back to top
22.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Isa Ndreu, atdhetari ynë i madh nga Hajri Mandri

Gazeta

Isa Ndreu (1919-2005)
Isa Ndreu (1919-2005) 

Isa Ndreu, atdhetari ynë i madh

nga Hajri Mandri

“Në nji përvjetor të revistës “Koha e Jonë”
Isa Ndreu do të shprehej:
“Natyrisht në kët ndërmarje jam frymëzuar nga të Parët e mi,
të cilët në epoka të ndryshme dhanë për çështjen kombëtare
gjithçka patën, shkrinë jetën dhe pasurinë sakrifikuan, çdo gjë…
dhe se për ideale, principe e tradita morale shqiptare,
ata po të ishin gjallë, do të kishin vijue të luftonin…”.

Revista "Koha Jone"
Revista “Koha Jone”

Isa Ndreu, ky kollos i emigracionit në diasporën shqiptare, u nda nga jeta këto ditë, në Firence të Italisë, duke lënë në kujtesën e bashkëatdhetarëve, imazhin e personalitetit të shquar, për kumtin atdhetar, frymën kombëtare dhe aktivitetet e organizuara, në lëvizjet plitiko-shoqërore të emigrantëve në diasporë, përgjatë më shumë se gjysëm shekulli.
I lindur me 7 mars 1919, në Sllovë të Dibrës, në një familje të madhe feudo-borgjeze, e njohur për tradita të shkëlqyera patriotike, me një plejadë intelektualësh të shquar dhe me udhëheqës të njohur në plan kombëtar dhe ndërkombetar. Nën shembullin e figurave të shquara të kësaj familje si, Elez Isufi, Sufë Xhelili, Cen Elezi, Dali Ndreu, Esat Ndreu, Xhelal Ndreu e dhjetra intelektualë të tjerë të shquar të kësaj familje që punonin në administratën e lartë të periudhës para komuniste, do të shërbenin si modele për të edukuar dhe frymëzuar në shpirtin e Isa Ndreut ideale të larta që kapërcejnë kufinjtë e vetvetes.

 Elez Isufi (1861-1924)
Elez Isufi (1861-1924)

Fëmijëria e tij vijoi rrugët e dijes nga nga shkolla e Kastriotit të Dibrës, në Normalen e Elbasanit, në Fakultetin Ekonomik Manzoni në Itali dhe do t’i përfundonte në Fakultetin e Drejtësisë në Firence. Pas diplomimeve të tij, Isaja do t’i përkushtohej fushës së administrim-biznesit, ku aftësitë e tij do të shkëlqenin në industrinë e prodhimit të bizhuterive, pasi bleu dhe vuri në prodhim një uzinë prestigjioze të zbukurimeve të argjenda, bizhuve, ndërtuar brenda një plantacioni të madh ullinjsh, në mes të Firences. Për Isa Ndreun nuk ishte i mjaftueshme vetëm suksesi ekonomik, zemra e tij rrihte për dheun e të parëve të tij, ajo energji e brendshme shpirtërore e shtynte drejt mecenizmit, humanizmit dhe atdhetarizmit.
Patriotëve të shquar në diasporë me të cilët kishte bashkëpunim të vazhdueshëm, u përsëriste postulatin e tij “Duajeni Shqipërinë dhe punoni për të, sepse është nderi ynë”. Në krah të djathtë të aktivitetit politik të Isasë ishin intelektualë të njohur si Nermin Vlora (Falaski), ambasadori Renxo Falaski, avokati Adem Hodo nga Saranda, me banim në Florida të Amerikës, i cili, kur e pyetën të afërmit e tij në Shqipëri, për diasporën, u tha: “Kemi një lule në diasporë që e ka emrin Isa Ndreu”, sociologun e njohur shkodran me banim në Nju York, Loro Stajka, publiçistin e talentuar shkodran me banim në Paris dhe botuesin e revistës “Koha e Re”, Lec Shllaku, e sa e sa të tjerë…

Prof.Resuli - Lec Shllaku - Isa Ndreu - Prof. Koliqi
Prof. Resuli – Lec Shllaku – Isa Ndreu – Prof. Koliqi

Më 1974, me prezencën e intelektualëve më të shquar të diasporës, të ardhur nga vendet perëndimore ku banonin shqiptarë, Isa Ndreu, në një takim madhështor në Firence shpalli Partinë Bashkimi Demokrat Shqiptar, si bartëse dhe përçuese e mesazheve të bashkimit, bashkëpunimit, integrimit mbarëshqiptar për të mbajtur gjallë ndjenjën e dashurisë për atdheun dhe për t’i treguar botës perëndimore se ku e katandisi Shqipërinë regjimi i egër stalinian. Si zëdhënëse të saj, PBDSH pati revistën “Koha e Re”, e cila u sponsorizua dhe u shpërnda falas në diasporë për 30 vjet resht, nga Isa Ndreu.
Në një shkrim te “Gazeta e Athinës” datë 24.05.2002 në një artikull të zgjeruar me titull “Figura të shquara të diasporës, gazetari grek me origjinë të hershme shqiptare Kristo Zharkalli, shkruan: “Një ditë më habiti kur mora një letër nga dora e Isa Ndreut, këtij njeriu të famshëm, të cilin e kish shkruar, me dorën e tij. Më shkruante disa radhë dashamirësie. “Jam shumë i kënaqur që kemi një bashkatdhetar në zemër të Greqisë dhe se revista jonë çmohet prej jush dhe do t’ju lutesha nëse aty ka shqiptarë të tjerë u bani të njohur revistën tonë. Ju pres me u taku në Firence dhe dëshiroj me ju konsiderue mik”.
Që atëherë kam patur korrespondencë të rregullt, takime me të dhe më ka ndihmuar në mënyrë të vazhdueshme ashtu si dhe shumë intelektualë të tjerë.
Isa Ndreu bënte një jetë aktive kombëtare dhe ruante lidhje të ngushta me të gjithë qarqet e emigracionit shqiptar, dhe sidomos me arbëreshët e Italisë dhe me kosovarët e emigracionit. Revista “Koha e Re” e drejtuar nga publicisti i njohur shkodran Lec Shllaku i cili banonte në Paris, (aty e botonte dhe revistën) u bë zëdhënëse dhe shprehëse e aspiratave kombëtare shqiptare, e kultivimit dhe gjallërimit të ndjenjave të zjarrta të mëmëdhetarizmit, dhe ishte një informim i rëndësishëm politiko-kulturor që lidhte shqiptarët me mërgimin e pas viteve 1974, në kohën e acarimit të kulmit të luftës klasore në Shqipërinë e izoluar nga diktatura komuniste.

Nji grup kongresisitesh Para Hotelit - Isa Ndreu
Nji grup kongresisitesh Para Hotelit – Isa Ndreu

Me rastin e 500-vjetorit të vdekjes së Heroit Kombëtar Skënderbeut, ishin Isa Ndreu dhe Lec Shllaku, respektivisht kryetari dhe sekretari i Partisë Bashkimi Demokrat që i vunë emrin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeg” një sheshi në Paris të Francës. Ishte përpjekja e parreshtur e Isa Ndreut, devocioni dhe këmbëngulja e tij që në vitin 1978 u miratua sheshi nga Bashkia e Parisit (Këshilli Bashkiak) me kryebashkiakun Zhak Shirak. (President i Francës).
Ishte një manifestim mahnitës dhe prestigjoz i intelektualëve emigrantë në diasporë, të ardhur nga Italia, Greqia, Amerika, Kanadaja, Gjermania, Australia për të inaguruar sheshin “Skënderbej” të Parisit. Të gjitha shpenzimet e këtij aktiviteti ndërkombëtar sponsorizoheshin nga Isa Ndreu, deri edhe biletat e udhëtimit të pjesëmarrësve dhe akomodimi i tyre. Isa Ndreu në kujtimet e miqëve, shokëve dhe bashkëpunëtorëve të tij ishte vërtetë një mit. Ai ishte një biznesmen i përmasave të mëdha, i cili çante tregjet ndërkombëtare deri në Japoninë e Largët me prodhimet e bizhuterive të argjendta prodhuar me cilësi të lartë nga Uzina e tij e prodhimeve të bizhuve zbukuruese prej ari e argjendi.
Nga ana tjetër ai ishte një mik i ngrohtë, i dashur dhe human, korrekt dhe shumë i sjellshëm. Kur u takuam në fillim me Lec Shllakun në Tiranë, i cili erdhi më 1993 për të njohur PBD-në, në Shqipëri, u habita që ai nuk përmendte asnjëherë emrin Isa pa i vënë përpara ofiqin Zotni. Pastaj kam patur fatin si Sekretar i Përgjithshëm i PBD, të komunikoj me Isanë, duke e patur edhe kryetar partie të PBD, në Kongresin e III dhe të IV. Ishte një njeri që na thoshte kurdoherë: Ndihmoni Shqipërinë, demokracinë, të shpëtoni nga komunizmi dhe mbështetni Partinë Demokratike me president Berishën. Në vitet kur qeveriste PD dhe President ishte zoti Berisha, Isa Ndreu u dekorua me urdhërin e Lartë “Për veprimtari të shquar në dobi të çështjes kombëtare shqiptare”.
Ai vdiq me 21 prill 2005, në moshën 86-vjeçare, duke u ndarë nga ne si një meteor në qiellin e kaltër të dashurisë amtare që lë prapa vazhdën e ndritur. Ashtu si figurat e shquara të artit dhe kulturës edhe ato të biznesit ndërkombëtar pasurojnë thesarin e historisë sonë kombëtare. Le të mbeten këto shënime në vend të një homazhi për veprën dhe jetën e tij.
Marrë nga http://vatradibrane.blogspot.com/2010

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.