
Je një baba i madh!
nga Carlo Verdone
Në gjimnaz më lanë në klasë për sjellje të keqe. I hodha një libër mësueses së matematikës. Ajo më kishte marrë librin që po lexoja fshehurazi gjatë orës – ishte një antologji letërsie: i shtrenjtë dhe i madh, prindërit e mi kishin bërë sakrifica për ta blerë. Kur ajo ma konfiskoi, reagova në mënyrë të çuditshme. Unë, që zakonisht jam njeri paqësor, mora një tjetër libër dhe ia hodha. Ajo thirri drejtorin, i cili më tha: “Do të mbetesh në klasë”. Thirri prindërit e mi, më dhanë shtatë ditë pezullim. As faljet nuk mjaftuan: në matematikë isha dobët, e urreja. Më lanë në klasë. Ishte dramë. Turp për babain tim. Në shtëpi ra një heshtje e rëndë: mamaja dhe babai nuk më flisnin, unë i trishtuar, i penduar.
Por një javë më vonë, babai hap derën e dhomës sime dhe më thotë:
“Nuk e meriton, por po mbahet një ngjarje shumë e rëndësishme nga ana shoqërore dhe kulturore”.
Unë mendoj se do jetë ndonjë ekspozitë në muzeun e artit modern, si zakonisht. Por ai, me fytyrë serioze, thotë:
“Janë Beatles në Romë”.
Më ndriçohen sytë.
“Është një fenomen i rëndësishëm, – thotë – që do të shënojë këtë dekadë… është rasti që t’i shohim bashkë”.
E përqafoj: “Je një baba i madh!”
Dhe ai, duke buzëqeshur: “Ti je një gomar!”
Marrë nga Thënie të bukura, 29 Korrik 2025