
“Kam jetue thjesht, e thjesht dua të varrosem..”
Amaneti i Fundit i Rexhep Qoses për nipin e tij Valjetin
Nipi tim, Valjetit,
i cili u kujdes për jetën time dhe prej cilit kërkoj të kujdeset edhe për varrosjen time.
Meqenëse kam jetuar duke besuar në mendimin shkencor, në ngritjen shpirtërore e në përparimin shoqëror, që e bën të mundshëm ai, dua të jem i varrosur pa ritual fetar.
Meqenëse kam jetuar dhe kam menduar në pjesën më të madhe të kohës duke shprehur pikëpamje kritike ndaj sundimtarëve pushteteve të tyre, dua të jem i varrosur pa kurrfarë pranie zyrtare.
Varrimin tim dua ta bëjnë vetëm familjarët e mi. Meqenëse jam kujdesur të jetoj thjesht, ashtu thjesht dua të jem edhe i varrosur: pa fjalime, pa media, pa lule, afër varrit të gruas sime Shpresës.
Vdes i qetë, meqenëse jetën, krijimtarinë, mendore, dhe krijimtarinë-veprimtarinë politike ia kam kushtuar lirisë, bashkimit, dhe mirëqënies demokratike të popullit shqiptar.
Mund të them se as Shqipërisë shtetërore, e as Kosovës, as të sotmes e ardhmërisë së tyre nuk u kam mbetur borxh. Nëqoftëse Kosova më ka mbetur borxh mua, këtë do të mund ta thonë historianët e ardhshëm të letërsisë, të kulturës e të mendimit politik shqiptar.
Nuk mendoj se vdes pa asnjë mëkat, meqenëse jam rritur, kam jetuar e kam punuar në kushte politike shoqërore, që edhe pas çlirimit të Kosovës e të krijimit të shtetit të saj, ishin shumë të vrazhda, nuk mund të them se mospajtimet e mia të shprehura ishin gjithnjë të çliruara prej disa gjykimeve dhe vlerësimeve më të ashpra se çdo të duhej, e megjithatë varrosjen e pres i bindur se kam jetuar, krijuar e vepruar duke bërë mirë, duke predikuar të mirën e duke përhapur njerëzillëkun.
Prishtinë, 30 prill 2016
Këto mendime i shkrova duke qenë i vetëdijshëm dhe mendjeqartë,
Gjyshi yt Valjet,
Rexhep Qosja (firma)
