In memoriam – Edmond Buharaja (1963-2024)
nga Kristaq Jorgo
M’u shfaq sot një postim i gjashtë viteve më parë. Flet për Miqësinë Sublime e për Virtyte të Tjera Sublime që lidhnin Lasgush Poradecin e Mitrush Kutelin.
M’u shfaq sot, tre ditë pasi i paharruari Edmond Buharaja u shkëput nga balta e kësaj kohe dhe u ngjit në Qiell…
Natyrshëm më erdhi t’ua shtoj fotot e dy Korifejve të Mëdhenj të Kulturës Shqiptare foton e Tij, të Paraardhësit të Madh Vexhi Buharaja, mik e bashkëpunëtor i Dy të Parëve, si dhe të dajës, Kompozitorit të Madh Feim Ibrahimi.
Ishte, është e do të mbetet dhe Ai, miku ynë i shtrenjtë, në Shoqërinë e Korifejve të Ndritur të Kulturës sonë. Ndan me Ta të njëjtën Fisnikëri, të Njëjtën Lartësi të Mendjes e Bukuri të Shpirtit, të njëjtat Vlera, të njëjtat Virtyte, të njëjtën Vetëdije Misionare.
Kjo kohë e ky vend nuk e meritoi, me trishtim e dhembje e them, Madhështinë e shumëfishtë të Njeriut, Krijuesit e Dijetarit: Edmond Buharaja.
Kontraste të forta e shënjuan Jetën e Personalitetin e Tij:
Thjeshtësia e skajshme përkundër vlerës së pazëvendësueshme;
Heshtimi e vetpërmbajtja përkundër Punës Vetmohuese;
Fjalët e pakta përkundër Peshës së Artë të Tyre;
Mospajtimi i Pakompromis me antivlerat agresive e banalitetin buçitës;
Fisnikëria, Idealizmi e Atdhetarizmi i flaktë përkundër materializmit antinjerëzor e atdhemohues të një shumice.
Ai ishte, e kam menduar disa herë e diskutuar mes miqsh, si i ardhur nga një tjetër Dimension ose si i zbritur në të sotmen e zymtë nga një e Ardhme e Tjetërfartë, e Ndritshme, e Mirë, e Bukur, e Mençur, e Ditur, Ideale.
Nëse mund të ketë një ngushëllim sado të vogël për dhembjen e jashtëzakontë që na shkaktoi pushimi tragjik i jetës së prof. Edmond Buharasë në moshën më të artë të fuqive të veta krijuese – ngushëllim në t’vërtetë nuk ka – nëse mund të ketë gjithsesi një ngushëllim sado të vogël, ky ngushëllim është vetëdija se Ai, tash e përherë do të jetë një Yll në Yjësinë e Njerëzve më të Ndritur e më të Ditur të Kombit.
Gjithçka ndryshon në këtë botën tonë:
lartësitë e pamerituara dikur bien e shëmben;
vlerat boshe vjen ora dhe shpohen;
dritat shkëlqimtare të çastit shuhen;
lavditë e rreme treten e humbin pa gjurmë;
buritë e vetmburrjeve s’ka bulçi që t’iu fryjë më;
miqësive të rreme u del shpejt a vonë boja;
‘pikëllimet’ që fshehin gëzim a cmirë i tradhton zëri…
Gjithçka ndryshon në këtë botën tonë, përveç
Yjeve që mbeten të patundur atje lart,
që ndrisin Përjetë duke na falur Shpresë.
Dhe kështu – përmes fjalëve të Lasgush Poradecit drejtuar Mitrush Kutelit – i drejtohet në Qiellin Shqiptar Ylli-Yllit:
“Eja, pra, dhe mos u vono aspak! Kur të piqemi, kur të të puth në ballë, jo vetëm njerëzia do çuditen, jo vetëm gurët do dridhen, po dhe Zoti vetë më të madh të Tija, do ta bëjë buzën në gas… Do ta bëjë buzën në gas, sepse me pjekjen t’onë do ndjejë dhe Ay, një Tepër-Lumtëri, me gjith që vetëm për një moment, se Drita që Ay pati ndezur për ndritjen, shpëtimin, lumtërimin e së Keqes njerëzí nuk e ka shterur mburimin fare…
Eja pra i dhemshur shok sa më shpejt Atje ku e ka urdhëruar Zoti që të piqemi bashkë. Eja ta vrasim Djallin e Shqipërisë, e të shqipëtarëve. […]
Do më gjesh, ashtu siç e di, ashtu sikundër të isha vetja jote vetë: shpirt i vetëm i etuar për Dritë dhe përparim, dyke patur rreth e përqark skëterrën, prapanikërinë, trurin e çuknavitur të një vendi, të një populli të mjerë po të dashur, i cili po bën Mëkatën, sepse nuk di ç’bën… Eja t’i themi atë që kemi për t’i thënë…”
Marrë nga Muri i FB Kristaq Jorgo, 16 qershor 2024