back to top
-2.5 C
Tirana
E martë, 13 Janar, 2026

Karrigia – Tregim nga Fitim Sula

Gazeta

Vincent Van Gogh - Vuajtja
Vincent Van Gogh – Vuajtja
Karrigia
tregim nga Fitim Sula

-Ngrihu, bir. Zbardhi dita, – i pëshpëriti me dhembshuri e ëma.
-Oh, vërtet ka gdhirë? – mërmëriti culli duke fërkuar sytë.
-Nanë, sot s’kam uri.
-Po pse mor bir?
-Dje s’fitova asnjë kacidhe. Bënte ftohtë e njerëzit s’kishin mendje për këpucë; rrasnin kryet midis supeve e çapitnin gërmuq përballë murranit. Madje, njëri më tha vrazhdë: “Kujt i bie mendja për këpucë? Shko në shtëpi e ruaj vetin, more djalë!”
-Eh, i ngrati im, si qenkësh kjo jetë! Ngrihu të hash një kafshatë, hajde biri im.
Shtegtari u ngrit si me përtesë. Hëngri me ngut disa kafshata dhe nisi të kërkonte karrigen dhe veglat lustrimit.
-Nanë, edhe sot paskan dalë përpara meje mjetet e punës?
-Çohesh vonë, bir, – ia ktheu ajo me një buzëqeshje të lodhur. -Ato mërziten e dalin vetë në vendin e punës. Babën tënd e çonte kolla që pa gdhirë.
I shoqi i saj kish ndërruar jetë herët. Dhe siç ndodh zakonisht, i biri trashëgoi bashkë me varfërinë edhe zanatin e lustraxhiut.
“Eh, nana… veglat e punës njerëz qenkëshin për ty?” – mendoi djaloshi me mëdyshje.
Për habinë e tij, karrigia nuk gjendej tek vendi i përditshëm.
“Ma kanë përlarë… po tani ku do t’i ul klientët?” – dhe fill u trishtua.
I erdhi ndërmend ndërtesa e madhe në qendër, ajo ku thoshin se njerëzit e shtynin ditën kot.
“Atje do të shkoj! Patjetër do të gjej një karrige.” – vendosi në çast.
Kur mbërriti përballë ngrehinës, i hutuar belbëzoi: “Sa madhështore duket!”
Një zë i brendshëm e urdhëroi befas, -“Fillo nga kjo derë!”
Trokiti nja dy herë. Nga brenda u dëgjua një: “Hyrë!” Hapi derën me kujdes dhe futi kryet. Në gjysmerrësirë dalloi një kovë dhe disa shkopinj fshesash të mbështetura në kënd.
Dhoma e pastrueseve! – mërmëriti.
-Hë, vocërrak, ç’e mirët të solli? – dëgjoi një zë i përhumbur.
-E keqja më ka sjellë, – tha djali, – Ju lutem… një karrige?
-Karrige!? – shpërthyen të dyja me një të qeshur qesëndisëse.
Qenë shtrirë pothuajse krejt në karrige, edhe pse ishin në mesin e orarit të punës.
-Po, karrige. Pa të s’kam punë, s’kam para… s’kam as bukë.
-Ashtu… Mezi kemi gjetur këto që kemi. Karrigen e vet se jep asnjeri, more djalë.
“Paskan zemër prej guri! -mendoi dhe pa humbur kohë kaloi tek dera tjetër. Trokiste e lutej, përgjërohej… por karrigen s’e lëshonte kurrkush. U ngjit shkallë pas shkalle deri në katin e epërm. Në të fundit derë lexoi: “Zyra e më të Madhit”
Trokiti, por nuk i përgjigjej kush. Guxoi e uli dorezën… Mbas saj nuk qe dhoma që priste, por një tjetër derë. Pastaj një tjetër. Edhe një tjetër. Kësisoj… njëra mbas tjetrës, hapi plot nëntëdhjetenëntë dyer, derisa mbërriti tek një e fundit. E hapi dhe u përplas në terr. Qe pa asnjë dritare. Fill i përngjau sikur errësira e zateti për fyti, aq iu morr fryma.
-A ka njeri brenda? – thirri me zë të pasigurt.
Zëri i tij u përplas në mure të padukshme dhe u kthye mbrapsht si jehonë shungulluese. Më pas u bë heshtje. Asgjë nuk lëvizi. Qetësia e shplaku cullin. I trandur… u kthye të ikte. Por papritur terri u drodh dhe një zë i rëndë, i egër, shpërtheu nga thellësia:
-Ç’kërkon këtu djalosh!?
Zëri i ngjau hungërimës së një kafshe nga përrallat e moçme. Iu ngritën qimet përpjetë. Këmbët iu ngurosën. Thua se dikush ia nxori frymën jashtë trupit. Pasi iu kthye paksa shpirti, mblodhi një grimë kurajë e erdhi në vete. Murmuriti me zë të mekur:
-Ju lutem… kërkoj një ka…rrigë… për klientët… jam lustraxhi, – iu përgjërua culli me të marrun goje.
-Ç’do more djalosh? – oshtiu dhe po vetë u përgjigj duke u zgërdhirë, – Një karrige… hi hi!
-Po… një ndenjëse, – belbëzoi ai.
-Një ndenjëse! – zëri iu bë i gjatë, i vjetër, si të përmendte gjësend të humbur prej shekujsh, – Je në vete, more tutkun!? Kërkon karrigen që ruhet pas nëntëdhjetenëntë dyersh?
-Po. I hapa një për një, të nëntëdhjetenëntë dyert, – tha me një lloj krenarie fëminore.
-E di, e di… tani je në rrugë të mbarë, – psherëtiu zëri, si t’ia uronte shtegun drejt humnerës, – Nëntëdhjetenëntë dyer për një karrige! Dhe ti vjen ta marrësh?
-Më duhet për klientët. Jam lustraxhi.
-Lustraxhi? – iu drodh zëri me mosbesim të sinqertë, – Paska ende që lustrojnë këpucë në rrugë!?
Aty, në atë errësirë, Shtegtarit i shkoi mendja se zoti i zërit duhej të kishte kohë, ndoshta mote të tëra, i ngujuar aty brenda. Ku ta merrte me mend i ziu djalë se zyrtarët e atij vendi nuk ndaheshin më nga karriget? Se kryemadhoshët rrinin të ngulur në to për dhjetëra vite?! Se të ndenjurat e tyre qenë bërë njësh me ndenjësen? Thoshin se ato karrige nuk bliheshin gjëkundi: porositeshin si kostumet te rrobaqepësi, si këpucët te mjeshtri. Mateshin me kujdes prapanicat e akëcil njeriu që parapëlqente pushteti.
U largua, duke menduar se zyrtari i madh nuk ndodhej fare aty. Padashas, ndjeu keqardhje për ngujimin e tij në errësirë…
“I ziu njeri, – mendoi pahir, – ka ngecur brenda shpellës dhe s’ka fare haber çka ndodh përjashta! A thua njëmijë vjet?! Ndoshta edhe lodhet të hapë e mbyllë nëntëdhjetenëntë dyer çdo ditë…” -përsiati Shtegtari.
Duke mbyllur dyert e atij labirinti një e nga një, kuptoi se koha pati fluturuar pa e vënë re. Kur doli jashtë, u shastis; gjithçka qe ndryshuar. Njerëzit, rrugët, ndërtesat, e gjithë bota dukej krejt tjetër. U mundua të ftillohet për vendin ku duhej të ishte shtëpia, por pati humbur orientimin. I bëhej se gjendej në një qytet të ri, në një epokë të pa emër. Rastësisht u pa në pasqyrën e një xhami të zi. I lemeris fërkoi sytë… dhe dalloi një Shtegtar tjetër. Po ai ishte, i njëjti, por gjithashtu krejt ndryshe, gati i moçëm. Desh të belbëzonte diçka, por mjekra nisi t’i dridhej fort.
(Ps. Tregim i botuar në librin me titull: “Pelegrinët e një bote të errët” tashmë i ripunuar.) Fitim Sula

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.