back to top
9.5 C
Tirana
E diel, 8 Dhjetor, 2024

Jeta ime prej hebreu – poezi nga Jozef Radi

Gazeta

Jozef e Adriana Radi - Kampi i Cermes 1959
Jozef e Adriana Radi – Kampi i Cermes 1959

Jeta ime prej hebreu

poezi nga Jozef Radi

Jeta ime prej hebreu
kurrë s’ka m’u ra n’sy hebrejve
pse me të drejtë, atyne
u del e u tepron kujtesa e tyne…
 
Jeta ime prej hebreu
e njef si ata vuejtjen… si ata e njef vdekjen
ato tmerre prej t’cilave edhe kur je larg
s’ke me qenë kurrë aq larg…!
.
Kampi i Çermes - 1958 në krye  Lazër Radi, X, Mit'hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri, Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,  Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Kampi i Çermes – 1958 në krye
Lazër Radi, X, Mit’hat Araniti, Mojsi Miraka, Cen Golja, Flamur Sfiri,
Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
Jeta ime prej hebreu
i ka tana Triblinkat, Buckenvaldet, Mat’hauzenet
pse i ulërijnë n’vesh Tepelenat, Spaçet, Myzeqeja
po s’di kush dreqin ia e ka shtuposë fytin
për t’vërtetat e veta,
që në t’vërtetat e të tjerëve
bahemi aq të pavërtetë, aq të pshtirë…
 
Jeta ime prej hebreu
asht e rrethueme gjithkah
me monumentet e dhimbës pakufi
edhe pse shumica s’shef asgjà… askund…
 
Jetës sime prej hebreu
s’i ka mbetë tjetër veç me iu bà hije
vuejtjes s’atyne që e mësuen krejt botën
m’e lexue e respektue mallkimin e tyne ndër shekuj
 
Jeta ime prej hebreu
i ka trenat e vdekjes, kampet e tmerrit,
qiejt e mbetun ndër dhambë të hekurt telash
dhomat e gazit mos me gzue kurrë,
dhe fëmijët që shifnin n’andrra veç me bukë e shkollë
e nji atdhe t’humbun për çdo brez
e ku pështymat e përbuzjes si shi mallkimi
vazhdojnë me rà ndër gjelbërime të rreme…
 
Jeta ime prej hebreu
i ka me vedi tana tmerret e hebrejve
edhe pse ka qëllue e pagojë
për të vërtetën e tmerreve të veta…
.
Lazer, Vitore dhe Jozef Radi - Kampi i çermes 1959
Lazer, Vitore dhe Jozef Radi – Kampi i çermes 1959
12 shkurt 2008

 

Related Images:

More articles

2 KOMENTET

  1. Rudina Mane Dema:
    Kam shumë kujtime o Nin, por Megi, vajza ime, m’i ndalon me i kujtue se e shikon se stresohem shumë dhe vuaj shumë shpirtërisht. Jam nji njeri pa intriga, prandaj i dua bashkëvuajtësit e mi me gjithë shpirt, se i përfytyroi njisoj si vehten time të vuajtur si unë si ti e si shumë të tjerë. Nji gjë më vjen keq që nuk ditën të persekutuarit të qëndronin të bashkuar si Ebrejtë që ditën të fitonin të drejtat e tyre, i dashur. Po të qëndronim të bashkuar do të ishin punët shumë më ndryshe. Këtë bënë komunistët… arritën edhe na përçanë në mes njeni-tjetrit. Nji gjë i lutem Zotit që të arrini ju të rinjtë të bashkoheni edhe nji herë për hatër të vuajtjeve tonat e të tuajave.
    Të përqafoj fort!

  2. Rudina Mane Dema: I dashur Nini, më pushtoi nji nostalgji ma e madhe se ajo e Ebrejve.
    Në vitin 1960, kam qenë e interrnuar, dhe në atë kohë punoja në bujqësi në mbjellien e ullinjëve të rinj, në afërsi të Rrogozhinës, duke bërë gropa që nuk kisha fuqi t’i bëja dot sa duheshin! I bëja me lotë, pse në radhë të parë këmbët i kisha gjithë gjak, pse kisha veshur vetëm qafa çizmesh dhe këmbën e kisha të mbështjellë me plasmas. Më demaskonin para gjithë njerëzve që jetonin në atë çermën e Tërbufit ku të merrte frymën shushunja gjakpirëse, e ku më mbusheshin qafat e çizmeve pa fund. Nji këmbë më mbeste në llucën e Tërbufit e unë sëmuresha vazhdimisht! Të gjithë ata burra në foto unë i njihja dhe i kujtoj me mall të madh. Me ty në krye dhe Adrianën e vogël që nuk pushonte së qari dhe unë që e mbaja në krahë. Për mos me folë për ty që hyjë në shtëpi gjithë baltë duke filluar nga kaçurrelat në majë të kokës e deri tek thoni ma i vogël i asaj këmbë të vogël të lyer me llumin e baltës së Çermës. Pa harruar as Çiçin që shkonte në Çermën e vjetër, në shkollë fillore dhe i duhej të kalonte nji kanal të madh. Çdo natë Tefta, (e ëma) i dilte përpara nga frika se mos mbytej, mbasi ura mund të thyhej nga çasti në çast kur binte shi i pa pushuar. Oh, çfarë kujtimesh.
    Unë mendoj se Mat’hauzeni nuk ka ndonji ndryshim ma të madh. Se vuajtja e Hebrejve mbaroi shpejt, por ajo e jona ishte nji kalvar prej 45 vitesh, ku shushunjat na e pinë gjakun për 45 vjet dhe sot nuk është mbyllur plaga akoma. Mua nuk më hyn më asgjë në sy. Nuk do të thotë se sot kemi mbushur barkun me bukë në tokë të huaj dhe shpëtuam.
    Joooooooooooo! Na mungon gjithçka. Na mungon e drejta e çdo gjëje. Këta komunistët nuk na japin asgjë, e që janë deri në fyt të mbushur me krime ndaj nesh e s’na njohin asnji të drejtë për vuajtjet tona të pafajshme!
    Zoti vuftë dorë të paktën për ju të rinjtë të gëzoni të drejtat. Po e mbyll me thirrjen: Poshtë komunistët…

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.