Interpretimi përfundimtar i romanit të Ismail Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” – nga Artur Shkurti

Gazeta

Artur Shkurti - Interpretimi përfundimtar i “Nëpunësit..."
Artur Shkurti – Interpretimi përfundimtar i “Nëpunësit…”
Interpretimi përfundimtar i romanit të Ismail Kadaresë
“Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”
nga Artur Shkurti – Drejtor i shkollës “Udha e shkronjave” 
Autor i librit në proces “Nëpunësi ëndërrimtar i pallatit”
Tiranë, më 7 korrik 2025

Për referencë linku: https://udhaeshkronjave.com/gazeta/f/intepretim-përfundimtar-i-romanit-nëpunësi-i-pallatit-të-ëndrrave

Shënim: Botimi i romanit që citohet këtu është Ismail Kadare, Vepra 9, botues “Naim Frashëri” vitit 1981/9 (që ka kuptimin u shtyp në 1981, u shpërnda pjesërisht, u magazinua dhe u hap përsëri në 1989).
Ky artikull përbën dhe Intepretimin tim përfundimtar të romanit të Kadaresë “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave”
Kjo udhë interpretimi filloi në dhjetor 2024 me botimin e artikujve të parë që synonin herë një argument dhe herë një tjetër. Nëse argumentet dhe provat shtoheshin, mbeteshin ende fraza të pasqaruara, të pa çkoduara dhe kjo ishte arsyeja që artikujt vetëm shtoheshin. Një gjë nuk ka ndryshuar që nga fillimi deri në fund teza se romani: “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” është një roman që i kushtohet plotësisht Poetit Kombëtar Naim Frashëri.
Ky interpretim imi është unik që prej asaj kohe. Artikujt janë shpërndarë masivisht në faqen tonë në internet, nëpër grupe sociale. Ajo që vija re ishte një “heshtje e rëndë”. Për mua kjo nuk ishte problem, por ishte edhe një përgjegjësi për ta çuar deri në fund analizën.
Kapitujt e romanit “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” janë (1) “Mëngjesi”, (2) “Seleksionimi”, (3) “Interpretimi”, (4) “Dita e pushimit”, (5) “Arkivi”, (6) “Darka” (7) “Afrimi i pranverës”.
Me Poetin Kombëtar Naim Frashëri në mendje, këto tituj do të na dalin vërtetë të qëlluar.
Mund të kuptohet edhe nga titujt që “mëngjesi”, “dita”, “darka” janë një proces shkëlqimi dhe rënie (lindje në perëndim) të një procesi krijues brenda Perandorisë Osmane, ndërsa “afrimi i pranverës” që përfundon është një tjetër kuptim që është politik dhe me siguri ka nënkuptuar “afrimin e pavarësisë së Shqipërisë” (pavarësi – pranverë). Cilido interpretim tjetër nuk do të jetë shumë larg nga ky këndvështrim poetik për një poet.
Proceset që Kadareja i nxin e i sterron janë qëllimisht një “largim” me “temjan” i lexuesit nga kuptimi i tij i vërtetë. Ai duket se kërkon ta përzërë lexuesin në çdo hap nga të kuptuarit dhe derisa për 48 vjet vepra nuk është kuptuar se është për Naim Frashërin, tregon se kjo është e vërtetë.
Vijmë tani tek dy proceset kyç që janë “Seleksionimi” dhe “Interpretimi” që vetëm së jashtmi janë një argëtim për lexuesin me institucionin “fiktivisht” të tmerrshëm “Pallati i ëndrrave”, por në fakt, Ismail Kadare është duke mbajtur në monitorim dy procese kryesore për një Poet. Tmerri që përshkruhet brenda në fakt është thjesht vështirësia e procesit krijues. Mirëpo Kadareja nga një anë mban në monitorim “anën zyrtare” dhe nga ana tjetër mban në monitorim thelbin e krijimit.

Frashërllinjtë Naim dhe Sami
Frashërllinjtë Naim dhe Sami

Rekomandimi dhe Talenti
Kur Ebu Qerimit (Naimi) që mban një rekomandim në xhep, i thuhet se “ti pëlqehesh prej nesh” dhe këtu “nuk lejohen rekomandimet”, kjo ndryshe do të thotë “ti ke talent” dhe “nuk ke nevojë për rekomandim” sepse në “art” nuk lejohet “rekomandimi” por bën punë veç talenti. Dhe kjo është e vërtetë, sado diktatorial të jetë sistemi. Çështja e “rekomandimit” mund të merret politike, administrative, burokratike dhe është e bazuar edhe në thëniet e Paul Fesch në librin e tij “Stambolli në ditët e fundit të Abdyl Hamidit”, por mendoj që Kadareja është jashtëzakonisht “finok” dhe luan nga një anë me “rekomandimin” real si nëpunës në një institucion qëndror, me rekomandimin që nuk pranohet në çështjet e artit. Kini parasysh që ka një film të realizmit socialist “Tela për Violinë” i Bujar Kapexhiut ku “rekomandimi” për Andon Ledhin bëhet kyç i të gjithë filmit. Po ashtu filmi “Appasionata” mban në qendër Arturin që pranohet për pikturë megjithëse nuk ka talent, por është djali i shokut Demosten.
Pra, Kadareja dhe Lidhja e Shkrimtarëve ishte në këtë “hall”, pra duhej apo nuk duhej “rekomandim” në çështje të artit. Qartësisht nuk duhet në kuptimin “korruptiv”. Është tjetër gjë “referenca me vlerësime” nga “rekomandimi” që synon të shkarkojë “influencën e pushtetit”.
Pra Ebu Qerimi pranohet megjithëse ka një rekomandim në xhep dhe megjithëse i thuhet se në Tabir nuk funksionon me “rekomandime”. Kjo është prova e parë që Kadareja i vë lexuesit. Si ka mundësi që institucioni të jetë “shtypës” dhe të mos funksionojë me rekomandimin. Atëherë i bie që “Institucioni shtypës” nuk na qenka ai që kujtojmë se është, por na qenka thjesht “Pallati i poezisë” ose “Pallati i meritës”.

“Seleksionimi” tek poeti
Kapitulli i dytë i romanit është “Seleksionimi”
Seleksionimi, tek poeti dhe një artist si pjesë e procesit krijues, ka të bëjë me përzgjedhjen e tematikave, të mjeteve shprehëse, strukturën poetike, fjalorin. Ismail Kadare nuk ka nevojë të dijë se si punon një poet dhe a e ka apo jo këtë proces ose këtë fazë të punës së tij. Është e padiskutueshme që çdo poet e shkrimtar, apo artist kreativ, kalon një fazë të “seleksionimit” (me çfarë do të merret). Kur Ebu Qerimit (Naimit) i jepen “ëndrra” për të “seleksionuar” ne mund ta kuptojmë këtë si një mundësi për të studiuar çfarë krijimtarie kanë autorë të tjerë dhe ku do të zhvillohet, në cilën tematikë, apo mjet shprehës. Tjetër është të “përzgjedhësh” tematikën, idetë etj dhe tjetër ta realizosh faktikisht. Këtu, paralelisht, shtohet nënkuptimi që me pozicionin që kishte Naim Frashëri si Drejtor i Zyrës së Shtypit (Censurës) e kishte mundësinë që të përzgjidhte. Kadare mund të lërë të nënkuptohet edhe se bashkimi i censurës me seleksionimin për vete apo për të tjerët dhe kjo ide është vërtetë shumë problematike. Por Ismail Kadare nuk e thotë këtë. Ia lë lexuesit ta kuptojë si të dojë (ai e bën gati edhe për këtë). Ky proces selektimi është kaq i dukshëm tek vetë Ismail Kadareja. Materiali historik që ai përdor për romanet e veta historike është i jashtëzakonshëm dhe përgjithësisht i saktë. Nëse një studiues i shkencave humane, këtë “seleksionim” e paraqet në “Literaturë review” (deri ku ka arritur teoria përkatëse deri në atë çast të studimit), një shkrimtar nuk e paraqit këtë (review), pra çfarë ka studiuar, sepse ai i ka bërë ndryshime të tilla që nuk ka kuptim t’i paraqesë dhe siç do të shohim procesi kreativ do të jetë edhe “sekret”.
Delikatesa e Ebu Qerimit duket sikur është “nëpunësi i shtypur” por në fakt fsheh “modestinë e poetit”. Kur ne shohim Ebu Qerimin na duket si i dobët, si pa fuqi për të kundërshtuar. Kjo i duhet Ismail Kadaresë për t’i dhënë udhë keqkuptimit të lexuesit, sepse në fakt, ai po fsheh poetin kombëtar aty. Kjo është një gjë e jashtëzakonshme. Është si puna e atij që “hap gropën” dhe fsheh aty floririn e vet. Ia ka arritur ta fshehë deri më sot.

Interpretimi tek poeti
Në faqen 235, Kadare shkruan “Interpretimi në radhë të parë është punë krijuese” si një shpjegim të nëpunësit shef të Ebu Qerimit (Naimit)
Ebu Qerimi (Naim Frashëri) kalon shumë shpejt nga “Seleksionimi” në “Interpretim” dhe kjo vihet re menjëherë që ai kalon brenda disa muajve (nga nëntori në pranverë) nga “Seleksionimi” në “Interpretim”. Kjo do të thotë që ai po kalon menjëherë në “kreativitet” dhe Kadare është duke fshehur këtu fuqinë e poetit kombëtar Naim Frashëri.
Kjo për Ismail Kadarenë ka kuptimin e talentit të madh poetik të Naimit që nga mbledhja e energjive (seleksonimi) drejt “shprehjes” (intepretim) dhe nuk ka të bëjë me ndonjë “karrierë” në një detyrë “nëpunësie” që është veç fshehje e procesit krijues të Kadaresë. I gjithë keqkuptimi i lexuesit është produkt i investimit të Kadaresë që të ketë linjë të dytë që ai e ndërton qëllimisht për këtë keqkuptim.
Kur hyn në Interpretim (krijim) Ebu Qerimi (Naimi) përsëri dëgjon frazën e famshme “Ti pëlqehesh prej nesh” (që do të thotë “ti ke talent”). Në fakt, historikisht kjo ka edhe linjën tjetër sepse kujtimet e bashkëkohësve vënë vazhdimisht në dukje pëlqimin e turqve për Naim Frashërin. Ndaj Kadareja e ka të lehtë të ndërtojë dy linja paralele “pëlqimi politik” apo për karakterin dhe integritetin tek “pëlqimi për artin”. Kjo do të vijojë të komentohet edhe më shumë por unë po e lë këtu.
Ebu Qerimi (Naim Frashëri) dëgjon “Interpretimi quhet truri i Tabirit” (fq.234). Kjo nuk është tjetër veç “Interpretimi është kyç për veprën poetike”. Kur drejtuesi i “Pallatit të Ëndrrave” i thotë “S’duhet të harrosh se rruga për në majat e Tabir Sarajit kalon nëpër Interpretim” kjo ka kuptimin se rruga për të bërë kryevepra të poezisë (bashëndërra) kalon së pari nga Interpretimi si proces. Ne e dimë që Naimi edhe ka përkthyer, edhe ka përshtatur, pra ka kaluar në një proces “Interpretimi”.
Fjala “interpretim” si proces krijues ka kuptim kur poetët përkthejnë poezi të huaja. Fjala “përkthim” nuk qëndron aq sa “interpretimi si proces krijues”.
Kadare ka fraza të tëra që prej kohësh nuk janë përtypur si duhet. Vini re se çfarë shkruan: “Interpretimi i Tabirit është më lart, shumë më lart se të gjitha këto. Në të vepron një tjetër logjikë dhe të tjera simbole dhe ndërlidhje simbolesh” (fq.234). Kjo nuk është asgjë tjetër veç kuptimi i procesit krijues të Poetit. Nuk ka më qartë se kaq “S’duhet tepruar me mësimin e shtampave dhe simboleve” (fq.235) Këtë këshillë e marrin të gjithë artistët që duhet të krijojnë vepra artistike.
“Kryesorja është mësimi i ca parimeve si në algjebër” (fq.235). Më qartë se kaq nuk ka. Tek kapitulli “Afrimi i pranverës” Ebu Qerimi (Naimi) zgjidhet shef i Kryeëndërrorëve, një mënyrë tjetër për të thënë Kryepoet, Poet Kombëtar. Ndërkohë realisht Naimi zgjidhet edhe Drejtor i Zyrës së Censurës (Shtypit). Kjo e dyta është “karrierë zyrtare” ndërsa Ismail Kadaresë nuk i bën përshtypje “karriera politike” administrative, por i bën përshtypje se si nga brenda një karriere zyrtare Naim Frashëri bëri karrierën më të madhe si poet, duke u bërë edhe Poet Kombëtar. Mirëpo ndërkohë që këto reflektime qartësisht i ka pasur, Ismail Kadare e ka fshehur deri më sot, që po shkruajmë këto radhë.

Sekreti i Procesit Krijues
Shefi i sektorit të Interpretimit (Krijimit) i thotë Ebu Qerimit (Naim Frashërit)
“Interpretimi i madh fillon atje ku mbaron rutina. Ndërlidhjes së simboleve, asaj kushtoji vëmendjen kryesore. Dhe një këshillë tjetër të fundit: e gjithë puna në Tabir përbën një sekret të madh, por Interpretimi është sekret mbi sekret. Mos harro këtë. Dhe tani nisu fill e në punën e re.” (fq. 235)
Kjo ka kuptimin që nëse “tematika, fjalori, idetë, skica” e krijimit kanë sekret, lidhja reale e simboleve me fjalorin, interpetimi që do t’u japësh janë “sekret mbi sekretet” dhe kjo besoj duhet të jetë e natyrshme.
Ismail Kadare na ka treguar me romanin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” se ai e ka mbajtur këtë sekret jashtëzakonisht lart dhe romani i tij është vepra më e pakuptuar për 48 vjet që kur u botua kapitujt e parë në dhjetor 1977.

Për 48 vjet (1977-2025) një sekret i madh
dhe disa detyrime etike të shkelura rëndë dhe për kohë të gjatë
Ismail Kadare, me dëshirën e madhe të sekretit të veprës, synoi dhe vuri në veprimin devijimin artificial të leximit të romanit. Ai nxiti narrativën e romanit të disidencës dhe për ta ndihmuar këtë narrativë hoqi emrin Ebu Qerim (që zbulonte shumë) dhe e vuri Mark Alem (që fshihte mirë). Hoqi fjalën “Nëpunës” (që tregonte shumë) dhe e vuri titullin thjesht “Pallati i Ëndrrave”. Sikur unë vetë të mos kisha lexuar origjinalin “Nëpunësi i pallatit të ëndrrave” nuk do të bëja pyetjen fatlume “Ky nëpunësi mos është Naim Frashëri”.
Në 1999, Onufri ka botuar një variant të romanit me titullin qëllimisht devijues e të shkurtuar “Pallati i ëndrrave”. Parathënien e ka bërë Bashkim Kuçuku. Parathënia nuk mund të botohet pa miratimin e autorit të veprës Ismail Kadaresë. Ndaj Bashkim Kuçuku në atë parthënie ka realizuar qartësisht planin e Ismail Kadaresë për devijimin e kuptimit të veprës dhe fshehjen e të vërtetës dhe sfidimin më të madh të lexuesit. Janë të Bashkim Kuçukut fjalët:
“Pallati i ëndrrave” është ndërtuar me mjaft lëndë të totalitarizmit komunist. Mbikqyrja e mendimit të lirë, (…) krijimi i dosjes për çdo të dyshuar dhe i institucioneve përkatëse të mbikqyrjes, ankthi rëndues, i kthyer në makth, apo disidenca e hapur politike, bie fjala, janë karakteristika tipike të totalitarizmit komunist.” “Shteti ynë perandorak është shteti ynë socialist.” “Parimet bazë të Tabir Sarajit janë parimet bazë të marksizëm-leninizmit” “I krijuar me nxitjen e sulltanit sovran” është “i krijuar me kujdesin e drejtpërdrejt të shokut X” “porosia e padishahut” është “porosia e shokut X” “Ideja e sovranit për krijimin e Tabir Sarajit” është “ideja e shokut X për krijimin e Institutit të studimeve të markizëm – leninizmit”.
Të tëra janë devijime.
Ndërkohë i gjithë sistemi arsimor u devijua edhe nga dy autore që thuajse janë të vetmet “interpretuese” me librin e tyre “Çelësi i letërsisë”. Bëhet fjalë për Rita Petro dhe Nora Malaj.
Janë të tyret (botimi 2003) mendimet devijuese:
“Në themel të romanit qëndron raporti i individit me shtetin”, “Raporti i individit që ka ambicjen të integrohet në strukturat shtetërore dhe që e gënjen mendja se do të fuqizojë veten prej fuqisë së pushtetit”. “Kadareja i ka dhënë karakterin e një konflikti të përjetshëm marrdhënies pushtet/individ”. “nënteksti i “Nëpunësit…” lidhet me organizimin dhe funksionimin e shtetit socialist” “në emër të nderimit hyri përulja, në emër të respektit hyri lakmia dhe korrupsioni”, “Kadareja vuri në dyshim një gjë që deri atëherë në shtetin diktatorial ishte tabu: Duhej të ishte krenar për qenian në një nga zyrat e hierarksisë së lartë të shtetit apo duhej të ishte kokëulur” “romani ndërtohet mbi analogjinë e totalitarizmit komunist në Shqipëri” “ëndrra është një ilaç trullosës për një popull të tërë që s’bën gjë tjetër veçse ëndërron” etj.. (shih “Çelësin e letërsisë”, 2003, fq57-62)

Ismail Kadare humb sfidën morale
Ismail Kadare humbi moralin t’i thoshte në kohë popullit të vet se frymëzim i romanit të tij ishte jeta e vepra e Poetit Kombëtar Naim Frashëri.
Ky fakt i duhej sistemit arsimor edukativ kombëtar, sepse do t’u thoshte të rinjve dhe popullit shqiptar, se Naim Frashëri do të mbetet në jetë të jetë një burim i madh frymëzimi.
Ndërkohë ka 35 vjet (pas 1990) dhe ca më para që edhe atëherë nuk dihej, që ai u thotë se Naim Frashëri nuk ka lidhje me këtë vepër.
Provohet me këtë se ai ka vënë nakar që në veprën e rilindasve dhe e ka shfrytëzuar jetën e tyre për të bërë lavdi për vete, dhe për të zhvendosur raportet e meritës nga Rilindja Kombëtare drejt “monizmit” dhe nga Naim Frashëri tek vetja.
Libri me interpretime të romanit të Ismail Kadaresë ka një lidhje nënvarësie me librin që kam bërë gati “Dituria e moralit: Naim Frashëri dhe Sami Frashëri autorë të programit të edukimit të karakterit dhe virtyteve të bujarit shqiptar” të cilin po e vonoj pikërisht se në mes të tij pata ndriçimin që të bëj pyetjen e duhur “Mos vallë “Nëpunësi i Pallatit të ëndrrave” është Naim Frashëri. Ka qenë saktësisht artikulli i librit “Dituria e moralit” ku bëj objekt të librit ndikimin që ka patur mbi Naim Frashëri pozita e tij si Drejtor i Zyrës së Shtypit në Ministrinë e Arsimit të Perandorisë Osmane.

Heshtja e Botuesve dhe e Familjes
Që në dhjetor 2024 është njoftuar edhe botuesi “Onufri” edhe “Fayard” në Francë. Prej asaj kohe prej 8 muajsh nuk kemi patur asnjë reagim prej tyre dhe asnjë reagim as nga studiues, shkrimtarë, poetë etj. Nga heshtja kuptuam më mirë se ishim ndoshta në udhën e duhur dhe nuk u ndalëm të hetonim më shumë. Besoj romanin mund ta kem lexuar rreth 10 herë gjatë kësaj periudhe (ec para, kthehu pas, nënvizo, qero, selekto, interpreto)

Fjalori i Romanit dhe Kuptimet
Nëpunësi – Poeti Kombëtar Naim Frashëri. Fjala nëpunës ka dy kuptime: kuptimin e parë të zakonshëm, por kuptimi figurativ është “punonjës në institucionin e poezisë”.
Ëndërr – ka kuptimin e parë (të gjumit), por në fakt nënkputimi është botimi dhe poshtë saj është nënkuptimi më i thellë i “veprës krijuese” ose “poetike”, poezi. Është një fjalë që i lejon Kadaresë të luajë me tri porta: ëndërr gjumi, ëndërr botim dhe ëndërr si vepër kreative poetike.
Pallat – (saraj) është institucion që herë është Zyra e Censurës ku ka punuar Naim Frashëri, por në fakt me nënkuptim “pallati i ëndrrave” është “pallati i poezisë”.
Rekomandim – është dykuptimësh
Familja “Qyprilliu” – është për të thënë “fisi shqiptar” ose “klani shqiptar”. Ajo fsheh sa Familjen Frashëri aq edhe Familjen Vlora apo një Komitetin e Stambollit
Bashëndërr – Kryeëndërr, në fakt është kryevepra dhe e tillë është “Historia e Skënderbeut” që është kryevepra e Naim Frashërit, ajo që e bën atë Poet Kombëtar. Saktësisht është kënga V e “Historisë së Skënderbeut” që fillon me vargjet “U ngrit fat i Shqipërisë si i vdekuri nga varri..” është ëndrra ku Skënderbeut i bëhet i ati Gjoni që është ngritur nga varri dhe ka vajtur deri në Siri tek Skënderbeu për t’i lënë porositë kombëtare. Pas kësaj ëndrre Skënderbeu vendos të kthehet në atdhe e të bëjë epopenë e madhe kundër pushtimit osman. Këtë ëndërr të Naim Frashërit, Kadare e fsheh qëllimisht, por merret vesh që kjo është një teknikë që shkrimtarët dhe poetët e përdorin gjerësisht, që të heqin referimin kryesor “me emër” dhe të lënë funksionet. Në kapitullin e parë shefi i shpjegon Ebu Qerimit se bëhet fjalë për “ëndrra kombëtare” nga ato që e shqetësojnë shtetin dhe letërsia jonë nuk ka asnjë ëndërr tjetër kombëtare veç asaj që Naim Frashëri e ka thurur aq bukur tek “Histori e Skënderbeut”
“Ëndrra e keqe, mortajë, helm” – është referim ndaj Poemës Epike “Qerbelaja” që kishte edhe një farë ftohtësie nga komunizmi për shkak të natyrës fetare
Reumatizëm, ftohje mushkrish – identifikojnë dy sëmundje të Naim Frashërit, pra shërbejnë për ta identifikuar Naim Frashërin
Ebu Qerim – emër që ka një investim të jashtëzakonshëm në roman, për të na kujtuar sa një “mbulesë islamike” por realisht për të fshehur kuptimin shqip që vjen nga fjalët qeroj, qerim, (pastrim, censurim), që janë procese të censurës. Ndaj Kadare ka luajtur jashtëzaknisht me këtë kuptim. Për ta fshehur më shumë kujdeset për shumë fjalë me “Q” si qyprillinj, qiqra.
Rapsodët – mund të jenë dy miq shkrimtarë të censuruar/internuar/ nga sulltani dhe gati edhe për të vrarë. Titulli “Ebu” vjen edhe nga emri i një miku të Naim Frashërit që ishte Ebu Zijaj dhe Qerim po ashtu rimonte me Namik Kemal (Qemal) që ishin dy shkrimtarë, poetë e gazetarë që investuan në identitetin turk, ndërkohë Namik Kemal ishte edhe shqiptar. Nuk ka shumë rëndësi nëse janë apo jo ata. Vrasja e rapsodëve në fakt ishte një kërcënim për poetët që përhapnin frymën kombëtare. Naimi (Ebu Qerimi) dhe Vëllezërit Frashëri ishin dëshmitarë të këtyre qëndrimeve të Sulltanit. E megjithatë ata e bënë punën e tyre kombëtare.
Mark Alem – emër që i shërbeu Kadaresë për të fshehur sa më shumë të vërtetën që dilte nga emri Ebu Qerim. Sidoqoftë ruajti thelbin që ishte censura mark, markoj, është baraz me shënoj, censuroj.
Tabir Saraj – Pallat i ëndrrave, por do të kuptohet që është edhe Institucion i Poezisë që fshihet me një “diabolizëm të lartë” në kuptime të tjera që e rrëmbejnë lexuesin.
19 tetor – data e dosjes, në fakt është data e vdekjes së Naim Frashërit
1900 – numri i seksioneve të bazës është në fakt viti i vdekjes së Naimit
ëndërrçues – janë në fakt postierët e Perandorisë Osmane që ishin edhe grupi i parë që ushtronte censurën, sepse kapnin përmbajtjet e pakove me literaturë
Seleksionim dhe Intepretim – u trajtuan më sipër
Vezir i Madh – dikush nga familja Vlora që ishin pjesë e Komitetit të Stambollit bashkë me vëllezërit Frashëri
Konsulli Austriak – një mënyrë për të thënë e çështja që po trajtohet është me rëndësi kombëtare dhe dimë që Austria ishte shumë e interesuar për çështjen shqiptare.
Rapsodët sllavë – një mënyrë e Kadaresë për t’iu shmangur thelbit, por edhe për të dhënë një këndvështrim rajonal të çështjes në kohën e Lëvizjes së Rilindjes Kombëtare

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit