back to top
8.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Kam pas’ njoftë nji nanë… nga Albina J. Gjergji

Gazeta

Poetja Albina J. Gjergji
Albina J. Gjergji

Kam pas’ njoftë nji nanë…

nga Albina J. Gjergji

Para shumë vitesh,
domethanë jo fort fort larg në kohë,
por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot,
kam pas’ njoftë nji nanë,
që sa herë i kjante zemra merrte rrugën për në Kishë.
Avit’te derën e Kullës s’vjetër,
fshihte flokët poshtë shamisë s’zezë
e mbasi u kish’ thanë “si keni njeh” kojshive,
ngulte e shkulte shkopin e pleqnisë në tokë.
Kur mbas gardhit – sebep shekullor sherrnajash –
nigjoja “trokun” e saj, e dijsha që ishte ajo
e me vrapin e fëmijës gjeja bírë me i pa sytë.
Ato sy që, kur isha e vogël më dukeshin
tipari ma i vështirë “me u ba për vedi”.
E shihja me rruzare n’dorë, e mbasi me kishte pikasë,
më qeshte pa ndërpre pesë “T’falem o Mari” e po aq “Shenjtja Mari”.
Kishën unë e kam pas gjithmonë afër shpisë,
por s’e di pse gjithmonë mbrrijsha e fundit n’meshë.
Mbasi zija vend tek “bangat” e korit
e mbasi me shikim të piskum’ më kritikonte prifti,
ktheja krytin kah “nana” me shami të zezë.
Ju betohem, ajo nuk ishte nanë e zakonshme…
Ndryshe prej tjerave që, si “majmunët imitues”
përsërisnin veprimet e priftit
(që nji Zot e di prej ç’kontinenti kishte mbërritë
në tokën teme me na “shpëtu”)…
ajo nuk e bante kyt gja, por shkonte e ulej poshtë g’jujve të Krishtit
e i fliste drejtpërdrejtë Atij me sytë kah qielli.
Çonte duert nàlt e sa ma fort binte kumona,
aq ma maraz e dhimbje i lexoje ndër rrudha.
Në Dong-un e parë të kumonës i shihje përshpirtje n’portret,
me t’thanë mendja se ishte taku me Atë
që nji ditë te tanë supozohet se do i japim llogari.
Në at’ përballje dukej se mbaronte idhnimi e fillonte pranimi!
Në Dong-un e dytë, ishte ma e vendosun në Lutje.
Me shumë gjasë kërkesa e dërgume për Nalt ishte e kjartë: “Më merr”!
Kryqet në shpinë dhimbnin njisoj, sikurse Nanës s’Ténzot,
po ashtu edhe kësaj Nane me lot..
Në Dong-un e tretë, me g’jujt e skuqun
e kurrizin e tkurrun nana me shami të zezë
“zbriste” në tokë e me kuletën prej pece që i varej n’brez zadrimoresh
merrte rrugën për n’lagjen e heshtun.
Aty ku e priste nji shpi përplot
fotografi… me fëmijë,
fotografi…me fëmijë,
fotografi… me fëmijë!!!
N’emën t’Atit, t’Birit e t’Shpirtit Shenjt!
Para shumë vitesh, domethanë jo fort fort larg në kohë,
por bash atëherë kur kamba m’shpohej ma thellë se shpirti sot
kam pas’ njohtë nji nanë, që sa herë i kjante zemra
merrte rrugën për në Kishë.
N’atë Kishë dikur shkonte bashkë me fëmijët,
të cilët sot.. nuk i ka ma!
“Nanë”, a beson (h)alâ?
Marre nga Muri i fb i Albina Gjergji, 26 gusht 2017
 
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.