back to top
4.5 C
Tirana
E premte, 12 Dhjetor, 2025

Intelektuali pak Diogjen, pak Sokrat – nga Mehmet Elezi

Gazeta

Mehmet Elezi
Mehmet Elezi
Intelektuali pak Diogjen, pak Sokrat
nga Mehmet Elezi

“Larg tregut,
larg famës,
ndodhin gjithë gjërat e mëdha”
– Zarathustra –

1.
Përmasat e Çun Lajçit nuk janë ato që kemi parë në skenë e në ekran. Megjithëse artist i madh, nga të mëdhenjtë e botës shqiptare.
Janë të tjera, të tjera.
E kam takuar virtualisht në vitin 1991, nëpërmjet zërit. Dikush më dha një kasetë të vjetër, të dëmtuar, prurë ilegalisht prej Kosove: Çun Lajçi interpretonte Fishtën. Në një sfond epik, me terr bjeshkësh që ndihet edhe pse nuk shihet, me hutin a lorzën e mistershme. Prapritmas zëri i aktorit men, pushon. I lëshon vendin një lahutari me zë gurre, që këndon “Lahutën e Malsisë”: është prap ai, Çun Lajçi.
Jam rritur me “Lahutën”, e mbanim fshehtas si diversant, por kurrë nuk jam përlotur prej saj, si natën që e dëgjova së pari atë kasetë. Çun Lajçi nuk aktron. Ai e thith Fishtën, siç ka thithur ajrin e Rugovës, e përpunon nëpër pejzat e shpirtit dhe ia kthen dëgjuesit përmes pejzave të zërit të vet. Fishta – interpreti i madh i gjenit shqiptar. Çun Lajçi – interpret i madh i Fishtës.
2.
Intelektuali nuk është kundrues gjakftohtë i botës. Heshtje quhet vdekja e tij. Ç’shkrimtar a artist është ai që nuk bëzan kur atdheu dergjet në kokërr të shpinës? Heshtja të bën bashkëfajtor. Deklaratat për pavarësinë e “intelektualit cool” vijnë prej nënvetëdijes, si shfajësim. Mund të jesh i pavarur nga partitë, por si mund të jesh i pavarur nga Atdheu? Të paktën varri të bën të varur prej Atdheut. Në mos tjetër, do t’ia kërkosh dy pëllëmbë dhé për jetën e pasosur.
Çun Lajçit kësaj vere s’i mjaftoi skena. Zgjodhi më të madhen e mundshme: krejt dheun dardan, krejt dheun shqiptar. Artistin brenda vetes e vuri nën urdhrat e intelektualit. Shkrimtarin e muzikantin brenda vetes i vuri nën urdhrat e intelektualit. Të cilit intelektual? Intelektual s’të bën shkolla, thonë filozofët. I shkolluari bëhet intelektual, kur shpërthen përditshmërinë e profesionit dhe rrëmben flamurin për kauza mbarëshoqërore. Rikujtoj Sartrin që thoshte një shkencëtar bërthamor është ekspert; ai bëhet intelektual kur përfshihet në luftën që energjia bërthamore të përdoret për ta mbrothësuar njerëzimin, jo për ta vrarë.
Pra kësaj vere Çun Lajçit s’i mjaftoi skena. Qytetarët e Prishtinës, të Pejës, të Prizrenit, të Tiranës, të Tetovës… vërenin një burrë me mustaqe e mjekër të thinjur, të prerë shkurt, ulur te një shatërvan, në një shteg lulishteje, te shkallët e Muzeut Kombëtar, duke hapur një valixhe me libra. Librat e tij. Dikush ia blen me e nderue veten. Dikush me botue në feisbuk një foto me autorin, që t’i shtohen pëlqimet (kjo e mërzit!). Ndodh që pronari i vockël i një restoranti i thotë mos më rri përballë derës me ata libra, se m’i pengon klientët! Një pronar tjetër i urdhëron kamerierët: mos guxoni me i marrë pare artistit të madh, sa të rrijë kësajt është mik imi.
I shet librat?
Shumëfishin e asaj që fiton duke i shitur librat, e shpenzon duke udhëtuar qytet në qytet. I del zot librit, të përdhunuarit të madh. Kush e do librin e kush shkruan libra të mirëfilltë s’ka pare, shteti e ata që kanë pare s’dinë ç’është libri.
O njerëz, kthehuni kah libri, thotë udhëtimi i Çun Lajçit. Kthehuni kah dija.

Çun Lajçi: "Librat e mi i kuptoj, nuk i kuptoj ata që, në emër të pushtetit, duan të hanë edhe librat edhe mua..."
Çun Lajçi: “Librat e mi i kuptoj, nuk i kuptoj ata që, në emër të pushtetit, duan të hanë edhe librat edhe mua…”

3.
Kaq? Shumë më tepër se kaq. Në një status ka shkruar:
“Librat e mi i kuptoj, sepse i kam lindur vetë, fjalë pas fjale, si nënë që lind fëmijën dhe i jep frymë. Por nuk i kuptoj ata që, në emër të pushtetit, duan të hanë edhe librat, edhe mua, edhe Atdheun.
Dje një burrë zotni më tha:
-Mirë që ua çon librat edhe bjeshkëve, edhe detit. Po kur bie nata, me kë fle? Me hallet e tua, apo me hallet e miliarderit?
I thashë:
-Me shkronjat e mia… dhe me gjëmën e Atdheut”!
Në çdo ndalesë regjistron një dialog a monolog. I drejtpërdrejtë, nuk fshihet me çorape në krye. E idhnon lufta e paparimtë ndërmjet politikanëve. A nuk po shohim “se shtetin nuk po e shemb anmiku, por inati i vetvetes? A asht kjo dashuni për lirinë, apo veç lakmi për hijet e veta?”.
Sarkastik. “Jam la e shpërla me partitë. Jam ngjitë mbi majat e tyne, e prej aty shoh se si këta rrinë me krye përpjetë, tue m’i kqyrë herdhet!” Të kujton Zarathustrën: “Ju vështroni lart kur kërkoni të lartësoheni, ndërsa unë vështroj poshtë, sepse jam lart”.
Bën thirrje me shkue “tek ata që nuk dinin ç’është të kesh, por e dinin ç’është të japësh gjakun, gjymtyrët, shpirtin, jetën për Atdheun”.
Ka mëdyshjet e veta filozofike. “Ah! Jeta s’qenka gjë tjetër, veç një shaka e hollë mes Zotit dhe njeriut”!
Skicat në feisbuk i hedh si piktura impresioniste. Gjuhë plot njomështi, lulnajë fjalësh e shprehjesh. Pesha e dheut shqiptar, era e livadhit të kositur, e shiut që këndell dushk e bar, por i shpërlan lulet e me çka do të ushqehen bletët? Hija e gurëve të vorreve. E gjarpnit – orë, që ia ruan shpinë e mbetur thatë në Drelaj. “Dardhat ishin plot. Por m’u mbushën sytë me lot, tue mendue se ato do të kalben e nuk do të ketë fëmijë me i hangër, si unë dikur. Ato lulëzojnë për bletët, piqen për mizat e kalben për krimbat!”
Nuk e ndan sharkinë. Këndon për ata që s’kanë shtatore deri në qiell, por kanë shtatore në zemër të kombit. Ia merr edhe një këngë lirike:
“Prite verën m’u pjekë qershia/ me i puthë buzët e mia”.

4.
Kohë prove për dinjitetin intelektual.
Edi Ramës s’i mjaftojnë krejt mediat e blera, i ka shtri metastazat edhe te media pranë opozitës, që ndezin dritën e kuqe për disa intelektualë të padëshiruar (për Edin). Çun Lajçi thotë megjithatë ka plot mënyra me luftue. Pak Sokrat e pak Diogjen, ka zgjedhur për tribunë hapësirat shqiptare. Dhe për ekran, llogarinë e vet në feisbuk. Ndjekësit? Me mija.
Më ndërmendi një tjetër aktor të dashur për publikun, qëndrestar për Teatrin. Mehdi Malkaj sfidonte diellin e djegagurit, dilte me protestuesit te Bashkia e Tiranës dhe në darkë te Rruga e Shpresës, te Sali Berisha i burgosur pa akuzë. Pësoi sulm në zemër, u shtrua në spital, u përmirësua. Prapë te bashkia. Te Rruga e Shpresës prapë.
Dje Çun Lajçi botoi një poezi. Disa vargje prej saj:
Sot vdiq nji bari i Bjeshkëve t’Namuna.
I la delet n’rudina e shtagën n’vathë,
e u ba artist n’qytet,
jo tue rrejtë,
jo tue sha shqiptarin,
jo tue shitë vendin për pare.

Mos m’thoni ikonë,
mos më krahasoni me tjetrin,
se kurrë i madh s’kam qenë.
“Larg tregut, larg famës, ndodhin gjithë gjërat e mëdha”, thotë Zarathustra.
Marrë nga Muri i FB, Çun Lajçi 24 Shtator 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.