
Jemi pak mbrapa me shembjen e monumenteve…!
nga Saimir Kadiu
Kur e kam vizituar Moskën, në gusht të 1994, bashkë me kolegun tim Dr. Petraq Cama, kishim përkthyese të anglishtes një ruse me origjinë hebreje, e cila u ndje e sikletosur kur prezantoi origjinën e saj.
Yelena, kështu quhej përkthyesja jonë, ishte në siklet për faktin se çfarë mendonim unë dhe kolegu im për hebrejtë, duke menduar që vinim nga një vend, që sipas saj, ishte mysliman dhe mik i arabëve.
Kur i thamë që kishim respekt për kombin hebre, ajo u ndje mirë. Nuk kishte lidhje me Komunizmin sikleti i saj. Por na tregoi shumë për antisemitizmin rus gjatë historisë.
Në Moskë asokohe kishte kudo monumente të Leninit.
E pyeta me një lloj habie nëse ishte përmbysur komunizmi apo jo në Rusi…?!
“Po” – ishte përgjigja dhe me një ironi të hollë vijoi:
“E filluam me Svjerdllovin…” – do të vazhdojmë gradualisht.
“Ky ishte më i keqi” ia ktheva me humor…
“Patjetër ky ishte… për më tepër ishte edhe hebre.” – vijoi përgjigja lakonike e saj.
“Dmth, Lenini do kohë të ulet nga podiumet, nisur nga fakti që shumica e bolshevikëve të hershëm ishin me origjinë hebreje” – e rihapa bisedën.
“Po po, hebrejtë i bënë gjithë të këqijat, ndërsa rusët këndonin dhe pinin vodka!” – vijoi ironinë ajo.
“Po Lenini do të vazhdojë me dorën lart?”
“Edhe mund ta hedhin në tokë, por nuk e harrojnë… Do kenë nevojë për idetë e tij, gjithmonë kur do iu duhet për zullumet e ardhshme!” – ishte përgjigja shteruese e përkthyeses.
Dhe koha i dha të drejtë…
M’u kujtua kjo bisedë sot, në 154 vjetorin e lindjes së Leninit…
Marrë nga Muri i FB Saimir Kadiu, 22 prill 2024