back to top
14.5 C
Tirana
E premte, 19 Prill, 2024

Haxhiademi e d’Annunzio – Fate të skajshme, andej Burreli – këtej “Il Vittoriale degli Italiani”. nga Shpend Sollaku – Noé

Gazeta

Haxhiademi & D'Anunzio
Haxhiademi & D’Anunzio

Et’hem Haxhiademi e Gabriele d’Annunzio – Fate të skajshme,

andej Burreli – këtej “Il Vittoriale degli Italiani”.

nga Shpend Sollaku – Noé

Shpend Sollaku - Noè
Shpend Sollaku – Noè
Ia kisha borxh një sarkofagu bosh këto rreshta. Ia kisha premtuar një mermeri të nxehtë si tehu i thikës. Fjalët që do të vija në tezgjahun e mendjes ia kisha thënë vetes qindra herë. Nëse nuk do t’i hidhja mbi letër edhe kësaj here, rrezikoja të më mbeteshin në grykë, të më linin pa oksigjen, të më përplasnin përtokë.
Epilepsia akute e ndjenjave më errësoi shikimin edhe njëherë këto ditë, ndërsa përhumbesha nëpër tronditjet që mund të shkaktojë vetëm një madhështi si ajo në Gardone Riviera, e quajtur “Il Vittoriale degli Italiani”; e ideuar më shumë për vetveten prej një poeti të madh: Gabriele d’Annunzio. Mauzoleu është realizuar pas vdekjes së poetit prej arkitektit Maroni. Është një mauzole atipik, i frymëzuar prej traditës etrusko-romake. Tre rrathët në mermer Botticcino vënë në pah fitoret e të përulurve, të artizanëve – maja e diamantë e të cilëve janë poetët – dhe heronjtë. Në qendër të tij është vendosur qivuri i poetit të madh.
Gjithkush, edhe ai që nuk është vizitor i ri, mbetet gojëhapur duke filluar që nga Hyrja Monumentale në Vittoriale. Pastaj nuk ka sesi të mos admiroje Amfiteatrin veror, të frymëzuar prej atij antik të Pompeit. Po ajo e quajtura Prioria, shtëpia e preferuar në të cilën d’Annunzio kishte studion dhe ku dha frymën e fundit? Si mund ta lerë indiferent brendësia e saj me bibliotekën prej 30 mijë vëllimesh, me vizatime të Mikelanxhelos, me sende që i përkisnin Napoloeon Bonapartit, pëfshirë edhe maskën që iu vu mbi fytyrë pas vdekjes perandorit francez? Harrohet anija luftarake “Puglia”, ngjitur e betonizuar në shpat të kodrës? Po avioni gjuajtës S.V.A. me të cilin d’Annunzio fluturoi mbi Vjenë për të sfiduar Austro-Hungarinë? Po kopshtet, frutorja dhe limonishtja? Po muzeu d’Annunzio Hero? Po ai d’Annunzio Sekret?

.

Il Vittoriale degli italiani
Il Vittoriale degli italiani
Ia kam zili poetit të madh gjithë këtë qytezë metafizike parajsore, por jo për vete. Me sa duket unë, Shpend Sollaku Noé, i lindur në Lushnje, as që kam për të pasur një varr në atdhe. Por prania ime mes kësaj mrekullie më shtyn së pari të mendoj fate të tjerë, edhe më tragjikë se i imi. Risqe në dukje të largët, qindra e qindra kilometra që këtej.
Sarkofagu i parë që bën të më zënë ngërçet e shpirtit është diku andej, në viset e Shqipërisë së mesme, në një qytet që ka lidhje edhe me historinë e jetës sime, por sidomos me poetin e vyer që së fundi jam duke njohur më shumë. Mbi pllakën vertikale të mermerit të errët, nën foton eliptike lexohet: Et’hem Haxhiademi, 8-3-1902; 16-3-1965. Mbi rrasën horizontale – vargjet e tij prej vëllimit “Lyra”: Qëndro gjersa të marrësh frymë i lirë… Mbi mermer mungon vendlindja: Elbasan. Por këtë janë të shumtë tashmë ata që e dinë. Mungon edhe vendvdekja: Burgu i Burrelit. Por këtë ndoshta janë të pakët ata që e dinë.
Nuk është shkruar as edhe që sarkofagu është bosh, pasi eshtrat nuk i janë kthyer kurrë familjes.
Edhe këtë hidhësi historike janë shumë të pakët ata që e dinë. Apo të shumtë ata që e kanë harruar. Pasi përdhosja e vdekjes së tij nuk mund të ketë patur një autor të vetëm.
Eh Gabriele d’Annunzio, ç’më bëre, duke më shpuar shpirtin me njëmijë gjilpëra, ndërsa padashur më sjell ndërmend bashkëkombësin tim, atë të kthyerin në ajër, në copëz qielli, të paktën derisa t’i gjenden eshtrat, nëse është shkruar që ajo ditë të na vijë.
Edhe ti, poet i Vittoriale-s, ke lindur dhe je shuar në mars, ashtu si kolegu yt i Elbasanit. Kur ti botoje “Libri sekret i Gabriele d’Annunzio-s”, Et’hemi sillte në dritë vëllimin “Lyra”. Atbotë kishte hedhur mbi letër edhe pjesën dërmuese të tragjedive. Ti ishe ndërkaq një korifè, ai imponohej edhe me perlën e tij poetike. Që të dy ishit të brezit të “poetëve të mallkuar”, siç do t’ju kishte klasifikuar P. Verlaine.
.
Et'hem Haxhiademi - varri
Et’hem Haxhiademi – varri
Ashtu si ty, edhe Et’hemi ynë, mund ta kish lidhur krijimtarinë me atë brez të mëdhenjsh që quheshin J. Joyce, L. Pirandello, R. Musil, G. Ungaretti, E. Montale, A. Moravia. Nëse nuk do të kish menduar t’i shërbente Shqipërisë, por do të kish zgjedhur jetën në Berlin apo Vjenë, edhe Haxhiademi ynë sipas mjaft gjasave do të kish studiuar si avanguardistët futuristë, dadaistë, surrealistë, ekspresionistë. Këta të fundit vuanin plagët e shoqërisë dhe vetpërfshiheshin tek të mallkuarit. I mallkuari i vërtetë historikisht mbeti vetëm ai që e pagoi shtrenjtë nacionalizmin e tij dhe dashurinë për artin: punëtori i pendës Et’hem Haxhiademi.
Ti, Gabriele, jetoje në Itali; Et’hemi atje ku horizonti verbohet, jo fort përballë Peskarës tënde. Midis jush – një det rënkimesh. Kishe dëgjuar ndonjëherë nga bashkëluftëtarët e tu për Lushnjen, Gabriele? Mes atyre baltrave e njohu jetën e drejtpërdrejtë poeti ynë. Ndërkaq ti, i zhgënjyer nga përvoja e Rjekës, ishe tërhequr në vilën e vetmuar princërore të Cargnacco-s.
Ty, pas vdekjes, nuk t’u kërkua ndonjëherë llogari pse kishe qenë ekstremist i djathtë, pse pastaj u ktheve në ekstremist të majtë; pse kishe qenë nacionalist, pse irredentist, pse interventist. Poetit tonë të urtë i kushtoi shtrenjtë përkushtimi në shërbimin ndaj shtetit amë. Ndërsa për ty, carissimo d’Annunzio, filluan të zhvendosin mermeret nga Botticcino për të të lartësuar përjetë përballë Liqenit të Gardës, Et’hemi ynë i kishte shkruar tashmë të gjashtë tragjeditë e tija të mëdha. Ty, i dashur Gabriele, ato vepra do të të kishin siguruar lavdinë, edhe sikur të mos kishe shkruar diçka tjetër. Haxhiademit, për fatin e tij dhe tonë të keq si edhe për krim kombëtar, nuk arritën as t’i anullonin fletën e arrestimit.
Të kujtohet, Gabriele, kur i shkruaje autoriteteve më të larta për të t’i falur borxhet? Sepse shteti, sipas teje, duhej t’i paguante borxhet private të poetit, që mjeshtrit të pamort të mos i prishej niveli i asaj jetese që i mbante gjallë talentin. Edhe mbretit i dërgove njoftim, pasi t’i ishe poet. Dhe mbretërit lindin prej nënës njerëzore, poetët e vërtetë prej perëndive. Ata vijnë aq rrallë në këtë botë, sa duhej të ishte detyrë e shtetit dhe e shoqërise që jo vetëm t’i mbante me bukë, por edhe t’u krijonte kushtet për të shkruar. Humbja e një poeti është më e pazëvendësueshme për një popull sesa humbja e një mbreti.
.
Cabej - Haxhiademi - Studentë në Austri
Cabej – Haxhiademi – Studentë në Austri
Ej, Gabrò, sipas këtij këndvështrimi ngjani shumë me Et’hemin, e di? Shih se çfarë shkruante poeti ynë: “…Artisti apo shkrimtari shqiptar, qi ti banjë ballë nevojavet të jetës, duhet mâ përpara të merret me ndonji punë qi ep bukë si ç’flitet këtu në Shqipni, dhe për mjeshtërin qi i flet zemra të punojë nëpër orë pushimi ose të lanjë mangut gjumin e natës…”.
E sheh or mik, sa pak kërkonte i shkreti poet shqiptar? E dhimbshme deri në asgjësim dëshira e tij.
Ndërkaq ti jo vetëm punove i lirë përgjat gjithë kohës për pasionet e tua më të mëdha, por nuk i le gjë mangut edhe dëfrimeve të shfrenuara. Me sa zero duhet t’i numëroj dashnoret e tua? Ti, për t’u ushqyer me luks, thonë se u bëre edhe aktor porno. Tani kritika sugjeron si të vertetë faktin se ke qenë ti që luaje “Frate foco”. Ndërkaq poetit nga Elbasani as që i shkonte ndërmend të tradhëtonte gruan Burbuqe, as edhe më pas, në ëndrrat që e shpinin përtej zgarës së hekurt.
T’i nuk kurseje kurrë as edhe për kokainën, që e quaje “pluhuri i çmendur”. Et’hem Haxhiademi, pas shufrave fatale të burgut, i kërkonte familjes vetëm pak tokla sheqeri, sepse i forconin kujtesën. Priste ditën të flakte prangat, prandaj edhe kërkonte të fiksonte në raftet e kujtesës gjithçka që ia ndalonin të shkruante brenda mureve me diell të vdekur.
Siç e vërteton tek poema jote “Maia”, jeta jote, caro d’Annunzio, u jetua sa për dhjetëmijë jetë. Ajo e elbasanlliut tonë nuk arriti të jetë as edhe një e tërë, por u shua pas 18 vjetësh në qelitë e terrorit kuqalash. Zyrtarisht zemra e tij nuk i rezistoi më errësirës. Në qelitë – pronë edhe të helmit tinëzar.
Dëgjomë mua, vëlla Gabriele, ti ke qenë me fat qëkur kishe lindur në Itali, ti ke qenë me fat edhe pas vdekjes, kur Italia jote, me dashjen e të mëdhenjve, hyri nën sqetullën amerikane. Haxhiademi nuk e pati atë rrësk. Vendi i tij ra nën thundrën mesozoike të Stalinit. Sikur të kish ndodhur edhe me popullin tënd ajo gjëmë, “Vittoriali” yt do të ish kthyer së paku në një repart ushtarak; eshtrat e tua – sot krenare në majë të mauzoleut – do të ishin bërë kruarëse dhembësh për peshqit Luccio të liqenit të Gardës.
.
Gabriele D’Annunzio dhe Ceccardo Roccatagliata Ceccardi
Gabriele D’Annunzio dhe Ceccardo Roccatagliata Ceccardi
Përpara teje edhe unë them se, ashtu si ty, jam krenar që i përkas vendit tim. Por Haxhiademi, që ti nuk mund ta shohësh, më zë prej mënge: Çfarë? Si mund të jesh krenar? Sipas cilës mënyre, asaj të Konicës, apo asaj të Çajupit? Mua arsyeja më shtyn drejt Konicës, por shpirti im, përdreq, ështe i dobët: ai citon edhe në gjumë Çajupin. Pastaj, Et’hem, ja, sapo të zesh vendin e merituar me vepra në Panteonin Kombëtar, atëherë edhe ti do ta besosh se ata që të zhvatën lirinë dhe jetën, janë hequr vërtet qafesh, që më në fund as unë nuk gjendem më në qelinë tënde, duke qëmtuar një gjurmë të helmit, një copëz vegle të harruar të torturave, apo të paktën ca faqe të shpëtuara të veprave që shkrove apo përktheve në atë burg mesjetar.
Eh, Gabriele i dashur. Gurët e tu të çmuar, që i fale kulturës italiane, tashmë bota mund edhe t’i ketë në shtëpi, edhe mund t’i prekë duke vizituar “Vittoriale”-n. Mund edhe t’i kunsultojë on line. Bashkëkohësi yt Haxhiademi mbeti qysh atëhere – në ditën e akullt të 25 janarit, në vitin e egër ‘47 – si një minierë diamantesh që sapo kish filluar të shfrytëzohej, mbi të cilën, ata që i trembeshin verbimit prej tij, hodhën dinamit për t’ia mbyllur hyrjen. Akoma presim ta hapim atë xehe të çmuar. Por ne jemi Shqipëri, ku këmbët kanë akoma të lidhura tek kyçet gjylet e rënda të luftës së klasave. Ne hiqemi zvarrë, nuk ecim, aq më pak nuk fluturojmë, ashtu si të pëlqente ty të bëje, mbi qiejt e Vjenës, Gabriele. E dije që edhe Et’hemi ynë e ka pasur në zemër Vjenën? Eh, atje kish studiuar, për drejtësi, por si shumë të tjerë që vunë atdheun në plan të parë, preferoi baltën e ëmbël si mjalta. Kishte shumë të meta të tjera, Haxhiademi ynë; njihte rrjedhshëm italishten, gjermanishten, latinishten, anglishten, frëngjishten, greqishten e vjetër e të re. Pse jo edhe turqishten. Kish lexuar në origjinal Homerin, Shakespeare-in, Goethe-n, Virgilio-n, Corneille-n e sa të tjerë. Pastaj kish pas qenë shumë i dhënë në respektimin e rregullave të punës dhe shoqërisë, besnik i familjes, vetmohues në artin e të shkruarit. Tamam për të punuar në Lushnjen e vitit 1928, nuk thua? I padenjë për të vazhduar të japë letërsi në Normalen e Elbasanit, sidomos kur në pushtet erdhën anormalët. I papërshtatshëm edhe për t’u bërë element i qendrueshëm i tabelës së acideve titisto-staliniste.
.
Et'hem Haxhiademi - Vepra poetike - Lyra 1939
Et’hem Haxhiademi –
Vepra poetike – Lyra 1939
Nuk kam më forca për ta vazhduar këtë shkrim, i dashur Gabriele. Të më falësh edhe ti, i përkryeri portret i dhimbjes – Et’hem Haxhiademi. Po ndihem sikur të jem epileptik në këto çaste. Kam humbur ekulibrin dhe nuk mund të qëndroj as edhe ulur. Bota po më rrotullohet. Alektrokardiograma po më çmendet. Kush e di sesa është ngjitur presioni i gjakut në damarë. Zhiva po shpërthen termometrin nën sqetull. Sytë, sidoqoftë, nuk i kam të lagur. Loti i fundit nuk më kujtohet qëkur është derdhur dhe gjendrat e mia tashmë janë shterpa. Lotin e shpirtit nuk mund të ma shihni. Mbërthejeni shikimin me kujdes mbi pikat, presjet, pikëpyetjet, pikëçuditëset, dy pikat, pikëpresjet… Janë të gjitha njollëza gjaku, të rrjedhura në qelinë e zezë të Burrelit, në vitin tragjik 1965, kur rruazat e kuqe reshtën së renduri në venat e Et’hem Haxhiademit të madh.
.
Shkurt 2019
 
 
 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.