back to top
9.5 C
Tirana
E martë, 17 Shkurt, 2026

Ka akoma gjirokastritë, madje edhe fisnikë! – mbi përmbytjen e Qytetit të Gjirokastrës

Gazeta

Montazh nga Gjirokastra
Montazh nga Gjirokastra
Ka akoma gjirokastritë, madje edhe fisnikë!
mbi përmbytjen e Qytetit të Gjirokastrës

Ka akoma Gjirokastritë! Dhe nga ata fisnikët madje!
Një shkrim sa kulturor, nostalgjik dhe informues
nga një mik patriot dhe i fortë si shkëmb, nga ai që “s’ka harruar”!
Emin Kokalari

Respekt per shkrimshkruesin!
Ai jep një informacion tepër të detajuar. Ky informacion është dhe një thirrje uleritëse (për ata që e kuptojnë), se ku duhet të përqëndrohet puna për ta mbrojtur qytetin nga dëmet që ndodhen kohët e fundit nga rreshjet e dendura. Po kush t’i bëjë se?! A ka specialistë në çqeverinë vendore, autori i ka thënë të tëra, kush ka vullnet qeverisjeje le t’i marrë një për një dhe t’i rregulloje çfarë është çrregulluar, s’ka si mos të ngacmojë dhe ironia dhe sarkazma e thellë në disa pjesë të këtij shkrimi!!”
Llazar Thanasi

Gjiton, të përshëndes dhe të uroj të jesh mirë, bashkë me familjen.
Po ta nis këtë shkrim si informacion, që ta kesh dhe t’ua përcjellësh këtyre “kokave të rënda të Gjirokastrës”, që fatkeqësisht nuk e njohin as historinë gjeodezike, as atë meteorologjike, e as nuk dinë të shpjegojnë ligjet e fizikës në qytetin tonë të dashur.
Gjirokastra është e shtrirë në katër shpate mali, pjesë e Malit të Gjerë, me kufizime që nisin nga fshati Lazarat, aty ku fillon Përroi i Gjorkanës sipër, i cili ndahet në dy nëndegë: Përroi i Leknjasit dhe Përroi i Manalatit.
Më pas vjen Përroi i Çfakës dhe ai i Dunavatit, që rrjedhin nga Arrat e Çajupe, tek Gropa e Mëmës mbi Dunavat, dhe degëzohen më tej në Përroin e Urës së Zerzebilit dhe të Nanzës, që del tek blloku i furrave.
Vijon Përroi i lagjes Partizani, që zbret poshtë dhe bashkohet me Përroin e Ficos, ku ndër vite janë derdhur kanalizimet e ujërave të bardha të gjithë Pazarit dhe fillimit të lagjes Palorto, tek Sheshi i Xhepit (Sheshi i Kokonës), aty ku ti jeton.
Ky përrua, në fëmijërinë time, quhej “Përroi i Fshehtë”, sepse në gjithë gjatësinë e tij kalon poshtë rrugëve dhe ndërtesave.
Qysh nga pazari i vjetër, tek ish-bashtet e Teqesë (sot Odeoni, siç e quajnë këta “të zotët e kombit”), ky përrua ka pasur prita të vogla me mur guri, që uji të filtrohej, ndërsa mbetjet dhe inertet të mbeteshin aty për t’u pastruar më vonë. Dhe kjo bëhej edhe kur komunalja kishte vetëm 7 punëtorë dhe 5 hamallë, sepse nuk duhej shumë mendje, por përkushtim, zell dhe seriozitet në punë.
Vijojmë me Përroin e lagjes sonë, Përroi i Shamajve, jo i “Shametate” siç e ke përshkruar ti, sepse ky është toponimi i vërtetë shekullor, që vjen nga Dardha lart në Malin e Gjerë, ku derdhen disa lugare mali.
Prita e parë ishte tek vendi i quajtur Katarakti, sipër depos së ujit, në kthesën që të çon për në Kërcullë, rreth 500 metra në thellësi të kanionit.
Aty, kur ishim çapkënë të lagjes Palorto, unë, ndjesë pastë xhaxhai yt Joti dhe shumë djem të tjerë rreth 16 vjeç, shkonim e futeshim me brekë aty se hiqnim baste me nga një biletë kinemaje kush futej me brekë ne katarakt. Ai rrinte gjithmonë i ngrirë sipër, ndërsa poshtë kishte bretkosa të vogla, alga dhe myshqe.
Prita e dytë ishte aty ku ishe ti, ndërsa e treta tek shtëpia e L. Lolit, ku fillonte kaskada e kanalit të madh me beton që përshkonte gjithë lagjen “18 Shtatori” deri tek ura e lumit.
Përroi më i fuqishëm dhe më tinëzar ishte Përroi i Çullos, që vjen nga Dërrasa e Varikoit në Malin e Gjerë dhe zbret duke ndarë Granicën me Gufat e Kuqe, deri në zallin e Gërhotit, tek kazermat e ushtrisë.
Ky përrua ka pasur 4 prita nga lart-poshtë, sipas kanionit, e fundit tek kthesa për tregun rom, që u prish nga të ardhurit nga Fushëbardha, Tepelena e të tjerë.
Në krahun tjetër është Përroi i Evgjite, që ndan Gërhotin me Kodrën e Qafës së Pishave dhe Bregun e Merajve. Ky përrua kishte 3 prita deri në krye të zallit, para landfillit të sotëm, dhe 2 të tjera të ndërtuara nga ushtria italiane në fund të fushës së poligonit të qitjes në Gërhot.
Një tjetër pritë ishte tek ish-nyja e betonit të ushtrisë, përpara pallatit që dikush ka ndërtuar e s’po e shet dot, sepse askush nuk guxon ta blejë nga frika e këtij përroi.
Përroi tjetër është Përroi i Gufës i cili ndan faqen e malit te quajtur “Karagjizet” pasi në dimër aty kishte shumë shpend grabitqar sepse ai përrua vjen me dredha e me gufa deri poshtë tek Gufa e Viroit ose siç juve e njihni burimi i Mëmës.
Aty tek godina e Çuçanit ka qenë një copë tokë e Afuz Gusmarit, gjyshit te gruas së Çuçanit… Ai e mbillte me duhan atë, pasi në dimër nuk mbillte asgjë se dilte Kanali i Mëmës e ia përmbyste.
Ky përrua nga italiani kishte 3 prita, dy lart mbi tunelet e ushtrisë dhe 1 e kishte aty ku zoti A. me këtë çamin e Fushbardhës bën kalceton dhe e lanë si surrati i tyre.
Aty në kufi me bregun e pishave kishte kufirin territori i bazës italiane që nga ’40 e deri ne vitin ’86 ku ishte posta e ushtrisë shqiptare pasi aty në mëmë ne vitin ’43, ka rënë një kamionçinë italiane ushtrie dhe kanë rënë 2 ushtarë, njeri u mbyt tjetri shpëtoi…
Përroi i fundit është Përroi i Lofatës, kufizues me Mashkullorën, tek Qafa e Ujkut, pothuajse identik me Çullon. Ky përrua nuk shihet kur del, vetëm dëgjohet, sepse gurgullon nën zall dhe kur shpërthen, merr përpara gjithçka.
Kishte dy prita: një tek fiqtë pranë shpellës së pëllumbave të egër dhe një tjetër tek ish-depot e drithit në Virua.
Sot, nga të gjitha këto prita kanë mbetur vetëm pak gjurmë, sepse disa i ka shkatërruar natyra, e shumicën i kanë shkatërruar njerëzit, duke marrë gurët për mure, stalla apo themele shtëpish.
Tregoju këtyre “të zgjuarve” që vjedhin çdo ditë dhe nuk ngrenë dot as brekët e tyre, se historia e këtij qyteti nuk mësohet në zyrë.
Historia shkruhet nga ata që e kanë jetuar dhe trashëguar, jo nga pseudo-patriotë që dalin me çizme e mushama vetëm kur përmbyten lagjet, për disa klikime në rrjete sociale.
Pritat nuk bëhen në dhjetor me thes të shpuar, por “që në gusht, me nga një grusht”, siç e dinin të parët tanë.
Jo në dhjetor me thes te shpuar të vesh tek prita e Çullos e Ficos e Gjorkanës e Shamajve etj.
Këta përrenj nuk kanë pyetur sistemin totalitar që kishte 3 ndërmarrje: Bonifikimin, Kanalizime-Ujësjellës, Komunalen dhe Ushtrinë e në çdo rast e vullnetarët, jo këta që i bëjnë punët si macja e hapin sa për t’u dukur dhe i mbulojne e ikin.
Kaq kisha.
Të përshëndes dhe të fala babait.
Marrë nga Muri i FB Emin Kokalari, 12 janar 2026

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.