back to top
9.5 C
Tirana
E premte, 29 Mars, 2024

Historia e një poezie të Visarit, mbas burgjeve – nga Dine Dine

Gazeta

Dine Dine dhe Visar Zhiti - Takim te Vatra!
Dine Dine dhe Visar Zhiti – Takim te Vatra!

Historia e një poezie të Visarit, mbas burgjeve

nga Dine Dine

Shumë pak kohë mbasi isha liruar nga burgu, troket dera e shtëpisë në kampin e internimit në Gjazë. Bash kur nuk e prisja u shfaq portreti i mikut tim, poetit Visar Zhiti.
-Ç’ne ti këtu?! -E pyeta i habitur po edhe i kënaqur njëkohësisht, nga ajo ardhje e papritur e mikut tim të vuajtjeve.
-Kisha mall t’ju shihja, ju dhe këtë kamp ku keni vuajtur vite me rradhë. Dhe ja vetëm tani e realizova, e ta them sinqerisht, që ndihem i lumtur!
Pasi e ngritëm nga një gotë sipas zakonit, dhe bëmë urime nga më të çuditshmet, për një çast Visari kërkoi të sodiste oborrin. Vura re që u impresionua nga gjithçka, lulishtja me lule shumëngjyrëshe, ku bletët thithnin nektar papushim, pemët e ndryshme, si fiq dardha, pjeshka, rrush etje, kopështi me zarzavate dhe rregullsia e gjithçkaje.
Fill pas kësaj kërkoi të hynte brenda ku i bënë përshtypje të gjitha portretet e varura në mure. Më shumë u përqëndrua, tek një portret i vjehrrit tim, Lazër Radit, edhe ai jurist, poet, shkrimtar dhe përkthyes. Visari më foli me superlativa për gjithë veprën dhe për punën e tij, si një krijues i palodhur dhe u përqëndrua, te vlerat e librit “Një verë me Migjenin”.
Kur u fut te raftet e librave të mi, s’po dinte të ngrihej… Qemë me fat, se kur bashkëshortja, ima Adriana, na lajmëroi se darka ishte gati, u shtruam dhe folëm për gjithçka. Kështu kaluam sëbashku një mbrëmje të këndshme.
Të nesërmen, Visari, sapo u ngrit, dhe pa hapur mirë sytë mirë, më kërkoi një copë letër, ku shkruajti diçka me të shpejtë…
Mbasi ma dha pashë se ishte një poezi që më çuditi. E kishte emocionuar shtëpia ime… Në fakt familja, apo më saktë Adriana, me ngrohtësinë e saj, qëndresa, besnikëria, pastërtia në ato kohra të rënda e të zymta, kur balta mbulonte jo vetëm rrugët po edhe bisedat. Jetonim mes një realiteti të përbaltur, e ku ne mundoheshim të mos bëheshim pis.
E ruajta atë letër të mikut tim, Visarit deri sot, sepse më dukej si një relike e rrallë kjo poezi, dhe vetëm tani po mendoj se është një hyrje që do t’i shkonte shumë librit tim, më e bukur se çdo parathënie…
22 tetor 2021

Zef Balaj, Visar Zhiti, Dine Dine
Zef Balaj, Visar Zhiti, Dine Dine

Gruaja e Shokut, (Adrianës)

Poezi nga Visar Zhiti

Vuajtja
është vërsulur drejt saj
më shumë se dashuria,
por jashtë, vetëm jashtë ka mbetuar vuajtja.

Bukurinë ja ka bërë ca të vështirë,
por ajo është tepër fisnike,
Tamam zonjë! – tha nëna ime,
kur na erdhi për vizitë.

Zëri i saj i ngrohtë dhe kumbues
është tek të gjitha lulet
në oborr e dritare.

Sa pastër e mban shtëpinë
plot me qëndisma dhe libra plot!
Mbi tryezë
si një mbulesë pranverore
shtroi mikëpritjen.

Sa mirë gatuante!
Pjatat më ngjanin me buzëqeshje të shëndetit.
E ushqeu foshnjën
e mua m’u duk sikur lutej.
Edhe qenit i dha të hajë
qenit – që s’e mban të lidhur me zinxhirë
se ajo e di ç’është robëria!

E mbaj mend kur vinte në burg
e takonte të shoqin,
e ai më fliste për të.

Sikur fliste për muzikën
dhe pyjet, për statujat dhe
enigmat e erës…
Dhe unë e desha më shumë shokun tim!

Tani larg, shumë larg telave me gjemba
mysafir në shtëpinë e tyre,
kuptoj prehjen, e mbaj ndër duar
si një vazo që e nxorën nga dheri
dhe më mahnisnin ornamentet…

Gruaja e shokut tim e punoi
para 3000 vjetësh,
në dhomën tjetër
më pret shtrati i ëndrrave.
Ajo hapi çarçafët e bardhë
të bardhë si copa të prera
ditësh të lumtura.

Meditimiet
do të hyjnë nga dritarja
përmes gjetheve të hardhisë
me dritën e hënës.

Unë do të fle me hardhinë
me hënën
me dashurinë time.
Unë nuk do të fle dot,
as nuk do të jem më!

Gjazë, 28 maj 1990

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.