
Intelektuali shqiptar dhe tragjedia e një kombi
nga Jozef Radi
Roli i intelektualit në shoqërinë shqiptare mbas ardhjes së komunizmit e humbi misionin e vet.
Intelektualët e shkolluar në Perëndim, pësuan një nga dramat më të mëdha historike. Fillimisht u vranë e u burgosën e më pas qëndrestarët (ata që nuk iu nënshtruan sigurimit) u mbajtën peng nëpër kampe interrnimi.
Për nevojat e veta Partia krijoi “intelektualët” e saj që i shkolloi në Lindje: Jugosllavi, Rusi, Poloni, Çekosllovaki, Hungari, Bullgari, Rumani.
A mund të quhen intelektualë, ata që i shkollon Partia për interesat e saj ideologjike?!
E megjithatë nga rradhët e partisë dolën edhe disidentë, si Foto Bala, Xhagjika, Trebeshina, Luarasi e mjaft të tjerë, por ajo që duhet thënë dhe nënvizuar është se të shkolluarit në Lindje u bënë zëdhënësit më të fuqishëm të partisë në ç’edukimin e vlerave dhe brumosjen e rinisë me ideollogji. Njeriu i Ri është më i lavdishmi realizim i tyre!
Pikërisht ky mision i humbur për një gjysëm shekulli e detyroi Partinë që në vitet ’90, rebelimi i ndryshimit të sistemit t’ua faturonte intelektualëve të pakënaqur. Sado shpresëdhënës që ishte ky formatim i politikës, ndjesia dyshuese me kohë provoi sa të drejtë kishin pasur të zhgënjyerit me intelektualët e kaluar nën kudhrën e ideollogjisë së pushtetit.
Edhe pse brenda tyre mund të ketë pasur elemente me shpirt rebelimi dhe kundërshti ndaj regjimit, (frymë kundërshtuese) e vërteta është se me kohë edhe kjo frymë kundërshtuese u kornizua brenda shërbimeve ndaj dy partive që alternonin pushtetin dhe ata që u quajtën intelektualë, ishin çdo mbrëmjë televizioneve duke çoroditur opinionin me figurat e tyre të diskredituara, dhe llumin e përnatshëm që hidhnin shoqërisë.
Pak o aspak mund të thuhet se roli i këtyre intelektualëve, prodhoi ndonjë efekt dobiprurës apo besim afatgjatë në shtresat e ndryshmë të shoqërinë shqiptare të zhytur tashmë në dhunë…
Mbas ’90, gjitha tendencat e një brezi të ri i cili në vitet ’90 kapërcente kufijtë e adoleshëncës, e që u shpresua se ata do ishin reformatorët e një shoqërie të dekompozuar dhe sjellësit e një fryme ndryshe, dështoi në mënyrë të bujshme. Shoqëria shqiptare ende nuk është ballafaquar me figurën e vërtetë të intelektualit (intelektuali është veç një koncept që duhet trajtuar me kujdes, për të pasur një të nesërme më ndryshe)
Të shkolluarit e shumtë të kësaj kohe, e ngatërrojnë rolin e intelektualit me njeriun e shkolluar…
Nuk është e lehtë sot në shoqërinë shqiptare që të bësh një ndarje midis të shkolluarve dhe intelektualëve po nuk është fort e vështirë të dallosh sot në ç’raport me produktin është raporti i intelektual-qytetar.
Vetëm kur të krijohet një opozitë e baraslarguar nga Partitë dhe pushteti, e që ndikonte në segmente të qeverisjes do të mund të drejtonim në shina politikën shqiptare.
Simbas meje, problemi i idenditetit intelektual është thelbësor. Është thuajse e pamundur mbasi për një periudhë relativisht të gjatë ke kryer shërbime të devotshme ndaj pushtetit, ta pranosh, ta vlerësosh dhe ta mbështesën qëndresën stoike të gjithë atyre që pësuan dhe pësojnë nga një politikë e egër, që krijon konflikte me vetveten, për të krijuar tifozë dhe jo qytetarë.
Edhe sot e kësaj dite, të shkolluar që pretendojnë të qenit intelektual, përkrahin me shumë diabolizëm një vazhdimësi lufte klasash që ka ruajtur inercinë e diktaturës.
Ata që pësuan një luftë te padrejtë klasash me tehun e shpatës së padrejtësive të diktaturës, mbas ’90, nuk patën më me tehun e shpatën mbi krye po mekanizma më diabolikë ligjorë që e kthyen jetën e tyre në një dramë edhe më të madhe…
Në përfundim intelektuali shqiptar nuk krijoi dot frymë. Edhe nëse kemi mjaft individë të specifikuar nuk kemi individë përbashkues që shohin përtej realiteteve të mbijetesës…
Çështja shtrohet: A do të mund të prodhojë Shqipëria dhe Kosova bashkë intelektualë që t’i shërbejnë kombit të tyre?! Koha po dëshon se pavarësisht globalizimit të botës, shpesh shoqëritë kanë nevojë për idenditetet e tyre të ngulitura në ndërgjegje.
Së dyti, A mund të prodhojmë intelektualë mbas kësoje historie tragjike dhe plojës mbi intelekualizmin shqiptar
***
Intelektuali dhe politika janë dy pole që shtyhen dhe nuk e pranojnë reciprokësinë. Ose më mirë, janë në betejë të përhershme me njëra tjetrën dhe kundërshtohen me forcën e logjikës dhe të ligjeve. Kur politika e dëgjon kundërshtinë intelektualin dhe reflekton, është politike e vërtetë. Kur e hedh poshtë frymën e kësaj kundërshtie nis despotizmi.
Nuk e besoj dhe as e mendoj se globalizmi mund ta përkrahë frymën intelektuale, përkundër globalizmi e ka zbehur edhe më rolin e intelektualit duke e zhytur te heshtja humnerore, pranë së cilës ndodhemi…
***
Ç’emër mund t’i vesh një shoqërie që ka bashkëjetuar me krimin, që është bërë pjesmarrëse në krim, sepse ka heshtur kanë vrarë guximtarët e protestës; ç’emër mund t’i vesh një shoqërie që e braktis pa dhimbje shtëpinë, braktis familjen, braktis fshatin, braktis qytetin, braktis atdheun dhe s’ka fuqi të reagojë ndaj braktisjes, përkundrazi u brohoret d eri në ulërime atyre që e shkaktojnë braktisjen… Ç’emër mund t’i vesh një shoqërie që ka krijuar filma të pafund në emër të një realizmi të përçudnuar socialist, dhe s’ka krijuar asnjë film të vërtetë, asnjë dokumenta mbi tragjedinë e qindra intelektualëve dhe familjeve të tyre, për çfarë i shkaktuan komunistët gjithë një kombi… por skuthërisht e në mënyrë diabolike u japin jehonë ca kremtimeve fasadë që e çojnë dhimbjen tashmë të vjedhur deri në kufijtë e neverisë. Ne si qytetarë dhe si intelektualë nuk bëmë asgjë, ne nuk bëjmë asgjë më shumë se vazhdojmë bashkautorësinë në kët krim të tmerrtë ndaj vlerave të një kombi…
Në gjithë këtë që ka ndodhur për një gjysëm shekulli, regjizorët, muzikantët, shkrimtarët, historianët, po edhe ata që bashkëpunuan nga pozita e të shtypurve si të nënshtruar të regjimit deri në keqpërdorje… jemi të gjithë fajtorë në këtë triumf të përditshëm të së keqes.
Fjala që duhej të mbaja në Konferencën e Akademisë, po që për arsye subjektive vendosa të mos jem pjesë e saj! Mendoj se me kohë kjo temë do të jetë vazhdim i një studimi, që do të përpiqem ta botoj më vonë, mbeshtetur në strukturën e këtij shkrimi… j. r.