
Itaka Ime…
nga Avis Gjyshja
Dom Lazër Shantoja u pushkatua në ditët e para të marsit të vitit 1945, por unë e kujtoj si një ndër lulet e këputura të një pranvere që nuk erdhi dot kurrë.
Në një shkrim të tijin kishja lexuar të thosh se: “dashuria për kafshët, i shtohet njeriut me moshë e me vetmi…”
Përveç sa Dom Lazri me të drejtë vëren, dashuria ime për Markon, lidhet dhe me vuajtjet që ai heq. Ka një shpatull të thërmuar nga një grusht saçmash gjuetie të ngulura në trup.
Një krisëm e keqe në një pyll të largët e pak të njohur dhe pas saj një ulërimë me zë robi, bëri që mua gati të më pushonte zemra… Pastaj të tjera zhurma e thirrje paniku… Dikush filloi të thërriste emrin tim dhe mua mu prenë fuqitë e më kapi tmerri…
Një nga shokët e mij të gjuetisë kishte qëlluar mbi Markon!
E tëra kjo ndodhi larg shtëpisë, në një zonë publike gjuetie, diku pranë qytetit Saginaw, vendlindjes së Stewie Wonder, në një pyll në të cilin unë nuk kam marrë më guximin të shkel përsëri…
Tërë atë natë unë dhe familja ime e gdhimë në koridoret e njërit prej Spitaleve të Urgjencave të Kafshëve në një nga qytetet pranë shtëpisë time. Doktorët thanë se kishte shumë pak shpresë. Pastaj thanë që edhe nëse shpëtonte nuk do të mundëte më kurrë të gjuante. Por ne luteshim vetëm që të shpëtonte. Dhe kur na dhanë faturën na erdhi turp të diskutonim për shumën e jashtëzakonshme që na u desh të paguanim.
…Që atëhere kanë kaluar disa vjet.
Darkave, në ditët me mot të mirë, herë me fëmijët e fëmijëve e herë vetëm unë me Markon, dalim e shohim perëndimin e diellit në parkun pranë shtëpisë. Rreth pesëqind metra më në jug të vendit ku ulemi, është njëra nga shtëpitë e mëdha të këngëtarit Eminem. E kam pothuaj fqinj, nuk e kam takuar kurrë dhe as muzikën nuk ia pëlqej. Ai është i famshëm dhe nga larg kam parë se gjithmonë e shoqërojnë tufa bodiguardësh përzierë me policë e gazetarë. Kurse mua, si një i panjohur e i paemër që jam, në më të shumtën e rasteve, më shoqëron vetëm gruaja ose Marko, qeni im.
Dhe sonte po ashtu.
Para është pasqyra e ndezur e ujit të liqenit e tutje horizonti i kuq. Ndërsa mbrapa nesh janë bredhat e heshtur hijet e gjata të të cilëve duken si bishta frakësh të zinj ceremonialë. Në qiell, duken tek tuk zogj të vonuar, kurse heshtja e paqtë, si një armëpushim i vjetër shpirtërash, shtrihet sa të ha syri e ta rrok mendja.
Në veriperëndim të parkut, gjendet Orion Lake, një qytet, emrin e të cilit, ata që e krijuan, e morën nga mitologjia e viseve të mija, ndërsa pak minuta më në jug, nisur po nga këtu, është një tjetër qytet, që quhet Trojë e që përveç emrit, nuk e lidh asgjë tjetër me qytetin e lashtë të Priamit.
Gjithmonë, në raste të tilla, në gjoks, ngrihet e më shtyp, një dhembje e ëmbël pendese. Është hakmarrja e vjetër e nostalgjisë për vendin e njerëzit e mij në anën tjetër të botës.
Emigrantët janë si ato farat që erërat e historisë i marrin dhe i mbjellin diku larg. Dhe ka gjithmonë pika këputje në shpirtin e tyre, ka gjithmonë vdekje e ringjallje që bashkëjetojnë atje për gjithë jetën. “Paese mio, ti lascio e vado via…” thosh kënga “Che sara” e rinisë time, ndërsa sot e njëjta këngë që atëhere më shtynte të ikja, më bën të fshij lotët.
Diçka e madhe vdiq tek unë ditën që vendosa të emigroj. Dhe diçka tjetër e vrava vetë kur u betova në kushtetutën e vendit që më adaptoi. Qe një “nëse…” hipotetike dhe e keqe në atë formulë betimi, për të cilën edhe unë si shumë të tjerë, thashë, po!
Ëndërr pas ëndërre, si boja mbi bojë, ngadalë e përditë, kujtimet e mija kanë filluar të zhyten në mjergullat e harresës. Harrimi – kjo forcë e pandalshme me të cilën koha i hap rrugën të resë – fshin e fsheh butësisht e pandalur të kaluarat tona.
Kam më shumë vite larg vendlindjes time se sa kishte Odiseu i Homerit nga Itaka e tij.
Historinë e Itakës sime, bijtë e saj sherrxhinj e shkelin me këmbë dhe ua falin të tjerëve dhe për të keqen e saj e të tyren, kurrë nuk e kuptojnë e nuk e kërkojnë fajin te vehtja. Në Itakën time të sotme, mëtojsit e dikurshëm të Penelopës së Odiseut janë zëvëndësuar me politikanë të korruptuar që për Penelopë kanë pushtetin.
***
…Nuk ka shumë që jam kthyer nga Shqipëria dhe akoma vazhdoj të jetoj me dhimbjen e ndarjes nga prindërit e mij. Sidomos kur mendoj se kjo ndoshta mund të ishte dhe hera e fundit që i pashë të gjallë. Sa herë marr rrugën e kthimit për këtu, i favorizuar pak edhe nga oraret e avionëve, mundohem që gjithmonë të dal natën nga shtëpia e prindërve. Nata ndihmon e fsheh fytyrat tona të trishtuara dhe unë e kam pak më të lehtë për t’u shtirur normal. Gjithmonë them se do të vij shpejt, them se do të sjell dhe ata grepat që i kishja blerë e që harrova t’i bija këtë radhë, e të tjera gënjeshtra të tilla…
Si foto e fundit e kësaj radhe, në trurin tim, ka ngelur nëna që rënkonte dhe babai që mezi mbahej me duart kockë e lëkurë pas shkallëve. Nuk më hiqet nga mendja fytyra e tij e zbehtë dhe lotët që i pikonin nga maja e mjekrrës që i dridhej. Një ditë para se të ikja, babai më kishte thënë se kishte merak nga që në varrezat e qytetit nuk kishte më vende të lira. Kur thashë se do t’i shkruaja kryetarit të bashkisë, nëna më tha jo, se mërziten e të heqin tët vëlla nga puna.
***
Nuk jam shumë i sigurt nëse vërtet Marko i ndjek monologjet e mija apo ashtu më bëhet mua, por e di që ai, me ato shqisat e tij përtej njerëzores, e ndjen trishtimin tim dhe duke më parë me sytë e mëdhenj, tërë dhimbje e seriozitet, ngre tërë mundim putrën e krahut të dërrmuar e më godet lehtë sikur të më thotë që ti lë këto muhabete…
Marrë nga Muri i FB Avis Gjyshja, 22 janar 2020