
“Hebreu” si hije e përhershme e vuajtjes njerëzore
nga Shefqet Dibrani
Ese mbi poezinë “Jeta ime prej hebreu” nga Jozef Radi
Jozef Radi, “Refrenet e Trazueme”, poezi,
botimet “JOZEF”, Durrës 2020, faqe 474.
ISBN 978-9928-317-65-0.
Poezia “Jeta ime prej hebreu”, faqe 435-436.
Poezia “Jeta ime prej hebreu” nga Jozef Radi është një monument artistik i rrallë i dhimbjes dhe përjetimit të vuajtjeve sa personale po aq të dhimbjes së popullit shqiptar nën diktaturën komuniste. Poeti simbolin krahasues e vë me tragjedinë e njohur historike të hebrenjve gjatë Holokaustit, dhe duke përdorur metaforën e “Hebreut”, ai vë simbolikën e ngjashmërive me vuajtjet universale. Vuajtja e tij personale, dhe përmasat e saj edhe te shqiptarët tjerë të përndjekur, duke u krahasuar me përmasat e dhimbjes hebreje bën thirrje për mos’harresë, pa pasur asnjë qëllim të barazoj vuajtjet e veta me ato të hebrejve gjatë Luftës së Dytë Botërore.

Guljelm Deda, Tomorr Dine, Sulejman Hoxha, Jozef Radi, Ali Dema, Valentin Pervizi,
Fatbardh Kupi, Dedë Markagjoni, Vitore Radi, Bajazit Kaloshi dhe Abdurrahman Kaloshi
JETA IME PREJ HEBREU
Jeta ime prej hebreu
kurrë s’ka m’u ra n’sy hebrejve
pse me të drejtë, atyne
u del e u tepron kujtesa e tyne…
Jeta ime prej hebreu
e njef si ata vuejtjen… si ata e njef vdekjen
njato tmerre prej t’cilave edhe kur je larg
s’ke me qenë kurrë njaq larg tyne…!
Jeta ime prej hebreu
i ka tana Auchvicët, Triblinkat,
Buckenvaldet, Mat’hauzenet,
pse i ulërijnë n’vesh Tepelena, Spaçet, Myzeqeja
po s’di kush dreqin ia e ka shtuposë fytin
që i len t’vërtetat e veta të vdesin,
e në t’vërtetat e të tjerëve
bahemi aq t’pavërtetë, aq të pshtirë…
Jeta ime prej hebreu
asht e rrethueme gjithkah
me monumentet e dhimbës
edhe pse askush s’shef asgjà… askund!
Jetës sime prej hebreu
s’i ka mbetë tjetër veç m’iu bà hije
vuejtjes s’atyne që e mësuen krejt botën
me lexue e respektue mallkimin e tyne ndër shekuj
Jeta ime prej hebreu
i ka trenat e vdekjes, kampet e tmerrit,
qiejt e mbetun ndër dhambë t’hekurt telash
dhomat e gazit mos me gzue kurrë,
dhe fëmijtë që shifnin andrra veç me bukë e shkollë
e nji atdhe t’humbun për çdo brez,
e ku pështymat e përbuzjes si shi mallkimesh
vazhdojnë me rà ndër gjelbërime të rreme…
Jeta ime prej hebreu
i ka me vedi tana tmerret e hebrejve
po ka qëllue e pagojë
për t’vërtetën e tmerreve të veta…
12 shkurt 2008 (Faqe 435-436)

Qysh në vargun e parë, poeti Jozef Radi e vendos vetvetën në rolin e një “hebreu të padukshëm”, për ta vetëdijsuar lexuesin e poezisë se ai ka përjetuar tragjedi të madhe, e cila është pak e njohur. Ai shkruan se: “Jeta ime prej hebreu/ kurrë s’ka m’u ra n’sy hebrejve”, duke dashur me theksuar se ai dhe familja e tij, edhe pse kanë përjetuar një kalvar të ngjashëm si hebrejtë, kjo tragjedi e dhimbjes së tij, së këndejmi edhe e kombit të tij, nuk është e njohur dhe as e pranuar, për fat të keq jo sa duhet, as në vendin e tij. Poezia është një thirrje letrare për humanizëm dhe njohje, për vuajtjet e viktimave të diktaturës komuniste në Shqipëri. Jo rastësisht, ai barazon vuajtjet e shqiptarëve të internuar dhe të burgosur politikë, me tragjedinë hebraike gjatë Luftës së Dytë Botërore. Këtë e thonë emrat e kampeve famëkeqe:”Aushvicët, (Auschwitz); Bruckenvaldet, (Buchenvald); Mat’hauzenet, (Mauthausen)”, dhe duke i vendos përballë kampeve shqiptare të punës së detyruar si ato në, “Tepelenë, Spaç e Myzeqe”, e bënë dhimbjen më të dokumentuar. Ky paralelizëm, nuk është përpjekje për të relativizuar vuajtjen e hebrenjve, por për të theksuar se edhe Shqipëria i ka pasur kampet e veta, edhe shqiptarët kanë përjetuar vuajtje dhe trishtime të ngjashme, por për fat të keq edhe sot nga dora e “Diktaturës Demokratike?!”, këto dhembje e vuajtje janë heshtur, siç pohon në vargun, “po s’di kush dreqin ia e ka shtuposë fytin/ që i len t’vërtetat e veta të vdesin”.
Personalisht, më ka bërë shumë përshtypje simbolika e “Hebreizmit”, në këtë poezi e cila kap një dimenzion tjetër të dhimbjes universale. Përmes kësaj poezie, Jozef Radi e përçon idenë e vuajtjes universale, përndjekjes sistematike dhe mohimit të të drejtës për të jetuar, për të kujtuar e për të rrëfyer të vërtetën e përjetuar për dekada me rradhë, prandaj me simbolikë të hebreizmit poetik në këtë dhembje poetike kuptojmë se “Hebreu”, në vetëdijen kolektive botërore, është bërë simbol i vuajtjeve të skajshme, sidomos përmes Holokaustit. Prandaj duke e krahasuar veten me një hebre, poeti vetveten e ka identifikuar me një viktimë të sistemit totalitar. Një fëmijë, siç ishte vet i lindur nëpër këto kampe, një familje e tërë dhe një gjysmë Shqipërie janë dënuar padrejtësisht, një pjesë janë pushkatuar, shumë sish janë çmendur, kurse pjesa tjetër kanë kaluar ferrin komunist, ngjashëm si populli hebre nëpër kampet e shfarosjes, siç i ka cituar edhe vet poeti në këtë perlë poetike që për motiv ka mos-harresën e vuajtjeve të shumta. Po ashtu “Hebreu” i kësaj poezie është metaforë për të përndjekurit në Shqipërinë komuniste, është simbol i harresës kolektive dhe e përbuzjes përballë dhimbjes dhe torturës. Prandaj “Hebreu” i kësaj poezie është testament për kujtesë historike dhe morale, është hije e përhershme e vuajtjes njerëzore!
Nga këtë situatë, një tjetër shtresë e rëndësishme e poezisë është ndjesia e përjashtimit dhe mungesës së kujtesës kolektive. Poeti Jozef Radi kritikon shoqërinë që pajtohet të mos shohë e të mos kujtojë, “edhe pse askush s’shef asgjà… askund!” Dhimbja, sipas poetit, është bërë kaq e zakonshme, sa është shndërruar në hije të, “Jetës sime prej hebreu”, të cilës “s’i ka mbetë tjetër veç m’iu bà hije”, sikurse “vuejtjes s’atyne”, që tmerruan gjithë botën. Pra, kjo “hije” është një kritikë për indiferencën dhe hipokrizinë shoqërore ndaj të kaluarës. Poezia është e mbushur, edhe me tone të tjera të errëta, të dhimbshme që shprehin artistikisht revoltë tejet të përmbajtur.
Refreni, “jeta ime prej hebreu”, në çdo strofë, përveç se krijon një ritëm këmbëngulës, është një lloj refreni mbi dhembjen që ka poeti, e cila s’ka të sosur. Poeti përmes poezisë pa pretenduar të krahasoj a bëjë garë për dhembjen personale me të tjerëve, ka vënë në pah një të vërtetë të harruar. Në thelbin e saj, kjo poezi është një thirrje për reflektim shoqëror e kombëtar, për të mos i harruar viktimat e komunizmit, pasi e ardhmja demokratike dhe evropiane e shqiptarëve nuk mund të ndërtohet mbi krimet e së kaluarës, kurse harresa kolektive, për më tepër duke ia mohuar tjetrit të drejtën për të rrëfyer dhimbjen e vet. Pra, poezia kështu siç është, e sfidon harresën duke e vendosur “tragjedinë shqiptare” në një kontekst më të gjerë njerëzor.
Në përfundim të këtij eseu letrar, mendoj se “Hebreu”, në këtë poezi, nuk është thjesht figura e tjetrit, ai është vetpoeti, i përndjekur, si gjithë shpirti i një kombi që ka vuajtur në heshtje. Poezia “Jeta ime prej hebreu” është një akt i fuqishëm i kujtesës. Shkruar me një stil geg’risht dhe me ngarkesa të mëdha emocionale. Por poeti Jozef Radi, na fton t’i shohim edhe të vërtetat tona duke i krahasuar me tragjeditë e njohura botërore.