
Ja çfarë duhet të mësojmë nga një ndeshje futbolli si ajo e 6 majit 2025!
refleksion nga Klodi Stralla
Si mijra dhe miliona sportdashës të tjerë në mbarë botën, edhe unë ndoqa ndeshjen e futbollit midis dy pretendentëve për finalen e Ligës të Kampioneve të Europës – Internacionales të Milanos (Itali) dhe Barcelonës të Spanjës.
Një spektakël përtej atij sportiv që, për 120 minuta na la pa frymë, e deri në çastet e fundit me emocionet që krijoj, se kush mund të ishte fituesja e saj.
Por ajo që më ngacmoi të them dy fjalë përtej sportit, janë pyetje si këto: – Si është arritur kjo përsosmëri loje dhe ku e ka burimin bukuria e spektaklit të saj?
Sipas meje dy janë faktorët që mundësojnë arritje të tilla mbreslënse:

E para, përzgjedhja dhe inkurajimi i talenteve. Nuk kishte aty “Ne” dhe “Ata”, ku formacionin ta bëjë politika, si dikur në sportet tona, por edhe sot, tarafet që nuk e duan më të mirin dhe më të talentuarin. Dhe jo vetëm në sport, por në çdo fushë të jetës tonë.
E dyta, drejtësia e arbitrimit të ndeshjes. Mendoni se çfarë mund të ndodhte në fushë midis lojtarëve, por edhe publikut, nëse arbitri do të ishte i njëanshëm, i blerë nga njëra pale, për ta fituar ndeshjen ndaj kundërshtarit me çdo çmim. S’është çudi që do të shihnim në fushë edhe viktima!
Pas pak ditëve edhe ne kemi “ndeshje”, sigurisht jo sportive por zgjedhore, jo me top, por me vota, ku secila “skuadër” (subjekt zgjedhor), synon ta fitojë “ndeshjen”.
Sa e bukur dhe frutdhënese do të ishte ajo nëse aty, në garë, do të konkuronin “lojtarët” (kandidatët për deputet) më të talentuar dhe arbitri (KQZ-ja) do të ishte i paanshëm dhe profesionist!
Fatkeqësisht e ndjej se pas 11 majit do të kemi kontestime, grindje e ballafaqime force mes palëve, por kurrsesi spektakël si ai që pamë mbrëmë në fushën e blertë të “San Siros”, sepse ne nuk i përkrahim, por i pengojmë talentet dhe nuk na pëlqen drejtësia, por rezultati me çdo çmim…
Marrë nga Muri i FB Klodi Stralla, 7 maj 2025