back to top
3.5 C
Tirana
E martë, 20 Janar, 2026

Intelektuali, Media dhe Pushteti – Rasti Beqiri – Caslli – Ypi në shoqërinë shqiptare – nga Nazmir Bilani

Gazeta

Nazmir Bilani
Nazmir Bilani
Intelektuali, Media dhe Pushteti
nga Nazmi Bilani
Rasti Beqiri – Caslli – Ypi në shoqërinë shqiptare

Në Shqipëri nuk mungon dija. Nuk mungojnë as njerëzit e formuar, as mendjet kritike, as zërat e ndërgjegjes.
Ajo që mungon në mënyrë kronike është hapësira reale për mendimin e pavarur dhe, mbi të gjitha, besimi se dija po i shërben shoqërisë dhe jo pushtetit.
Në këtë kontekst, shfaqja, heshtja apo promovimi i disa figurave intelektuale nuk është as rastësi dhe as neutralitet.
Është politikë.
Figura si Irena Beqiri dhe Elona Caslli përfaqësojnë intelektualin që, në shoqëri të kapura, është gjithmonë i pakëndshëm dhe i papranueshëm:
intelektualin që nuk kërkon pushtet, por kërkon llogari. Ky është një model i rrezikshëm për regjime si ky i yni.
Irena Beqiri artikulon një kritikë morale dhe qytetare, shpesh të drejtpërdrejtë dhe pa kompromis ndaj pushtetit.
Ajo nuk flet vetëm në parim, por për realitete konkrete: për deformime të pushtetit, për padrejtësi të përditshme, për përgjegjësi të munguara. Diskursi i saj është i drejtpërdrejtë, kritik dhe i pakompromis me pushtetin.
Ajo përfaqëson modelin e intelektuales rezistuese, që nuk kërkon rol politik – ndonëse nuk e përjashton atë – por synon ndërgjegjësimin shoqëror.
E dobishme për shoqërinë, por e papërdorshme për regjimet. Këtë e ka dëshmuar edhe me dorëheqjen nga ekzekutivi – një provë e qartë e integritetit moral.
Pikërisht për këtë arsye, për të nuk ka hapësirë në mediat e mëdha.
Elona Caslli, nga ana tjetër, ndërton një kritikë institucionale të dokumentuar, që zbërthen mekanizmat e kapjes së shtetit.
Ajo flet me përgjegjësi qytetare, larg diskursit populist, dhe analizon funksionimin real të deformuar të pushtetit, duke ia hequr çdo alibi përpara opinionit publik dhe duke mos lejuar që fenomenet negative të zhyten në harresë.
Caslli përfaqëson intelektualen institucionale kritike, që i shërben demokracisë duke ekspozuar deformimet e sistemit.
E vlefshme për shoqërinë, por e papranueshme për demagogjinë, sepse ekspozon fallcitetin e fasadave.
Ajo nuk shfaqet si “shpresë e re”, por si zë llogaridhënieje.
Të dyja këto figura kanë një tipar të përbashkët:
janë në shërbim të opinionit publik, janë të papranueshme për regjimin, nuk mund të blihen dhe nuk mund të përdoren.
Në kontrast me to, figura e Lea Ypit tërheq vëmendjen përmes një promovimi të fortë dhe të sinkronizuar mediatik, kryesisht në media të ushqyera nga paratë e korrupsionit të regjimit.
Kohët e fundit, ajo është vendosur çuditërisht në qendër të vëmendjes dhe ka pushtuar ekranet.
Por pse?
Qëndrimi i saj ndaj problemeve shoqërore aktuale është pothuajse inekzistent. Diskursi i saj është kryesisht teorik dhe i referohet më shumë së shkuarës, pa ndonjë përpjekje serioze për t’u ballafaquar me problemet politike dhe shoqërore të sotme.
Ajo rrallëherë sfidon drejtpërdrejt pushtetin konkret që prodhon padrejtësitë aktuale.
Për këtë e ndihmojnë edhe intervistuesit, të cilët e përqendrojnë vëmendjen te formimi i saj akademik dhe te veprat letrare, duke u ndalur gjatë në libra dhe arritje personale, për të kaluar më pas, pa ndonjë lidhje reale me kontekstin, te pyetja nëse ajo do të ishte e gatshme të merrte drejtimin e një qeverie teknike në situatën aktuale.
Edhe pse ajo e mohon një rol të tillë, kjo mjafton për ta kthyer temën në debat publik, duke shpërqendruar opinionin nga problemet reale: korrupsioni galopant i regjimit dhe ngërçi i thellë politik.
Nuk dihet nëse kjo është e sinkronizuar me të apo nëse ajo thjesht lejon të instrumentalizohet.
Megjithatë, në një shoqëri të lodhur nga tranzicioni, të çoroditur dhe të etur për “fytyra të pastra”, ky tip intelektuali është ideal për t’u promovuar: i artikuluar, i pranueshëm ndërkombëtarisht dhe, mbi të gjitha, jo ma kërcënues për strukturat ekzistuese të pushtetit.
Ai shërben si një fasadë e re që mbulon dhe zhvendos vëmendjen nga problemet reale të vendit.
Rreziku nuk qëndron te individi, por te instrumentalizimi i tij.
Historia na mëson se në shoqëritë e kapura:
-intelektualët kritikë margjinalizohen;
-intelektualët e padëmshëm promovohen;
-intelektualët e instrumentalizuar shiten si shpëtim.
Irena Beqiri dhe Elona Caslli i shërbejnë shoqërisë duke ndriçuar kalbësirën e saj dhe duke e shqetësuar atë.
Lea Ypi rrezikon t’i shërbejë një narrative që e qetëson shoqërinë, duke e përgjumur pa e çliruar.
Dhe ky është dallimi themelor.
Shoqëria shqiptare nuk ka nevojë për më shumë figura intelektuale dekorative.
Ka nevojë për zëra që nuk kanë frikë të mbeten të vetmuar, që nuk i shmangen përballjes me regjimin dhe që kanë kurajon të luftojnë çdo ditë me të keqen.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.