back to top
8.5 C
Tirana
E enjte, 15 Janar, 2026

I arrestuari që ndiqte trokun e kalit… – nga Petro Mejdi

Gazeta

Gjyqet dhe të dënuarit e Diktaturës...
Gjyqet dhe të dënuarit e Diktaturës…
I arrestuari që ndiqte trokun e kalit…
nga Petro Mejdi
nga Kujtimet e Skoresë, Cikli – Ditë Arrestimesh

 

Ndodhi më 3 korrik 1960.
-Nτινος Κοντολολης – Dinos Kondollolis: (Sopik, Pogon, 1904 – Spaç, 15 prill 1969)
Vdiq nga tuberkulozi që iu shkaktua në burg. Ai ishte i burgosuri i parë që vdiq në Spaç.
Pasi lexova shkrimin për Dino Kondollolin, shkruar nga një zonjë, rashë në mendime: “Ç’mekanizëm veproi brenda meje, te një fëmije 5 vjeç e disa muaj, që ajo ngjarje u ngulit aq thellë në kujtesën time dhe ajo pamje mbeti aty, që sa herë dilja nga porta e jashtme (eksoporta) për të shkuar afër, ose shumë larg Skoresë, ajo më dilte para syve dhe më stepte për disa çaste, kjo para vitit ‘90 – të ishte frika, ndërsa pas vitit 1990, ajo, falë dhe faktit, se koha e re largoi frikën, se mos dikush do ta kuptonte se po risjell ndërmend imazhin e një armiku. Ai imazh, ai vizion, ka gati 65 vjet që ecën bashkë me mua, është bërë pjesë e përjetimeve të mia…
Gjyqi u zhvillua më 21 nëntor 1960, dhe u dënua me 25 vjet heqje lirie, sipas neneve 64 dhe 14 të kodit penal për: Tradhëti të lartë ndaj atdheut.

nga kronika…
Ai e kishte shtëpinë në breg të lumit të Sopikut, në Selan, një lagje e Sopikut që nuk e gjen në asnjë hartë. Ai ishte njeri punëtor dhe mjeshtër, mjeshtër i tokës dhe i blegtorisë, kishte një dëshirë që të shtonte bagëtitë, të merrte sa më shumë prodhime nga toka, misër, grurë dhe perime. Por erdhi sistemi i ri, ai nuk i pëlqente ata që punonin shumë, ata që donin të pasuroheshin me punën e tyre.
Ishte koha që shpallte kulakë, kjo murtajë e stepave ruse kishte ardhur dhe në Shqipëri, e shpallën dhe atë. Një kulak aq pranë klonit me atdheun amë, Greqinë. Sa e rrezikëshme për sistemin. Ajo stinë e vitit 1960, ishte stinë arrestimesh në të gjithë Pogonin, në Skore u arrestuan dy vëllezër, Llambro dhe Nasho Vangjeli. Këta dolën gjallë, i kam parë në fshat. Për ta duhet shkruar…
Këto të dhëna janë marrë nga një shkrim në internet për Dino (Kostandinos) Kondollolin, shkrim të cilin e kemi sjellë të plotë në origjinalin greqisht dhe një konspekt të tij në shqip të shpërndarë në këtë shkrim.
Një shtesë për publikimin e sotshëm.
Kohët e fundit kam lexuar një shkrim për Kondollolin në blogun “Vështroj përtej” dhe me kënaqësi konstatova se: Dhe pse kjo ngjarje që përshkruaj në këtë shkrim ka ndodhur përpara 65 vjetësh, e mbaja mend stinën dhe vitin kur ajo ndodhi. Ju them me sinqeritet, se nuk kam vënë dorë në këtë shkrim, ai është i njëjti si para 5 vjetësh, kur u publikua për herë të parë. Mund të mburrem për kujtesën time.
Ai nuk e pa më Pogonin, as lumin e Sopikut, i cili rrjedh pranë shtëpisë së tij, në fshatin e vogël Selani, të cilin nuk e gjen në asnjë hartë (I arrestuari i parë që kam parë në jetë , rindërtim i një skene sipas vështrimit të një fëmije 5 vjeçar)

1.
Nuk më shqitet nga imagjinata ajo pamje, e kam përpara syve dhe sot. Ishte shumë tronditëse si pamje, por dhe mosha ime, 5 vjeç e pak muaj, bëri që të më trëmbte atëhere dhe të mos më shqitet nga kujtesa sot. Ishte pasdite. Duhet të ishte verë. Rrija tek pezuli, sofati i portës së jashtme. Po prisja babanë të kthehej nga puna. Atë vit nuk ishte me bagëti, kthehej çdo natë në shtëpi. Ata të fshatit e ndihmuan që të ishte në një punë që mund të kthehej në shtëpi, tek fëmijët. Nuk isha “miqësuar” ende sa duhet me mana Ksenin, kishte disa muaj që kishte ardhur në shtëpinë tonë dhe bëja sikur nuk dëgjoja thirrjet e saj që më ftonin për të më dhënë një fetë bukë gruri me gjalp (kishim miell nga gruri i ri), para kësaj ftese më pëlqeu që të rrija tek sofati dhe të tres vështrimin nga shullerët (prosilat) dhe rrugën, e cila të çonte në arat dhe bahçenë e madhe të Fotimistës dhe më tej në atë Liboshecit, gjer tutje në Hllomo e Çatistë, vështrimi mbetej pezull për disa çaste në malin e Makrikambit. Për mua në atë kohë aty mbaronte bota. Më vonë mësuam se pas atij mali ishte Greqia.

2.
Thashë të ngrihesha, por në momentin e fundit pashë përtej, në rrugën që të sillte në fshat, (do të kaloje mbi një urë të vjetër guri), një bylyk kuajsh dhe njerëzish, më bëri që të ndrroj mendim. Më pëlqeu ideja se do të shikoja kuaj me shalë. Pas pak, ai grup kuajsh dhe njerëzish, u afrua tek pjesa e rrugës përpara oborit të jashtëm të shtëpisë. Por nga ajo që panë sytë e mi, në vend që të gëzohesha, më trembi. Më trembën armët e atyre që ecnin më këmbë pas kalorësit, edhe ai i armatosur, dukej revolveri pranë rrypit të mësit. Ai, i pari, që shkonte shaluar mbi një kal të lartë dhe të bukur, ndoshta ngjyrë në të kuqe, ishte i bëshëm. I vareshin këmbët në izengji. Ai kishte një vështrim të rreptë dhe krenar.

Dinos Kondollolis vdiq në burgun e Spaçit
Dinos Kondollolis vdiq në burgun e Spaçit

3.
Më vonë, ne fëmijët e fshatit, vinim midis shalëve një shkop, ose një shkarpë dhe vraponim duke imituar trokun e atij kali, të cilit i thërrisnim kali i Karafilit. Ai kalë kishte qenë dëshmitar në shumë arrestime në Pogonin e atyre viteve, rruga e makinës erdhi vonë në Poliçan, dhe akoma më vonë në gjithë Pogonin. Herë-herë, ai mbi kalin e kuq, kthente kokën pas për të parë një fatkeq, i cili mundohej që të sinkronizonte të ecurën e tij me atë të kalit të madh, prapa të cilit, gati tek bishti, shkonte i lidhur. Pastaj, kur i ngriti të dy duart e lidhura lart, me sa duket për të trëmbur ndonjë mizë kali të bezdisëshme, e cila kishte ikur nga shalët, pashë që ishte i lidhur me litar. Kjo skenë më ështe kujtuar më vonë, sa herë që kam parë filmat “Viva Zapata” dhe “Shtigje lufte”, atë momentin kur fashistët e tërheqin Shabën të lidhur me litar, për ta pushkatuar. U tremba dhe iu afrova portës së drunjtë, e cila ishte me shumë fat, se i kishte shpëtuar vetëm me ca vrima bombardimit në Operacionin e Qershorit 1944, por nuk e arrija dot që ta hapja. Nga që mbeta ende jashtë e ndoqa fatziun deri te kthesa e shtëpisë së Kacanove. Unë nuk e dija atëhere se ç’domethënie kishte gjithë ajo skenë. Vetëm se më trembën pushkët dhe më erdhi keq për njeriun duarlidhur me litar, i cili, veç të tjerave, i duhej që të mbronte sytë nga bishti i kalit, i cili, indiferent, duke dashur të trëmbe mizat dhe mushkonjat e saj mbasditeje vere, ajo forcë godiste dhe njeriun, që me sa duket, meqë e kishin lidhur me litar, duhej të ishte shumë i keq.

4.
Në mbrëmje dëgjoja mana Ksenin dhe thia Gullën e Kacanove, të cilat me zë të ulët bisedonin për atë njeri, (thia e kishte dhe të vetin, se dhe ajo ishte bijë nga ai fis), të cilin unë atë pasdite e pashë të lidhur me litar.
Ishte njeri shumë paqësor, por të keqen e kishte me shtetin. Ndoshta dhe me faktin se e kishte shtëpinë aq pranë kufirit, aty në brigjet e lumit të Sopikut. Ishte nga fisi i Kondollolëve, nga ata që e kishin shtëpinë në Selan, një fshat i vogël në brigjet e lumit të Sopikut.

Epilog
Kur vajta në fillore mësova se burri i lidhur prapa kalit ishte Dinos Kondollolis. Në fillore kishim një nip të tij, Andonin, i cili e dhe pse i vogël, bënte gjithë atë rrugë deri në Skore. Të paktën nuk kishin përpara përrenj, të cilët në dimër fryheshin dhe fshihnin plot rreziqe. Ishte herët për luftën e klasave dhe ne nuk dinim ende teorinë dhe praktikën e kësaj lufte. Dino Kondolloli ishte gjyshi i mikut tim më të mirë në Skore, Noti Telos, njeriu që më edukoi pasionin e të lexuarit, librin, për artin në përgjithësi.
Gjysh Dinoja, pa dashje, u bë një pengesë e madhe për ecjen në jetë për mikun tim zheni. Ai, motra dhe i vëllai, dy kushërinjtë, fëmijë tezesh, Grigori dhe e motra, patën një fat më të mirë. Grigori ishte student i Universitetit të Tiranës, thonë se po të mos hapeshin kufinjtë, ai do të ishte mbajtur si pedagog në këtë universitet, në Greqi është mësues i emëruar, ndërsa e motra studjoi për Filologji. Panajoti, i vëllai dhe e motra e pësuan më shumë nga ky arrestim. Ishin nxënës të shkëlqyer. I arriti shumë shpejt lufta e klasave. Dhe nga të dy krahët, xhaxhai dhe gjyshi.
Dinoja nuk e pa më Pogonin, as lumin e Sopikut që kalonte pranë shtëpisë së tij. Ai vdiq në burg.
Marrë nga Muri i Petro Mejdi, 14 dhjetor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.