
Në të vërtetë nuk dija ç’të bëja me 16 vitet e mia, të marra peng nga mizoria e diktaturës.
Jo vajzë! s’mundem ta jap këtë intervistë…!
nga Alma N. Lico
“Jam duke mbrojtur një temë masteri, e cila përfshin edhe një intervistë për persekucionin komunist në Shqipëri.
A mundeni që nëpërmjet telefonit të kem një interviste nga ju, Zonjë?!”
Kështu më shkruante një vajzë në inboksin tim, e cila u prezantua si studente në një Universitet me emër në Gjermani.
Ndonëse e panjohur për mua, të dhënat e saj tregojnë lidhjen biologjike që ajo ka me një familje influente në hierarkinë e diktaturës komuniste.
Më tronditi mjaftueshëm kërkesa e saj. Nuk mund të jem aq e padrejtë apo paragjykuese sa ta bëj përgjegjëse atë për vuajtjet e katër brezave të familjes sime, gjatë terrorit komunist. Por nuk mund të jem gjithashtu as aq filantropiste, sa t’i ofroj asaj vajze atë që ajo më kërkonte, ndërkohë që asnjë nga paraardhësit e saj nuk është ndjerë në faj apo të ketë kërkuar ndjese për qindra mijra viktimat e barbarisë së tyre.
A e kupton vallë ajo vajzë se minimalisht familjarët e saj duhej ta kishin bërë këtë gjë…!?
Nuk e besoj!
E konsideroj ndëshkim të dyfishtë që vuajtja ime dhe qindra-mijra të tjerëve në të njëjtin kalvar persekucioni, e shkaktuar në njëfarë mënyrë edhe nga familjaret e saj komunistë, të vihet në shërbim të së ardhmes së saj. Është përdhosje e dhimbjes dhe vuajtjes.
Jo vajzë!
Nuk mund ta jap këtë intervistë.
Nuk mundem!
Marrë nga Muri i FB i Alma N. Lico, 13 korrik 2026