back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Jubilare – poezi nga Jozef Radi – 60 vjetorit të lindjes së tim eti

Gazeta

Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
Lazer dhe Jozef Radi 17 Janar 1996
48 vite të shkuara (1975) kur ende s’i kisha mbushur të 19 vitet,
i kam kushtuar tim eti, në të gjashtëdhjetin vit të jetës,
këto vargje të kurajshme, kur ai do të delte në pension pleqërie.
Ishte e vetmja dhuratë që mund t’i bëja tim eti n’atë shkretëtirë emocionesh.
Ai u ndje mjaft i emocionuar kur ia lexova këto vargje dhe sytë i ndritën nga përlotja.
Sot nga largësia e një gjysëm shekulli, them se tim eti i kam dhuruar besim,
shumë besim… po edhe ai më paska dhuruar guxim, shumë guxim…
Këto vargje të rinisë së hershme, janë ende ndër fletoret e mia katërlekëshe,
si një dëshmi e e heshtur e përfjetur dhe pa shumë pretendime…
j. radi 
.
Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij - Saver 1989
Lazer Radi dhe dorshkrimet e tij –
Kampi i Savres 1989

Jubilare – poezi nga Jozef Radi

-60 vjetorit të lindjes së tim eti

Dimni i pleqnisë gjurmë ka lanë
e flokët si borë t’u zbardhën
larg maleve, larg tokës nanë
gjymtyrët e trupi yt mardhën.

E tillë qe jeta për kët Njeri
her’ ledhatare si nan’e dashtun
her’ skëterrash zhytë n’vetmi
her’ ndëshkuese si njerk’e ntrashun

E ditët, e muejt, e vjetet kalonin
si pika shiu n’tokën etshëm për uj’
dit’ gjithnji e ma t’zymta e përqafonin
n’at vetmi ndrydhun, pa zhurm’e bujë

E e harrue mes netësh t’acarta
pak ditë, pak dritë pak diell zbulove
edhe n’ato pak andrra të arta
ndër netë përbindshash i lshove…

Gjashtëdhjet’ diej të kuq ta ndritën
at ballë të gjan’ rrudhosë mendimi
gjashtëdhjet vjeshta mbi ty u zbritën
e t’përplasën ndër dallgë mundimi

Gjashtëdhjet ditë të arta u ngjitën
mbi ata sy me vet’tima shikimi
gjashtëdhjetë netë t’errta venitën
e shtrydhën t’fundmen bulz gëzimi

Tash rrëshqasin si ngjalat n’llucë
vitet e mrrolta të pleqënisë
balta – (si mish i huej n’trup e këpuc)
ia mpak ndjenjat ma t’bukra të dashnisë

Vazhdo me hecë përpara, o Ati im
çaje t’fundmen balt’ e mbrrij te e mira ditë
mjaft gjashtë dekada, dimnash mbi shpin
po shpejto hapat, e sytë laj me dritë!
.

dhjetor 1975

 

Related Images:

More articles

1 Koment

  1. (*Kjo poezi modeste, po e kushtueme me shpirt tim eti, kur ai po mbushte 60 vitet dhe moshën me dalë në pension që ishte edhe nji çlirim për të mbasi puna në bujqësi për moshën e tij ishte tejet e randë, mbasi e konsideroja edhe si nji mundësi që ma s’fundi ai mund të merresh pak me vedin edhe punët e veta! Asokohe kur i shkrova këto vargje isha maturant 18 vjeçar, e kisha do kohë merresha me poezinë! Kur e lexoj sot mbas 48 vitesh kam atë ndjesinë fatlume të kujtoj sa mirë u ndje im atë kur ja lexova, bile shprehu nji ndjenjë habie, pse poezia ishte e gjatë dhe me nji alegori të guximshme për kohën… poezia është pjesë e nji dorëshkrimi të vjetër me 60 poezi që s’u botuen kurrë…)

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.