back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

Jalta, Teherani dhe Mbreti Zog… – nga Erald Kapri

Gazeta

Erald Kapri "Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura"
Erald Kapri “Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura”
“Shpesh, Mbreti Zog është trajtuar thjesht si figurë simbolike në analizën historike; relikë e një bote të humbur romantike ruritariane; heroi i Shqipërisë sovrane ose horri i saj, marioneta ose viktima e Italisë. Në librin “Mbreti Zog; Pas dyerve të mbyllura” gjejmë një Zog të freskët, më real, aktiv, të apasionuar, madje ndoshta tragjik, të përkushtuar në lundrimin e rrjedhave të turbullta të luftës për kombin dhe vendin e tij. Me fokus të paanshëm të një periudhe të kufizuar historike, me narrativin e mbështetur në punë arkivore të larmishme dhe të hollësishme, profesor Kapri, jo vetëm ka ndriçuar një aspekt të hulumtuar pak të diplomacisë së Luftës së Dytë Botërore, por gjithashtu e ka ringjalluar perceptimin tonë të kësaj pike kthese në historinë e Shqipërisë”
Robert Wilton – Historian, diplomat, përkthyes. Autor i “Merimanga e Sarajevës”
 
“Sa herë që lexoj një libër shumë të mirë, ndiej mirënjohje për autorin. Këtë ndjeva duke lexuar librin e Erald Kaprit, “Mbreti Zog: pas dyerve të mbyllura”. Historiografia shqiptare, pasi u dergj pothuajse për gjysmë shekulli në morgun stalinist, po ringjallet më në fund dhe kjo, falë pasionit dhe punës serioze të historianëve, arkivistëve dhe hulumtuesve si Erald Kapri. Ky libër përbën një kapitull të vyer të historiografisë sonë dhe të vetëdijes kombëtare njëkohësisht. Është një libër që meriton një auditor të vëmendshëm dhe të gjerë”.
Gazmend KapllaniDrejtor i Katedrës së Studimeve Shqiptare Hidai Eddie Bregu
Universiteti DePaul, Çikago, SHBA
.
Churchilli Roosvelti dhe Stalini - Jalte 1945
Churchilli Roosvelti dhe Stalini – Jalte 1945

Jalta, Teherani dhe Mbreti Zog…*

nga Erald Kapri

Çërçilli, do të shkruante i nervozuar nga vizita në Moskë se Mbreti Zog nuk do të mund të kthehej. Llogaritë ishin bërë gabim, të paktën sipas Çërçillit, i cili nuk besonte aspak në perspektivën se britanikët do të ruanin ndikimin në lëvizjen komuniste shqiptare. “Nuk kemi asnjë alternativë, – i shkruante ministri Iden Kryeministrit Çërçill, – vetëm të mbështesim perspektivën e marrjes nën kontroll të Shqipërisë nga FNÇ pas lufte, dhe ne të përqendrojmë përpjekjen në forcimin e pozicionit tonë me FNÇ-në”. Sa për Mbretin Zog, Iden mendonte se komunistët do të rrëzoheshin shpejt nga pushteti dhe me këtë rast ndjenjat prombretit mund të rriteshin. “Nga pikëpamja jonë, kjo mund të jetë një avantazh, nisur nga fakti që Zogu nuk mund të bjerë nën influencën sovjetike, ndryshe nga liderët e FNÇ-së”, – shtonte Ideni.
Çërçilli nuk e pranoi këtë qëndrim të njeriut të tij më të besuar dhe rezultoi se kishte të drejtë. “Nuk ka shumë shpresë me politikën e ngritjes së një qeverie nga FNÇ dhe të presim që të rrëzohen nga një revolucion, pasi ata të kthehen në të neveritshëm. Sa për ‘nuk ka asnjë grup të mjaftueshëm që duan mbretin mbrapsht’, ka shumë pak vende në të cilat ndokush kërkon që mbreti të kthehet. Të lutem, duhet të flasim për këtë çështje”, – replikoi Çërcilli.
Stalini dhe Çërcilli ranë dakord për të ndarë sferën e ndikimit në Evropën Juglindore, por harruan të vendosnin mbi Shqipërinë. Pavarësisht se Çërcilli kërkoi më vonë që çështja e Shqipërisë të diskutohet për një hapësirë të barabartë ndikimi, siç u vendos për Jugosllavinë, sërish Shqipëria nuk u përmend, duke nënkuptuar se të dy të mëdhenjtë kishin të drejta të barabarta influence në vendin e vogël buzë Adriatikut.
.
Erald Kapri "Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura"
Erald Kapri “Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura”
Pak muaj më pas, në Jaltë të Krimesë, u takuan tre të mëdhenjtë, fituesit e luftës. Qëllimi ishte ndërtimi i një paqeje afatgjatë, përmes një Organizate Kombesh të Bashkuara ku secili vend të kishte mundësinë të fliste si i barabartë. Stalini po thirrej në Shqipëri me dashuri si shpëtimtari i kombit të vogël shqiptar, por në fakt, në të vetmin rast që përmendi Shqipërinë në Jaltë, ishte përbuzës.
“Doni që Shqipëria të ketë të njëjtin status si Shtetet e Bashkuara të Amerikës? Çfarë ka bërë Shqipëria në këtë luftë të meritojë këtë pozitë? Ne të tre duhet të vendosim si të mbajmë paqen në botë dhe nuk do të ketë paqe, nëse ne nuk e vendosim!”, – tha Stalini në tryezën e Jaltës.
“Shqiponja duhet të lejojë zogjtë e vegjël të këndojnë, pavarësisht se çfarë zgjedhin të këndojnë”, – iu përgjigj ironikisht Çërçilli.
Gazeta “Daily Mirror” do ta përshkruante situatën mbi Zogun si një pritje telefonate që nuk do të vinte kurrë. Telefonata që priste Zogu ishte shansi për t’u rikthyer në Shqipëri.
Korrespondenti i gazetës citonte një diplomat që thoshte: “Qeveria provizore shqiptare, por edhe aleatët perëndimorë kanë vendosur të mos i telefonojnë Zogut”. Ironikisht, gazeta raportonte se Zogu do t’u bashkohej ish-monarkëve të tjerë pa frone që ndodheshin në Britani. Por, tashmë, dosja “Zogu” ishte arkivuar dhe të gjithë e kishin harruar.
.
(Pjesëz nga libri Mbreti Zog, pas dyerve të mbyllura)
.
*Titulli redaksional nga radiandradi.com

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.