back to top
23.8 C
Tirana
E hënë, 15 Qershor, 2026

Habitem, si habitet sot shoqëria, për Fenomenin Mimoza Ahmeti – nga Dituri Meçi Dizdari

Gazeta

Mimoza Ahmeti& Dituri Meçi Dizdari
Mimoza Ahmeti & Dituri Meçi Dizdari
Habitem, si habitet sot shoqëria, për Fenomenin Mimoza Ahmeti
nga Dituri Meçi Dizdari

Lule Mimoze, mijëra gonxhe…
Po shoqëria jonë, ku ishte, ku është?
Natyrë e kohës për tu kthyer mbrapsh!
Për të mos parë çfarë ka në ballë!

Mimoza Ahmeti është sot par excellance e fjalës së shkruar, asaj të folur, të shprehur në media dhe publik, aq sa nuk ka qenë për dekada të veprimtarisë së saj si poete, shkrimtare, piktore dhe këngëtare ku harmonizon, muzikën e saj me vargjet e shkruara ndër vite, apo të çastit që nuk i mungojnë, frymës poetike të saj.
Të gjitha portalet sot reklamojnë Mimozën, pastaj Ferma Vip, të gjitha emisionet publike në të gjitha tv-të, flitet me zell jo të zakonshëm për Mimoza Ahmetin, për batutat e saja, deri dhe bashkëshortin e familjen e saj. Nuk është e mundur të dalësh nga liqeni ku dal shpesh e të mos dëgjoj, të bëj pazar apo të pi kafe, se kudo edhe në trotuar njerëzit sot përbetohen për Mimoza Ahmetin.
Po ku ishin këta njerëz kur Mimoza në vitin 1987, botonte librin “Bëhu i bukur”,

Bëhu i bukur sonte,
Dëbo grindjet, largimet dhe heshtjen e vrazhdë nga kujtesa,
Sillmë ndërmend mua!
Dhe veten!
Eja duke kënduar një këngë burri për jetën!

Jo i vogël në shpirt
as i ngushtë!

Dhe kumtonte shpirtin njerëzor në trazimin e tij, në rritjen, dialektikën autodidakte, dhe përballjen me unin e saj. Dhe në poezinë më poshtë, ajo bën filozofinë e një armiku përballë saj, që nuk e quan të tillë.
Epilogu i famshëm në poezinë e jashtëzakonshme “Armiku im”,

E ç’do të ish jeta ime pa ty
dhe e jotja pa mua?
…..
Prej teje rashë në gjurmë dhe përfitim
të asaj që kërkoja
prej teje gjallëroi lënda ime u zgjua,
u përbetua
dhe ngashëreu
kur vrasja shpirtrat mbërtheu.
Oh, në të vërtetë ti je dashuria
Dhe jo urrejtja ime armiku im.

Në 1994 Moza do të shkruante:

…Oh, gjeniale është kjo gjendje,
kur ndërsa kuptoj që gjithçka kam humbur,
lumturinë e pafundme ndjej,
të qenies sime
që e kam në dorë,
atë s’mund të ma dhurojë
asnjë lavdi, kurorë…

Po atë vit pra 1994, Mimoza Ahmeti hapi Ekspozitën e saj të parë të pikturës, në Galerinë Kombëtare të Arteve, e cila u prit me shumë kërshëri dhe pati madje edhe kritika të ashpra ndaj saj, për dekadencën dhe deformimin e fizionomisë.
Vetë Mimoza Ahmeti ka treguar:
“Kritika, që unë nuk i ndjeva fare, pasi jetoja në qiellin e nëntë të krijimtarisë.
Mbaj mend që pikturat pothuajse u shitën të gjitha. Ishin kryesisht të huajt që i blinin; ata vinin për të parë Shqipërinë, këtë vend që kishte jetuar vrimën e zezë për gjysmë shekulli dhe tashmë ky planet kaq dobët e i komentueshëm, i faqosur me një nocion sa të pakapshëm aq dhe mizor: vend ish komunist!
Unë gjithmonë kisha jetuar në unin tim. Për mua, komunizmi ishte thjesht çështje piketimi. Nuk arrita të programohem dhe as të merrem me të. Më dukej krejt nonsens. Kaq mjaftonte”.

Askush nuk foli për këtë lloj Mimoze që po lindte asaj pranvere por dhe çdo tjetër stine, e panatyrshme për këtë lule, porse për gonxhet e saja, aromën e askundshme të tyre, njerëzia nuk kishte as atëhere e as sot, nuhatjen, për atë që egzistonte, qendrës së saj!
Papritshmëria, paardhshmëria, apatizmi për të bukurën, për të thelluarit brenda vetes si pasuri e askundshme, dhe nxjerrjes prej saj të thesareve të rralla të mendim-veprimit, tipare të shoqërisë sonë vazhdojne ende sot, për fat.
Indiferenca shqiptare si kapital i kombit, që aq fort është zgjuar sot, po na tregon:
Se assesi ende nuk po vështron, nuk do të dijë, kush ështe Mimoza Ahmeti, çfarë ka shkruar, çfarë ka pikturuar, këngët, repertori i saj, por se: kjo Mimozë që po njohim sot, ka lindur dje, se ashtu duam ne!
Vetë Mimoza Ahmeti, ka shkruar: “…Paralelisht me pikturat shkrova romanin “Arkitrau”, librin me poezi “Delirium” që u bë bestseller, gjë e rrallë për poezinë kjo. Kadare më tha për Arkitraun që është një prozë shumë interesante, një roman që koha do t’i kthehet.
“Teksti i “Arkitraut” është, pa dyshim, nga shembujt më interesantë të atij që edhe në letërsinë shqipe do quajtur “monolog i brendshëm”, sipas francezëve, apo “përroi i ndërgjegjes”, sipas anglo-saksonëve…”
Do të shkruante në 3 Prill, 1994, studjuesi, përkthyesi, autodidakti shqiptar Profesor Aurel Plasari.
Moza na tregon dhe ndjeshmërinë e përvuajtëshme që kaploi qënies së saj në llahtarën shqiptare të vitit 1997.
“Viti 1997, solli një agravim të botës sime sensitive. Lufta ishte ofeza më e rëndë që mund t’i ndodhë një të linduri dhe rrituri në paqe. Lufta me armë ka qenë dhe mbetet i vetmi turp i jetës sime. Edhe sot e mendoj se, lufta me armë është turpi më i madh i njerëzimit. E vuajta shumë, me vite… tani e vuaj si një enigmë që duhet ta zgjidh, jo thjesht si ofezë.
Ofeza prej luftës, futja në politikë e artistëve, për mua asokohe u shfaqën si vdekje metafizike. Mos harrojmë që Shqipëria ishte ende e mbyllur. Njerëzit mbanin radhë për një vizë, në bordurat e ambasadave. Ishte e vetmja botë konsistente ajo e miqve, e dashurive.
Hapja e Shqipërisë me Europën, pra lëvizja e lirë, zhvillimi i Google me gjithë programet e të tjera aplikacione, e shumëfishoi botën, mundësitë e shkollimit, emigrimit dhe bëri të mundur shumëfishimin e njeriut brenda vetes, mund të ishe, të doje, të udhëtoje, të dashuroje, të punoje në shumë vende dhe forma njëherësh.
Përveç shkollimeve jashtë, nisa të pikturoj rrugëve në Europë. Kam pikturuar në Paris në rrugë, në Hagë, në Roterdam, në Amsterdam, kam vizatuar në rrugët e Vjenës. Kjo krijimtari në lëvizje kishte diçka tjetër: objektin e gjallë, aventurën, motin që të rrethonte dhe të papriturën. Kështu u krijuan disa cikle europiane të vizatimeve të mia dhe pikturës…”

Poetja Mimoza Ahmeti
Poetja Mimoza Ahmeti

Mimoza Ahmeti është autore e përfshirë në tekstet shkollore të gjuhës shqipe!
A e dinë prindërit e fëmijëve këtë fakt, po mësuesit a lodhen, për tua përshtatur atyre gjuhën e saj, filozofinë aty, kapërximin e fjalës dhe kuptimit në pak vargje?
A ka program për këtë çështje jetike për Fëmijët e së nesërmes një hap para shumë fëmijëve të privuar nga leximi sa më herët i poezisë plot kuptim, për pakuptimin!
Poezia dhe proza e saj është përkthyer gjerësisht në gjuhët evropiane. Mimoza është fituese e Çmimit Ndërkombëtar “Palma e Artë” të Festivalit të Poezisë San Remo, 1998, organizuar nga RAI, dhe ky lajm per çmimin u përhap gjerësisht dhe nuk mendoj se ka shqiptar që nuk e di, por dua të theksoj, se ky lajm u përhap dhe përflitet sa herë kërkon oreksi i kësaj shoqërie apo komuniteti, për të mbuluar faktin por dhe sedrën (nëse kanë një të tillë) se Mimoza Ahmeti ky zë i rrallë artistik që jo si çdokush, shfaqur ka poezinë, prozën, pikturën, këngën, nuk gëzon sot asnjë çmim, asnje lloj çmimi kudo qoftë, nga kjo shoqëri fake, që sot u zgjua nga lajmi: Mimoza Ahmeti po bën namin, në Ferma Vip!
Për çfarë diskutohet?
Një program televiziv?
Temat që trajton?
Njerëzit që fton?
Cilësitë, tiparet e tyre, potencialin njerëzor, intelektual?
Ah, diskutohet një person në spektaklin “Ferma Vip”?
Gjithkush kësaj bote mund të flasë për sa kohë nuk cënon njeri tjetër, cilësitë e tyre njerëzore, personalitetin e tyre.
Por në rastin e Mimoza Ahmetit, kemi të bëjmë me një njeri që prek botëkuptime, kuptime, të formimit njerëzor, filozofik e psikologjik, të tij, formimin shoqëror, aq pak të rritur e të formuar në Ballkanin tonë, e veças në Shqiperinë tonë.
Kondicioni dhe kushtëzimi nuk janë aspak komode për Artisten e Lirë. Shumëdimensionale Mimoza Ahmeti, por liria tek ajo, dëshira e ekplorimit njerëzor, i atij psikologjik, i mëndjes por dhe shpirtit, është Frojdiane e thekur, sikurse unë, guxoj ta ndaj vetëm me të dhe me askënd tjetër kësaj bote, Frojdin tim, edhe pse nuk kam kërkesë të tillë, por përfitoj pse Moza ka mbrojtur Doktoraturën Shkencore në fushën e Psikoterapisë, laureuar me rezultat ekselent në Vienë!
Ah, sa do ta dëshironte këtë studim, ai, pasioni im çmendur pas Frojdit tim! Por dhe pse nuk u diplomova në Vjenë, në vitet ’90, studjova në Biblotekën Kombëtare veprën e tij në gjuhën italiane.
Moza Ahmeti është një fenomen shqiptar, Jo sot!
Moza Ahmeti është një fenomen shqiptar, që para viteve 90!
Kemi mësuar prej potencialit të saj artistik, ne që donim të mësonim prej saj, dhe se jam me fat që jetoj një epoke me të.
E njoh Mimozën në vitet ‘90, atëhere kur unë pata mundësinë të shkel për herë të parë, në Lidhjen e Shkrimtarëve, pse në vitet 80, emëruar Ekonomiste e Lartë, në Kombinatin e Tekstileve Stalin, (Gjuhë Letërsia nuk m’u dha mua, si mbesë, Beu i Kolonjës) rruga me autobuz nga shtëpia ime tek Selvia, deri në zyrë, kalonte dy herë në ditë para ndërtesës së mrekullueshme të arkitekturës italiane Lidhja e Shkrimtarëve, (unë jam rritur nga një baba arkitekt), që për mua ishte një rrugëtim ngazëlllyes, një ëndërrim i shfrenuar, se brenda asaj ndërtese do të takoja njerëz të mëdhenj, për të cilët kisha lexuar, vetë Perëndinë zbritur në tokë do të gjeja aty, aq sa unë do të humbesha syresh.
Ndërsa ata, Zota në tokë, shkruanin e vendosnin po vetë, fate librash, shkrimtarësh dhe poetësh, aty jepej sipari i kurorave të lavdisë, i medaljeve, çmimeve, nga ata burra të gjithëditur, që mezi prisja t’i shihja, t’i njihja!
Po si do të ndodhte kjo, dhe a do të ndodhte?
Jetoja në mes të kësaj dileme, pa e ditur, jetoja dëshirë marrie, pa e kuptuar fare se askush, as që mund të ndjente, e jo më të kuptonte delirin tim.
Fill pas viteve 90, botova librin tim të parë me poezi “Prej andej” dhe dikur, diku, arrita të zbres, nga ai qiell, blatuar në mua.
Po si nuk më tha, asnjë nga këta dritëshkruar, që i pata vënë në krye të Olimpit, tek vetë Statuja e Zeusit, “T’u thafshin duart që e ke shkruar këtë libër me poezi!” dhe aq u zhgënjeva sa vetja fliste pa mua.
Po si more dritëndriçues, që nuk doni të kuptoni se unë ju flas “Prej andej” nga ku kam lindur, nga ku jetoj!
Kryet e mendjes time, iu var zhgënjimit.
Ata nuk donin të dinin se poezia ime egzistonte.
Ku mund ta mendoja unë, se ajo frymë, egzistonte themelit të letrave shqipe, për këdo që prekte sinore të vendosura syresh, zotëruese?
Por poezia, ëndrra ime ishte zgjuar bashkë me mua, njoha Poetin Fatos Arapi dhe një poezi të shkruar diku… poetja Mimoza Ahmeti! Vargjet e tyre dhe vargjet e shpirtit mbetur nga vitet, dhe vitet e frymës pa frymë u lidhën bashkë, vallëzuan, u dashuruan!
Ja si shprehej Mimoza Ahmeti asokohe:
Nga pamundësia, mundësia deri te pushteti, shpirti riprodhon veten në funksion të një shënimi që ende nuk mund të themi se e njohim plotësisht. Kontigjenca e tij është habia dhe dhimbja! Kjo është rruga e njohjes sonë!
Kultura jonë është e principit të përsosmërisë. Sublimimi dhe heroikja ende mbeten stimujt e saj. Megjithatë ajo po anohet edhe drejt kulturave të harmonisë, me mjedisin, elektromagnetizmin qiellor dhe sensin e pranimit të anës tjetër të Hënës. Pra, tjetrit.
Vargje nga poezia e saj “Pjalmimi i luleve”

“Ishte një vogëlush si drita,
me sytë si nata.
I gjithi yll.
Qëndroi para humnerave të mia,
I befasuar thirri:
Zonjë, ju po rrëzoheni”.

“Libri i lumturisë” vjen pas botimeve të dy vëllimeve të tjera “Delirium” dhe “Pjalmimi i luleve”.
Dhe Moza, tregon rrugën e saj që ashtu si pema e bukur e Mimozës, erëmon mijëra kokrriza diellore, ashtu vrullojnë dhe artet e kësaj gruaje.
“Gjatë pandemisë pikturova shumë, por ato piktura të asaj periudhe i shfaqa në “Kalo Galeri”, ekspozitë e 2-të kjo brenda disa muajsh, të cilën ma kuroi vetë Përparim Kalo. E quajta “Kathexis”.
Pati dhe një ekspozitë të 3-të pikturash që Mimoza do ta quante Ekspozita “Potencë” që u hap në Universitetin Europian të Tiranës, Dhe shkroi për të:
“…Nga përshtypja, ndjenja, krijimi – deri te Salloni i Artit, është një rrugëtim i gjatë… i mrekullueshëm… Kisha aty disa personazhe, duke përfshirë dhe veten, Edin, Fatosin, Henrin, etj. Variablat e personaliteteve të tyre kishin pësuar ngritje-ulje, përgjatë zhvillimit social. Këto ndryshime rrisnin, ose zvogëlonin impaktin dhe funksionin që vetë ata, si procesorë, kishin në shoqërinë tonë e më gjerë. Kështu dhe vendosa ta quaj “Potencë”, ekspozitën.
Libri i Lumturisë” Si gjithmonë, vazhdon të drejtohet nga shpirti i cili dikur “nuk mendonte”. Ajo dhe poezia tashmë janë aty ku dëshironin të ishin. Këtë fakt na e sjell me forcë dhe pamëshirshëm, në poezinë “O Ti Shpirt”.

“O ti, shpirt, ti lider, ti drejtues fryme!
Për ku po më merr kështu? Ku po më shpie?
Ku po shkojmë të dy bashkë duke kryer?
Ndërkohë ngjitem te ti,
ndërsa ti më ngjit.
Ndërtoj në ty, gdhend me ty – ti lartësisht po më ngre”.

Mimoza Ahmeti adhuron muzikën, humbet në notat e saja, ka kompozuar dhe shkruar mbi 10 këngë, një autodidakt i përsosur shpirti, shpërthyer poezisë së muzikës, atyre tingujve që i blaton hera herës me sytë mbyllur dhe një buzëqeshje hyjnie që ëndërron, sublimen. Dhe si mund të mungojë muzika tek një artiste e lindur!
Ja tekstet e disa syresh.

1.Kënga: Bejbi

Bejbi,
unë jam e keqe
sepse
të dua shumë
do të jap pak verë nga kupa e jetës
dhe do të t’ve në gjumë.
Bejbi,
unë jam e mirë,
vonë ke për ta kuptuar.
Do të zgjohesh,
do të zgjohesh vetë një ditë,
por unë do t’kem shkuar.

2.Kënga: Unë jam e bukur

Unë jam e bukur vetëm për hir të tij
E kur shkoj udhës nuk shkel përdhe
nuk shkel përdhe por nëpër re e nëpër qiell
e këmba ime ka bërë vetëm dritë atje ku shkel.
Zemra ime ka bërë vend për çdo njeri,
Por jam e bukur oh, unë, vetëm për hir të tij.
……

3.Kënga: Në mbretërinë e xhuxhave

Në mbretërinë e xhuxhave
desha të dashuroj
Në mbretërinë e xhuxhave
desha të mbretëroj.
………
Je gjigande, je
xhuxhat më thanë
kur më panë,
Je gjigande je
xhuxhat më thanë
kur më lanë…

4.Kënga: Djalë i Magjepsur

Mëma e rriti e bëri djalë,
ishte mes yjesh një yll i rrallë,
ishte mes yjesh një yll i rrallë,
Fytyra e tij një perlë e bardhë.
Djalë i magjepsur,
I magjepsur pas meje.
Aj aj aj me dhimbje-prehje
Aj aj aj me dhimbje-prehje

Dhe mjaft këngë të tjera, interpretuar nga zëri, thellë shpirtit melodioz si:
Arti jetës në vetmi
Primula
Humse
Kam frikë për një çikë
Halil Gashit etj.
E pra, ende jam e habitur për habinë, ilaritetin e shoqërisë sonë, dhe mbi të gjitha të medias tonë, a thua se Moza Ahmeti u lind, u rrit, u realizua sot!
Mimoza Ahmeti nuk është e “Ferma Vip”, por një artiste e një larmie të rrallë, poezie, proze, pikturash e këngësh shpirti, tekst e muzikë, një grua e Lirë Shqiptare!
Unë këtu hodha vetëm pak farëza lulesh mimoze nga ato mijra gonxhesh dielli!
Unë jam rritur me artin, dhe vrapoj dhe sot pas mendimit të saj mbi kohën, vendin, mbi shoqërinë tonë mbetur pas garës, vrapit të njeriut Homo Sapiens, dhe jo njeri, që vazhdon ende pas arnave të grisura të kohës, të asaj kohe kthyer së mbrapshti!
Unë vrapoj ende si atëher kur isha fëmijë, dhe hidhja hapat gjithë frikë e guxim mbi mbetje skeletesh të ndryshkura, armatimesh të rënda gufuar dherave, kodra të larta krijuar syresh mbetur aty nga Lufta e Dytë Botërore, kur isha vonë për mësimin, në shkollën Bajram Curri, Tiranë!
Sa me mall e kujtoj atë kohë, kur armët flinin gjumin e përjetshëm në atë gërmadhë dherash, dhe unë e lirë qiellit tim!

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.