Jusuf Vrioni në dosjen e Sigurimit – 13 vite burg dhe punë e detyruar & përktheu Kadarenë nën survejim.

Gazeta

Jusuf Vrioni
Jusuf Vrioni
Jusuf Vrioni në Dosjen e Sigurimit
13 vite burg dhe punë e detyruar & përktheu Kadarenë nën survejim

Përkthimi është një hapësirë e pafund diturie për njerëzimin. Nëpërmjet tij kalojnë idetë, kulturat dhe letërsia e popujve. Pikërisht në këtë botë të ndërlikuar të fjalës së përkthyer spikat një nga figurat më të ndritura të kulturës shqiptare – Jusuf Vrioni, i cili i mbijetoi terrorit komunist për të mbetur ura që lidhi letërsinë shqipe me botën frankofone.

#13 vite burg
I lindur më 16 mars 1916, në një familje të shquar beratase, i shkolluar në Paris e Romë për drejtësi, Vrioni kishte perspektivën e një intelektuali europian. Por në Shqipërinë e pas Luftës, rrugët e tij u ndërprenë brutalisht.
Më 13 shtator 1947, ai u arrestua me akuzën si “anëtar i organizatës tradhtare Social-Demokrate dhe agjent i spiunazhit francez”. Pas një hetuesie shkatërruese mbi një vit, Gjykata Ushtarake e dënoi më 8 korrik 1950 me 15 vite burg dhe punë të detyruar. Burgun e kreu kryesisht në Burrel, si dhe në punët e detyruara të Maliqit.

#përkthyes
Pas lirimit, Vrioni u internua në Fier. Në vitin 1960, iu mundësua të punonte si përkthyes në Tiranë, në shtëpinë botuese “8 Nëntori”. Aty përktheu në frëngjisht veprat e Ismail Kadaresë, Enver Hoxhës dhe literaturën propagandistike të regjimit dhe të tjera vepra të njohura të letërsisë botërore.
Përmes tij, letërsia e Kadaresë arriti në Paris dhe botën frankofone, duke u bërë njohur për kritikën e huaj, ndërkohë që vetë Vrioni mbetej i survejuar.
Ndër përkthimet e tij nga shqipja në frëngjisht spikasin veprat e Ismail Kadaresë: Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur, Ura me tri harqe dhe Dimri i madh.

Biografia e Dosjes së Sigurimit të Jusuf Vrionit
Biografia e Dosjes së Sigurimit të Jusuf Vrionit

#27vite #Survejim
Nga 1964 deri në 1991, Jusuf Vrioni u ndoq pa ndërprerje nga Sigurimi i Shtetit, në përpunim 2/A dhe 2/B. Raportet e dosjes e etiketonin si “element feudal, zogist dhe lidhje me të huajt”. Në rrethin e tij mbaheshin nën kontroll mbi 17 persona të tjerë.

#Kundër
Në dokumente del qartë se Vrioni kishte shprehur rezerva për Gjyqin Special ndaj “kriminelëve të luftës”, duke e cilësuar si inkompetent dhe arbitrar. Ai kritikonte mungesën e lirisë së shtypit dhe faktin se “njerëzit merren në qafë për një fjalë goje, sepse nga torturat të gjithë e japin një deklaratë”. “Demokracia e vërtetë – shprehej Vrioni – nuk vendoset me burgje dhe me vrasje.”

Jusuf Vrioni 1998 Paris Ceremonia e Urdhërit Chevalier de la Légion d’Honneur
Jusuf Vrioni 1998 Paris
Ceremonia e Urdhërit Chevalier de la Légion d’Honneur

#Mbijetesa #nderimi
Jusuf Vrioni u ndoq deri në rënien e regjimit. Dosja e tij e përpunimit (nr. 1452) u deklasifikua nga AIDSSH më 21 janar 2019 dhe sot është e hapur për studiuesit dhe qytetarët.
Nga qelitë e Burrelit te përkthimet që hapën dritaren e letërsisë shqipe në botë, Vrioni mbetet shembull i një njeriu që edhe pse i gjymtuar nga diktatura, i dha Shqipërisë një pasuri kulturore të pavdekshme.
Pas rënies së diktaturës, Jusuf Vrioni u angazhua në shoqërinë civile dhe për një periudhë shërbeu si kryetar i Komitetit të Helsinkit, për të Drejtat e Njeriut. Kriza e vitit 1997 e detyroi të largohej sërish drejt Parisit. Në vitin 1998, u emërua Ambasador i Shqipërisë pranë UNESCO-s dhe u dekorua nga Franca me urdhrin “Chevalier de la Légion d’Honneur”, nderim që dikur i ishte dhënë edhe të atit, Iljaz Bej Vrionit.
Ai ndërroi jetë në maj 2001 në Paris, gjatë shërbimit diplomatik. Pas vdekjes, u shpall “Qytetar Nderi” i Beratit (2001). Në vitin 2006 u krijua Çmimi “Jusuf Vrioni” nga Ministria e Kulturës, ndërsa më 2017 iu akordua dekorata “Nderi i Kombit”.
Autoriteti i Dosjeve

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit