back to top
14.5 C
Tirana
E mërkurë, 24 Prill, 2024

Ito Jakuchu – “Mbretëria shumëngjyrëshe e qenieve të gjalla” nga Ilir Seci

Gazeta

 Ito Jakuchu - Pulat
Ito Jakuchu – Pulat

“Mbretëria shumëngjyrëshe e qenieve të gjalla”

Ito Jakuchu në Galerinë Kombëtare në Washington DC…

nga Ilir Seci

Në  Prill të vitit 2012, në kohën kur fëmijët kanë pushimet e Pashkëve, familjarisht shkuam për vizitë në Washington DC…
Prilli është një nga muajt më të bukur te vitit per të vizituar kryeqytetin amerikan, Washington DC, pasi është koha kur lulëzojnë qershitë e famshme të këtij kryeqyteti.
Qershitë anës së shëtitoreve të kryeqytetit amerikan janë mbjellë në vitin 1912, vit kur fidanët e atyre qershive Perandori i Japonisë ia dërgoi dhuratë Presidentit Amerikan. Atëbotë ato fidanë qenë mbjellur me një ceremoni të posaçme dhe që prej asaj kohe çdo pranverë zbukurojnë kryeqytetin amerikan me lulëzimin e tyre.
Në prill të vitit 2012, bëheshin plot 100 vjet që kur ishin mbjellë ato qershi dhe kompania japoneze e prodhimit të makinave, “Toyota” kishte vendosur ta festonte këtë përvjetor duke sponsorizuar një muaj aktivitetesh të kulturës japoneze në kryeqytetin amerikan. Kompania e makinave “Toyota” kishte mbështetur financiarisht shumë aktivitete në atë përvjetor që po festohej me madhështi, por këtu dua të veçoj ekspozitat e dy gjigandëve të pikturës japoneze, Ito Jakuchu dhe Hokusai. Ekspozita të jashtëzakonshme, sepse me garancinë financiare të kompanisë “Toyota” ishin mbledhur punimet e këtyre dy mjeshtrave, kudo ku gjendeshin në mbarë botën dhe ishin sjellë në Galerinë Kombëtare të Arteve në DC.

Galerinë Kombëtare në Washington DC
Galerinë Kombëtare në Washington DC

Jo vetëm punime që janë në pronësi të galerive të ndryshme në mbarë botën, por ishin sjellë edhe punime që janë në pronësi të koleksionistëve privatë në tre kontinente. Por më e veçanta ndër këto dy ekspozita ishte se për herë të parë në një galeri artesh jashtë Japonisë, paraqiteshin të plota të gjitha punimet e mjeshtrit Ito Jakuchu, mjeshtri i madh japonez që ka fituar përjetësinë me ciklin, “Mbretëria shumëngjyrëshe e qenieve të gjalla”, (Colorful Realm of Living Beings), dhe me këtë emër ishte emërtuar edhe kjo ekspozitë e tij…
Në Galerine Kombëtare të Arteve në Uashington DC, një sallë e madhe ishte stisur në mënyrë të atillë që të ngjasonte me mjediset e brendshme të një manastiri Zen… E njëjta atmosferë e manastireve karakteristike të qytetit të Kiotos në Japoni, qyteti ku ky mjeshtër ka realizuar këto punime. Në ato mjedise të stisura si mbrendia e manastireve Zen, ishin ekspozuar 30 panele, (më pëlqen t’i quaj edhe Rrotullama), panele prej mëndafshi që mjeshtri Ito Jakuchu i kishte krijuar në harkun kohor prej thuajse 10 vitesh, (1757-1766). Rrutullama prej pëlhure mëndafshi, coha e të cilave ka qenë endur posaçërisht për këto lloj pikturash, ngjyrat e përdorura ishin prej një soj “bojë kine” – si i kemi pasë thënë ne në shqip…

“Gjethet e panjës dhe zogjtë e vegjël”
“Gjethet e panjës dhe zogjtë e vegjël”

Pëlhura prej mëndafshi e përdorur në këto rrotullama është më e ngjeshur, më e dendur se ajo e cohës së zakonshme. Mendohet se më parë se të fillonte pikturimin një mjeshtër, rrotullama prej mëndafshi lyhej me të verdhë veze të holluar me qëllim që ngjyra të mos përhapej si hapet rëndom në një cohë të zakontë. Mister mbetet ende edhe sot, se ç’lloj veze është përdorur në ato raste, sepse në pikturat kineze dhe ato japoneze që janë të realizuara me teknikën e asaj shkolle, nuk njihet zbehja e ngjyrave, zverdhja, shuarja e toneve të ngjyrave. Ajo që dihet me siguri është ngjyrat e atyre rrotullamave, (paneleve), prej mëndafshi janë magjepsëse. Kjo për teknikën kurse për tematikën, në këtë seri punimesh ka një gamë të gjerë të subjekteve marrë nga natyra – “Mbretëria e Qenieve të Gjalla” – siç e ka quajtur vetë autori…
Fauna dhe Flora, kafshët, zogjtë, peshqit, insektet, reptilët, lulet dhe bimët. Çdo gjë e gjallë… Rrotullamat ishin renditur në sallë me një triptik të Budës në qendër, mes dy “Bodhisattvas”, (një hyj i dijes mjaft i njohur dhe i nderuar në Budizëm). Jo rastësisht ashtu, sepse njëjtë si në renditjen e ekspozitës, Buda kishte pasur rolin qendror në krijimtarinë e Ito Jakuchu-t. Piktori gjithçka e ka krijuar i frymëzuar nga mësimet e Budës. Në pamjen e parë, me një kundrim sipërfaqësor të gjithë këto panele dukeshin si uniformë – rrotullame të të njëjtës përmasë – me të njëjtën formë, të varura në të njëjtën cohë luksoze që shërbente si sfond… Por mbas pak, kur kundruesi i tyre nis e kridhet në magjinë e pikturave, humb në thellësinë e tyre, vërente se ishin të ndriçuara aq mjeshtërisht sa vështirë se mund të hetohej qoftë dhe një hije në to. Teknikat e këtij mjeshtri varionin gjerësisht, ngjyra e bardhë ndonjëherë spërkaste sfondin e mëndafshit të tejdukshëm asisoji që të shndriste duke krijuar vezullimin e borës, një realizim i jashtëzakonshëm kur mendoje se ishte mbi një cohë mëndafshi. Në punime të tjera, mjeshtri krijonte raporte të tilla ngjyrosje ku funksionalizoheshin edhe hapësirat e lëna qëllimisht bosh në cohën e mëndafshit. Plot objekte ishin realizuar me një abstraksion mahnitës – për shembull, Lumi ishte realizuar me një furçë të vetme dhe ngjante si një gjarpër…

Itō Jakuchū (1716 - 1800)
Itō Jakuchū (1716 – 1800)

Në hyrje të galerisë rradha e vizitoreve zgjaste plot durim për orë të tëra. Në sallë kur po kundroja pikturat, bisedova me një dashamirës arti hollandez, i cili jo pa krenari me tha: -Kam ardhur nga Hollanda posaçërisht për ekzpozitën!”. Dhe kishte të drejtë, ekspozita ishte magjepsëse, që të linte pa frymë, të gjitha kryevepra që mjeshtri japonez Ito Jakuchu i kishte realizuar prej vitit 1757 deri më 1766. Nga sa kam lexuar për kontekstin historiko-kulturor në të cilin u formua mjeshtri Ito Jakuchu, ai shfaqet si një autor i mvetësishëm, i pavarur nga shkollat artistike të kohës së tij! I mvetësishëm si autor që shmangte sugjerimet skolastike të kohës së tij. Pse zgjodhi pikërisht “Mbretërinë e Qenieve të Gjalla” dhe pse u dha aq shumë vend në punime pikërisht shpezëve!? Mendoj se kjo zgjedhje ka të bëjë me kulturën japoneze, duke kundruar ekspozitën m’u kujtua një haiku i famshëm japonez, që e kisha lexuar vite më parë: “Jeta mundet me qenë një urë midis Territ dhe Errësirës por, shikoni Zogjtë.” Rrotullama si kjo me sipër e titulluar: “Shelgut dhe Rosat Mandarin në Borë”, shpërfaqet si kompozim i kohëve të para kur artisti ka qenë në formim e sipër, në vitet 1756-1757, kohë kur ka pikturuar edhe “Kumbullat e Lulëzuara”. Mjeshtri zgjedh pikërisht këto rosa, sepse Rosat Mandarin njihen si shpesë që çiftohen gjithë jetën me të njëjtin partner, model që në traditën japoneze u kthye në simbol të harmonisë martesore dhe besnikërisë bashkëshortore ndaj këto rosa u bënë subjekte të njohura në pikturat aziatike. Realizimi i këtij punimi është i jashtëzakonshëm, nuk dallohet një hijëz e vetme në të, gjithçka është e vendosr në proporcione perfekte dhe shpezët nuk po ndërveprojnë në këtë punim, secili prej shpezëve është paraqitur i mvetësishëm, por një mvestësi që merr kuptim vetëm në kuadër të krejt tablosë.

Itō Jakuchū (1716 - 1800)
Itō Jakuchū (1716 – 1800)

Itō Jakuchū (1716 – 1800) jetoi gjatë periudhës paqësore Edo te Japonisë. I lindur në një familje të pasur tregtarësh, (që merreshin me tregtinë me shumicë te artikujve ushqimore në Kioto), Ito Jakuchū në një fazë të jetës vendos të tërhiqet nga biznesi familjar, në vitin 1755 dhe vendos të ndjek mësimet e sektit Zen, pikërisht praktikën e pikturës së frymëzuar nga ky besim. Stili i tij novator, shumë eksperimental, u ndikua mjaft edhe nga studimi i pikturës kineze në tempujt Zen, mjeshtri mësoi nga modelet e tyre dhe nis e krijon tekstilet e famshme të Kiotos, krijon koleksionet e historisë së natyrës, bazuar në vëzhgimin e drejtpërdrejtë të natyrës. Triptiku në mes të sallës, me Budën në qendër, rrethuar nga pasuesit që dëgjojnë predikimin e tij, simbolizon harmoninë e të gjitha qenieve të gjalla në natyrë.
Në rrotullamat më të hershme si “Lule Bozhuret dhe Fluturat”, mjeshtri kombinon dy subjekte që gëzojnë një popullaritet të madh në traditën e pikturës së Azisë Lindore. Nga njëra anë është “Lule Bozhurja” qe evokon dy vlera: – Bukurinë Femërore dhe Mbarësinë. Për këtë simbolikë kjo lule u bë e aq preferuar në kopshtet e elitës perandorake dhe aristokratike gjatë dinastisë Tang të Kinës, 618-907, veçanërisht në oborrin e perandorit Xuanzong kjo lule u bë e preferuar deri edhe në traditat letrare të Azisë Lindore, sidomos mbasi poeti Li Bai e përjetoi në një varg, ku e krahasonte bukurinë e bashkëshortes së preferuar të perandorit Xuanzong, (Yang Guifei, 719-756), me një Lule Bozhure duke e përjetësuar asocimin e kësaj luleje me bukurinë femërore. Gonxhja e Bozhures e plotë dhe e magjishme nënkuptonte mbarësi, bollëk dhe fat të mirë. Flutura nga ana tjetër në kulturën e Azisë Lindore është edhe ajo simbol mbarësie, por simbolika e saj është bërë e famshme nga filozofi Zhuangzi, i cili me vegimin e fluturës krijoi një prej shëmbëlltyrave më të fuqishme të mendimit filozofik kinez – “Ëndrrën e filozofit Zhuangzi për një flutur”

Itō Jakuchū (1716 - 1800)
Itō Jakuchū (1716 – 1800)

Sipas kësaj shëmbëlltyre, filozofi legjendar Zhuangzi, ëndrroi sikur ishte një flutur e verdhë, që bareste e shkujdesur, e lumtur. Por kur u zgjua, filozofi “nuk e diti nëse kishte qenë ai vetë që kishte ëndërruar sikur ishte një flutur apo kishte qenë ajo, flutura, që kishte ëndërruar sikur ishte ai, Zhuangzi!?” Punimi “Lule Bozhuret dhe Fluturat” sugjeron pikërisht atë pasigurinë e ëndërrimtarit filozof, të porsazgjuar, në atë momentin e hamendjes mbas hapjes së syve kur ngatërron ëndrrën me realitetin. Një tjetër gjë me të vërtetë magjepsese për mua në pikturat e Jakuchu ishte mënyra se si ai arrinte që të antropomorfizonte gjallesat e pikturuara, të cilat ai i bënte që të ngjasonin me boten njerëzore, me njeriun. Piktori ndërtonte një komedi antropomorfe fal aftësisë së tij të jashtëzakonshme në dhënien e detajeve realiste. Me mënyrën se si paraqiteshin detajet, puplat, lulet, gjethet e pemëve dhe tjerë elementë të panumërt, mjeshtri arrinte që t’i individualizonte ato si bën te kryevepra “Gjethet e panjës dhe zogjtë e vegjël”, ku mund të vërehet që  secila prej qindra gjetheve është pikturuar ndryshe, asnjëra nuk ngjan me tjetrën… Disa kanë një shkëlqim të kuqeje të shndritshme, disa janë gati me një të zymtë të gjelbër… disa janë me të errëta, disa kanë një përndritje midis… Një paraqitje mjeshtërore e kompleksitetit të natyrës njerëzore. “Pellgu dhe insektet” është një tjetër punim ku mjeshtri ka paraqitur 76 lloje të gjallesave, së bashku në një tablo, zvarranike, bretkosat si dhe një gjarpër mbledhur kutullac. Të 18-të gjallesat detare të piktuarara në punimet e tij janë realizuar me mjaft përkushtim. Mbledhja e informacionit zoologjik dhe botanik është me të vërtetë një ndërmarrje rraskapitëse, e stërmundimshme por jo për Ito Jakuchu, njohja e botës së gjallë është një nga talentet e shumta të mjeshtrit… Me durimin proverbial japonez Ai ka punuar në çdo detaj duke shmangur pasaktësitë e mundshme… Në punimin “Gjeli dhe Pula” paraqiten një Gjel-Mashkull krejt i përndezur dhe Pula-Femër e gjitha në zi duke kërcyer një valle të mbushur me tension, është tensionimi i çiftëzimit në një sfond të lënë qëllimisht bosh pa pikturuar në rrotullame, një nga rastet që thamë se Jakuchu funksionalizon edhe hapësirat e papikturuara… Pamja është kaq shprehëse dhe të ngërthen me dramën erotike… Në punimin “Rosa e Egër dhe Xunkthet”, një Rosë e vetme, një rosë e madhe po lëshohet pingul nga qielli drejt akullit të plasaritur, për t’u kredhur në ujë, edhe këtu është funksionalizuar ajo hapësirë e cohës se mëndafshtë e lënë qëllimisht pa pikturuar, e lënë bosh në mënyrë të atillë që kësaj rradhe të krijojë idenë e një hapësire të mbushur plot ajër.

Itō Jakuchū (1716 - 1800)
Itō Jakuchū (1716 – 1800)

Ose punimi tjetër “Pulat” ku mjeshtri na paraqet 12 Gjela dhe një Pulë, paraqitur në një sfond bojëkafe të lehtë. Pula është paraqitur me të zezë, e qarkuar nga lafshat e ndritshme të gjelave që spikasin me një të kuqe të ndezur. Mjeshtri ka krijuar një parodi, ai mëton idenë se është thuajse e pamundur që në një vend të mblidhen kaq shumë meshkuj fodullë, kryelartë me një femër të vetme, në një qark aq të ngushtë, pa plasur dhuna… Efekti është mjaft finok, të gjithë këta meshkuj kanë për t’u copëtuar me njëri-tjetrin dhe aty është edhe ideja e mjeshtrit, vërtetë një komedi antropomorfe…
Edhe pse vërehet një ironizim në punime si “Pulat”, prapseprapë siç mund të vërehet në gjithë punimet e tjera të tij Ito Jakuchu nuk ka synuar që të krijojë një pikturë të zhanrit të satirës sociale apo alegorisë morale. Jo asgjë nuk është fikse në këto kryevepra, e gjitha është si një rrjedhë në natyrë, njëjte si në vetëdije, të gjitha sa janë paraqitur aty janë thjesht kategori njerëzore pa ndërhyrje autoriale! Mjeshtri nuk gjykon, ai thjesht paraqet… Thjesht, fat i madh për një artdashës që qëlloi në vendin e duhur në kohën e duhur…
Një Ekspozitë që studiuesit me të drejtë e thonë: “Ndodh një herë në jetën tuaj!”

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.