back to top
10.5 C
Tirana
E enjte, 25 Prill, 2024

Guximi i Nick Merrnaçajt – Martir i Demokracisë – rrëfen e ëma, Mri Merrnaçaj…

Gazeta

Nick Merrnaçaj
Nick Merrnaçaj (1959-1990)

Guximi i Nick Merrnaçajt – Martir i Demokracisë

rrëfen e ëma, Mri Merrnaçaj…

(22 janar 1990 – 22 janar 2023) 33 vjetori i Vdekjes

Mrì Dedja e Merrnaçajve, asht prej atyne grave të rralla, e malsoreve stoike që e ka sfidue vdekjen në të tana format që ajo i asht përplasë…
Kam pasë fatin me bisedue gjatë e shtruet me të…
Sot me 22 Janar 2023, asht 33 vjetori i Vdekjes (vrasjes) së djalit të saj Nick Merrnaçajt. Ishte vetëm 31 vjeç, mbas protestës që ata banë ndaj krenëve të komunizmit të ardhun në Detroit me 21 janar 1990…
Ky asht nji prej rrëfimeve të shumta që unë kam mujtë me marrë prej saj. Në fund është edhe dokumenti që Sigurimi i Shtetit ka mbajtur gjatë kësaj familjeje në vitin 1990!

 

Mrì Dedja e Merrnaçajve
Mrì Dedja e Merrnaçajve
(lart portreti i Nick Merrnaçajt)

Historia e Nikollë Merrnaçajt që mbas 20 vitesh burg, nuk mujt me ndejtë veç nji natë në shpi të vet, e që mori fund me vdekjen e tij dy ditë mbasi u lirue na kishte leju me dyshue! Tashma kishte ra Muri i Berlinit dhe kishim shpresa se po vinte dita me u ba bashkë mbas nji gjysë shekulli ne ndër emigrime, e ata ndër interrnime…
Po bahesh vjeta e hikjes së së Nikollës. Ajo vdekje na pat helmue të tanve, mbasi ma e shumta e robve tonë s’e kishin njoftë aspak. As unë vetë s’e kisha pa kurrë me sy të ballit.
N’Amerikë, n’at periudhë kanë shpërthye demostratat. Të tanë robtë e familjes Merrnaçaj, i madh i vogël jena bashkue në demostratë, e ku Nika, djali em na printe ma i pari. Kena shkue si familje, kena ba demostratë gjithë ditën edhe jena ardhë në mbramje në shpi. U çuen edhe erdhën të tanë ata që ishin kenë në demostratë, pra kryesia e saj sepse në demostratë kishin kenë tanë bashkë. Kena ndejtë në shpi tonë, kena shtrue darkën e mbasi kena hangër, vonë mbas mesnate, aty kah ora 1, e paskan vendosë me shkue të nesërmen e me vazhdue protestën në Detroit. Mbasi ishte marrë vesh se atje kishte me u shtrue nji drekë për dikë të randsishëm, ndoshta edhe Ramiz Alia asht kenë, po un s’e kujtoj mirë, mbasi kanë kalue 32 vjet. Mbasi u çuen të tanë, djali jonë i dyti po thotë: “Un duhet me shkue patjetër!”
Me thanë të vërtetën, e kam thirrë veças e i kam thanë: “Rueju Nikë se shkon! Asht kohë e keqe e po të ndodh ndoj send! Mos shko atje, se kena dhanë boll!”
-Po mos u tremb o mamë! – m’tha, e më mori me t’mirë Nika e ma shprishi të keqen! Ai iu drejtue Pjetër Merrnaçajt:
-Axhë, a po vjen edhe ti me mue?!
-Jo! Un s’po mundem me ardhë, se edhe dimen edhe mosha! – i tha Pjetri…
-S’po kenke trim aspak… Mos me ardhë ti atje me mue?!
-Jo, – i tha Pjetri, – un s’po mundem me ardhë!
Ata, ashtu grup si ishin, janë ba gati, janë çue e janë nisë. Diku nja 20 vetë janë kenë. Kanë kenë ma shumë, po njaq janë nisë prej shpisë tonë… e kanë shkue në Detroit, ku asht kenë shkrue edhe ceremonia.

Nick Mernaçaj me flamur në protestë
Nick Mernaçaj me flamur në protestë

Mbrenda ishin të tanë komunista! Këta kanë shkue edhe ua kanë bllokue hymjen me u përballë me at që ishte ma i madhi i tyne te dera… Të tanë janë kenë grumbullue njaty, e ai s’ka guxue me dalë jashtë dere. Atherë ata kanë protestue sa kanë mujtë at ditë. Të nesërmen po e bajnë plan me u kthye në shpi. Na kena folë me djalin e ai na ka kallzue me hollësi gjithçka kishte ndodhë në Detroit, si e kanë ba demostratë si janë përplasë me komunistat dhe rojet. I kena krejt regjistrimet e asaj dite.
-Pash t’madhin Zot, – i them Nikës në telefon, – lene njat punë e mos e shtyj ma tej, se po t’ishte njashtu i kishte vra kahera ndokush, k’ta komunistat e Shqipnisë, e nuk mundet me i vra kush n’Detroit, po hiqnju tyne!!
Kanë fjetë at natë atje e ne nesre janë kur asht nisë, m’ka thanë:
-Mamë, jena nisë m’u kthye!
Kur janë ardhë diku në gjysë të rrugës prej Detroitin për në New York ka ndodhë nji aksident. Prej Pensilvania, asht hapë fjala se makinës së Nishit i kanë ra nji mjet i madh e tracku që i ka ra, e ka tërhjekë 300 fit zvarrë edhe kamba i ka mbetë nën rrotë të tijna…
Na jena ma se të sigurt se para i ka dal mafia komuniste shqiptare, e s’asht e vërtetë se ai e ka thye qafën vetë!!
Dikush e kishte marrë vesh ngjarjen, po na të shpisë nuk kishim ndi asgja.
Janë bashkue nja tridhjetë vetë, kryesisht malsorë e po kërkojnë me ardhë te na!
-Më merr Pjetri në telefon e po më pvetë: “Çka po bani Mrì?” I them: “Marashi asht fjetë, pse a deshte gjà?” “Po bela po vijmë me do shokë me ndejtë pak!”
M’dogji miza për Markun e Nikollës në Shqipni, e thashë me vedi: “Tash që po e dijnë se kena ba demostratë kundra qeverisë së Tiranës, diçka i bajnë atij të shkretit në Shqipni!” As e mendojsha, pasha t’madhin Zot, për djalë tem aspak!”
-Pse a ka ndodhë gjà Pjetër! – po pves pak si me frikë atë!
-Jo mor jo! Por po vijmë me ndejtë pak. Po duen kta shoktë me ardhë e me ndejtë pak me Marashin!!!
-Mirë more, hajdeni bujrëm, se Marashi gjallë asht, e po e çoj prej gjumit.
Kur kanë hi n’derë, s’ka mujtë kërkush prej tyne me ma dhanë dorën! Kanë hy të tanë e janë ndalë njaty ku i sheh se janë qirat e ndezun…! Vetë e kam rrejtë mendjen gjithsesi. Janë kthye kah un e ma kanë dhanë dorën e m’kanë thanë: “Zoti t’dhashtë kyvet për djalë, Mri Dedja!”
Se s’më ka ra pika n’vend! Asht kenë dita ma e vshirë e tanë jetës teme!!
E muerme vesh se u vra Nika, e të tanë ata njerëz u bashkuen aty e ndejtën deri në nadje.
Vetë kisha mendue, se mbas tanë atyne të kqijave që kisha hjekë e kisha vuejtë, s’kisha me pa ma t’keqe tjetër në botë. Kisha pa boll, bile tepër, qysh prej moshës pesë vjeçe. Kisha humbë babën, axhat, dy vllazën, nanën isha rritë qyqe vetëm… Po ajo që kishte ndodhë, me 22 janar 1990, ishte ma e dhimbshmja!
Tash, krejt çka ishin aty, u çuen me shkue me e pa vendin se ku ishte vra Nika! Kur kanë shkue në gjysë të rrugës, asht kenë borë e akull e s’asht lejue kurrfarë makine me kalue andej pari. Janë shkue fmijtë e mi, do shaljanë, ka kenë edhe nusja e Nikës! Ajo si malsore ka guxue me thanë: “Due edhe unë me shkue me ta!” – e janë nisë me shkue. Diku i kanë ndalë e s’i kanë lanë me shkue ma tej. Të pasnesërmen e kanë prue Nikë Merrnaçajn të dekun në New York.
Gjithnji mendojshem! N’shpi teme kisha pa boll të kqija e s’kisha me pa kurrë ma. Fmijtë e mi m’kanë kja “Se prej teje nanë s’kena as daja, as teze, as gjysh e as gjyshe… ç’ka ka ndodhë te shpia jote o mamë që prej teje s’kemi kërrkënd?!” Çka t’u thoja?! Ata kurrë s’janë kenë të gzuem prej krahut të nanës së tyne …
Kur e mor vesh Marashi dekën e Nikës, s’i ka mbetë nji pikë gjaku n’ftyrë… Nadje herët, kur asht çue, e ka marrë xhaketën e Nikës edhe e ka mbështetë në krahnor… dhe ka shkue e asht rrzue te shtrati i tij… e nuk kjate me lot, po kjante si malsorët kur kjajnë trimat: me gjamë të madhe… I kam pvetë fmijtë ku asht Tata, m’kanë thanë “Asht poshtë!” Jam shkue poshtë e i kam thanë:
-Marash bre! – as më kqyrte e as më flitte – Marash, banu i fortë! Kanë me t’ardhë dynjaja n’derë e mos ta korisim vedin! Djali na ka dekë! Aj tash ka shkue! Po ta majmë vedin, se un po kam ma vshtirë se ti, e na duhet me qindrue si na takon edhe në t’keqen që na ka gjetë!
Asht çue Marashi, e ka palue xhaketën e Nikës në shtrat, e duelme nalt bashkë!
Nji javë ditë asht ardhë populli në funeralin e oraganizuem për Nick Merrnaçajn. Shteti amerikan ka regjistrue gjithçka. Na kanë ardhë rreth trimijë vetë për “kryeshndosh” te shpija për pesë ditët e mortit. Trimijë vetë kanë hy e kanë dalë në shpi tonë për Nick Merrnaçajn.
Mundem me thanë se përfaqësues të Shtetit amerikan po edhe të Bashkisë së Yonkersit, qytetit ku ne jetojme prej gati nji gjysë shekulli na kanë dishmue ndaj Nikës nji sjellje që s’ka ndodhë për askënd tjetër. Ata i kanë sjellë njerzit e tyne të shërbimit e na kanë thanë: Kena marrë masa me u kujdesë për të tanë këta njerëz që janë këtu! Me bukë e me të gjitha shërbimet! Ju rrini me njerzit dhe mos prekni asgja! Gjithçka ju nevojitet, do ta keni prej shtetit! E keni boll dhimbën e djalit…
Edhe për njat Zot, kanë ardhë e kanë punue për pesë ditë e ju kanë nda bukë tanë atyne njerzve që na kanë ardhë për “kryeshndoshë” e kërkush s’asht largue prej detyre. Asht kenë kohë dimni, e ka qenë mbushë krejt ky vend para shpie, jashtë e mbrendë me rob, n’ato ditë zije, e tejet të dhimbshme për familjen tonë…

Familja e Marash Merrnaçajt
Familja e Marash Merrnaçajt

Nga Dosja Formulare e Marash Merrnaçajt

Me porosi të shokut Hekuran nuk duhet lejuar të vijë! (firmë) (shkruar me dorë)
Sekret – Ekzemplar Nr.
Tiranë më, 28.07.1990

Implikim
Demostratën e muajit janar 1990, zhvilluar në New York, ka marrë pjesë i arratisuri Marash Merrnaçaj me gruan dhe djemtë. Nga Shkodra.
Punëtori operativ – Aleksandër Thana (firma)

Me porosi të shokut Hekuran nuk duhet lejuar të vijë! (firmë) (shkruar me dorë)
Sekret – Ekzemplar Nr.
Tiranë më, 28.07.1990

Implikim
Demostratën e muajit janar 1990, zhvilluar në New York, ka marrë pjesë i arratisuri Nikollë Marash Merrnaçaj. Nga Shkodra.
Punëtori operativ – Aleksandër Thana (firma)

Me porosi të shokut Hekuran nuk duhet lejuar të vijë! (firmë) (shkruar me dorë)
Sekret – Ekzemplar Nr.
Tiranë më, 28.07.1990

Implikim
Demostratën e muajit janar 1990, zhvilluar në New York, ka marrë pjesë i arratisuri Paulin Marash Merrnaçaj. Nga Shkodra.
Punëtori operativ – Aleksandër Thana (firma)

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.