back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Ju jeni vetë – tmerri i këtij vendi… nga Rezart Palluqi

Gazeta

Shkrimtari Rezart Palluqi
Shkrimtari Rezart Palluqi

Ju jeni vetë – tmerri i këtij vendi…

nga Rezart Palluqi

Ju menduat të grabisni.
Dhe tërë plaçkën e zhvatur t’ia përkushtonit dashnoreve, fisit si dhe edukimit të fëmijëve tuaj.
Menduat që fëmijët do t’i shpëtonit duke i mundësuar atyre frekuentimin e universiteteve më të mirë në botë.
Dhe ia arritët me paratë që i fituat, kush duke vjedhur në sallën e gjyqeve. Kush duke shitur drogë nëpër rrugët dhe bulevardet e Evropës. Kush duke gjobitur fukaranë në rrugë.
Kush duke shitur tokën e tjetrit ose tjetërsuar testamentet, apo tregtuar trupin e motrave tona.
Shumë prej nesh nuk u mjaftuan duke vjedhur në atdhe, por fluturuan larg tij.
U kthyen me thasë me para në Shqipëri, ku me vonë ngritën biznese, blenë vetura, famë artistike, letrare.
He, he, e ç’nuk blenë.
Me paratë, ata menduan që do të shtypnin të dobëtit dhe se nuk do të ndanin të njëjtin fat me ta.
Besuan fort se atdheu do të bëhej i gjithi i tyri.
Do ta gëzonin atë në shkallën e epsheve më të zjarrta. Mirëpo gabuan.
Sepse situata ka degjeneruar deri aty saqë atdheu ynë, i juaji, është bërë i pajetueshëm për të gjithë.
Si për fukaranë, si për atë që ia rropi lëkurën atdheut, Shqipëria është bërë tmerr.
E megjithë këtë katrahurë të krijuar, fukarai mund të buzëqeshë, edhe pse hidhur.
Sepse sot, e gjithë kasta kriminele, e ashtuquajtura aristokrate, thotë me plot gojën: “Ky vend nuk bëhet më! Duhet ikur që këtu. Ku do t’i lemë fëmijët këtu?”
Ç’tmerr për këta qyqër me duar të përgjakura.
Si u treguan kaq të verbër këtu e 25 vjet?!
Nuk e çuan ata nëpër mend, se nuk ia vlen të jetosh në një vend ku mungon liria minimale dhe shtresa e mesme?
E kështu, e gjithë kasta hajdute po mplaket e vetmuar, krejt e vetmuar.
Sepse fëmijët e tyre nuk kanë për t’u kthyer kurrë mbrapsht.
Edhe ata që nuk i kanë surdisur ende fëmijët përtej Shqipërisë, do ta bëjnë këtë shumë shpejt.
Sa ironike!
Parlamenti i Plehrave - Avni Delvina
Parlamenti i Plehrave – Avni Delvina

Nëse deri dje, ata e bënin këtë për arsye arsimuese, sot e bëjnë të panikosur.

Dhe burimi i panikut janë vetë ata, baballarët kriminelë që shtiren para fëmijëve, duke iu qarë atyre dhe thënë lloj-lloj mbroçkullash moralizuese.
Do të bënit mirë, o prindër kriminelë që të gjeni kurajën dhe t’iu thoni fëmijëve tuaj: “Bij, bija ime!
Unë dhe i tërë brezi im, u treguam dritëshkurtër, mishngrënës të kvtij vendi ku u lindëm.
E vodhëm, e gënjyem njëri-tjetrin, e qeshëm atëherë, sepse u ndjemë të fuqishëm o të mençur.
Por harruam se do të vinte një ditë kur ky vend do të bëhej i egër, i frikshëm, jo vetëm për të skamurin, fukaranë që e mban frymën me kanoçe birrash, por edhe për ne që kujtuam se me para mund të blinim edhe diellin, edhe pemët, edhe malet, edhe detet.
Ja që, për fat të keq, ky vetreflektim nuk ka ardhë deri më sot.
E kështu, e tërë kasta hajdute shqiptare do ta mbyllë pleqërinë e vetmuar, larg nipërve dhe mbesave të tyre.
Fukaranë do ta rrethojnë thasët me kanoçe birrash, hajdutin muret e vilave luksoze dhe fëmijët e tyre të babëzitur që do t’i duan vetëm për topat me euro.
Më e hidhura ama nuk ka ardhë ende.
Sepse të gjitha paratë e rrëmbyera me dhunë dhe me mjete shantazhuese do të avullojnë si ai qumështi i prishur.
Kjo, ngaqë fëmijët e tyre të stërpërkëdhelur, një ditë, do t’i shesin të tëra vilat pa i dhimbur fare zemra.
Edhe nëpër Evropë ata kurrë nuk do të bëhen pjesë e saj, sepse luksi i prindërve shqiptarë, pjesën më të madhe të tyre, i ka bërë parazitë, pordhacë, drogaxhinj, hipokritë dhe përbuzës.
Kemi arritur pra në ato çastet fatlume, ku Shqipëria nuk vlen asnjë grosh, si për atë që fle me barkun bosh, si për atë që shurron e dhjet në wc të arta.
Por edhe nese kampi i grabitësve nuk do ta pranojë këtë realitet sa tragjik aq edhe absurd, ai duhet të dijë të paktën një gjë: se jeta e tyre do të jetë një arenë gladiatorësh ku qindra ujqër do të shqisin të babëzitur rreckat e të dobëtit.
Ndaj dhe ata kurrë nuk kanë për ta shijuar plaçkën e fituar! Kurrë!
Sepse buzëqeshja e të dobëtit është ajo që i jep shije dhe kuptim njerëzor pasurisë dhe famës së të fortëve.
Në të kundërtën, trishtimi i njeriut të shtypur do të shërbejë gjithnjë si një shkëndijë që do t’i vërë flakën mullarëve me paratë e tyre të kobitura.
Prej gojës dhe shpirtit të njeriut ekstremisht të nëpërkëmbur, do të dalin shtëllunga tymi, që do t’ia errësojnë sytë lukunisë së ujqve e do t’i detyrojë ata të rënkojnë thellë edhe me barkun plot e përplot.
Amsterdam, 10 janar 2017

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.