back to top
11.5 C
Tirana
E enjte, 28 Mars, 2024

I fundmi i një brezi vuajtjesh e sakrificash, nga një familje dinjitoze! – Nderim për Faik Halil Allën (1943-2021)

Gazeta

Faik Halil Alla (1943-2021)
Faik Halil Alla ne moshen 20 vjeçe

I fundmi i një brezi vuajtjesh e sakrificash, nga një familje dinjitoze!

Nderim për Faik Halil Allën (1943-2021)

Me 21 Qershor 2021, mbas një sëmundje të rëndë, vdiq në moshën 78 vjeçare z. Faik Halil Alla.
Faiku lindi në Zgosht të Librazhdit më 15 korrik 1943, në një nga familjet e nderuara të zonës së Librazhdit, siç ishte ajo Alla. I ati i tij, Halil Alla, i datëlindjes 1905, së bashku me dy vëllezërit Kamber e Isak Alla (të cilët ishin në përbërje të grupit të ashtuquajtur prej organeve të Sigurimit si “Grupi i Isak Allës”: Grupi i Isak Allës përbahet prej tre vetash, prej vetë Isakut si udhëheqësi grupit e prej të vëllezërve të tijë Kamber e Halil Allës, këta janë të armatosur mirë me pushkë e bomba dore dhe rrevole. Thohet se kanë edhe nji mitroloz të lehtë por e kanë mëshehë. Udhëheqësi i grupit siç thamë ma sipër asht Isaku, dhe personat qi bajnë pjesë janë prap ata qi thamë ma sipër Kamer e Halil Alla. Këta vërtiten nga pylli i Funarsit për karshi Zgoshtit dhe nga malet e Zgoshtit e të Letmit, ku janë pamë, gjithashtu ai vërtitet dhe jashtë rrajonit të Librazhdit, si në Gollobordën e Peshkopis; ky grup shpesh herë asht hedhun edhe në Belica të Strugës pse andej kanë mjaft miq”. (Material i marrur nga dosja 469, i Drejtorisë së Sigurimit, në ngarkim të Isak Allës)
.
Kamber Alla, Shyqyri Biçaku, Isak Alla ne emigrim
Kamber Alla, Shyqyri Biçaku, Isak Alla ne emigrim
Vëllezërit Alla ishin ndër ata që u përballën fortë kundër kulçedrës komuniste në zonën e Librazhdit e në malet e Çermenikës, për një kohë të gjatë edhe mbas “çlirimit” të vendit, deri sa aty nga fundi i vitit 1947 kur: (Material i marrur nga Dosja 469 e Drejtorisë së Sigurimit në ngarkim të Isak Allës lihet ky: “Shënim: Në vitin 1947 kur t’arratisunit Isak Alla me shokë ranë në përpjekje në malin e Qarrishtës me forcat t’ona. Kanë ikun prej andej dhe kanë shkuarë në malin e Vulçanit në një pyll. Të nesërmen në mëngjest i quajtuni Dilaver Sina nga Vulçani ka shkuarë që të bëj dru, atje ka takuarë me Isak Allën, Kamber Allën, Xhevdet Blloshmin, Rakip Qoshin dhe Hazis Biçakun me gjithë çunin e tij, Halil Allën nuk e kishin me vete dyshohemi se Halili asht i vrarë nga forcat t’ona, por nuk dihet se ku ashtë varrosur. Kta të gjithë kishin plagë, por plagë të lehta, kurse Xhevdet Blloshmi nuk ishte i plagosur fare. Isaku e mbajti Dilaver Sinën aty gjithë ditën, nuk e la qi ky të largohesh për në shtëpi përderi në darkët. Në darkët Isaku me shokët ikën ma parë në drejtim për nga Mokra dhe katundari Dilaver Sina ngarkoi kalin me dru dhe shkoi në shtëpi. Qysh pres ksaj kohe kto kanë shkuar në Greqi Hotolisht O3.02.1949, H.M. Çota, Fute në dosjen e Isak Allës…” Është pikërisht koha, që mendohet se duhet të jetë vrarë Halil Alla!
E ndërsa prindët e Familjes Alla rezistonin dhe luftonin maleve, Organet e Diktaturës, duke pasur frikë nga prania e “Grupit të Isakut” në malet e zonës, e marrin familjen Alla qysh në fillim të vitit 1945, dhe e degdisin larg nga zona e Librazhdit.
.
Faik Alla, Hajdine Alla, Aziz Alla, Haki Alla, Arjana Alla - Savër 1965
Faik Alla, Hajdine Alla, Aziz Alla, Haki Alla, Arjana Alla – Savër 1965
Në atë kohë, kjo familje përbëhej nga katër gra dhe pesë fëmijë që ishin: Laze Alla e ëma e Isakut, Anife Alla – e shoqja e Isakut me djemtë Hakiun (13 vjeç) dhe Hazisin (7 vjeç), nga Hava Alla – gruaja e Kamber Allës (pa fëmijë) si dhe Ajdije Alla – gruaja e Halil Allës me tre fëmijë: Seitin (4 vjeç), Faikun (17 muajsh) dhe Kurt Allën (i posalindur). Siç ishte në barbarinë e Organeve të Mbrojtjes së Popullit, i morën veç me rrobat e trupit dhe i dërguan fillimisht në Degën e Punëve të Mbrendëshme në Elbasan, ku i mbajnë për afro nji muaj dhe më pas i nisën për në kampin e madh të internimit në Berat. Në Berat, familja e Halil Allës do të humbiste fillimish fëmijën e posalindur: Kurt Alla e si të mos mjaftonte kjo humbën edhe gruan e tij Ajdije Alla – vetëm 27 vjeçare.
Aty në Kampin e Beratit, Familja Alla do të bashkohej edhe me plot familje të tjera të internuara nga Veriu i Shqipërisë, që kishin të njëjtit fat. Fillimisht u strehuan në lagjen “Murat Çelepia”, ku qëlloi që të kishin bashkëvuajtës shumë familje të njohura e të nderuara si: Markagjonët, Dinet, Kolët, Destanishta, Kupi, Nika, Kaso, Dosti, Përvizi, Brahimi, Petrela, Sina, Bajraktari, Dema, etje.
Nuk kaloi shumë kohë dhe prej Beratit i morën dhe i degdisin në Kampin famëkeq të Tepelenës, ku Familja Alla, do të humbte edhe zonjën Laze, – nënën e Isak Allës.
Mbas vrasjes së Halil Allës dhe vdekjeve të nënës së tyre Ajdije dhe vëllait të vogël Kurtit: nga Kampi i Tepelenës dy jetimët e mitur Seit e Faik Alla do të liroheshin dhe do të shkonin në fshatin e tyre në Zgosht. Po ku do të jetonin? Në rrënojat e Kullës së Alla-jve të cilën shteti ua kishte grabitur edhe ua kishte djegur. Dy të miturit të mbetur në mëshirën e fatit dhe Zotit, i vunë shpatullat jetës dhe nuk rreshtën së punuari dhe sakrifikuari. Me forcat e tyre, ata fillimisht ndërtuan njërin krah të shtëpisë së rrënuar, duke jetuar në një kasolle e më pas e ndërtuan gjithë shtëpitë e tyre. Në këtë kohë, për dy të miturit u kujdes Jakup Alla, një i afërm i familjes Alla, që jetonte aty në Zgosht.
.
Dy Vellezerit Faik Alla (1943-2021) dhe Seit Alla (1941-2010)
Dy vllezerit: Faik Alla (1943-2021) dhe Seit Alla (1941-2010)
Të dy vëllezërit Faiku dhe Seiti, aty në fshat u morën me bujqësi e më vonë Faiku u mor me ndërtim. Më pas do të kryente shërbimin ushtarak në repartet e xhenjos në Moravë të Beratit, e më vonë do të punonte në ndërtim në hekurudhë e në ndërmarrje të ndryshme shtetërore, në Qytetin e Librazhdit, ku Faiku Alla do të dallohej për seriozitetin e tij në punë dhe në jetë dhe me një korrektësi shembullore në shoqëri.

Kush ka punuar me të ka patur vetëm kujtime të mira dhe respekt për shpirtin e palodhur të këtij njeriu…
Në prill të vitit 2010, emri i kësaj familje do të nderohej, kur shkolla e mesme e Zgoshtit do të merrte emrin: “Isak Alla”, e ku Faiku do të ishte i vetmi ndër gjithë Alla-t, që ia arriti kësaj dite fatlume për të por edhe për gjithë sakrificat e këtij fisi.
Mbas gjithë këtyre vuajteve që kaloi familja Alla, viti ’90, pra viti i rënies së diktaturës, do të vinte edhe për ta, por për fat të keq shpejt atyre iu shtuan edhe humbjet e njëpasnjëshme të tre djemëve të sajë, në moshë mjaft të re, siç ishin ato të Haki Allës në vitin 1995 (63 vjeç, burg e internim); të Hazis Allës në 1997 (59 vjeç, internim) e të Seit Allës në 2010 (69 vjeç, internim). I fundmit i kësaj familje të nderuar nga Zgoshti i Librazhdit, do të ishte Faiku. Ai e ruajti emrin e mirë, si bir i denjë i kësaj familjeje, që edhe pse pësoi dhe vuajti si pakkush nga terrori i një diktature, që dhunoi pa asnjë mëshirë e në mënyrën më të paskrupullt fëmijët, gratë dhe pleqtë…
Faik Halil Alla do të largohej nga jeta me shpirtin në paqe, duke lënë mbas gruan Habibe, tre vajzat Vjollcën, Ajdien dhe Blerinën e dy djemtë, Fatmirin e Bujarin, po edhe një tufë me nipa e mbesa që ia mbushën me gëzim e dritë edhe ditët e fundit të jetës.
Të qoftë i lehtë dheu, Faik Alla!
.
I lehtë të qoftë dheu, Faik Alla!
.
Materiali u përgatit nga Jozef Radi, mbështetur në dokumentet e Familjes Alla…
.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.