Ikja e nanës – 22 mars 1997 – poezi nga Jozef Radi

Vitore Vushmaqi - Radi, 1944

Vitore Vushmaqi – Radi, 1945

Ikja e nanës – 22 mars 1997

poezi nga Jozef Radi

S’po di duert ku me i vendosë
as sytë s’po di ku me i ndalë!
Shpirti yt çarçaf i bardhë
n’qiell të k’tij Marsi
ndër gëzhoja kallashnikovi varë.
 
Fjalët e tua
mbi krahë zogjsh mbetë,
dhimbja jote zbathë vrapon qiejsh
e s’ndalet as ndër baraka
te mbytuna lotësh,
as ndër brraka kohnash t’liga
 
Nyje në shpirt, o nanë
kjo lamtumirë e beftë!
.
Vitore Radi 1951 - foto e arkivit te Ministrisë së Brendëshme

Vitore Radi 1951 – foto e arkivit te Ministrisë së Brendëshme

Ike si engjujt ikin
si bora bahet kaltërsi u bane,
humbe nëpër kët t’vrazhdë marsi,
e s’di mos je mshehë mbas ndoj fije bari;
a mos kputë ndoj lule vjollce kund,
mos n’sqep të ndoj sythi je futë
o ndjek me petka nate kometën
m’u rishfaqë mbas njiqind vjetësh?
 
S’po di asgja!
Di vetëm se mbeta pa ty o drita ime,
o dhimbja ime, kurrë e shkrueme!
Mbeta pa ty o vuejtje e vuejtjeve
pa ty o shenjtorja e mërgimeve të mia.
 
Mbeta pa ty o Nanë,
e s’po di ku me i vu as duert, as fjalët,
as dhimbjet… e as sytë
s’po di ku me i ndalë…
mars 1997
.
Jete kampesh Vitore dhe Jozef Radi - 1957

Jete kampesh: Vitore dhe Jozef Radi – 1957

Botue në librin “Kujtesa e Mjegullës”, Tiranë 2000

 

Ju mund të ndiqni çdo përgjigje për këtë term nëpërmjet RSS 2.0 feed. Ju mund të lini një përgjigje , ose Ndiqni nga faqja e juaj. Kategoria: Gazeta, Poezia  Etiketat: , ,

Lini një Përgjigje

Visit Us On TwitterVisit Us On Facebook