
Harti i shfaqjes e problemi i theatrit Kombtarë
nga Prof. Filip E. Ndocaj
Vëreni analizën që i bën problematikave të teatrit në Shqipëri, një djalosh 30 vjeçar, si prof. Filip Ndocaj, te gazeta “Bashkimi i kombit” në maj të vitit 1944. Është krejtësisht modern koncepti i tij për teatrin kombëtar jo si institucion, por si lëvizje, frymë dhe estetikë. Gjithashtu analizat antropologjike të raportit të popullit tonë me këtë art, janë gjithashtu befasuese… Stefan Çapaliku
Theatri e harti i shfaqjes përgjithsisht asht harti që pse bjen menjiherë më përpjekje me masat e popullit të ep frytin moral e në daqi edhe material ma të madh se cillado trajtë e hartit ktu ndër ne! Por në shfaqjet e fundit si në Shkodër, si dhe në Tiranë kam vrejtë të meta të shuma që ktu po mjeshtoj në përgjithsi; dhe po i ndaj në dy grupe, të meta teknike e të meta mbrendijet.
Qe shka teknikisht i mungon gjithnji theatrit Kombtar:
1.Gjithnji paraqitet skenografisht i vorfën, për mos me thanë krejtsisht fmijnuer. I mungon gjithher ai aparat dekorativ që duhet ta marrin me vedi spektatorin nga finksjoni skenik në realitetin shtytës të veprës së dramit. Pse konfliktet njerzore që zakonisht shfaqen në dramë nuk kanë si rijetohen plotësisht kur fiksjoni skenik mungon thuejse krejt e sidomos kur personat që do të përvehtsojnë vehtjet e dramit nuk janë t’afta të mishnojnë kryekput tipin e kërkuem nga shfaqja, pse na kem vetëm amator e diletanta në skenat tona se sa hartista të skenës.
2.Mungojnë sallat e përshtatuna për akustikën e recitimit të prozës, pse përgjithsisht kemi salla të bame për qëllime shfrytzimi vendesh ndërtue nergut për kinematograf. Mandej kto salla nuk kanë shtroje që të shuejn çdo zhurmë përftue nga kambët publikut që nuk asht aspak i dishiplinuem, por hin e del kur ti ketë anda prej sallës shfaqjes e don me e mendue vedin të lirë me ba shka të dojë. Mandej s’kemi dyer të mjaftueshme për hymje daljen ndër salla as rrugina e salla pritjeje.
3.Publikut i mungon ndjeja e respektit të qetsisë e të mirsjelljes në nji sallë shfaqjeje. Kështu mund e vërejmë për çdo rasë që nëpër sallat e shfaqjeve secilli flet me shoqin me të madhe pa mendue se aty shkohet me dëgjue e jo me folë. Të mos shtyhemi mandej me kërkesa të tjera nga publiku që pin duhan gjithnji e kur t’i teket, duertrokit me skenë të hapun e kur t’i teket, e deri ban vrejtje me za të naltë për t’u duke “spiritoso”. Mandej sa e sa herësh ajo mori njerzish që ngelen në kambë anash ose edhe mes rradhëve të platesë, prej se janë shitë ma tepër biljeta të hyemit se sa janë vendet për të ndejë. Kta mungesa sidomos janë për faj të pronarve të sallave të shfaqjes ose edhe të sipërmarrësave të shfaqjes.
4.Për ket arsye e për t’evitue sa e sa të meta të tjera si nga padishiplina e shikuesave si dhe nga mospërfillja e pronarve të sallave kundrejt nderimit që duhet të kenë nga kta, lypet të jetë gjithnji pranë sallave të shfaqjeve nji kontroll i fortë shtetnuer me përfaqsuesa të rendit botuer. Pse shfaqja asht për masat e popullit shka asht cilado gjini e shfaqjes nuk asht nevoja me e shtjellue gjatë.
Qe tash të metat kryesore të brendijes:
1.Porsi autor e vepra na mungojnë krejtësisht. Na jem tue shfaqë drama e komedi që u shfaqet 30 vite ma parë. Kështu në Shkodër, kështu gjithkah.
Pra ksodoret drami e bjerr qëllimin e vet kryesor, pse në kje se drami asht i pavdekëshëm ndër prodhime dramaturgsh të vërtetë, asht krejt kohanik e i dënuem me mbarue fatalisht në harresë për ata që shkruejnë vetëm rastësisht e pa shkëndijen e hartit. Mandej edhe në kje se na rrehet mendja se deri tash kemi pasë në skenat tona vepra hartit kta sod nuk hecin ma se nëmos vesha e gjuhës e kërkesa e dëgjuesave ka ndërrue, asht, ta thomi, rrafinue. Ndryshe i mohohet popullit tonë spektatuer çdo përpaim e edukim kah harti për këto 30 vjetët e fundit. Dikuer ishim t’etshëm për shkado.
2.Nga kjo e metë e parë, rrjedhin të tjerat! Mbrendija e shfaqjes, të shumën e herës, asht ekstemporane. Pse po thuej të gjithave u mungon lidhja me kërkesat e publikut. Këndej nuk asht e arsyeshme pse s’ka dramë origjinale të kohës sodit me u dhanë rishfaqje të mykuna që nuk kanë as redaktime të reja të paktën. Ma mirë të kërkojmë me shfaqë përkthime që pajtohen me kërkesat tona. Pse publiku i jonë gjithnji shkon ndër shfaqje ma fort e ma porsi në nji vend ku të kalojë kohën e festës më përpjekje me tjerët e me kët rasë të shifet më njani tjetrin e të duket mes të shoqnisë. Për kët arsye don shfrytzue rasat e dëfrimi duhet pajtue me edukim!
3.Copat e vjetrueme ka të meta në dialogje, që përgjithsisht nuk janë të natyrshme, thurja zakonisht zhagitet me nji leciozitet monotonije përsritjesh mërzitëse, që kërkojnë veç me habitë kohë e më mëshehë vorfninë pothuejse tansore të qëllimeve e të shtytjeve. Kështu shfaqje të pa konflikt shpesh edhe të pa përmbajte. Ma fort ekspozime faktesh rrjeshtue banalisht si në nji inventar. Ma fort se dramatike: shfaqje qesharake kuadresh gjalla folse.
4.Amatorët e moçëm vijojnë edhe ata traditën e të vjetërve, pse ndoshta s’kanë mbikqyrje me drejtime moderne. Kështu recitimi deklamues e i panatyrshëm sot asht banal në skenat tona. Kishte me qenë koha që çdo amator ta kishte kuptue se me recitue në skenë nuk asht me folë në nji mënyrë që nuk flet kurkush, në trajtë jo të natyrshme. Pra, si copave të vjetra ashtu edhe amatorëve të vjetër e trajtave të tynë u ka shkue koha. Shembull i vetëm i një përmirsimit të dukshëm recitativ ai i grupit të mikrofonit të Radio Tiranës. Po pse vallë ky grup me kaq talente nuk e ban zemrën gur me dal në dërrasat e skenës?
5.Nsa deri sot përgjithsisht shfaqjet u suellën rreth njaj përmbajtje Kombtare e fetare, pak fort u morën me kërkesat shumëkrahëshe t’edukimit populluer. U pat kërkue me u rranjosë gjithkah parimet kombtare, e kjenë shfaqë dramë historike sui generis plot poterë pushkësh e fjalimesh patriotike. Ase kjenë marrë tipa shembullarë morali e nëpër anë të figurave të tyne u kjenë zhvillue spektatorve bukuria e të dhanunve kah të fituemit e jetës tjetër. Mandej, çdo herë mbas tyne kje shfaqë nji farsë o lojë gazi e nxjerrun nga prrallat kombtare ase nga adoptime o shkurtime komedijsh me famë botnore (Shembull tipik ato të Fishtës nga Molieri).
Porse rradhë kje ndërmarrë celebrimi i virtyteve tona raciale e edukimi i popullit të mos përlyhen nga influkse të hueja jete e mendsije.
6.Tue përjashtue ndonji tentativë të shoqnive filodramatike korçare, deri tash nuk janë marrë me u shoshitë pothuejse aspak gjendjet njerzore, jeta shoqnore vetjake, konflikti i vehtjes kundrejt rrethit e nështypjeve të jetës së përditshme. Pse problemat që jeta e përditshme ja plas njeriut shqiptar përgjithditë, pse këto trajta multiforme të gjendjes tonë nuk bahen përmbajtje theatri e për rrjedhojë mjet për të udhzue turmat kah drejtime të mbara? Pse nuk vijojnë traditat e shoqnive të vjetra që theatrin patën fillue me e ba mjet të drejtë për edukim të popullit sidomos në këto kohë që shumica e bjerr pusullën e s’din kurrsesi kah me ia mbajtë?
E qe ma në fund se ku deshta me dalë: Duhet që çdo qytet të ketë theatrin qytetar të vetin, siç e ka çdo anë e botës së qytetnueme. Duhet që të shkundemi apatisë që na ka mpi çdo inicjativë që shkon për të mirën e popullit dhe edukimin e tijë. Duhet që të mos spekulojmë në thjeshtësinë e duresën e tij. Duhet që t’ua mbushim mendjen puntorëve tonë të pendës që të mos vdaren andrrimesh poetike e pallavrash me ngjyrë romantike e as korridesh autoreklamizmi, por të vehen e t’i flasin popullit në këtë drejtim.
Pse?
Pse populli jonë ende nuk asht formue si popull lëçitës e sidomos pse pëlqen ma fort theatrin se kinematografin, i cilli i flet me gjuhë të huej e me nji prodhim që ka nji përmbajtje të krijueme për shijen e kërkueme nga nji popull i huej. Pse nse njeriu gjithkah asht i njajti “rrezikqari njeri”, jeta ndryshon. Duhet ta msojmë me shikue njiherë realitetin e vet e mandej atë të botës.
Pse asht nevojë urgjente ta njofi vendin, ta dijë ku gjindet, cili asht!
Marrë nga Muri i FB, Stefan Çapaliku 11 mars 2026 (Bashkimi i Kombit maj 1944)