back to top
14.5 C
Tirana
E enjte, 20 Mars, 2025

Jorge Luis Borges për të ëmën, Doña Leonor Acevedo De Borges

Gazeta

Jorge Luis Borges - pikture nga Beti Alonso
Jorge Luis Borges – pikture nga Beti Alonso

Jorge Luis Borges për të ëmën, Doña Leonor Acevedo De Borges
(Nga një intervistë me Antonio Carrizo)

Antonio Carrizo: Tregona pak lidhur me zonjën Leonor, nënën tuaj.
Borges: Ajo pati jetuar nëntëdhjetë e nëntë vite. Kur mbushi nëntëdhjetë e pesë vite jetë, më pati thënë: “Nëntëdhjetë e nëntë vite, paskam marrë kot, më duket!”
Ndihej mirëfilli pak e turpëruar, që kish jetuar aq shumë, i dukej e pavevojshme. Një motër e gjyshes time jetoi njëqind vite e dhjetë ditë; por e kishte humbur fare gjithsesi, nuk e dinte më kush ishte. Kurse nëna ime, gjer në pesëmbëdhjetë ditët e saj të fundit, ishte e vetëdijshme plotësisht, dhe tregonte interes për gjithçka.

Antonio Carrizo: Një herë pata dëgjuar nënën tuaj të lexonte një poezi tuajën në radio.
Borges: Pa dyshim që e pati lexuar përkryer. Do theksuar se gjithashtu e përmirësoi poezinë time, apo jo?

Borges dhe nëna e tij Dona Leonor
Borges dhe nëna e tij Dona Leonor

Antonio Carrizo: A u bindeshit vallë arsyetimeve të saj?
Borges: Epo, sigurisht. Ajo gjithmonë ishte bashkëpunëtorja ime. Dikur po i lexoja një tregim timin me titullin “La Intrusa”. Gjithçka varej thelbësisht nga një frazë e tregimit, ku vëllai i madh i thotë vëllait të vogël se ka vrarë një grua. Unë fare nuk dija si ta shtjelloja këtë frazë vendimtare. Nëna ime ndërkohë po dëgjonte tregimin nga goja ime, me njëfarë pakënaqësie. “Ti gjithmonë me keqbërësit e thikat e faqezinjve të tu”, më pati thënë, paçka se qartësisht ishte futur në thelbin e tregimit tim. Unë i thashë ndërkaq: “Tani vjen çasti vendimtar… ky është thelbi i këtij tregimi. Gjithçka varet nga fjalët që vëllai i madh i thotë vëllait të vogël, për t’i treguar se ai ka vrarë gruan që dashurojnë të dy”. Nëna ime m’u përgjigj: “Lërmë të mendohem!”
Pastaj, me një zë kumbues, shtoi: “E di unë se çfarë ka për të thënë vëllai i madh”. Sikur të kish qenë dëshmitare e mirëfilltë e kësaj ngjarje të trilluar, ajo më tha: “Mirë pra, shkruaj tani”. Unë iu përgjigja se më mirë ishte ta shkruante ajo vetë gjithçka. E shkroi, e ma lexoi me shpejtësi:
“Shkojmë të punojmë vëlla. Sot në mëngjes sidoqoftë e vrava”.
Ajo e pati gjetur frazën kyçe të tregimit. Në mungesë të kësaj fraze, të cilën botërisht ma lëvduan më tutje, krejt tregimi do të ishte shkalafitur. Ishte e tëra vepër e saj. Më pas ajo më tha sërish: “Shpresoj të jetë hera e fundit që shkruan për tema të tilla”. Po pra, ngaqë ajo fare nuk i honepste, i dukeshin gjëra të pakuptimta. Më thoshte se tërë faqezinjtë ishin të mefshtë, kurse unë çoku admiroja gjithmonë mashtruesit.

Përktheu nga spanjshtja: Elvi Sidheri

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.