“I Keqi i Vetes” – fragment nga romani nga Gazmend Kapllani

Gazeta

Gazmend Kapllani
Gazmend Kapllani

“I Keqi i Vetes”
fragment nga romani nga Gazmend Kapllani

fragment nga romani “I Keqi i Vetes”
ku përshkruhet rënia e shtatores së diktatorit me 20 Shkurt 1991 –
e cila duhet të ishte shpallur Dita Më-e-Gëzuar e Kombit.

“I vetmi moment ku Karli u bë pjesë e rebelimit ishte ditën e rënies së shtatores së Enver H. Katër muaj pas vdekjes së nënës së tij, më 20 shkurt 1991. Ishte ditë e mërkurë, bënte ftohtë dhe qielli mbi Tiranë ishte mbuluar me re të mëdha, të dendura, që ngjanin me sy të nxirë nga pagjumësia. Policë te forcave speciale, që kishin pushtuar sheshin “Skënderbej”duke krijuar një mur të gjallë rreth shtatores së diktatorit, shihnin ata sy të nxirë në qiell dhe luteshin që të binte shi. Ishte shpresa e tyre e fundit që turma e protestuese të shpërndahej. Por në vend të shiut mbi kokat e tyre nisi të binte një breshëri gurësh, që turma e egërsuar po vërviste mbi policët. Këta të fundit iu përgjigjën breshërisë së gurëve me fishekë kauçuku, me shkopinj gome, me qentë trup mëdhenj që dukeshin shumë të uritur për të kafshuar protestuesit. Qentë dukeshin më të vendosur se policët, që të mbronin shtatoren. Shumica e policëve ishin të trullosur, si njerëz që kanë humbur vetëbesimin. Ndoshta sepse nuk dinin nën urdhrat e kujt do të gdhiheshin të nesërmen: atyre që po mbronin shtatoren, apo të atyre që donin ta rrëzonin. Policët ngjanin me mullinj ere që përpiqeshin të kuptonin nga po frynte era e historisë, ndërsa qentë nuk vuajnë nga dilema të këtij lloji. Ata i qëndrojnë ngaherë besnikë misionit për të cilin janë stërvitur nga njerëzit. [….]
As dhëmbët e uritur të qenve, as shkopinjtë e gomës, as ulërimat e frikshme të protestuesve “Oh, nëne, se po vdes!”, as pamja e një vajze që dergjej në tokë e larë në gjak, nuk e ndalonin më Karlin. Ishte bërë një cifël e verbër në mes të atij oqeani të tërbuar dhe të ekzaltuar njerëzish, që kishin një qëllim të vetëm, të shtrinin përtokë shtatoren e diktatorit. Pas një gjysmë ore pothuajse, kur u gjend tek këmbët e bronzta të shtatores së diktatorit, rrethuar nga mijëra gojë që ulërinin sikur po lajmëronin kthimin e Krishtit mbi tokë, Karlit iu duk sikur trupi i tij kishte fituar cilësi magjike, ishte bërë i pacenueshëm, i paprekshëm.
Në duart e tij ndjeu vrazhdësinë e një litari të trashë me të cilin protestuesit kishin lidhur shtatoren e diktatorit. Filloi ta tërhiqte bashkë me të tjerët, të gjithë bërë një-gjë-e-vetme tashmë, me sa fuqi kishte, duke ulëritur me gjithë forcën e mushkërive. Kur shtatorja u lëkund, gjithë njerëzit rreth e rrotull nisën të lëshojnë sharje të tipit “rrëzojeni birin e kurvës”, “qijani nënën diktatorit” (sepse edhe kur bëhet fjalë për diktatorë prapë nënat shahen; nuk është dëgjuar ndonjëherë të shahet ndonjë diktator nga babai).
Në fillim shtatorja u lëkund lehtë, si një derr që ka kuptuar se duan ta therin dhe ngul këmbët në tokë me gjithë forcën që i jep instinkti i mbijetesës. Pastaj u shkund e tëra, sikur ta kishte goditur “sëmundja e tokës”. Në çastin e rënies, pika të vogla shiu filluan të binin nga qielli. Pas disa javësh, Karli shkroi në ditarin e tij: “Nuk i kam parë kurrë shqiptarët aq të çmendur nga lumturia sa në atë moment. Sigurisht, i kam parë jo pak herë të çmendur nga fatkeqësia. Apo thjesht të çmendur…”

Statuja e zeze e Diktatorit pak çaste para rrezimit
Statuja e zeze e Diktatorit pak çaste para rrezimit

***
Shumica e protestuesve në atë turmë të çakërdisur rebelësh kishin veshur rroba me ngjyra të zymta. Diktatori kishte veshur një pallto të bukur dhe të shtrenjtë prej bronzi. Kur shtatorja u shemb dhe u shtri gjerë e gjatë mbi tokë, pa asnjë shpresë rimëkëmbjeje, protestuesit filluan ta godasin me grushtet e tyre lakuriqe, ta shqelmojnë me këmbët e tyre të lodhura, ta pështyjnë me gojët e tyre të thara nga etja, ta shajnë me fjalë ku përzihej ekstaza dhe urrejtja. Diktatori ishte tani veçse një kufomë nën mëninë e ish-skllevërve të tij. Pas nja gjysmë ore, një pjesë e turmës së protestuesve kërcyen gjithë entuziazëm mbi shtatore, sikur po i hipnin një anijeje magjike, duke mbuluar çdo milimetër të saj. Ishte makina funerale më e hareshme që kishte parë historia e njerëzimit”.
I Keqi i Vetes, Botimet ALBAS

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit