back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Jozef Radi – Parathënia e librit “Fletorja e Vjeshtës

Gazeta

Libri Fletorja e Vjeshtes 2011
Libri Fletorja e Vjeshtes 2011

Kët libër ua kam kushtue gjithë atyne që ma s’paku e meritojnë…
ata janë pjesa ma e madhe e kësaj bote…
e nëse dashnia s’e zbut sado pak shpirtin e tyne,
t’paktën s’ka me e egërsue edhe ma…

Jozef Radi

– Parathënia e librit “Fletorja e Vjeshtës (2011)

*
Kët libër kam tan jetën që e shkruej.
Tash atij i ka ardhë ora mos me qenë ma veç i imi.
Sigurisht ky fakt asht gëzim dhe idhnim për çdo shkrues që ende s’ndjehet në naltsitë e lavdueshme të shkrimtarit.
Edhe ma parë kam botue libra, po kjo përmbledhje asht ma libër, sepse në të kam përjetue thellsisht çdo fjalë, çdo varg, çdo poezi…
Teknikisht, kët libër s’e kisha fort t’vështirë me e shkrue edhe në ndonji gjuhë tjetër, po kjo gja m’u ba përditë e ma  pamundun, pse tevona po e ndjeja, po e vueja dhe po kuptoja sa fort i lidhun isha me gjuhën time, e s’kishte gjuhë që mund ta mbartte shpirtin tim ashtu siç e bartte dhe e përcillte gjuha shqipe.
E kam shkrue kët libër t’nji jete të thyeme, shpesh rrugëve të lodhjes, herë me kujtesë e herë ndër mija copa letre që sot i ruej si pergamena. E kam shkrue dhe përsëritë jo vetëm si poezi, po edhe si muzikë, edhe si dhimbje lindjeje, e kam lexue e stërlexue gjer në lodhje rrjedhën e saj, e s’ka njeri që ma mbush mendjen se gjuha shqipe asht e vorfën dhe e pamundun… Sot, veç sot e besoj se gjuha shqipe edhe pse gjuhë e vetmueme, edhe pse gjuhë e izolueme dhe e coptueme, edhe pse gjuhë e përdhunueme si asnji gjuhë e kësaj bote, mbetet gjuhë e fuqishme, aq poetike dhe aq e lidhun me shpirtin e karakterin e shqiptarit sa asnji idenditet s’asht ma i fortë se ajo… ndoshta edhe ndonji difekt i saj asht difekt i strukturave tona shpirtnore…
Gjuhës shqipe si gjuhë pa simotra, sot e gjithherë ka me i mjaftue vetvedja…
*
Vitet ma t’gjata të jetës i kam jetue në kampet e urrejtjes, aq të shumtë në Myzeqe. Aty, mesa baltnave të kënetës, s’kishte vend i Shqipnisë të mos i kishte përfaqësuesit e vet. E quejtuna elita e vendit, paria e krahinës dhe ajka e katundeve shqiptare ishte e tana e hjedhun aty.
Mbrenda dhimbjes e përdhunës, ishte fat e mrekulli t’i ndigjoje njiherësh devolliun e kuksianin, kolonjarin e pukjanin, malsorin e Tropojës e të Kurveleshit, malsorin e Vermoshit e himariotin, tiransin e përmetarin, skraparlliun e mirditorin, minoritarin e kosovarin, myzeqarin e çamin, shkodranin hokatar e gjinokastritin racional, intelektualin e shkolluem në Perëndim, apo parinë sqimatare të Dibrës, familjet e bajraktarëve të Veriut e ato ish të ministrave të Mbretnisë, qytetarin fin të Korçës e gollobordasin e vrazhdtë të Steblevës… Aty midis së keqes së madhe ku i kish hedhë fati “i kuq”, ishte tanë nji botë magjike që, e mbante pezull shpirtin tim prej fëmije. E adhuroja mënyrën si fliste çdonjeni prej tyre, qeshnim si të marrë me fjalitë dialektale që na dukeshin si gjuhë të huaja… dhe i doja ato fjalë për cilat shpesh më duhej me kërkue shpjegim… Aty n’at vend të vogël të ndëshkimeve të mëdha, jam dashurue me shqipen, me gjithë ngjyrat e ndezuna të kësaj gjuhe magjike, me gjithë prrojet e saj dialektale… Ndoshta qe pikrisht ajo: gjuha, që s’më la qoftë edhe nji ditë të vetme me e gjetë vedin viktimë e së keqes, ku qe zhytë jo vetëm fati im prej fëmije…

Jozef Radi
Jozef Radi

*
Në vitet shtatdhjetë unë isha nxanës gjimnazi. Jo vetëm veprat ma t’freskta të letërsisë heroike të socializmit, po edhe vendimet e hekurta të Kongresit të Drejtshkrimit na vinin gjithë avull ndër bangat e shkollës. Për mue ajo kohë qe gëzim i trishtë…
Entusiazmi i asaj çka merrja në shkollë përplasesh me dëshpërimin e turfullimin e tim eti në familje…
“Si asht e mundun, si mund t’jetë e mundun që gjuha e nji populli që i ka pshtue njimijë stuhive me iu besue nji njeriu pa ngjyrë si Kostallari!!! Pse e njof, pse e kam pasë shok klase, pse ia di sa i vlen lkura, s’mund të pajtohem me k’si kongresesh të ndyta. Pse korifejtë e gjuhës shqipe: Selman Rizën dhe Eqerem Çabejin i kanë lanë në heshtje mbas dere? Pse!!??? Mos prit hajr prej nji pune ku prijnë mediokrrit… Mbasi zhbinë nga kultura shqipe Fishtën, Mjedën, Koliqin, Prenushin, Shantojën, mbasi vranë e prenë çdo figurë të vleftë të kulturës, tash çorbës s’gatueme prej tyne me poshtërsite e politikës mund t’ia gjejnë shijen veç ata që sot punojnë për rrënimin e saj…
Asokohe s’mund ta kuptoja si duhet zemrimin e tim eti…
Edhe pse përplasesha n’debate me të, koha që jetoja kishte mbi mue peshë shumë ma të madhe se dëshpërimi i ligjshëm i tim eti.
U desh kohë, shumë kohë me u kuptue si duhet e vërteta…
*
Gjuha asht landa e parë e shkrimtarve.
Gjuha e folun, prej tyne bahet gjuhë e shkrueme dhe dëshmia ma solemne e nji uniteti. Pa shkrimtarë kurrsesi s’mund të ketë gjuhtarë…
Sot ndër shqiptarë ndodh nji fenomen i paprecedent: Gjuhtarët shqipes së “Standartit”  kanë marrë pozitat e Cerberit të Hadit, e u diftojnë shkrimtarëve si duhet shkrue gjuha shqipe, cilat fjalë duhen përdorë e cilat jo, cilat rregulla duhen zbatue e cilat jo!!!
Mbasi u krijue e u ngrit në qiell nji letërsi shterpe, tash ulëritet nji formulë që as dreqi vetë s’asht në gjendje me e zbërthye: “Standarti s’preket”!
Koha që shkoi i bani gjuhëtarët padronë të gjuhës!
Po vallë, a kan me e kuptue ndonjiherë k’ta mjeranë se gjuha shqipe ka dalë prej dhimbjes së madhe e ka nevojë për dashni, për shumë dashni… Hiqjani urrejtjen shqipes, çlirojeni atë, lehtsojeni të bahet shpend, dhe mësojeni njiherë e përgjithmonë se gjuha, koha dhe lumi s’ndalen së rrjedhuni, mësojeni se veç tue reformue paksa parazitizmin e “ë-së” nga superteprimet e saj munden me u botue falas mija libra të domosdoshëm… hiqni dorë nga bunkerizimi i gjuhës e mos lejoni që gjuha shqipe të kthehet si ndër shekuj: të ecë për hesap të vet si prrojet e maleve, pa kryeçamje gjuhtarësh…
*
S’duhet me u harrue asnjiherë se gjuha shqipe ka mbijetue ndër shekuj si gjuhë e folun. Gjuhtarëve të sodit nëse iu gjet landë për punën e tyne duhet me e falenderue me shpirt të folunit shqip, e ata ma s’pari duhet me jetue si gjuhtarë te e foluna shqip, e mandej të kthehen te e shkruemja shqip…
Gjuha shqipe asht gjuhë e pushtetshme dhe aspak gjuhë pushteti.
Çdo tendencë me e kthye at në gjuhë pushteti ka me dështue me turp…
Për sa kohë poetët s’e gjimojnë fjalën e tyne, për aq kohë kem me ndigjue kopalla gjuhtarësh që gjerbojnë gjuhën e nji populli n’tavernat e mjerimit të tyne…
Sado e lavdishme me qenë e shkruemja e nji shkrimtari a poezia e nji poeti ajo asht larg, me vjete drite larg nga lavdia e gjuhës në t’cilën ajo asht shkrue…
*
Nji poet s’merr këshilla prej askujt si shkruhet poezia.
Poeti asht krijesë tridimensionale e çdo tentativë me i shtue apo me i hjekë nji përmasë atij s’ban tjetër veçse tregon mjerimin me të cilin ai asht rrethue. Dikur dyshoja, sot besoj se gjuha shqipe asht gjuhë e fuqishme me gjithë vogëlsinë e saj në përdoruesa! Asht mrekulli e shpirtit shqiptar, e atyne prrojve dialektale pafund, që kjo gjuhë u ka pshtue sa e sa stuhive dhe asht ruejtun gandull në tan mozaikun e dritës dhe ngjyrave, deri ditën që na vetë morëm përsipri me e bjerrë e me e shterrë sa të mundemi atë…
Jam i bindun se në kët libër paksa të vonuem kam shkrue pastërtisht shqip, se e kam shkrue bukur shqipen, e se ma shqip se kaq s’kam mujtë me shkrue kurrë deri sot…
Kurr shqipja ma lehtë e ma e ambël s’ka dalë në fluturim prej shpirtit tim… E kështu e lehtë dhe e ambël ardhtë edhe ndër ju…  j.r

Janar 2011

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.