back to top
21.8 C
Tirana
E hënë, 13 Korrik, 2026

Kadaré… – nga Visar Zhiti

Gazeta

Zhiti & Kadarè
Zhiti & Kadarè
Kadaré
nga Visar Zhiti

Është… ashtu i fuqishëm si më parë, me një vepër të madhe, që ia dha Shqipërisë, gjuhës, por dhe vetë Shqipërinë, – ikonën e saj të përjetshme, atë letrare e kulturore, ia dha botës si një shkrimtar i shquar i saj, i botës, dua të them.… në kohëra aq të vështira… diktaturë dhe Realizëm Socialist… mbyllje dhe burgje, ku dënoheshin dhe shkrimtarë, po të mos ishe i regjimit… edhe libra, edhe lexues… intriga të rrezikshme më shumë se në letërsi në vetë shoqërinë… edhe varfëri…
Ndërkaq, do desha të them njerëzisht: mall dhe për ato takimet me Kadarenë, aq të thjeshta dhe miqësore, me atë misterin e Mjeshtrit që krijoi identitet artistik dhe arriti të modernizojë edhe më letrat shqipe, në fillim me krenarinë e poetit të një poezie të re urbane dhe pastaj me romanet, që aq sovranshëm i çoi në lartësitë e universales…
Vepra e tij është pasuri jona e përbashkët, themi, jo vetëm e kohës së tij, por e të gjitha kohëve tona letrare.
Prandaj si shkrimtar nuk mungon as tani që s’është, s’ka se si, mjafton ta lexojmë…
“Shtëpia Botuese Onufri”,  e tij dhe e të gjithëve, në këtë dy vjetor të ikjes së Kadaresë në jetën tjetër, sapo nxori tre libra nga Vepra kadareane, për herë tē parë si botime më vete.
Përkushtimi i botuesit të tij shqiptar, z. Bujar Hudhri, është me të vërtetë shembullor dhe emblematik. Madje e shoqëroi Shkrimtarin kudo, e çonte ku donte, i afronte miq e lexues te “Juvenilja”, ku sërish i pret “për një kafe” si shtatore bronzi, po dhe albumi i fotografive që i bënte, është si një vepër më vete, kujtesë dhe adhurim.
Ja, më shfaqet imazhi ku jam duke i ndezur cigaren, një metaforë e përshkënditjes, të ndalësh dhe të bisedosh me Shkrimtarin e Madh, institucionin e bisedës Kadaré e çmonte, dinte të dëgjonte siç dhe fliste, edhe të buzëqeshte… Ndërmend dhe ritualin e tij të vonë, shfletimin e gazetës ExLibris, i vëmendshëm për ecurinë e letrave shqipe, që priu… Përherë Kadaré… dhe kthente fletën… e të rinjtë çfarë thonë…
Marrë nga Muri i FB Visar Zhiti, 1 korrik 2026

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. Komente mbi shkrimin:
    Pertef Lici – I gjithe ligjërimi yt është hipokrit dhe s’ka pikë vërtetesie… Sa turp…!!

    Visar Zhiti – Pse? Po flas si e kam menduar, jo pa vështirësi e jo si do të mund ta pëlqenin të tjerët, por si është, sipas meje… për të mos qenë hipokrit, as me veten.
    Duhet të mësohemi të shohim dhe vetëm shkrimtarin, dua të them veprën, estetikisht si gjuhë, si vlerë artistike.
    Letërsia si e tillë.

    Pertef Lici – Visar reagimi im… spontanisht buron nga nje nje ngjarje ne diktaturë… Kur nëna juaj i kërkoi ndihmë për ty atij “gjeniut”… dhe ai mblodhi supet dhe e la atë në atë çast kobëzi… pa shprese…
    Visar, ajo s’ishte vetëm nëna jote… ishte nëna poetëve që martirizojnë veten për njeriun… anë e mbanë planetit!
    Reagimi im mbase ishte i nxituar dhe nuk prek talentin dhe profilin tënd, që unë për të thënë të vërtetën e vlerësoj aq shumë sa në mënyrë të padiskutueshme e kam vendosur në figurat më të ndritura të letërsisë sonë…!!

    Jamarbër Leskaj – Mirënjohje e respekt për ju Visar! Megjithëse jeni në metaforë me idhullin e spiunëve e patronazhistëve… Servilët egoistë ulur si avionë në pistë nuk bëjnë like… Megjithëse ju tregoni në foto… Edhe armiqtë mund të tregojnë respekt!

    Vladimir Shena – Kadarenë dhe Ismailin i kam në dosjen hetimore, thuajse si dëshmitarë për disa shkrime.
    Pohonin se shkrimi ka kuptim antiqeveritar të asaj kohe.
    Por, dhe sot në vijim. Respekte tej mase për Ju Vizar…

    Hajri Muço – Aman o Visar Zhiti përse e ul veten mor burrë?
    Ti e kushdo që mori guximin të fliste e të shkruante kundër atij pushteti është më i madhi poet e shkrimtar në botë!
    Nuk ka radhitës fjalësh më të mëdhenj se Gorki e Majakovski por i kënduan e lëvduan sistemin më vdekar që ka parë njerëzimi!

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.