back to top
13.5 C
Tirana
E enjte, 24 Prill, 2025

Heroi i Kombit Lefter (Lef) Nosi: Monument i vlerave kombëtare – nga Lluka Qafoku

Gazeta

Lef Nosi (Pikturë e Arben Morinës)
Lef Nosi (Pikturë e Arben Morinës)
Heroi i Kombit Lefter (Lef) Nosi (9 prill 1877 – 13 shkurt 1946)
Monument i vlerave kombëtare
nga Lluka Qafoku

Delegat i Elbasanit (bashke me Dervish bej Biçakçiu, Shefqet Daiu, Mit’hat Frashëri), nënshkrues i Aktit të Pavarësisë dhe anëtar i kabinetit të Ismail Qemalit.
Lef Nosi është krijuesi i filatelisë shqiptare.
Familjarët e të afërmit e Lef Nosit, saktësojnë se nën drejtimin e Nosit, qeveria e Vlorës nxori gjashtë emisione pullash, ku më interesanti ishte ai i pullave të vulosura me shqiponjën dykrenore dhe shkrimin “Shqipënia”.
Nga kujtimet e të afërmve dhe miqve mësohet se Lef Nosi i ka dhuruar “British Muzeumit” 65 ekzemplarë të pullave postare, me qëllim për ta ruajtur si etalon në këtë institucion prestigjioz dhe për të shmangur falsifikimin e tyre.
Po kështu, pulla dhe reperte arkeologjike shqiptare Lef Nosi i ka dhuruar nëpërmjet mikes së tij, Margaret Hazllëk, universitetit të Aberdinit në Skoci për t’i ekspozuar në muzeun e tij prestigjioz.
Lef Nosi ka qenë njohës i gjuhëve turqisht, greqisht, frëngjisht, gjermanisht dhe italisht.
Nga bashkëkohësit thuhet se Lef Nosi kishte bibliotekën e dytë të Shqipërisë, pas bibliotekës së Mit’hat bej Frashërit (1880-1949), një figurë tjetër e qëndresës anti-komuniste.
Bërthama e fondit të albanologjisë dhe ballkanologjisë në bibliotekën publike “Qemal Baholli”, në Elbasan, mban vulën personale të Lef Nosit, madje që në themelimin e saj, duke qenë edhe në këshillin shkencor të bibliotekës së asaj kohe.
Ai blinte rregullisht libra të shkruara për Shqipërinë dhe ia dhuronte bibliotekës, ndër të cilën mbajnë vulën e tij: “Historia dhe përshkrimi i Shqipërisë së vjetër të veriut, gegërisë”; “Banka Kombëtare e Shqipnis”; “Albania the master Key to the Near East” i botuar më 1919; “The Balkan Peninsula”, me autor Frank Fox, botuar në vitin 1915.
Aq i madh ishte personaliteti i Lef Nosit sa që pranohej edhe nga vetë komunistët…
Ja çfarë shkruan Qemal Stafa në një letër drejtuar Nosit:
“I nderuari Lef Nosi. Së pari dëshiroj t’ju tregoj gëzimin shpirtnuer që më ka shkaktuem njoftja e juej, gëzim qi jam i sigurtë nuk do ta konsideroni si shfaqjen e një konvenience të zakones, por si një realitet…” dhe në përfundim: “Përherë në dispozicion të juej përsa të ju nevojitet. Ju lutem të pranoni shprehjen e nderimit më të thellë. Qemal Stafa, Via Nicolini, 5 Casellai”.

Lef Nosi dhe Akti i Pavarsisë
Lef Nosi dhe Akti i Pavarsisë

Por çlirimi i vendit e gjeti Lef Nosin në një pozicion shumë të vështirë… Pjesëmarrja e tij në Këshillin e Regjencës gjatë pushtimit gjerman solli jo vetëm fundin e tij fizik, por edhe denigrimin e gjithë veprës së tij patriotike dhe filologjike.
Patriotizmi i tij ishte në drejtimin e duhur, por ndoshta zgjodhi apo rrethanat e kohës i afruan anijen e gabuar… por absolutisht nuk i leu duart me gjak shqiptarësh.
Me 1 shkurt 1946, në Tiranë u hap gjyqi kundër regjentëve Patër Anton Harapi, Lef Nosin dhe Maliq Bushati.
Gjyqi u zhvillua në sallën e kinema “Kosova”, i cilësuar “Gjyq ushtarak i Tiranës” edhe pse të akuzuarit nuk ishin dhe nuk kishin qenë kurrë ndonjëherë, asnjëri, ushtarak. Të tre të akuzuarit u thirrën “kriminelë të luftës” dhe “armiq të popullit”. Trupi gjykues qe kryesohej nga major Irakli Bozo, pati në përbërje: major Gjon Banushi, major Tonin Jakova dhe prokuror major Misto Treska.
Të nesërmen gazeta “Bashkimi” vijoi me njoftime propagandistike: “Krerët e Tradhtisë japin llogari”, “Lef Nosi në bankën e të akuzuarve”.
Sipas reporterit të kronikës së gjyqit, Lef Nosi u paraqit në gjyq i drobitur, i lodhur dhe me zor nxirrte fjalët nga goja. Referuar dosjes hetimore-gjyqësore dhe procesit të gjykimit, zhvilluar më 1 shkurt 1946, Lef Nosi akuzohej se: gjatë okupacionit italian, në bashkëpunim me Mustafa Krujën, ka qenë kryetar i komisionit të Elbasanit për mbledhjen e ndihmave të leshit, për ushtarët e Italisë fashiste; ka qenë kryetar i Komitetit Qarkor të Ballit për Elbasanin; përgjegjës për krijimin e çetave bashibozuke të Ballit, në prefekturë (jepen emrat e vendeve ku janë krijua çetat balliste sipas rretheve); ka qenë nisiator, pas kapitullimit të Italisë fashiste, për krijimin e Komitetit Ekzekutiv Provizor Kuisling, për krijimin e Asamblesë Kombëtare; anëtar i Regjencës; ka inspiruar, urdhëruar e ndihmuar okupatorin në veprimet kriminale, vrasje, tortura, arrestime, burgime, internime e shpërngulje të popullatës në kampet e shfarosjes; ka bashkëpunuar me konsullin Von Scheinger; ka inspiruar dhe ndihmuar organizatat tradhtare të Ballit Kombëtar e Legalitetit; ka qenë vegël e ndigjueshme e okupatorit , etj.
Pjesa me e madhe e akuzave ishte e pabesueshme edhe për vetë trupin gjykues, por vendimi ishte marrë prej kohësh…
Nuk u pushkatuan thjesht tre kuislingë nga regjimi komunist, por tre figura nga më të rëndësishmet e historisë dhe kulturës shqiptare…
Kështu përfundoi jeta e Lef Nosit, i kryqëzuar nga tri regjime. Fillimisht është arrestuar nga turqit, është internuar nga italianët dhe më në fund u pushkatua nga komunistët.
Pas vitit 1990, Lef Nosi është nderuar si patriot i shquar dhe dekoruar nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, me Urdhrin “Gjergj Kastrioti Skënderbeu”.
Eshtë shpallur Qytetar Nderi i Elbasanit dhe në bulevardin kryesor të Elbasanit është ngritur statuja e tij.

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.