazë duhet të mbajë qëndrim. Të jeshë në organizatën bazë, anëtar partie dhe të kesh pikëpamje në opozicion me vijën e Partisë dhe t’i ushqesh dhe t’i mbrosh me këmbëngulje këto pikëpamje, ashtu siç bën Kasëmi, do të thotë të mos kesh gjë të përbashkët me vetë Partinë, të jesh i padëshirueshëm për radhët e saj. Unë shpresoj se ai do t’i ndreqë pikëpamjet e tija, unë shpresoj në përmirësimin e tij dhe se me shkrimet e tij do t’i vlejë kauzës së popullit dhe letërsisë shqipe pasi ai ka talent.
Mjerisht jo vetëm Kasëm Trebeshina shfaq mendime të tilla në organizatën tonë, shoku Mehmet Myftiu në disa pika bashkohet me mendimin e shokut Kasëm, ai shfaq hapur mendimet e tij, Mehmeti thotë

(faqja 4) për letërsinë sovjetike kam po atë mendim që ka Komiteti Qendror i Partisë Komuniste të Bashkimit Sovjetik. Ata janë të pakënaqur, edhe unë jam i pakënaqur. Uji duhet të marrë nga burimi. Nuk duhet bërë një ndarje nga klasikët. Këto mendime të shokut Mehmet parimisht janë në kundërshtim me vijën e Partisë. Shoku Malenkov, në raportin e tij nuk është i pakënaqur për letërsinë sovjetike, përkundrazi, është shumë i kënaqur për sukseset e saj dhe godet ato pjesë të dobëta të cilat nuk i vlejnë sa duhet publikut sovjetik. Malenkovi shfaq pakënaqësinë për vepra të një kualiteti të dobët, të cilat gustoja e publikut sovjetik nuk i qas. Por Malenkovi flet me entuziazëm për sukseset e mëdha të letërsisë sovjetike, mendimi i Mehmetit është se nuk kemi çka të marrim eksperiencë nga një letërsi, e cila sipas tij është e pakënaqshme, prandaj duhet t’u sillemi kollosëve të letërsisë botërore të të gjitha kohërave e të gjitha formave, prej klasikëve, thotë Mehmeti, ne mund të fitojmë artin e të shkruarit formën dhe humanizmin e tyre dhe mandej të shkruajmë jetën, të vërtetën, ashtu siç thotë Stalini. Sa për metodën as Tolstoi, as vetë Shollohovi thotë se ata nuk kanë pasur metodë, prandaj njerëzit nuk duhet të përdorin metodë, në mos daçin të shkruajnë keq. Edhe këto mendime flasin qartë. Mehmeti nuk është për metodën e realizmit socialist, që e ka përcaktuar vetë Stalini. Këto mendime të shkëpusin nga tradita e letërsisë sovjetike, letërsia më përparimtare në botë, e mohojnë këtë traditë dhe bile edhe metodën që formoi këtë traditë, metodën e realizmit socialist.
Këto mendime janë në kundërshtim me orientimin e Partisë në letërsi dhe shpien ujë në kozmopolitizëm, në të shkruajtur jashtë kohës, në anakronizëm. Të shtyjnë të heqësh partishmërinë në letërsi, me fjalë të tjera, veprat tona të mos i shërbejnë kauzës së popullit e të Partisë.
Si Kasemi ashtu edhe Mehmeti, nuk kanë një konsideracion sado të vogël për letërsinë tonë të re. Kjo është e natyrshme për ta. Kur të përçmosh eksperiencën e letërsisë sovjetike, do të thotë se dhe letërsia jonë që përpiqet të jetë e realizmit socialist nuk është ndonjë gjë, në këto pozita ndodhet pak a shumë shoku Mehmet sot. Shoku Mark Ndoja është i mendimit se tek ne rreziku kryesor është shkëputja nga klasikët. Partia në çdo vendim na porosit të studiohen klasikët, ne kemi bërë pak për klasikët, veprat e tyre në shqip janë të pakta, dhe këtu ka të drejtë Marku që ankohet. Por Marku shpreh një mendim të gabuar kur thotë se klasikët e realizmit socialist nuk duhen nda prej të tjerëve, dhe nuk duhet vënë në radhë të parë eksperienca e letërsisë sovjetike.
Unë mendoj se edhe klasikët kanë metodat e tyre që i kanë përdorur gjatë shekujve. Realizmi Mitologjik ndryshon nga romantizmi, ashtu si romantizmi nga realizmi kritik, dhe ashtu ndryshon nga të gjitha metodat: metoda e realizmit socialist. Realizmi socialist, është pikërisht metoda që na lypset neve; prandaj dhe e ndajmë nga të tjerat, se është një metodë “sin equa non” për ne. Ky mendim i Markut dashtë pa dashtë, çon ujë në disa mendime të Mehmetit dhe të Kasemit. Të shkëputë nga letërsia sovjetike dhe bile Markun e ka shkëputë nga vetë letërsia, për një kohë të gjatë fare pak ka prodhuar.

Shokë,
unë mendoj se te këta 3 shokë, ne kemi një gjë të përbashkët: ku më shumë e ku më pak shkëputja nga letërsia sovjetike, mohimi i traditës së letërsisë së realizmit socialist, kjo është në kundërshtim me vijën e partisë me orientimin që na jep partia për ngritjen e letërsisë sonë të re.

(faqja 7)
Dhimitër Shuteriqi – Ti thua që veprat tona kanë vdekur, unë mendoj se ato posa kanë lindur. Për shembull, drama “Halili dhe Hajria” ajo po luhet me sukses, pra, kjo dramë ka vdekur për ty, por jo për popullin.
Njazi Jaho – Mehmeti në një mbledhje tjetër ka thënë që ose bëj vepër të mëdha si Lermontovi, etj., ose shkoj që sot e mbjell patate.
Mehmet Myftiu – Po unë aspiroj të shkruaj gjëra të mëdha. Aleksi tha se me ç’qëllim tha Mehmeti “do të vijë dita” ç’kupton me këtë fjalë. Pse ç’mendon Aleksi se me unë po pres ditën që të vijë imperializmi?!
Manush Myftiu – Pa na shpjego ç’hyn këtu imperializmi. Aleksi kërkon sqarime, dhe ka të drejtë.
Mehmet Myftiu – Jo, po pse dyshon Aleksi dhe pyeti si me dyshim. Unë me fjalën “do të vijë dita” për punën e Kasemit, desha të them se me gjithë gabimin që po bën Kasemi, që po kërkon të largohet nga Partia, prap do të vijë dita që Kasemi me punën e tij do t’i tregojë Partisë se punon për të, se është i vendosur në vijën e saj dhe se shokët, atë me qëllim ose pa qëllim s’e kanë kuptuar dhe e kanë luftuar pa të drejtë.
Fatmir Gjata – Mehmeti ka thënë se do të marrim nga klasikët edhe formën, edhe përmbajtjen, edhe filozofinë, e sot thotë se do të marrim vetëm përmbajtjen.
Mehmet Myftiu – Unë them se përmbajtjen do ta marrim në formë kritike.
Aleks Çaçi – Ti shoku Mehmet, the se po të shkoje në Bashkimin Sovjetik do t’i shikoje problemet më mirë, e do t’i ndreqje gabimet. Ç’gabime do të ndreqje?!
Mehmet Myftiu – Në qoftë se do të kisha gabime.
Manush Myftiu – Ti je në rregull sipas mendimit tënd!
Mark Ndoja –  Unë e gjej raportin gabim. Unë nuk i ndaj klasikët nga letërsia sovjetike. E kam ngritur çështjen e proletkultit që është afër dhe që mund të na çojë në ideologji borgjeze. Ne me fjalë i pranojmë klasikët, po nuk bajmë gja. Ky asht rrezik. T’i lexojmë klasikët shokët, nuk asht gabim. Dhimitri ka qenë i shkëputur nga klasikët, kështu Aleksi e Fatmiri. Duhet t’i mësojmë klasikët. Pa tradita, do të çalojmë me të dyja kambët. Ne mund t’i ndajmë dhe nuk mund t’i ndajmë sovjetikët nga klasikët. Mohimi nuk do të thotë “jo”, – thotë Zhdanovi. Komunizmi, thotë Zhdanovi, do të krijojë kushtet që t’i kalojmë klasikët. Asht anti-leniniste të mbahet nji qëndrim i tillë për klasikët. Është. Unë kam thënë se duhet marrë vepra e Kasemit dhe jo deklarata. Lenini thotë të merret vepra dhe jo deklarata, kur flitët për Tolstoin. Nga debatet do të dali se si është Kasemi, romantik apo realist. Shoku Kasem dezerton nga Partia. A është kështu dhe ka dezertue nga Partia. Kjo nuk është e drejtë. Shefqeti ka thënë për Kasemin se është i çmendur. Ai e ka me shkrimtarët, kur thotë: “Plehra të historisë”.
Njazi Jaho – Pse nuk diskuton Marku se ç’masa duhen marrë nga Lidhja për ngritjen e letërsisë?
Mark Ndoja – Kjo është një çështje tjetër që duhet shtruar në një mbledhje të veçantë.
Fatmir Gjata – Ku është esenca e Proletkultit?
Mark Ndoja – Esenca e Proletkultit është mohimi i traditave.
Kolë Jakova – A ndahen nga klasikët, klasikët e realizmit socialist?!

Mark Ndoja (1912-1972)
Mark Ndoja (1912-1972)

(faqja 13)
Kasëm Trebeshina – Që më 1949, jam munduar të bëj diçka të mirë, por nuk më doli. Mendimet për letërsinë, s’kam si i ndryshoj. Për vjershat, unë dija që s’bënin.
Mehmet Myftiu – Kasëmi me letërsi, ka gabime, por nuk është vetëm kjo jeta e partisë.
Dhimitër Shuteriqi – Kasëmi e ndjen veten me zinxhira në Parti, disa herë ka deklaruar: do iki nga letërsia, jam dakord që të nxirret nga Partia.
Llazar Siliqi – Për Kasëmin nuk kam se ç’të shtoj. Për këtë dy shokët e tjerë, unë mendoj se ka ndryshim në mes të Markut dhe të Mehmetit, prandaj unë bashkohem me mendimin e shokut Luan, që shokut Mark t’i hiqet vërejtje me shënim në protokoll.
Mark Ndoja – Unë nuk jam aspak dakord me një akuzë të tillë si ajo që më bëri Aleksi. Unë s’kam shfaqur asnjë mendim kundra letërsisë sonë apo kundra letërsisë sovjetike, përkundrazi, kam luftuar për to dhe për këtë mund të pohojnë shokët e organizatës. Por Aleksi dhe Fatmiri, për inate personale, përfitojnë në këtë rast dhe e mbajnë këtë qëndrim. Propozoj që Kasemi me gjithë gabimin e tij të rëndë, t’i jepet kohë të mendohet.
Aleks Çaçi – I jepet edhe një herë fjala shokut Kasëm.
Kasëm Trebeshina – Unë jam përgjegjës vetëm për ato që kam thënë dhe janë të shënuara në protokoll.
Aleks Çaçi – Atëherë shokë, vëmë në votë propozimin për përjashtimin e shokut Kasëm Trebeshina nga Partia.
Votohet.
Votojnë për përjashtimin e Kasëmit nga Partia shokët: Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Luan Qafzezi, Eftali Qirko, Aleks Çaçi dhe Kolë Jakova. Janë kundra shokët: Mark Ndoja dhe Mehmet Myftiu.
Aleks Çaçi: “Kalojmë në propozimin tjetër: Kush është pro që shokut Mark Ndoja t’i hiqet vërejtje me shënim në protokoll?! Votojnë pro shokët: Llazar Siliqi, Luan Qafzezi, Mehmet Myftiu, Eftali Qirko dhe Kolë Jakova. Shokët Aleks Çaçi dhe Dhimitër Shuteriqi janë për vërejtje me shënim në biografi.
Aleks Çaçi: “Tani kalojmë në propozimin tjetër: Kush është pro që shokut Mehmet Myftiut t’i hiqet vërejtje me shënime në biografi. Janë pro për këtë propozim shokët Dhimitër Shuteriqi, Llazar Siliqi, Luan Qafzezi, Eftali Qirko, Kolë Jakova dhe Aleks Çaçi. Është kundër, Mehmet Myftiu. Kasem Trebeshina nuk merr pjesë në votim.

Manush Myftiu: “Është interesante propaganda që bëjnë anglo-amerikanët për letërsinë tonë, e cila puqet shumë me pikëpamjet e këtyre shokëve. Përsa i takon shokut Mark, ka përgjegjësi si më i pjekur që nuk ka mbajtur qëndrim si duhet karshi këtyre shokëve, dhe në vend që t’i kritikonte për pikëpamjet e tyre, i ka mburrur duke u vënë në dukje talentin.”
Mehmet Myftiu: “Organizata duhet ta kishte ndihmuar më shumë Kasem Trebeshinën.

Vendim:
Organizata vendosi prandaj,
1.Për shokun Kasem Trebeshina të përjashtohet nga Partia.
2.Për shokun Mehmet Myftiu: vërejtje me shënim në biografi,
3.Për shokun Mark Ndoja: vërejtje me shënim në protokoll.
Për organizatën bazë të Partisë: Sekretari Aleks Çaçi (firma)
Tiranë, me 8 shtator 1953

Organizata e Partisë e Lidhjes së Shkrimtarëve (perjashton nga Partia Kasem Trebeshinen)
Organizata e Partisë e Lidhjes së Shkrimtarëve (perjashton nga Partia Kasem Trebeshinen)

(*Falenderoj Leka Ndojën për materialin arkivor të këtij shkrimi)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit