back to top
29.5 C
Tirana
E premte, 13 Qershor, 2025

Hasta la vergada. Siempre! (Rimarrje e vdekjes së Fidel Kastros) – nga Shpend Sollaku Noé

Gazeta

Shpend Sollaku - Noè
Shpend Sollaku – Noè
Hasta la vergada. Siempre.
(Rimarrje e vdekjes së Fidel Kastros)
nga Shpend Sollaku Noé
Sa herë vdes ndonjë diktator, më vijnë ndërmend shqiptarët.
Edhe në rastin e Fidel Kastros.
Në kësi eventesh, krahasimet me diktatorin tonë – që më vjen ndot tʼia zë emrin me gojë, – janë të pashmangshme. Ashtu siç e krahasuam me Çausheskun, kur diktatori rumun la lëkurën pas një “gjyqi” rrufè. Ashtu siç jemi përpjekur ta krahasojmë me të tjerë diktatorë të Lindjes. Nëse do të bënim një konstatim sipërfaqesor, do të mbaronim punë me një fjali: Ishin të gjithë njëlloj!
Por jo! Kështu i kemi rënë më qafë atij populli që vuajti ndryshe; shqiptarëve.
E them, sepse duke qenë në perëndim që nga fillimi i viteve ‘90, filluam të kërkojmë të vërtetën edhe nëpër arkiva të huaja. E krahasuam merhumin tonë me Duce-n, po ky i “joni” na doli më i keq. Duce, edhe pse i përlyer në krime të pafalshme, nuk kishte prekur dy themelet e lirisë (dhe pse të kufizuar) të individit: Pronën Private dhe Fenë. I “Yni” i asgjesoi të dyja. Edhe në ballafaqimet me diktatorë të tjerë, laneti i Gjirokastrës, dilte më i keqi.
Në dokumentat në letër, arkivat e filmuara apo dëshmitë e Pragës së përgjakur, të Budapestit të vënë nën thundrën e tankeve, të fshatit bullgar apo edhe atij jugosllav, qytetari apo fshatari shqiptar dilte më i përgjakuri, më i shtypuri, më i internuari, më i xhveshuri, më i shperfytyruari: I privuar nga gjithçka që e ndan njeriun nga njëthundrakët.
Për nga vuajtjet, ne kishim qenë edhe më keq se sovjetiket. Nga kjo pikëpamje, ndonëse mbahej për stalinist, as me gjeorgjianin Džugašvili: Ио́сиф Виссарио́нович Джугашви́ли (Ста́лин) nuk qëndronte krahasimi. Ky “i yni” kishte qenë akoma më i keq.
Në vitin 1945, Aleksandr Isaevič Solženicyn u dënua me 8 vjet burg, sepse kish kritikuar Stalinin; në Shqipëri do tʼi qe prerë koka!!!
Fidel Castro - Lider i Revolucionar i Kubës
Fidel Castro – Lider i Revolucionar i Kubës
Vdekja e Fidel Kastros rizgjoi shtypin perëndimor rreth figurës së tij. Edhe kundërshtarët më të egër ia njohën ndonjë meritë. Kur vdiq ai “i yni” nuk u fol kaq gjatë dhe në mënyrë kaq të detajuar, edhe pse “ai” shkoi në dreq i bindur që ishte trasformuar në një fener të komunizmit botëror. Jo nga të gjitha mediat e 1985-ës u dha lajmi i vdekjes së tij, ai u harrua shumë shpejt për Evropën dhe botën, sikur të mos kish qenë kurrë. Sa xheloz mund të jetë bërë atje në Rrethin e Nëntë, kur ka parë e dëgjuar bujën botërore të vdekjes së Fidelit. Meqë ra fjala, a lejohet televizioni dhe interneti në Ferr? Atij “tonit” duhet tʼia ndaloni, pasi ka qenë më i keqi ndër të këqinjtë. Pasi ishte përçori i ndalimit të progresit. Mohojani, siç na i mohonte.
Rroftë e vërteta, siempre.
Marrë nga Muri i FB, Shpend Sollaku Noé, 25 prill 2025

 

 

 

 

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.