back to top
12.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

“Kandili i argjandit” i Camajt, në Tiranë – Opinon nga Behar Gjoka

Gazeta

Martin Camaj (1925-1992)
Martin Camaj (1925-1992)

“Kandili i argjandit” i Camajt, në Tiranë

Opinon nga Behar Gjoka

Ardhja e dramës “Kandili i argjandit”, në Tiranë është ngjarje e shënuar, sidomos për teatrin dhe dramaturgjinë shqipe. Ngjarje është edhe për faktin e thjeshtë se ia shpëtoi nderin e humbur Teatrit Kombëtar, i cili u bën vite që vetëm emrin ka të tillë, se dramat shqipe, nuk janë në skenë. Një teatër që flet shqip, me kaq e kaq autorë, por që megjithatë nuk mendon shqip, vështirë të luaj rolin për të cilin është menduar si teatër, edukimin e qytetarëve të vetë. Drama e shqiptarit, mbase tragjedia e tmerrit, dje dhe sot, drama e kombit të përndarë në pesë shtete, drama e shkatërrimit të genies tonë, mbërrin me gegnishten melodike të Camajt, derdhur në magjinë e fjalës së njenës prej teksteve dramatike të autorit. Ma në fund ka mbrri Camaj në Tiranë, me gjasë shpirti i shkrimtarit atdhetar dhe modern, në sallën e Teatrit Eksperimental. Njeriu që në moshë të re, la dheun e të parëve, që iku prej kthetrave të dhunuesve me pesë cepa në ballë, iku turravrap në kërkim të fjalës së lirë, sepse atëbotë këtu patën ardhun bijtë djallit dhe të errësinës. Qenë ulur këmbëkryq shtypat ideologjike, partizanët e komunizmit, që zhgreh me mllef mbi vlerat e hershmënisë, mbi dijen shekullore, mbi pasurinë dhe tana trashgimitë e tjera të shqiptarit… Në fillim zani i vetë Camajt, me klithmën siprane: Unë jam i juej e ju jeni të mitë!... Në ditën mordes së të zotit të shtëpisë, vijnë ata, që në emër të ndërtimit të një jete të re do të shkatërronin gjithçka, mbi të gjitha njeriun… Në këtë ditë të fatkobit, një kob edhe ma zi, futet në ndërgjegjen e trazume prej rrethanash të reja, në secilin nga anëtarët e kësaj familje, floriri i fshehun, që askush nuk e di se ku gjendet. Ama, me ardhësit e ri, nuk ke shanse me ba shaka, homopolitikues të ideologjisë që ndau shoqërinë në klasa përparimtare dhe reaksionare. Prandaj, edhe pse nuk e kanë fshehur thesarin, siç lënë me kuptu skenat dhe dialogu i personazheve, ata duhet ta gjejnë, madje me çdo kusht, se qumshti i nënës do t’u dalë për hundësh. Të vjen tjetri, të zapton kopshtin, të dhunon lulet, të shemb shtëpinë dhe ti duhet vetëm të shtërngosh dhëmbët…
.
Kandilli i Argjendit - Drame nga Martin Camaj
Kandili i Argjendit – Drame nga Martin Camaj
Dje kështu, e sot njëlloj! Kjo është magjia e artit, që flet me njeriun e secilës kohë. Megjithatë, neverinë dhe përbuzjen ma të madhe e kanë me kandilin e argjandit, sepse prej tij, siç ndërmendet partizani i territ, buron drita. Pra, bijtë e territ të zi urrejnë dritën, dinjitetin, njeriun dhe shpikin një botë absurde, ku njeriu është shërbëtor i pushtetit ideologjik, pasi ka humbur të gjitha vlerat humane, e është kthyer në një kiç-qenie, pa tru dhe zemër. Patën ardhun me shemb gjithçka dhe, nuk lanë kulm në kambë, tanë dheun e përmbysën, dhe mbi gërmadhat e marrëzive të tyne, ngritën shëmtinë e diktaturës, prej së cilës ende nuk po mundemi me shpëtu, anipse kaloi një çerk shekulli. E kam lexuar dhe rilexuar disa herë dramën “Kandili i argjandit”. Më pati pëlqyer pa masë, qysh në lexim të parë dhe qesh bindur se i bën nder dramës shqipe. Por, hëm edhe në këtë rast, studiuesit e territ, si kulimat nëpër errësinë, vrik e vrik e patën hjedhë helmin, nuk e pranuen kurrnjiherë si dramaturg. Passhpinsat dhe rrjepacukët e djallit, e hodhën farën e keqe, tuj u rrek me lanë në nivelin e radiodramtizimit, pra të një përcaktimi dobie utilitare, simbas leximit ideologjik, të projektum në arkivat e realizmit socialist. Llafollogjema e gjithditësave, në parathënie dhe pasthënie, nuk ma lëkundi bindjen se është dramaturg, i fjalës dhe veprimit, skalitës karakteresh, që u ndeshën në udhën e qoftëlargut. Mbramë, ditën e dielë, e dëgjova Camajn, e pashë mjeshtrin, e ndjeva në shpirt thirrjen e tij se ndër ne, në jetët tona, po vijnë bijtë e territ, po rivjen njeriu i ri, që shkatërroi dhe po shkatërron qenien shqiptare, atdheun dhe kombin… E pashë, o njerëz, të ulur këmbëkryq në Teatrin kombëtar… Mjerë kush nuk e dëgjon thirrjen e tij se bijtë e errësirës janë midis nesh, në ditët dhe netët tona, na vrasin e përdhunojnë, në shembin shtëpitë dhe na vjedhin pasurinë, në emër të popullit të tredhur… Të tredhur fund e majë, të shkundur trup e shpirt. E pashë, e dëgjova, u llafita me Camaj, prej mjeshtërisë së aktorëve të Teatrit Migjeni Shkodër, që e sollën si të gjallë, në Tiranë, ku nuk mundi të vinte… Gjenia e Camajt, sapo ka nisur udhën për te të vetët, për të ndriçuar mendjen dhe për të lehtësuar dhimbjet e zemrave…
Mjeshtër, të falem, që edhe prej amshimi hedh dritë ndër ne…
.
Marre nga Muri i FB i Behar Gjokes, 8 dhjetor 2020
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.