
Hilë Mosi në 20 vargjet e librit “Lahuta e Malcis”
6 variantet e Flamurit të 06.04.1911 – nga Bep Martin Pjetri
Flamuri i ngritun në një pikë të naltë nga ku u vendos në një grumbull gurësh, në Bratilë të Deçiqit, më saktë aty ku bashkohet Hoti me Grudën. Pronari i Flamurit përshkruhet nga disa autorë;
1.Fritz Kolë Radovani: “Flamuri u ngrit në maje të malit Deçiqit, afër Tuzit. Atë e solli në mënyrë të fshehtë nga Shkodra, Françeskani Padre Mati Prennushi, i cili e kishte palosë nën zhgunin e Tij” [Stephen Schwartz, në Albanian Catholic Bulletin, 1994, vol. XV, fq. 150, University of San Francisco, USA.]
2.Ndue Baca: “Ndërsa për flamurin e ngritur në Deçiq (me 6 prill 1911) thuhet se ishte porositur, që në vitin 1906, nga dragoi i shqiptarisë Dedë Gjon Luli, ku këtë Flamur e prurë Aleandro Kastrioti me anë të Preloc Prekës, dhe ka qënë dy metra i gjatë me shirita anash…*36*.” faqe. 11, qershor 2015, “Malësorët dhe kryengritja antiotomane e vitit 1911” pdf.
3.Kolec Palok Traboini: “Më 6.IV.1911 u ngrit flamuri shqiptarinë Deçiq. Këtë flamur e solli në Hot, përmes Dalmacisë, Palok Traboini… ky flamur është porositur nga Dedë Gjon Luli, i cili dërgoi në Vjenë të birin Kolën. Pagesën e ka bërë Alardo Kastrioti.” Në bazë të dokumenteve historike “Palok Traboini në 1911 kishte kthye prej Austrisë e tre flamujt që kishte pru prej andej i kishte nda kështu: njenin Ded Gjon Lulit, tjetrin Ujkës së Grudës e të tretin Prel Lucës së Trieshit”. Ky citim ndër thonjëza është një dëshmi historike e dokumentuar në librin e historianit Prof. Petraq Pepo “Lufta për çlirim kombëtar në vitet 1878-1912” fq. 446, botuar në vitin 1962, pra në vitin jubilar të 50 vjetorit të pavarësisë.”
4.Prof. Dr. Pirro Prifti: “Palok Traboini ishte djali, që pruri flamurin që u ngrit në majën Rudinë me 6 prill 1911, dhe dy flamuj të tjerë që solli nga Vjena, të dytin Ujkës së Grudës, e të tretin Prel Lucës së Trieshit.”
5.“Flamuri i punuem mshehtsisht gjindej në shpi të Zef Jak Dajçit, i cili ishte i ngarkuem me e çue në Podgoricë. Papritmas kapet Zefi prej rojesh e çohet para Ministrit… Ministri me mbushmendje a por mbylli nji sy, e len të lirë Zefin e mbas disa orësh i rrethohet shpija, nuk lehet skutë, valigje, arkë as gja tjetër pa u shikjue, deri në hatlla të shpis, por nuk i u gjet gjà. Aj, objektin e deliktit, Flamurin, pshtjellë në nji gazetë e futë në nji gyp shtufe, e kishte pasë hjedhë për tokë n’oborr ktu bite shi e nuk u lagte. Aj gyp me armë e tjera tesha mbas dy ditësh ishte në dorë të Komitetit. Në kaq edhe tjerë Flamuj ma të thjeshtë ishin kenë punue prej tjerësh e dhanë Malcorve. Dikush ndër antarë të Komitetit të Podgoricës asht mendimit se Flamuri i qendisun i u dha Z.Z. Terenc Toçi e Spiridjon Kacarosi, të cilët dalë në Marditë paskan ngrehë nji qeveri provizore u ba m’u betue në Kishë të Fandit bajrakët e Mirditës për dalë zotje t’asaj qeveri… Flamujt e shpërdamun ndër krenë të Malcis paskan njallë ndër zemra të Lekve fuqi të papërshkrueshme e në kët flakë enthuziazmi paskan d’a me shkulë tyrkun e muhamedanët shkodranë t’ardhun në ndimë të tyne, prei Deçiqit e m’e ngrehë Flamurin shi n’atë shtizë, ku valonte aj i Turkis. E shka dane me fjalë e zbatuen me vepra ditën 6 prill 1911.”
6.At Gjergj Fishta e ka identifikue saktsisht autorin e posedimit të ktij Flamurit, që ishte Hilë Mosit në 20 vargjeve të librit “Lahuta e Malcis”.

Flamuri i shllaksit – Hilë Mosit
U valëvit më 6 prill 1911 në Deçiç
Lum për ty, o i Lumi Zot,
se ç’ka krisun m’atë Deçiq,
idhtë tue u gri Turq, Grudë e Hot,
m’pushkë, m’singia edhe me klliç! 320
Kambë për kambë, por me malsorë,
N’Deçiq rra ka i djalë i ri:
Qaj Hilë Mosi, pushkën n’dorë,
n’parsme Flam’rin “kuq e zi”.
Se ky Hila djalë shkodranë, – 325
Për liri të kësajë Shqipnie:
Mbathë e dathë, ngranë e pa ngranë:
t’rijtë e jetën ba kisht‘ flije.
Gjindja ashtu sa i’n t’u coptue,
tue u ba ata paçariz, – 330
asht turrë djali e t’ka flak’rue,
porsi gjarpën mu’ n’mjedis ;
e tue i dhanë ai zjarm “alltisë”
m’nji “manov” vjellun nga Azia,
zhvillon Flam’rin e Shqipnisë – 335
e vërret t’madhe: Rrnoftë Shqipnia!
fragment nga Kapitulli V i librit
“Shllaku n’shekuj” Vëll. I, Bot. 2025
autori – Bep Martin Pjetri