
I hiqet titulli “Qytetar Nderi” Gjergj Velos
Deputeti i Lushnjes Saimir Korreshi, një nga nismëtarët për heqjen e titullit Qytetar Nderi Gjergj Velos: “Shpirtlig! Në vend të kërkojë falje për familjet që internoi, kërkon të nderohet.
Këshilli bashkiak mori vendim për heqjen e këtij titulli.
Me votat e demokratëve, u bashkuan edhe votat e socialistëve.
Lushnja Info, 23 dhjetor 2025

Pas jehonës së madhe që pati dhënia e titullit “Qytetar Nderi i Qytetit Lushnje” ish kryetarit të komitetit ekzekutiv të rrethit Lushnje, Gjergji Velos, njëherazi edhe kryetar i komisionit të internim-dëbimeve, Këshilli Bashkiak Lushnje me vendim dinjitoz dhe përshëndetës reflektoi duke vënë në vend dinjitetin e qytetit. Në emër të Shoqata Antikomuniste e Ish-të Përndjekurve Politikë Demokrate të Shqipërisë, Dega Lushnje dhe në emrin tim personal si kryetar i saj falenderoj gjithë këshilltarët që votuan pro heqjes së këtij titulli të pamerituar, e në veçanti Klement Çela si kryetar i grupit të këshilltarëve të PD, deputetin Saimir Korreshi, dhe z. Shkëlqim Bylykbashi si përfaqesues i shoqërise civilive e medias dhe pjesë e shtresës së të përndjekurve politike! Sensibilizimi i kësaj çeshtje dhe fyerja publike që ju bë deri në lëndim viktimave të vendimeve despotike, sot mori sadopak një rehabilitim moral!
Marrë nga muri i Shpëtim Brehamajt, 23 dhjetor 2025

Pas shumë përpjekjeve të vështira e pandërprerje të Shoqatës Antikomuniste të Përndjekurve Politik të Shqipërisë dhe jo vetëm, këshilltarët e Këshillit Bashkiak Lushnjë me projekt-vendimin nr. 176, darë 17.12.2025, i të drejtë edhe i vonuar, kanë kërkuar shfuqizimin e vendimit të 29 Shtatorit 2025 për dekorimin e Gjergj Velos, ish-sekretarit të parë të Partisë së Punës dhe kryetar i komisionit të internim dëbimeve gjatë diktaturës komuniste.
Ky projekt-vendim nuk është as hakmarrje, as revansh politik, por një akt moral, historik dhe qytetar në respekt të kujtesës kolektive dhe të viktimave të komunizmit.
Kryetari z. Et’hem Fezollari në emër të Shoqata Antikomuniste e të Përndjekurve Politik të Shqipërisë përshëndet këtë projekt-vendim si një hap të domosdoshëm për t’i dhënë fund relativizimit të krimeve të diktaturës.
Nuk mund të ketë nderime publike për individë që kanë qenë pjesë aktive e një sistemi represiv, i cili ndërtoi pushtetin mbi dhunën, internimet, dëbimet, burgosjet politike dhe shkatërrimin e jetëve të mijëra qytetarëve të pafajshëm.
Dekorimet dhe titujt e nderit nuk janë thjesht simbole formale, ato janë mesazhe politike dhe morale që shoqëria i përcjell brezave të sotëm dhe atyre që vijnë. Të dekorosh një funksionar të lartë të diktaturës do të thotë të fyesh të përndjekurit politikë, familjet e tyre dhe gjithë ata që vuajtën pasojat e një regjimi çnjerëzor.
Ky projekt-vendim riafirmon parimin se nuk mund të ketë pajtim pa të vërtetë dhe nuk mund të ketë nderim pa drejtësi. Demokracia nuk ndërtohet duke larë figurat e së shkuarës, por duke u përballur me to me ndershmëri dhe përgjegjësi historike.
E shkuara nuk mund të ndryshohet, por mënyra se si e kujtojmë atë përcakton të ardhmen tonë. Ky vendim është një hap në drejtimin e duhur.
-Në krah të viktimave.
-Në anën e së vërtetës.
-Kundër harresës.
Marrë nga Muri i Çelo Hoxhës, 23 dhjetor 2025