Gruja e Poetit – nga Hortensia Haxhiademi

Gazeta

Familja e Et'hem Haxhiademit
Familja e Et’hem Haxhiademit
Gruja e Poetit
nga Hortensia Haxhiademi

Nuk i caktova Nanës sime nji lule nga mija lule që kam në kopsht… E baj, kur malli ze dhe zemra ndalet nuk rref nji çast, për fytyrat ma t’dashme, unë i thërres pranë.
SepseNànën time e jetova vetë dhe s’gjinet lule t’i përngjajë. Nuk e plotsova portretin e saj nga Gjyshi. As nuk e msova vetëm nga Babi; s’ia dita nga ata sytë e vujtw e tanë dashni. Nánën e kam njoft vetë qysh para se të çelja sytë.
Ato pak vite mbase, por qe dhurata më e çmume që mund të më falte fëminia. Të tjerët m’i bani fati apo dhimba vegim, por ja ajo ma e vockla ma e forta mbeti ma e qarta për mue!! Nji si rrëfenjë e pavjedhme e pa mbyllun e pa grisun, lanë vetëm për mu. Prehën i ngrofët tanë historina të heshtuna por pa fun’ nana.
…Burrat, pritet prej gjithkujt të jenë të fortë. Shkamb! Të qëndrojnë. Kangë e libra shkruhen sot për ta. Burgjet. Kënetat. Internimet. Holocaust e vendit tim kalvar krimesh dhe padrejtsish… Lumë gjaku…!
Po këto brishtat veshun me gjymysh, të mnafshtat që tjernin jetët e përkundnin djepet, të fismet e pakëndueme, këto ç’ka i bani hekur?!!!
Asht Përvjetori Nanës sot.
80 vjetori i ditlindjes së Dajë Homerit do ishte po këto kohë… dhe në 7 Janar bahen plot 40 vjet që nga dita që Daja shkoi. Ai fatkeqsisht lindi me nji vend dhe periudhë që nuk i përshtatesh as ia përkundi andrrat, talentin dhe kulturën pa kufi, u shue po aq shpejt. Bota përreth… vendosi Asgja t’i ofronte Dajës tim të rrallë… qysh kur lindi, dhe atë jetë të shkurtë jetoi, asgja veç rëndomtës dhe mëkatit. Dhe kjo asht e vërteta! Por ne femijët, i jetuam më bukur se t’gjithë fëmijët më fatlumë ato vite me Të. Ai qe “Daja Hip” -mbeti në at kand fëminie veshun me talentet dhe vetitë e nji kulture të thellë Europiane, ne Elbasanin e viteve të vogla, aq sa me ta ba botën xixa-xixa; ai qe përplot libra e rrëfenja italisht dhe tanë leximet ma të shquara të botës, përplot ngjarje, ide, ditë dhe çaste me shenjë vetëm për ne. Dy ftyrat e dashme të Babës dhe jetës sime që shkun si gjeth me flladin – brenda dy stinëve të befta kur unë qeshë nxanse shkolle.
…Vijnë e shkojnë datat e mija me rrallë yje të shuar… Datat e Babës. Ata mbeten, sepse lanë të tilla kujtime. Nji jetë mall.
Ndaj sot, në ditë të shënuar do fjalos pak të mijtë.
Nanën time.
Në nji letër të vockël.
Është e gjatë. Nji kthim mbrapsht në vitet e Saj x… Po ashtu të gjata në ndodhi ishin jetët e shkurtna që pata fatin me njoftë.

***
Themeli i shtëpisë, matriarchia e Haxhiademve të Elbasanit; nana e tana munimeve dhe lulkave t’kristalta të viteve të mitura, e gjithë jetëve tona në fakt, deri tek Emi e vockël… xxx. Deri te tregimet e mamit. Mami flet gjithnji për Nanën, më fort se për të sajën, u rrit me Të. Më tregon ajo ca gjana që unë i shoh veç në foto albumesh sepse ose s’qeshë ose isha e vogël ti mbaj men. Ajo m’i plotson vegimet kaherë – mozaik të çmuem.
Elbasansit, e njifshin si Buqja e Haxhiademve. Heroina 33 vjeçe e Haxhiademve. Ashtu e kujtun.
Ia dinin fisninë, jetën, mundin. E manin men kur nana ime fare e re – bijë, bashkëshorte dhe nanë e vetme e dy oxhaqeve nga ma t’fismit të Elbasanit, ajo e moshës ma t’bukur – e vujtmja tashma, punoi kokënaltë me burrat e duerve t’ashpërume në kanalin “Naum Panxhi”. …Kam pa nji foto të saj nga arkivat rastësisht online, prej atyne viteve të të vetmes punë të lejuar për bijat dhe gratë e atyne që kishin drejtue e qytetnue qytetet!!! …Nana si zog i brishtë… po koka nalt! Munda t’ia shoh e njoh sytë nji çast… Dhembi kaq fort nuk e kërkova foton ta shof ma! Rriti ashtu e vetme krejt, pesë fëmijë, ky ma i vogli 6 mujsh.
I bani Të Mirë. I mbajti Të Fismë.
I mbajti me jetë, shpresë e strehë kur të trija po meheshin me nji shpejtsi të frikshme – me çdo muzg, çdo veprim të botës që i rrethonte…
Kur edhe shtëpinë e Babës së fmijve, të Babës së Babës! pasi e zbrazën deri edhe nga librat dhe djepet… po librat dhe djepet ç’i deshin hajdutët e kuq… heh? Ato sende janë krejt pa vlerë për harbutin vulgar, veç me shkaktu terror dhe ligësi; Kur e zaptun edhe godinën e gurtë të Babgjyshit të babzitunit e patrull e të pander, të pazotë-të dobët-pashpinë krejt mendoj unë, oh yeah – sepse cili burrë me një grimë krenari dhe nder e rrit fmijën e vet në truall e nën çati të tjetrit?! Hmm, pyetje për brezat që pasuan mbase, ja unë gruja – por shumë krenare po e pyes: cili qe mësimi i parë i jetës së fmijëve të tyne? Cila asht trashgimia juaj…?!!
…moving on,
…kur humbi edhe streha, athere Nana e re i mbshtolli pesë jetimët e mitun i çoi së fundmi ke trualli i nanës s’vet ke namazgjaja. Pasi ndejtën nji farë kohe qiraxhinj nëpër bodrumet e botës.
E vockël qe shtëpia e gjyshes, i madh kopshti që ia bleu baba vet dikur. Por ajo ngushti fizike s’kishte fare randsi. Shpirtnat e tyne të dlirë qenë ndrydhë qysh prej asaj nate t’zezë. Mbase qe e para herë pas asaj nate që ata u ndinë fëmijë sërisht, qoftë edhe për nji çast. Bota jashtë atyne mureve nuk qe ma miqsore për fëmijë dhe nanat e tyne të veja me burrat gjallë. “Momës tonë çuditrisht nuk i bani përshtypje ky shpronsim i paligjruem” – kujtonte im, Ato javët në shtëpinë e Haxhiademve pas natës së acartë të 47-ës. “Kokat, kokat kishin randsi për të, gjà që ne fëmijët s’e kuptonim. Si ta dinim ne që edhe kokat tona ishin dënu bashkë me Babën?! Shtëpia u ba e zbrazët. E frikshme. Për ironi të fatit as për vllanë e vogël s’do kishte më nevojë për djep, ai do rritej para kohe si të gjithë ne!”
…Kjo asht ajo fjalia ku unë ndalem pak më fort tek kujtimet e babit. Shumë kujtime janë të Tijat në memorjen time. Babi m’i la tana të shkrueme… ato ma t’shtrenjtat sidoqoftë. Por, mund të jenë fare mirë dhe t’mijat imazhet e acarta të fminisë së Tij… Ka çaste kaq t’dhimbta kahere – kaq intense & vivid imazhet, kur më ndihet unë kam lind me Ta… dekada ma para se me lindë…
Ja kjo fjali dhemb, gjithnji.
…Nëse ka ende kush ndonjë dyshim sa mizore dhe e pashpirt qe ajo kohë, thjesht duhet të dijë veç këtë fjali nga jeta e nji fmije dhe asgja tjetër!! Fmija, e humb fëmininë, shpresën, buzqeshjen kur persona të dashtun, ndjenja e mbrojtjes prej gjithçkaje dhe andrra pafund që veç i vogli asht në gjendje të ndijë – shkulen prej tyne mizorisht dhe padrejtsisht në nji çast të vetëm! Veç ajo traumë e thellë shkaktu nga bisha e ban fmijën burrë qysh foshnje! E s’ka randsi fare nëse bisha asht i yti dhe fmija asht i imi, ti mbetesh njeri i padenjë dhe s’ka zot të ta shlyjë mëkatin. Bota inocente limitohet nga andërr pa fund në burg armiqsor!! Sikurse u provua ta baje me sukses. Ti apo gjyshi apo ati yt.
Nuk ka më të hidhur se ajo fjali! As akuzë më të fortë rreshtu kaq qetë për bishat e pjellat e tyne.

***
Ah, Babi… që e donte shkollën dhe librat fort, prap dilte msonte ke hajati i gjyshes netve, veç me dritën e hanës. Sepse “moma i kishte premtu do bante të pamundurën ta çonte në shkollë të naltë, po t’i zotnonte tana subjektet shkëlqyeshëm…”
Shpresa!
Rrashqanorëtia shkatrronin me çdo veprim të ulët, ajo Moma ia mbshtillte e mëkëmbte ka pak… Ku e gjente forcën vallë!
Dhe kështu e njifte Elbasani, ai me çekiç ke porta të paktën, Nanën e pesë fëmijëve. Kokënaltë! Të Fortë! Heroinë! Grunë e Haxhiademit; të Renë e Emin Haxhiadem-Shijakut të Parisë së Elbasanit dhe Pavarësisë më 25 Nanduer.
Bijën e Vetme të Kasem Sejdinit!

Familja e Et'hem Haxhiademi e shoqja Burbuqe Haxhiademi - Sejdini, katër fëmijët Zymyryt Haxhiademi - Kashari (me dy vajzat), Emini me te shoqen - Myzaferen, Selaudini Homeri dhe nji kushërirë e tyre - 1969
Familja e Et’hem Haxhiademi e shoqja Burbuqe Haxhiademi – Sejdini, katër fëmijët Zymyryt Haxhiademi – Kashari (me dy vajzat), Emini me te shoqen – Myzaferen, Selaudini Homeri dhe nji kushërirë e tyre – 1969

***
E unë, unë e du paksa ndryshe… gjithnji me sytë e vogla e du… janë ato kujtime që du ma fort, si me ja largu vujtjet ka-pak e mbajt aromën ende. Ato janë ma t’amlat për të dyja ne.
Unë majmen’ si në film të vockël kur shkonim përdore atyne rrugicave të ngushta, e ajo gruja e poetit, merrte nji pension të mpakun prej viteve të punës së rëndë tek kanali djajve, kur baba qe fmijë dhe unë ende nuk qeshë. Më pas shkonim pagunim ene dritat dhe faturat e tjera për t’tanë ke nji ndërtesë e vjetër mu ke porta e kalasë. Ajo nxirrte ka çanta e dorës librezat e secilit e porositë e palosme të secilit bir që msonte fmijë fshatrave, edhe ia maronte detyrimet mu si qënisje. Vizitonim kaherë njerëz të Babit në kala. Ose rrugës në kthim ngjisnim shkallët e drunjta të Shtëpisë së bukur të Sejdinve, mu në mes të Elbasanit. Nana shplodhesh ke shtëpia e babës – shtëpia ku u rrit, I njejti hajat që vizitojnë sot me kureshtje turistët. Ajo e pinte nji kafe e çmallesh me kushërinat e veta të cilat jetonin ende aty. Pastaj përdore, merrnim udhën për në Namazja.
E maj men’, kur dilte e veshme kam e kokë dekadash me petk të zi qysh e re fare, pa lindë ne: çorape të zeza, këpucka me takë të ulét elegante që shndrinin fap fap ka larg, dilte para na priste kur ktheheshim nga pushimet e Korçës a nga shkolla. Kado shkonim a ktheheshim ne, ajo dilte gjithnji përqafje-para… Hidhte nji sharp të madh mnafshi të zi që dukesh si ta përkdhelte era Elbasanit mbi kryn e imët lidhun fort fort po me të zi. Dallohesh qysh prej axhensisë së vjetër qysh larg “gruja e mnafsht” me të zeza kokë-e-kam, me nji buzëqeshje vesh më vesh tek na shifte. ‘Ja nana’ thosh mami tek merrnim çantat. ‘E shef Nanën Hortenca?’
Buzëqeshte nana ime.
E kujtoj pranë stufës bubulake, mes aromave të dashme dhe bukës s’thekme, gjithnji nana me një pendë zogu aty përkrah…
Me nji shtator na përcillte Ajo çdo masdite në klasat tona fillore. I porosiste premë mësueset tona elbasanse “të banin kujdes dhe të na ulnin në bankë të parë”, kuqesha unë:) – ajo veç atëhere shkonte kur sigurohesh:), “se ‘isha goca e vetme e çunit e ajo më kish nën kujdes”. E shof ulë në kopshtin e portokalltë me sqemlen afër tuj qënis me grep. Portreti i tim vllai 5 vjeç aty pranë prehnit të saj…
Ato qenë vitet e saj të qeta besoj. Shpresoj. Djemtë u rritën dhe punonin, Momën e kishin Perëni. Mund ta ftofte ballin, te ndalesh ti merrte aromë kopshtit. Dhe uroj me gjithë shpirt ne të vegjlit i dhuruam më shumë gëzim sesa rrëmujë dhe munim.
Ajo për mu asht nana e zjarrit që ngrof ma fort, e tavës s’amël dhe durve t’lumta e po të kam kaq mall Nane! I bante Daj Homeri ka nji fotograf pa menje ke stufa kur gatunte a në kopsht tuj qënisë. Apo në plazh në Pogradec ku shkonim vetëm ne të katërt përvit, unë, Mandi, Daj Homeri e Nana – ajo na vrojtonte lojnat nga rana liqenit dhe na gatunte përditë tava Elbasani. Sikur ishim n’Elbasan na dukesh me Nanën aty – vetëm ajo dhe ajo vetëm mund ta binte Elbasanin me vehte… E mira kthente ata sytë e amël dhe vente buzën gjys-a-gaz kur shkrepte i biri “click”
Nana ime e tregimit të jetës përgjys.
Nji si dritare për mu, lidhëzë e nji bote tjetër prej nga unë vij, por me dyr mbyllë tashma. S’kish nevojë të m’i fliste tregimet; I shifsha, mjaft që Ajo qe. Se nuk dëftente ajo derte, asigja! Jo mu… Ato qen mbyllë në sirtaret pa fun’ të shpirtit të rinisë së saj të vjedhun. Të dhimbës.
Mjaft që qe për mu, po i shifsha… I ndija unë…
Ajo qe! E vetmja! E fëminisë së tim Eti; shenja e tim Gjyshi.
… Paçka sa shumë foto kishim ne, sepse Daj Homeri ishte i apasionum mbas fotografisë, gjuhëve, librave, gjithçkaje – ne si fmijë kemi pas dhjetra albume, ditlindje, shfaqje familjare e mija foto prej tij. Por, Portreti i Fismë i Atyne t’Dyve Mretnonte i Veçëm në mur mu ke Kreu setrit të kuzhinës së fminisë… Dhe ajo – qe e vetmja foto dhe i vetmi tregim që ajo gru i lejoi vetes së shenjtë!
E shihja portretin e vemendur tek rritesha, si me dashtë me puq fillin e këputun. Kërkoja të shoh vitet që pasun, për të cilat rrallë flitej… edhe kur flitesh, zani i të rritunit pëshprinte i largtë si nga nji botë po aq e largme… atëbotë ku gjendesh përjetë e dhunume pajetueme fminia…
Por fotoja qe ç’ka mbante ma tregim për mu. Sepse qe e vetmja vanë aty në ballë, tek rritesha, mësoja, luaja. Dhe ishte çuditërisht po e njejta fotografi që askush se dëfteu, thjesht ma la aty Të Parë! – sytë e tyne m’i ndiqnin çapavoglat çdo çast… unë hyja dhe dilja nga dhoma e viteve të vogla.
Gruja në foto… dukesh shekuj larg nanës sime rrëgju. Edhe pse nuk kishin shku shekuj aspak. Edhe pse portretin e gjeta të parin aty në mur kur linda, ishte vendosë kur çunat ndërtun pak nga pak shtëpinë e re krah asaj të gjyshes dhe po aty mbeti kur shkova.
Mirë vujtjet, heroizmat e ktyne grave ngjajnë me kangë ngjethse – copëza ma e mermertë e trullit tim – po andrra? Po andrrat?! A ëndërroi ndonjëherë ime gjyshe n’ato vite të frikshme që pasun kur qe shumë më e re se unë? Unë ende kam andrra të bukura pa fund. Çfarë ndodhi me të sajat? Me ngjyrën…
Nuk munda ta pyes për këtë, se prap e parritun mirë qeshë kur shkoi, këtë të vetmen pyetje e kam peng dhe veç ajo e dinte përgjigjen… Ku janë fotot e saj prej 47-ës e derisa lindëm ne? A gjendet ndonji e buzëqeshun?
Po nana asht në t’gjitha buzqeshjet dhe fotot tona edhe ku s’asht, në çentrot kristala-bore. Kur e pys mamin për ndonji recetë gatimi mësimi fillon gjithnji me fjalët: “Moma e bante kështu, do i hedhësh kështu e kështu”. :)…eh, vështirë të besosh shkuan 42 vjet, ajo pa të dytë në tana tregimet. Ishte ajo pa jemi ne! E fismja, kokënalta! ndaj mbetëm ne;
Qëndroi ajo ndaj linda unë t’i shkruj ime kujtimet.
E kam tek dhelet dhe përparsja ime e shkollës që mbeti përgjys-kujtim mbi makinën qepse Singer të saj kur shkoi me nxitim; tek jakat e bardha me dy kokla lojnatare përfund lidhseve; tek fjongot që m’i godiste ajo para shkolle: flutra kokfortë duhesh ngjit me qafën paçka lutjeve të mija:), se ashtu ia kishte ënda asaj flutrat të fisme – të qeta, jo shumë të zhurmshme. Hapat e Nanës t’lehta nëpër sokak me magrip t’moçëm i ndiva të parat kur vizitova së fundmi shtëpinë e fminisë ke namazjaja; e kam tek lulja Emit dhe Arbit, ajo e Silvës.
Ke të gjitha selvitë që janë t’mijat asht dhe ajo ke t’gjitha – bekim nane. Ke pema e Babit -qershiza që loton këtu e kam, ngado! Ajo asht tana lulet, lotët, kujtimet. Tana të shtrenjta, në prehën e në shpirt.
…Por nuk dëfteu asiher lotë e vujtje nana vesh kok’ e kam’ me zi. Jo mu…
Qëndistarja ime e Bardhë –
Portreti i gjyshërve të mi ke dhoma “e zjarrit” të feminisë”
Et’hem & Burbuqe Haxhiademi në Mars 1942~ në 40 vjetorin e Gjyshit. Nana 28 vjeç, shtatzanë me një nga fëmijët, me bijën e vet – Hallë Alemshahun ka gjasë sipas datave. Halla mbante emrin e mëmës së Gjyshit të cilës ai i ka kushtu poemën tragjike “Nata e Zezë” të vëllimit “Lyra”. Shplodhet tashmë me Nanën përqafë në përjetsi.
Në këtë Përvjetor, bijat po të dun fort fort Náne xox. Të kujtojmë gjithnji, e di? Gjithnji gjithnji.
Ti je, përjetë në tregimin e zemrës sime 🤍
Burbuqe Haxhiademi (Sejdini)
Elbasan 31 Gusht ‘84 ~ U.S. 31 Gusht ‘26
#BurbuqeHaxhiademi #EtëhemHaxhiademi #EminHaxhiademShijaku (Sr) #EminHaxhiademi (Jr) #HomerHaxhiademi #AlemshahHaxhiademi
#GruajaPoetit
Love, Hortensia x

Daja qe veç yni dhe vetëm i qiellit më duket tek e kujtoj…
Në këto dy përvjetore të mdhenj të urojmë Daje,
 ajo jeta tjetër dhe ditëlindat në heavens qenë po aq me ngjyra, shenja, kujtime – sa i bane ti tonat.
Me shumë dashuri dhe mall,
Mandi & Hortensia
Kujtimet e fminisë nga Homer Haxhiademi ~

Elbasan, Gusht 1946 ~ Elbasan, Janar 1987
Tetëdhjetë vjetori i lindjes dyzet vjetori mallit

***
Unë, eh…
Sikur kam këtë valixhe të malltë plot rrfenja e lule e marr ngado me vehte, ngado që shkoj s’më ndahet; e mora në zemër që kur hipa atë avion të fundit. Apo që kur shkoi Babi, s’e di…
And that’s Ok. Mund të jetoj me atë peshë. Ajo asht OK. Ç’ka asht njeriu po nuk e diti nga vjen e ku shkon?! Gjithnji zgjidhet nji nga – nuk e di nga zgjidhet – ti mbajë kujtimet. Nuk janë tana të trishta… tana imazhet, ka plot xixa bota e tyne. Çudi Çudi. Ndaj si duket i mbaj dhe unë kaq fort, do kem dhe unë ka pak nga tingujt e tyne, i thitha qysh e mitur ato xixa që më falën – I fjalos gjithnji. Njerëz të çuditshëm. Tragjikë me xixa…
Fotot ke mermeret i ka ba mami, gjithnji më le vetëm në fund kur vizitojmë atë vend të shenjtë. Pasi ia ftofim ballin, kur marr lulet që presin në hijë, ajo ulet ke trotuari aty jashtë rrethinave dhe selvive të Babës e shplodhet… dhe me le qetsi t’u them lamtumirë. Dekada lamtumirash për të Dy, sa shumë. Sa mall… E kam gjithnji nji paqe t’shpirtit që Babi asht me vllan e vet aty përqaf. Aty njit bisedojnë të dy si nji kohe.
Mami më pret ke bordura jashtë, s’më ngut; ban këto fotot kahera; Unë i ngarkoj dhe ato si at fluturim të parë në heshtje… për udhë të gjatë – i marr me vete gjithnji. Ata më m’sun çdo moment asht i shtrenjtë, asnjëherë mos harro ç’ka ndrin;
kujtesa dhe harresa nuk janë peng i moshës aspak dhe se sa e vorfnon ti veten tek vitet shkojnë varet veç nga ty. Edhe kur vojti im vlla këtë verën e fundit që s’isha, ajo m’i nisi fotot. E di ajo më qetsojnë në ditët e tyne. Sikur u vendos prap lule kur vijnë ditët e Tyne e kur unë s’mundem… ua ndrij me ujë të ftofët emnat tanë dritë. Jam aty… Koha shkon. I kam mbajtë kaq fort kujtimesh sa i ndij këtu. Edhe, më ndihet gjithnji sikur duhet edhe nji përqafje edhe asht e fundit…
Sa jam du me u vendosë lule përditë, i du me mu përditë! të kujtohen përditë! – se frankly nuk kam hasë sot jetë ma dinjitoze se ajo e Babës! Kështu në nji farë mënyre edhe Ata të Mirët vazhdojnë jetojnë në ne. Më e mirë kjo botë e sotme e çmenme me Ta në të…
Dhe asgja s’ka ndryshu e di?! Po pjellat e baballarëve të zinj po e dhunojnë truallin tonë si në netët me acar… Duket sikur vetëm selvitë janë tashma tonat…
Cilët do na pengojnë të përkujtojmë?! Ne thjesht të ikun të zbum që kur shkum ne e Ata shkun… Ne mundëm vetëm të vendosim lule në mermer. Dhe letër.
Imja, do jete lulja e fundit besoj…
Ne të dyja vazhdojmë me rrallë pastaj tek Gjyshi në mes ke çesmja që gurgullon varg, e pastaj ke Nana & Halla – të dyja prehen me skajin tjetër mu ke porta e venit. Dhe i lutem me sy mamës që e kam munu kaq shumë këto dekada me vorret e mija, i lutem ke porta të më presi edhe nji çast sa të vrapoj edhe njiherë, aty ke dy selvijat e palmat në hije… t’u them dhe nji here lamtumirë. Ajo asnjiherë s’ma thyn zemrën – aty asnjihere “jo”, pret.
…Mermeri paska fillu me u tha amël amël. Ata të dy të bukur më shofin me ata sytë e mençëm si atëhere. Fillon knon nji zog…
…dhe shkoj.
h. Haxhiademi në këta Përvjetorë xx
U.S. Gusht ’26

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit