
Jo gjithçka që shkruajnë për historinë, vlen të merret në konsideratë…
nga Kujtim Kodraleti
Në shumë raste shkrimtarët e Mesjetës nuk duhet marrë seriozisht, kur flasin për origjinën e lashtë të një vendi apo personazhi historik. Ata mund të merren në konsideratë vetëm kur flasin për kohën kur kanë jetuar.
Kemi rastin e Shkodrës që na thuhet se nën sundimin osman iu ndryshua emri antik nga Skodra në Iskenderije, që sipas interpretimeve, ka kuptimin Aleksandria, sepse thuhet që u themelua nga Aleksandri i Maqedonisë. Këtë dëshmi së pari na e jep Frang Bardhi (1635), por e hasim gjithashtu edhe te autori turk, Evlija Çelebiu (1663), ja çfarë shkruan ky i fundit kur përshkruan Shkodrën:
“Nga këtu u nisëm drejt perëndimit, duke kaluar lumin Drin dhe udhëtuam drejt qytetit të rrethuar me mure të Shkodrës. U themelua nga Aleksandri i Madh dhe për këtë arsye u quajt Iskenderiye (Aleksandria). Më pas u pushtua dhe u zgjerua nga Spanja, pastaj kaloi nga mbreti i Puglias në duart e dogëve të Venedikut. Kur Mehmeti Pushtues mori lajmin e tmerrshëm se Venedikasit kishin filluar të plaçkitnin tokat përreth Shkupit, Prishtinës dhe Vushtrrisë, ai vendosi menjëherë të qetësonte rajonin dhe, duke mbërritur me një forcë të madhe ekspedite, pushtoi fortesën nga Venedikasit në vitin 1478 pas një rrethimi prej dyzet ditësh e netësh. Pastaj e bëri atë kryeqytetin e një sanxhaku të veçantë në ejaletin e Rumelisë, duke ia dhuruar atë si një feud trashëgimor Jusuf Begut, sanxhakbeut të parë të Shkodrës. Që nga ajo kohë, ajo është sunduar nga ajo familje.
Në Perandorinë Osmane ka tre qytete me emrin Iskenderije ose Aleksandria. Njëra është kjo Iskenderiyye (Shkodër) shqiptare. E dyta, e quajtur… Iskenderuni ndodhet në bregun e Mesdheut, një fazë karvanësh nga Aleppo dhe shërben si port për atë qytet! I treti është Aleksandria në Egjipt, e cila në greqisht quhet Aleksandri Pyrgos ose Kështjella e Aleksandrit.”

Për origjinën shqiptare ai më tej vazhdon:
“Të gjithë flasin shqip, e cila nuk ngjan me asnjë gjuhë tjetër. Në origjinë, shqiptarët ishin një nga fiset arabe të Kurejshëve (Quraysh) në Mekë. Kjo është arsyeja pse ka disa fjalë arabe ende në përdorim midis tyre. Kur këta fisnikë shqiptarë dolën nga malet e Shkodrës dhe Vlorës, ata u përzien me frankët italianë, dhe kështu, gjatë kalifatit të Omarit, prodhuan një gjuhë midis arabishtes dhe asaj franke (mbase kjo shpjegon pse ka shumë emra grash me emrin Franka në Mirditë dhe pse dialekti gegë e përdor hundoren njësoj si francezët). Ne do të japim një shpjegim të arsyeshëm për këtë dhe të origjinës së shqiptarëve në një vend tjetër. Tani për tani – Gjuha e shqiptarëve – quhet gjuha e Arnavud ose, në persisht, ‘Ar-nd-bud (“Mos u turpërofshim”), dhe disa kronikanë e shkruajnë kështu. Është një gjuhë e këndshme që ata e flasin me përulësi dhe butësi kur i drejtohen njëri-tjetrit me respekt. Të pafetë midis tyre pretendojnë të jenë krishterë, megjithëse edhe kjo është me këmbënguljen e spanjollëve dhe venecianëve. Përndryshe, ata janë një shoqëri jobesimtarësh dhe kurvarësh pa shkrime të shenjta që, ashtu si zoroastrianët, nuk dinë asgjë për Librin ose për Ditën e Gjykimit…”
Më tej ai jep argumetet e tij në lidhje me gjuhën. Sipas historisë, i pari i fisit Quraysh, Jabal Alhama, kishte bërë një faj të madh dhe nga frika e ndëshkimit me verbim iku në Antioki, i shoqëruar nga 3000 anëtarë të fisit të tij, ku kërkoi strehim te perandori bizantin Heraklius (610-641). Një nga djemtë e tij, Abaza, ishte vendosur në detin e Zi (Kaukaz) dhe kishte formuar fisin Abkhazian.
Më vonë, nga frika e pushtimit nga arabët ata ikën në Spanjë duke i kërkuar ndihmë mbretit të vendit. Mbreti i Spanjës i vendosi në zonën e Delvinës (Epir) nga ku u përhapën më pas në të gjithë Shqipërinë e sotme e më gjerë. Që të mos u dilnin sytë, ata thoshin ‘Arnā būd’ (“Mos u turpërofshim”). Por, meqenëse ata rridhnin nga fisi Kurejsh, ata i quanin malet aty pranë Kurjelesh (Kurvelesh), prej emrit të fisit të tyre Kurejshi, gjithnji sipas autorit.
Në librin e tij, ky autor thotë gjithashtu se Skrapari është ndërtuar nga grekët e lashtë, që Beratin turqit e morën nga duart e shqiptarëve, grekëve dhe venecianëve. Gjithashtu më përpara thotë që Berati u pushtua nga Kostandin Greku (për Kostandinin e Madh) dhe shqiptarët.
Pra, ka disa gjëra që në dokumentet më të hershme nuk njihen dhe që janë të dyshimta, prandaj them që autorët e kësaj periudhe duhet marrë me rezerva. Si mund të merret seriozisht ky autor për themelimin e Shkodrës nga Aleksandri i Madh kur shqiptarët i nxjerr me origjinë arabe?
Sa për emrin Iskenderije këtu kemi një analogji edhe me qytetin e Lezhës që nga venecianët njihej si Alessio, pra një shkurtim i emrit të Aleksandrit dhe këto emërtime mbeten enigma. Gjithsesi këto duhen marrë me rezervë, pasi asnjë autor antik nuk thotë që Shkodra apo Lezha janë themeluar nga Aleksandri i Madh. Pse duhet që emrin e Aleksandrit t’ua vendosnin turqit apo venecianët kur ai nuk kishte lidhje me asnjërën palë e për më tepër 1800 vjet me distancë kohore? Se ku i kanë marrë këto të dhëna këta autorë ec e merre vesh. Sot kemi përkthime të mira të autorëve antikë, dokumente më të shumta sesa në kohën e tyre, por askund nuk rezulton që Shkodra është themeluar nga Aleksandri. Le që Aleksandri as ka shkelur në atë zonë, sepse as kohën nuk e kishte të bënte diçka të tillë. Pra të gjitha janë fabrikime mesjetare, njësoj si “testamenti Aleksandrit” për shkodranët që rezultoi fals. Për më tepër, Frang Bardhi dhe Pjetër Bogdani thonë se Pella, vendlindja e Aleksandrit, është Petrela në Shqipëri. Pra diçka që është shumë absurde për t’u besuar. Mbase këta autorë me këto të dhëna kanë dashur t’i japë lavdi origjinës së vendit të tyre, ashtu si shumë udhëheqës të kohës që e pretendonin prejardhjen nga njerëz të mëdhenj të antikitetit, dhe ashtu si disa studiues të sotëm etnocentristë.
Për detaje, librin e Çelebiut e keni në këtë link: https://archive.org/details/celebi/page/41/mode/ 1up astron evliya celebi in albanta and adjacent regions kosovo, montenegro, ohrid: robert dankoff, robert elsie: Free Download, Borrow, and Streaming: Internet Archive
The Turkish traveller Evliya Çelebi toured Kosovo in 1660, northern Albania and Montenegro in 1662. Notes
Marrë nga Muri i FB, gegnisht