back to top
7.5 C
Tirana
E hënë, 9 Dhjetor, 2024

Kampi i terrorit Tepelenë! – copëza rrëfimesh nga Kurt Kola

Gazeta

Kurt Kola gjatë një interviste
Kurt Kola gjatë një interviste

Kampi i terrorit Tepelenë!

copëza rrëfimesh nga Kurt Kola

Inagurimi i kampit terrorist të Tepelenës.

Natën e 15 prillit 1949, rreth 100 kamionë ushtrie me të internuar të bashkuar Jug-Veri, një muaj më parë në Berat, kalojnë mbi urën e Gorricës drejt Jugut…
Komandanti e komisari, Xhafer Pogaçe e Syrja Bajrami, njeri printe autokolonën e gjatë, tjetri në kamionin e fundit. Majori, arkitekti i këtij kampi, Niqit Andoni, me një grup oficerësh të MB, hipur në një kamioçinë, kontrollonte herë para, herë mbrapa autokolonën… Përtej mesnate, kur njerëzit e lodhur dremisnin mbi makina, kamioni ku ishte komisari mori rrokullimën tëposhte rrëpirës së malit… Komisar Syrjaj dhe shoferi ushtarak, pasi kishte drejtuar kamionin nga rrëpira, kishin zbritur dhe po shihnin të qetë viktimat, duke rënë nëpër shkurre!! Të internurit zbritën dhe turren të gjejnë viktimat… I mblodhën nëpër dushknajë dhe i sollën në xhade…
Dy të vdekur: Fadil e Zyra Petrela (Kupi) bija e Abas Kupit… 26 të plagosur, me thyerje këmbësh, krahësh e brinjësh…
Po Zoti i Madh i kishte ruajtur pa asnjë gërvishtje 4 djemtë e bashkëshortëve të vdekur, të moshës 2 deri 12 vjeç!!!
Mbas këmbënguljes se internuarve u thye majori kriminel Niqit Andoni që donte një varr të përbashkët!
Me mjete rrethanore të internuarit hapën dy varre dhe varrosën bri njeri-tjetri burrë e grua në moshë rreth 40 e 35 vjeç!! Nuk di nëse djemtë i kanë marrë eshtrat e tyre e rivarrosur në Tiranë?
Asnjë përgjegjësi, as proces-verbal nuk u mbajt për këtë krim, sepse ishte i planifikuar që kampi i eksperimenteve të torturave të fillonte me një masakër…
Duke qenë “banor” i këtij Buhenvaldi komunist fillim-mbarim, do të pasqyroj, në vijimsi tmerret e përjetuara aty!
.

Kampi i Tepelenës - Mundimi i grave dhe vajzave
Kampi i Tepelenës – Mundimi i grave dhe vajzave

Si u torturua dhe u zhduk vajza durrsake…

Nuk qe as 25 vjeçe kur e morën nga kampi me gazin e degës dhe nuk u kthy më… Shega Frashëri, qe internuar fillkat vetëm. Flinte ngjitur me Sllavka Shegani, një grua e re me vjehrrën dhe dy djemtë 2 dhe 4 vjeç. Burri i saj, Ugrin Shegani nga Lini i Pogradecit kish qenë kuadër në ushtrinë partizane dhe pas luftes që nën/kryetar dege i Pogradecit, arratiset në Jugosllavi dhe i internojnë familjen. Shega ishte vajzë e shkolluar, e çiltër, e dashur dhe e shoqëruar me njerëzit, jo pse ishte pa familje, por ashtu qe natyra e saj. Ishte në punë të përditshme me të tjerat dhe ngarkohej me dru e me pleh si të ishte vajzë fshati! E morën dy a tri herë në pyetje aty në zyrat e komandës dy civilë të ardhur nga Tirana. E merrnin në mbrëmje dhe e lëshonin në mëngjes për punë! Punonte me Vera Demën, Liri Bajraktarin dhe vajza të tjera… Në dy rastet që e thirrën nuk tregoi asgjë dhe shoqet nuk mund ta pyesnin pa u shprehur vetë… Në mëngjes kur dilte nga zyra ishte e zverdhur dhe e trembur… Ndryshoi në natyrën e afrimit dhe bisedës me njerëzit! Edhe me Sllavkën, që duheshin si motra… U mbyll në vetvete! Diçka e mundonte e më shumë e friksonte përderisa nuk e shprehte. Kur gati po harrohej dhe vete Shega nisi të çlirohej nga makthi, gazi i degës u fut midis grave të rreshtuara për pune! Presion psikologjik! Arrestim publik, Shega Frashëri! Zemërim e keqardhje deri në lotë nga gratë e internuara… Asgjë s’u mor vesh… dhe nuk kish si! Po bëhej një muaj që Shega ishte marrë me gazin e degës e teksa mendohej në birucë në Tepelenë, në Durrës a në Tiranë, na shfaqet në birucën e kampit!! Një grup fëmijësh 5 deri 10 vjeç, pa ditur përse, kapterr Selfo, i vë përpara me thupër drejt e te dhomat e izolimit. Futuni këtu! Urdhëron sapo hapi birucën… Fëmijët, bërtasin në kupë të qiellit: “Një grua e varur, e vdekuuuur! Poli, fut kokën e sheh ne mes erresirës gruan varur për shpatullash, më majat e gishtave prekur në dysheme e kryet varur në gjoks!! Përjashta! Dilni shpejt! I nxjerr fëmijët, mbyll derën e birucave dhe turret te kapë fëmijtë, mos të tregojnë çfarë panë… Po fëmijtë akoma pa u ikur trishtimi nga fytyra e treguan sapo hynë në kazermë! Në shpejtësi rrufe u mor vesh në gjithë kampin se Shega Frashëri ishte e varur në birucat e terrorit… Qe pasdite vonë, kur të gjithë të internuarit që punonin kishin ardhur dhe ishin në kamp. Ndjehej irritim e zemrim i papërmbajtur… Komanda e pikasi, u friksua dhe njoftoi menjëherë Degën e Brendshme, prej ku erdhën tre-katër makina me policë, na mbyllën në kazerma dhe morën vajzën gati të vdekur dhe e zhdukën pa nam e nishan!!!
.
Kampi i Tepelenës
Kampi i Tepelenës

Shefqet Dobra

Këto e shumë raste tjera duheshin thënë në atë film duke treguar vednet, për t’i bërë më konkrete. Po në të ishin treguar vetëm gazerma. Edhe në emisionin te z. Bledi Fevziu, qe shumë i varfër. Nuk mund të tregjojnë ndodhitë e kampit të lindurit në vite tetëdhjetë e mbrapa, sado t’u tregohet fëmijve, ato dhe harrohen, po nuk e ke vuajtur ose parë vetë. Kishte akoma të moshës që mbajnë mend shumë mire çdo gjë e t’i tregonin duke i treguar vendet një më një. Mirë ne që ishim disi larg, po ti kur ishe në Tiranë, ka dhe tjerë si ti, që do i kishin bërë të gjalla me fakte. A harrohen, rrahjet që bëri policia në gazermën nr. dy Bam Brahimin, Mojsi Camin, Haziz Allën e shumë tjerë dhe i izoluan. Po demostratën e fëmijve që i luteshin Enverit t’i lironte dhe sa u rrahën e sa birucë bën më të mëdhejt.
Ne atë film, as vendi varreve të zhdukura, nuk ishte treguar, as pylli ku grumbulluam predhat që italianët i kishin hedhur në pyll për të mos vrarë qytetarët e Tepelenes, shteti ynë na vu ne, burra gra e fëmijë që t’i grumbullojmë dhe sa shumë u vranë aty. Këto e shumë tjera i dashur Kurt, duheshin treguar në atë film dhe në studio. Në këto dy raste, përballja me Xhufin… për fat të keq. Kët vërejtje e bëri me të drejtë edhe Lek Previzi. Ky qe një dështim për fat të keq tonin. Ti do ishe i denjë të kishe qenë. Nuk kishte gjë të keqe se ishin dy, tre a më shumë. Rasti i Shega Frashërit, m’u bë qejfi që e përmende, edhe unë e kam trajtuar te libri im Shegën.
Të uroj për kujtesën që ke Kurt.
.
Rrathet e Feerrit - Tepelena (Lek Pervizi)
Rrathet e Feerrit – Tepelena (Lek Pervizi)

Plaka 70 vjeçare me kovën e urinës n’qafë e zbathur në borë!

Varfërisë e trajtimit barbar, i bëhej ndihmë edhe dimri i akullt me borë e ngrica. Banjot publike ishin rreth 300 metra larg kazermave ku flinim. Urdhëri ishte: foshnjë qoftë a plakë 80 vjeçe, në shi a borë do shkonte në WC, ndryshe do të ndëshkohej rëndë. Në mënyrë të fshehtë për foshnja e plakat e sëmura, përdornin kusia të vogla me kapak… Prene Tarçukja, herët në mëngjes merr kovën që kishin urinuar natën nipërit e saj dhe disa foshnjë të tjera e niset për te WC… Roja e brendshme, e pikasi dhe i preu rrugën… “çfarë ke në kovë? Shurrë?!” Jo mor bir kanë urinu fëmijët dhe po shkoj ta derdh në WC.
“Mos me thuaj mua bir, se nuk jam bir armike unë e mos më fol më fjalë të huaja, kjo është shurrë dhe do denohesh, pikë”! “Hiqi shpejt opingat e çorapet! Ta tregoj unë atë fjalën që më gënjen”… Urinim i dukej fjalë e huaj, kapter Selfos…
Ia lidhi duart me tel plakës, i vari kusinë me urinë në qafë dhe e la mes deborës me dy këmbët zbathur!! Ende qe natë. Ora 5 e mëngjesit, koha e zgjimit, bie bilbili e njerëzit bëheshin gati për punë. Të parat çoheshin vajzat… Liza Tuci, vajzë mirditore e ndjekur nga disa shoqe, tek po shkonin në çezmë për të larë sytë, shohin në mes dëborës një hije e zezë! Kurioziteti i çon drejt saj…
“Nane Prena, nane Prena”! Bërtiti e shkoi ta zgjidhë… Teksa po i hiqte telin nga duart, shkon kapter Selfo e urdhëron të largohet! Liza i zgjidh duart dhe i heq kusinë plakes që po i binte të fikët, Selfo e kap për krahu për ta lidhur… Po Liza sokoleshë Mirdite e plandos në dëborë, xhuxhmaxhuxhin, e rrëmben nanë Prenën në krahë, e ndjekur nga shoqet e çon në kazermë dhe e mbulon me batanie për të mos vdekur nga ftohja që dridhej e tëra! Kapter Selfo, si dordolec dëbore shkon në komandë dhe jep alarmin për “terror” mbi te… Zhurma në komandë ndjehej në kazerme! Sigurisht diçka po kurdisej për një reprezalje të madhe… Ishte rast i parë që një polic kriminel ishte poshtëruar duke u shkelur me këmbë nga një femër në këtë vend terrori. Ngjarja u njoftua në tërë kampin dhe po përgatiteshin për përleshje me policinë mbasi nuk do vononte ardhja e tyre. U mor vendim të shmangen burrat dhe përplasja të ishte mes femrave dhe policisë. Vajza e gra në vend që të shkojnë të marrin bukën e të bëhen gati për punë, u paijsën me drunj që sillnin nga mali dhe bllokuan dyert e kazermave… Ora 7 e mëngjesit! Tashmë ditë. Oborri i komandës plot e për plot më polici! Hapet porta e kampit, komandanti Xhafer Pogaçe, i shoqëruar nga komisar Syrjai i ndjekur nga shpura e madhe policore futen brenda. Dera e parë e kazermës parë plot me vajza e gra me hunj në duar! Kriminelët shikojne e ecin poshtë. Edhe dera e dytë e kazermës e parë, plot! Kështu më rradhe dyert e kazermave te tjera… Komandanti e komisari bënë vëzhgimin e situatës…. Nuk u doli llogaria dhe ne kthim përdorën taktikën diabolike: “Përse jeni acaruar? Nuk ka ndodhë ndonjë hata… një polic është përplasë me një femër… Duam t’i ballafaqojmë dhe t’u japim vërejtje të dyve” tha komandanti.
“Unë jam ajo femra, z. Komandant! Ti je Liza Tuci? Vajzë me kurajo, e pohon me krenari! A vjen pra me mua në komandë?
“Unë, nuk kam frikë vij, po më lejuan të internuarit”. “Nuk e lejojme ne”! Thanë njëzëri gratë. Komisari u nxi dhe gjithë inat tha: “Nuk e kemi ushtruar akoma krejt diktaturën e proletariatit mbi ju armike të pushtetit popullor”!
“Tamam e deklaron, se ende nuk na keni zhdukur të gjithë sa jemi”!
“Po në punë keni vendosë mos të dilni sot”? Pyeti jo pa qëllim komandanti.
“As sot, as kurrë pa i dhënë zgjidhje kësaj çeshtje dhe disa kërkesave tona shumë njerëzore!” gjegji, Bardha Gjonmarkaj. Komandanti e kuptoi se ndodhet para një kërcënimi përgjegjsinë e të cilit nuk kish kryqe ta mbajë dhe tha: “Zgjidhni një përfaqësi, e të vi të bisedojmë”.
Pa u paksuar vemendja për ndonjë sulm të papritur, u ra dakord për të biseduar… U konsultuan me Nanë Mrikën, zonjën e Kapidanit të Miditës, grua hijerëndë dhe tejet e zgjuar! Ajo këshilloi të shkojnë më të kulturuarat dhe me puntorët… E në krye Elena Merlika, e vetme me Universitet dhe më punëtorja.
Përfaqësia qe: Elena Merlika, Bardha Gjonmarkaj, Xhina Mirakaj dhe Hyjrie Kupi.
Shkuan në zyrë te komandanti, duke kaluar përmes policisë të mbledhur para komandës! E kuptuan se do ndodheshin para presionit e ndoshta arrestimit… Komandanti hijezymtë: “Sot në kamp është tentuar kryrja e një terrori që nuk mund të kalojë lehtë e pa ndëshkim, ndaj u kam kërkuar të gjejmë mirëkuptim, duke sjellë atë vajzën mirditore, t’i japim një dënim 30 ditë izolim, e ta mbyllim këtë rrezik”.
Z. Komandant, nuk kemi ardhur për këtë problem…
“Përse paskeni ardhur ju e reja e kuislingut fashist?
E ndërpreu, injoranti universitaren.
“Nëse na ke thirrë të flasim si njerëz, mirë në mos të shkojmë ose bëni ç’keni ndërmend.”
Fol, se po u dëgjoj, tha lopçari dhe mori pozicion autoritari.
“Bëni durim, se në emër të shoqeve që më kanë ngarku, do flas fare pak e shumë qartë. Hiqeni nga mendja se po u sjellim Liza Tucin, me duart tona ta torturoni e zhdukni si Shega Frashërin…. “Pusho! Fashiste! Ke akuzon ti!? U xhindos krimineli sapo e preku në plagë Elena.
U ngrit e vinte vërdallë në dhomë, duke bërtitur e sharë gjithëfarlloje… Katër zonjat rrinin gjakftohta e krenare në kryerje të misionit dinjitoz të marrë përsipër… Pasi u lodh duke shfryrë harbutllëkun e vet, u ul në karrike dhe urdhëroi me tone kërcënuese!” Nuk kam nerva të dëgjoj ankesat e armikeve, ndaj thuaj shpejt dhe m’u zhdukni nga sytë”!
“Jemi ngarkuar nga të internuarit t’i përcillni ministrit të brendshëm Mehmet Shehut këtë mesazh: Ne të internuarit e kampit Tepelenës, që trajtohemi si robër lufte në kampet naziste, nëse nuk do na ndryshoni trajtimin, nga ky moment veprimi ynë do të jetë: Një fund i tmerrshëm, se sa një tmerr pafund”!
-Ikni, zhdukuni, se nuk pyesim ne nga kërcënimet e armiqve. Me këto fjalë i përzuri, po relacionin Ministrit ia nisi me pikë e presje të Elena Merlikës….
Shehut, seç i kujtoi, mbiemri Merlika… Kur qe kthyer nga Spanja, pati nis aktivitetin komunist në Tiranë dhe u kap nga Kuestura e u burgos… Kryeministri i kohës, M. Kruja (Merlika) i shkon ne burg dhe teksa e liron, thote: “Merr pushkën, shko në mal e lufto, mos u sill Tiranës, në sy të italianëve”! Nuk di nëse influencoi ky fakt, por trajtimi mori një “zbutje”… Merita i mbeti Liza Tucit, burrneshës mirditore që theu frikën!!!
.
Marrë nga Muri i fb i Kurt Kolës, prill 2018
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.