
Haxhiademi: Përmendore që do të ndriçojë në vite e shekuj
Parathënie nga Rakip Zhguni
Është një nismë shumë e vyer që të rikujtohen e të bëhen të njohura figura të ndritura të qytetit tonë, pasi tashmë Elbasani konsiderohet qyteti i dijes dhe i kulturës. Në shekuj ky qytet ka nxjerrë intelektualë të shquar, që me punën e tyre vetëmohuese, me pasion e ndjenjë atdhetare e patriotike i kanë dhënë kombit dritën e diturisë, të përparimit e të zhvillimit. Një ndër këto figura të ndritura është edhe Etëhem Haxhiademi, për të cilin është folur e shkruar, duke e vlerësuar për ndihmesën e tij.
Por jo tërësisht është pasqyruar veprimtaria e tij, ndaj i apasionuari Fetah Biza, në sajë të një pune disavjeçare hulumtuese e kërkuese, na zbulon një tjetër anë të veprimtarisë së Etëhem Haxhiademit. Me të drejte autori pohon se deri më tani është zbuluar vetëm maja e ajsbergut e veprimtarisë së Haxhiademit, madje ndihmesa e tij në fushën e dramaturgjisë e veçanërisht në lëvrimin e tragjedisë shqiptare, jo vetëm që nuk është zbuluar, por është errësuar si në të kaluarën, po ashtu edhe në ditët e sotme.
Ja përse ky libër i merr vlerat e një studimi shkencor gati shterues të veprimtarisë dramaturgjike të Etëhem Haxhiademit. Autori ka bërë me të vërtetë një punë kolosale, duke gërmuar gjithandej, sidomos dokumente të shkruara, të cilat janë dëshmitarë të tërë veprimtarisë së Etëhem Haxhiademit. Autori ka rëmihur gjithandej, duke arritur të na zbulojë e paraqesë veprimtarinë artistike e kulturore të të shquarit Etëhem Haxhiademi. Bazuar në këto materiale dokumentare, autori na jep të plotë ndihmesën e Haxhiademit, si përçues i dritës së diturisë jo vetëm për Elbasanin, ku ai ka lindur dhe ishte rritur, por për mbarë vendin. Me të drejtë autori pohon që Haxhiademi mbetet tragjediani i vetëm shqiptar, pasi as para tij, as pas tij, asnjë krijues i veprave skenike nuk është marrë me tragjedinë.

Ajo që duhet theksuar ishte se këto tragjedi dhe tërë veprat skenike të Haxhiademit trajtojnë probleme patriotike që në periudhën historike kur ai krijoi ishin ushqim shpirtëror
për popullin tonë për të ecur në rrugën e përparimit.
Po ashtu autori na e paraqet Haxhiademin jo vetëm krijues, por edhe aktor, madje edhe në role kryesore, së bashku me një sërë të pasionuarish të tjerë po të Elbasanit, të cilët, edhe pse në kushte kur mungonin shumë gjëra, kur nuk kishte salla të posaçme, rekuizite, muzike, mjete fonike etj, etj, aq të nevojshme për skenën, arritën që të ngjallnin në popull ndjenjat patriotike dhe atdhetare. Autori thekson se tërë kjo veprimtari skenike bazohej në vullnetarizmin e intelektualëve, të cilët janë përpjekur që me punën e tyre, me aftësitë e tyre skenike të fitojnë admirimin e shikuesve dhe vlerësimet më të mira të shtypit të kohës. Edhe pse koha eci përpara, doli kinemaja etj, përsëri teatri nuk i humbi vlerat e veta dhe për këtë merita i takon edhe Etëhem Haxhiademit, i cili ia kushtoi tërë veprimtarinë e tij artit dhe kulturës dhe me pasionin e tij arriti të fitonte simpatinë e elbasanasve, por edhe me gjerë.
Është vështire të gjesh sot një figurë të tillë si Haxhademi, për të cilin autori ka derdhur tërë pasionin e tij për të zbuluar të “fshehtat” e artit të Haxhiademit, siç ishte tragjedia, lëvrimi i saj me sukses nga ai dhe që nuk ka pasardhës të trajtojnë e të shkruajnë tragjedi. Veç kësaj autori na e paraqet personazhin e tij si poliglot, por, mbi të gjitha, si patriot dhe atdhetar, që tëre jetën ia kushtoi edukimit patriotik, atdhetar e kulturor të popullit.
Fetah Biza duhet përgëzuar për këtë punë të mirëfilltë shkencore, pasi jep ndihmesën e tij në fushën e studimeve për figurat më të shquara të qytetit tonë. Pasioni i tij, dëshira, puna këmbëngulëse për të nxjerrë në pah tërë veprimtarinë e Etëhem Haxhiademit, janë një ndihmesë edhe për studiues të tjerë për atdhetarë e patriotë, për krijues të qytetit tonë, të cilët koha i ka mbuluar me pluhurin e harresës. Kështu edhe ky libër i Fetah Bizës ka shkundur hirin e kohërave që e kanë errësuar figurën e Haxhiademit, por që tashmë ai ka dalë në dritën e diellit, ashtu siç është: atdhetar, patriot, krijues, aktor, dramaturg, tragjedian, përkthyes etj, etj, të cilat e ngrenë atë në piedestalin e veprimtarëve të shquar, duke i dhënë qytetit tonë hir e bukuri. Ky libër është vërtet një permendore e Etëhem Haxhiademit, për të cilin autori ka përdorur mendjen dhe “daltën” e skulptorit, që kjo permendore të ndriçojë në vite e shekuj.