back to top
33.5 C
Tirana
E enjte, 25 Korrik, 2024

Kanionet e Gjabzës – “xhevahiri” që flè gjumë – nga Abdulla Diku

Gazeta

Kanionet e Gjabzës (Mat)
Kanionet e Gjabzës (Mat)
Kanionet e Gjabzës – “xhevahiri” që flè gjumë
nga Abdulla Diku

Nuk ka shkruar njeri për to, e as janë përmendur ndonjëherë si të tillë. Gjenden mbi dhe ndërmjet fshatrave Dars e Bel (Bashkia Klos), dhe poshtë fshatit Xibër-Hane.
Më së shumti mund të keni dëgjuar për “Grykën e Gjabzës”.
Nëse keni dëgjuar si “Gryka e Xhabzës” mos e vini ré, pasi është një deformim i shqipes. Njëlloj si ti thuash: gjelit – xhel…!
Janë kanione shumë interesante dhe asnjëherë të eksploruara nga shqiptarët.
Para pak ditësh hasa në tre të rinj italianë që po i eksploronin në gjithë gjatësinë e tyre.
Siç thash janë kanione vërtet interesante. Për shkak të uljes drastike të shtratit të lumit, nga 650 në 350 metra, në një distancë prej rreth një kilometër (një pjerrësi prej 30%), janë plot katarakte e ngushtica ku mund të kalosh lehtësisht nga njëra anë në tjetrën.
Kanionet janë krijuar prej përroit që përshkon pellgun e fshatit Ketë dhe Xibër-Hane, dhe pasi uji ka “sharruar“ prej milona vitesh një bllok të stërmadh gëlqerorësh me lartësi që shkon deri 1300 metra mnd.

Kanionet e Gjabzës - (Mat)
Kanionet e Gjabzës – (Mat)

Pasi ka përshkruar Grykën e Gjabzës, prej ujrave krijohet “Prroi i Darsit”. Aktualisht HEC-i i ndërtuar i ka lënë kanionet si “Kanionet pa ujë”, por gjithsesi, bukuria nuk ju ka humbur.
Pjesa më e madhe e tyre (sektori i mesit) është e përshkueshme në këmbë (rruga këmbësore e vështirësisë së lartë) nga fshati Xibër-Hane për në Klos. Pra, kjo rrugë krijon mundësinë për t’i parë këto kanione. HEC-i ka bërë edhe një tunel në shpatin e malit mbi këto kanione dhe kushdo ka frikë prej rrugës së kanioneve mund të ecë nëpër tunel. Tuneli ka dhe dy dalje për të dalë e parë mbi kanionet. Pra, mund të shihen edhe nga dy daljet e tunelit.
Në grykën e Gjabzës, është vepra e marrjes së dy kanaleve ujitëse; të fshatrave Bel – Fullqet dhe Dars. Vetë kanalet janë gdhendur në shpatet vertikale shkëmbore, gjë që të krijon mundësinë t’i shohësh kanionet nga sipër.
Ecja buzë kanalit në një lartësi 80-100 metra mbi shtratin e lumit është vërtet plot adrenalinë.

Kanionet e Gjabzës - (Mat)
Kanionet e Gjabzës – (Mat)

Mund të ishin padyshim një mundësi e shkëlqyer për turizmin malor. Fshati Dars veçanërisht është plot kulla guri tradicionale dhe ka toka mjaft pjellore. Prania afër kanionit e bën shumë të favorshëm ndërthurjen e vlerave natyrore me ato kulturore. Fakti që në periudhën e verës kanë pak ujë prej HEC-it, rrit potencialin e eksplorimit të tyre.
Edhe prania e fosileve detare, miliona vjeçare i bën akoma më shumë interesantë.
Pjesa e poshtme e tyre përbëhet nga blloqe masive të mermerizuara e lëmuara prej ujit.
Janë një destinacion shumë i bukur turistik që duhet zhvilluar dhe promovuar.

“Prova e Barutit” - kompozim nga Sefedin Stafa
“Prova e Barutit” – kompozim nga Sefedin Stafa
Reflektim nga shkrimi i inxhinjer Dikut
nga Sefedin Stafa

Një përshkrim i mrekullushëm i inxh. Abdulla Diku, nder i Matjanve, që më ktheu mbrapa 43 vite. Duke pirë kafe pranë oxhakut me xhaxhanë tim ndër të tjera më thotë: “Baruti i zi nuk ta djeg dorën!” U habita e të them të drejtën dhe nuk e besova. Ndër të tjera më thotë se fisi ynë: Alstafajt, Kacelët dhe Reçi në Dars kemi prodhu barutin për herë të parë në Shqipëri. Tjegullat e shtëpisë tonë, ca tjegulla të mëdha rreth 65×40 e mbi 3cm të trasha ishin nga diga e barutit e hedhur në erë rreth vitit 1908. Unë kisha njohuri për barutin dhe fishekët, se isha ushtarak, por nuk kisha dëgjuar se baruti ishte prodhuar në Kryemat e pikërisht në fisin tim. Kuptohet, në atë kohë Mati ishte i persekutuar nga regjimi e nuk pëlqehej të flitej për të. Në të vërtetë, Mati është lugina e mbretërve: të parin Skënderbeun, duke eliminuar Barletin ja shitën Dibranëve, kurse Zogun e urrente regjimi.
Nejse, kthehem në Elbasan dhe kërkova disa tipa baruti që prodhoheshin në Mjekës, në një uzinë tepër moderne për kohën. Futem në studio dhe fillova të provoj barutet. Dhe me të vërtetë baruti i zi kishte një shpërthim të vrullshëm dhe një dritë të fuqishme, të tjerët digjeshin ngadalë dhe e digjnin letrën. Kthehem në fshat dhe shkoj të shoh vendin ku ishte prodhu baruti. Kishin ngelë vetëm themelet. I ndërtuar 80-90 metra mbi sheun e Bel-Darsit, te shtatë gurrat në një rrëpirë që ishte shumë e vështirë të zbrisja nga jo shumë larg rreth 100 m vijë ajrore ngrihej madhështore e hijerëndë gryka e Gjabzës… Nga kjo histori unë ndërtova një kompozim “Prova e Barutit”. Në të vërtetë në kryemat njiheshin për prodhim baruti përveç fiseve që përmendëm më lart ishin të përmendur dhe fisi Bebja në Dars-Fullqet, Llaveshajt në Klos katund, ky i fundit vazhdoi veprimtarinë deri në vitet ‘40.

Kanionet e Gjabzës - (Mat)
Kanionet e Gjabzës – (Mat)

Marrë nga Muri i FB, Sefedin Stafa, 12 qershor 2024

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.