back to top
21.5 C
Tirana
E martë, 8 Tetor, 2024

Grotesk si në gërmimet e Tares nga Kolec Traboini – rreth letrës që Bilal Xhaferri i ka shkruar Enver Hoxhës

Gazeta

Bilal Xhaferri (Hoxha) (1935-1986)
Bilal Xhaferri (Hoxha) (1935-1986)

Grotesk si në gërmimet e Tares

nga Kolec Traboini

rreth letrës që Bilal Xhaferri i ka shkruar Enver Hoxhës

Kaq qesharakë janë bërë këta që luajnë me materialet e dosjeve që zyrtarisht janë të mbyllura, por në qarkullim dalin soj e soj sajesash, sa arrijnë të bëjnë edhe libra me këto zbulime, kur ligji për dosjet ende nuk është miratuar. Dhe më tej, të vjen vërtet të thërrasësh në kupë të qiellit, sepse kur duan i hapin dosjet, kur nuk duan nuk i hapin, madje i grisin, i fshehin, i djegin. Por tani me kërkime si këto të Dashnor Kaloçit në “Kadare i denoncuar”, po ndodh një çudi e padëgjuar më parë. Na zbulojnë një letër të Bilal Xhaferrit (lexo letrën e Bilal Xhaferrit botuar në “Gazeta Shqiptare” 7.11.2015 ) që na e paska dërguar drejtpërdrejt për Enver Hoxhën e ku na flet kundër Ismail Kadaresë. Madje duke e akuzuar atë dekadent dhe veten të pastër qelibar e margaritar i partisë!!!

Libri i Dashnor Kaloçit - “Kadare i denoncuar”
Libri i Dashnor Kaloçit – “Kadare i denoncuar”

Të gjithë ne që e kemi jetuar atë kohë e dimë mirëfilli furinë e egër me të cilën u lëshuan kundër Bilal Xhaferrit tërë kalemxhinjtë e partisë. Kaq i egër ishte turri i militantëve partiakë me ideologun komunist Fadil Paçramin në krye, sa po të mos qe arratisur Bilal Xhaferri, ishte e sigurt që do të pushkatohej, sepse kundër tij ishin lëshuar ndërkohë edhe çakejtë e sigurimit. Madje nuk është aspak enigmë vdekja e tij. Edhe atje, në Çikago të Amerikës e gjetën.
Bilal Xhaferri në Amerikë nuk u përzie me atë pjesë të komunitetit që ishte e organizuar, sepse ekzistonte rreziku që agjentët e sigurimit të kishin infiltruar në to, por mblodhi rreth vetes njerëz të besuar. Në vitin 1970, kur shkoi në Amerikë e deri sa kishte frymën gjallë, ai u bë armiku më i madh i komunistëve shqiptare. Le të prekim vetëm disa momente. Në vitin 1978, Bilal Xhaferri i shpëton një atentati e mbetet i plagosur. Në vitin 1981, i djegin zyrat e revistës “Krahu i Shqiponjës”. I digjet thuaj e gjithë krijimtaria. E përjetoi si tragjedi të madhe këtë humbje, por nuk reshti së punuari si një veprimtar i madh në Komunitetin Shqiptar të Amerikës. Nisi të shfaqte shenjat e para të një sëmundjeje dhe i nënshtrohet operacionit. Hyri për të bërë një operacion në kokë, që doktori amerikan e konsideroi të suksesshëm, por Bilal Xhaferri kurrë më nuk u përmend, më thoshte Prenk Gruda në Amerikë, i cili e kishte njohur dhe e kish strehuar Bilalin në shtëpinë e vet. Kështu jeta e tij u shua në Çikago, më 14 tetor 1986.
Por Bilal Xhaferrit nuk iu ndanë denigrimet e shpifjet as pas vdekjes. I anatemuar nga komunizmi, por edhe i lakuar në segmente të caktuara që punojnë për të lartësuar një figurë a një tjetër e për të poshtëruar të tjerë, po ashtu me dëshirën e zjarrtë të krijojnë disidenca të paqëna. Një donkishotizëm ky perfekt për kohën tonë marroke, sepse disidencë të hapur në Shqipëri nuk ka pasur. Aq më tepër shkrimtarët korifenj të komunizmit, që ishin kthyer në monumente për së gjalli e mbroheshin nga diktatura, nuk mund të ishin shprehës të kurrfarë disidence. Por gjithsesi grafomanët nuk do t’i ndahen edhe 40-vjet pas vdekjes Bilal Xhaferrit. Ka diçka që i mundon të gjallët kur kujtojnë madhështinë e të vdekurve. Poeti i burgosur dy herë nga diktatura, Frederik Rreshpja, thoshte për shkrimtarët zyrtarë, korifenj të socializmit, se këtyre ua gërvisht kristalin vetëm elmazi (diamanti) i mprehtë i Bilal Xhaferrit. Frederik Reshpja, ky lirik i madh, që përpiqen ta harrojnë pasi e spiunuan grafomanët e kohës, e konsideronte Bilal Xhaferrin shkrimtar të madh e të panjollë.
Po nuk janë të një mendje ata që punojnë me klane e tarafe, që marrin titullin profesor me ca studime laramane, të cilët shpikin e shpifin disidenca e Bilal Xhaferrin e anashkalojnë apo dhe e shpifin. Dhe një mrekulli e shtypit tonë marrok ishte edhe versioni që u hodh në media sikur Bilal Xhaferrin e dërgoi në Amerikë sigurimi i shtetit komunist shqiptar. Gjetën dhe një oficer kufiri të rrjedhur nga trutë, që mbante mend se ditën kur iku Bilal Xhaferri në Greqi, na qenkan fikur dritat në postën kufitare. Kështu kapen shpifësit pas budallenjve dhe lançohen si studiues, marrin tituj e ndere, gjejnë mënyra për t’i futur librat e vet në listat e librave të rekomanduar nga Ministria e Arsimit dhe kësisoj mbushin xhepat vet me lekë e kokat e studentëve me marrëzira. Nuk kaloi as një vit nga shpifja me sigurim që kurrkush nuk e gëlltiti si histori e tani na zbret nga qielli me “deux machina” një libër i ri siç e publikon lajmin gazeta Mapo, ku na u zbuluaka për herë të parë një letër e Bilal Xhaferrit dërguar Enver Hoxhës. Dhe ku Bilali na e akuzuaka Kadarenë dhe “Dasmën” e tij si një dekadencë e jo një letërsi proletare. Duke qënë se e dimë atë kohë, dhe aq shumë është përfolur për atë mbledhje në Lidhjen e Shkrimtarëve, të vjen çudi se si qënka ruajtur kjo letër për 25-vjet pa u parë nga askush, por pikërisht nga Dashnor Kaloçi. Dhe ky drejt e në një libër pa iu nënshtruar ekspertizës së specializuar, duke bërë kështu show-n e rradhës në shtypin tonë bulevardesk që shushat mendjet e lexuesve me këto zbulim-shpik shpifje.
Pse e them këtë. Se ajo letër, te cilën e lexova me vëmendje, nuk mund të mendohet se është shkruar nga Bilal Xhaferri. Të paktën nuk është konceptuar nga ai. Ajo në të vërtetë jep hollësi, por është një letër cerebrale, e shkruar me gjak të ftohtë dhe me kujdes madje të tepruar për të dhënë detaje për gjithçka që kishte ndodhur kohët e fundit në Lidhjen e Shkrimtarëve. E pabesueshme që Bilal Xhaferri, ky mjeshtër i fjalës së shkruar të shprehej kaq thatë në një situatë kur jeta e tij rrezikohej nga çasti në çast. Dhe letrën e paska shkruar në Fshatin Kullë, më 31 dhjetor 1969 (shih “Gazeta Shqiptare” dhe web-sitet elektronike ). Por more të uruarit e perëndisë, shpikës të letrave që na i shkruajnë të vdekurit nga varri, Bilal Xhaferri është arratisur më 30 gusht 1969, pra 4 muaj para se të shkruhej letra e paraqitur si zbulim i madh nga Dashnor Kaloçi dhe që po bën xhiron e rradhës në të gjitha faqet e shtypit. Dhe për më tepër në përmbajtje të letrës, Bilal Xhaferri na i raportuaka Diktatorit se vitin e kaluar kish botuar dy libra “Njerëz të rinj – tokë e lashtë” dhe “Lirishta e kuqe”. Po si mund të shkruante pasaktësi të tilla autori i librave, kur librat qenë botuar i pari në 1966, pra tre vjet më parë, dhe i dyti në 1967, pra dy vjet më parë nga data e shpikur 31 dhjetor 1969. Kuptohet se çdo letër e sajuar nuk i shpëton pasaktësive, edhe në këtë zbulim zbritur nga qielli ndodh e njëjta gjë. Por edhe sikur e vërtetë të ketë qenë ajo nuk thotë asgjë, por është thjesht fjala e fundit e një të dënuari me vdekje, sepse në atë gjendje ndodhej Bilal Xhaferri, kur të tjerëve, të cilët sot na dalin si disidentë nuk u hynte ferrë në këmbë dhe madje hanin dreka e darka me diktatorin.
I dimë mençuritë popullore për të gjallët, por që në Shqipërinë e çudirave funksionuakan edhe për të vdekurit “Shpif shpif se diçka do të mbetët”, por proverbiale janë edhe fjalët “Gërmo Tare, gërmo se qenin e ngordhur ke për të gjetur!”.
Nuk u harrua kurrë zanati i gërmimin në këtë tokë të shqiponjave, por së shumti dëgjohen edhe çakej dogmatikë.

Monumenti i Bilal Xhaferrit (Nderi i Kombit)
Monumenti i Bilal Xhaferrit (Nderi i Kombit)

Zbulimi i letrës së Bilal Xhaferrit për Enver Hoxhën

Letra, që sipas Dashnor Kaloçit,

është shkruar nga Bilal Xhaferri drejtuar Enver Hoxhës:

I dashur shoku Enver
Unë që po ju drejtohem me këtë letër jam një punëtor. Ju shkruaj për një çështje që është çështje jete për mua, bile akoma më shumë, se i kalon kufijtë e jetës sime personale dhe tani vetëm ju jeni njeriu që do ta zgjidhni përfundimisht e me drejtësi.
T’ju tregoj me dy fjalë biografinë time.
Babai im ka qenë në radhët e Ballit dhe është pushkatuar në fillim të vitit 1945. Megjithatë, pavarësisht nga rasti i tim eti, familja jonë, duke filluar që nga Hoxha Tasimi, ka qenë një familje patriote.

Prindët e Bilal Xhaferrit
Prindët e Bilal Xhaferrit

Unë jam rritur jetim. Kam hyrë në punë që kur isha fëmijë dhe sot kam 17 vjet që jetoj e punoj në gjirin e klasës punëtore, si punëtor i thjeshtë në prodhim. Nuk kam mundur që të marr arsim dhe të kryej studime, por duke punuar në mënyrë autodidakte jam përpjekur të grumbulloj pak njohuri dhe të stërvis dorën në letërsi artistike. Si rezultat i përpjekjeve të mia, vitin e kaluar u vu në qarkullim një vëllim i imi me tregime dhe u botua edhe një vëllim me poezi; gjithashtu, shtëpia botuese “Naim Frashëri” përgatiti për të futur në shtyp një roman, të cilin e shkrova me rastin e 500-vjetorit të Skënderbeut.
Shkurtimisht kjo është biografia ime. Dhe tani, që të mos e zgjas dhe të mos ju shkurtoj minutat tuaja të shtrenjta, po vij te çështja për të cilën vendosa t’ju shkruaj.
Në pranverën që shkoi, u organizua në Tiranë një diskutim letrar rreth romanit “Dasma” të shkrimtarit Ismail Kadare. Atje u ngrita dhe unë të shfaq mendimet e mia. Fola kundër këtij romani. Si pasojë, ndodhi një skandal që mori më vonë përpjesëtime të bujshme. Shoku Fadil Paçrami që foli pas meje, njoftoi sallën që unë kisha babanë të pushkatuar dhe më deklaroi mua si armik, kurse romanin “Dasma” e vlerësoi lart. Me autoritetin e tij ai përcaktoi qëndrimin që do të mbahej më vonë kundrejt meje. Më pushuan nga puna. U ndalua vënia në qarkullim e vëllimit tim me poezi dhe romani im u tërhoq nga shtypi. U morën edhe masa të tjera kundrejt meje. Kështu, ngjarjet ndoqën ngjarjet dhe tani unë ndodhem në një gjendje ku shpresa e vetme jeni vetëm ju, është gjykimi juaj.
Nuk dëshiroj t’i kundërvihem një anëtari të Komitetit Qendror, siç është shoku Fadil Paçrami, as nuk dua ta paraqes veten si një viktimë e pafajshme, por megjithatë, në ndërgjegjen time unë nuk jam i bindur që ta quaj veten fajtor, dhe, gjithashtu, akoma nuk jam i bindur që të pranoj se kundrejt meje janë sjellë me drejtësi partie, me drejtësi proletare. I thonë një fjale: “Jepja pëllëmbën tjetrit, sipas faqes”.
U ngrita kundër romanit “Dasma”, se ai më dukej i gabuar fund e krye në brendinë e tij. Vlerat që i atribuoheshin, sipas meje, ishin vetëm vlera në dukje. Por, që ta çmosh një vepër letrare vetëm nga dukja e saj e jashtme, të verbohesh nga shkëlqimi i stilit plot ekstravagancë, pa shikuar brendinë reale, pa zbuluar kuptimin e vërtetë të gabuar në esencë, kjo do të thotë që ta çmosh atë vepër vetëm për sytë e bukur. Një shkrimtar i mirë revolucionar, nuk duhet të abuzojë me idetë e mëdha të partisë, duke i përdorur si prestigjator tezat dhe parullat e partisë, vetëm sa për të bërë efekt, vetëm sa për të krijuar iluzione te lexuesi.
Lexuesi e ka ndjenjën e së vërtetës dhe të realitetit dhe kërkon një letërsi të vërtetë dhe realiste. Ai di ta dallojë atë që shkruhet nën flakën e fantazisë së një shkrimtari, prapa së cilës zvarriten hije mendimesh të shkapërdisura, zvarriten kapituj të mbështetur në rërë simbolesh e konvencionesh të errëta, të mbështetura në pajandime frazash me kuptime të papërcaktuara, të dyfishta.
Romanin “Dasma”, unë e denoncova si një vepër të shkruar shumë larg metodës së realizmit socialist dhe të rënë nën ndikimin e artit dekadent. Nuk ngul këmbë që vetëm si them unë duhet të jetë dhe që vetëm unë duhet të kem plotësisht të drejtë, por sidoqoftë, mendimet që kam shfaqur, jam në gjendje t’i mbroj gjer te presja dhe te pika e fundit, kundër interpretimeve të shtrembra që u janë bërë. Atje unë nuk bëj aluzione, por flas hapur, saktë dhe direkt, duke marrë në analizë të metat e romanit.
Diskutimi im është bërë me shkrim dhe ekziston si dokument. Le të merret ai në shqyrtim dhe le të thirrem unë që të jap llogari për ato që kam thënë atje. Jam i bindur gjer në vdekje, se e drejta është me mua për sa i përket thelbit dhe qëllimit të kritikës sime kundrejt romanit “Dasma”, dhe gjithashtu për sa u përket çështjeve të veçanta më të rëndësishme që trajtoj unë në atë kritikë.
Unë jam punëtor dhe kam shtatëmbëdhjetë vjet që punoj me djersën e ballit. Kam punuar si minator, hekurkthyes, hidraulik, punëtor krahu në bujqësi, në ekspedita gjeologjike dhe në fabrika si teknik ndërtimi, në punime rruga-ura dhe vullnetar që në aksionet e para. Kështu, në gjirin e klasës punëtore po kaloj gjithë rininë time. Ndokush mund të përmendë babanë tim të pushkatuar. Megjithatë, prapëseprapë, unë jam punëtor. Mua nuk më ka rritur dhe nuk më ka edukuar babai im, të cilin nuk e mbaj mend dhe nuk e njoh, por më ka rritur dhe më ka edukuar klasa punëtore. Dhe, në qoftë se duhet të flitet për atësinë time, unë jam bir i klasës punëtore, i brumosur me idealet e saj. Unë vij drejtpërsëdrejti nga zemra e kësaj klase.
Këtu jam rritur që kur isha fëmijë i njomë, këtu njoha gëzimet dhe hidhërimet e jetës, këtu mësova të shkruaj, të dashuroj dhe të urrej, këtu gjeta frymëzimin, heronjtë, gjuhën, subjektet dhe motivet. Pavarësisht nga gabimet e mia të mundshme, pavarësisht pastaj nga antipatia dhe opinioni i keq që mund të kenë persona të veçantë kundrejt meje, unë mbetem gjer në fund bir i klasës punëtore dhe i Partisë së saj të punës. Në qoftë se ka njerëz që e kanë ndërgjegjen flori kundrejt klasës punëtore dhe kundrejt partisë, unë jam nga ata që e kanë margaritar. Unë kam dhënë prova për këtë, në çfarëdo kushtesh që jam vënë; kam dhënë prova në punën dhe qëndrimin tim si njeri, si qytetar dhe si punëtor, kam dhënë prova me veprën time modeste letrare, ku pasqyrohet shpirti im, mendimi im, qëndrimi im ndaj çështjeve të popullit dhe të socializmit.
I dashur shoku Enver
Unë e kuptoj mirë domosdoshmërinë për të zhvilluar luftë ndaj armikut të klasës, si dhe mprehjen e vigjilencës në kushtet aktuale të thellimit të revolucionit tonë, por njëkohësisht e di se Partia nuk gjykon thjesht në bazë të konceptit patriarkal të gjakut dhe nuk mund të më dënojë mua për babanë tim. Unë dua të gjykohet për jetën time. Le të më bjerë mbi kokë dënimi më i rreptë i Partisë dhe i popullit, në qoftë se kam devijuar nga çështja e Partisë dhe popullit dhe në qoftë se këtë e kam bërë me ndërgjegje dhe me qëllim, po kot së koti, pa faj, jam i bindur se nuk do të dënohem, nuk do flakem tutje. Me këtë ndjenjë të palëkundur bindjeje dhe besimi, ju drejtohem juve, që jeni njeriu më i dashur dhe më i drejtë për të gjithë ne.
Pse t’jua fsheh, shoku Enver? Jam në një gjendje të rëndë, plot ankth dhe dëshpërim, dhe më duket sikur më kanë mbetur vetëm dy rrugë në jetë: ose të më jepet përsëri e drejta e botimit, e drejta që t’i shërbej çështjes së Partisë dhe popullit, ose të hidhem nën rrotat e trenit, se nuk duroj dot që të vegjetoj kot, në një jetë pa kuptim, larg problemeve të mëdha të kohës, larg artit tim.
Mbetem në pritje, me shpresën te ju.
Këtë mbrëmje të Vitit të Ri, ju uroj jetë të gjatë dhe forca të reja, ju uroj të jetoni edhe më
shumë se 60 vjet të tjera.
Me respekt të thellë
Bilal Xhaferr Hoxha
Kullë, 31.12.1969
Për më tepër http://gazetadielli.com/zbulimi-i-letres-se-bilal-xhaferrit-per-enver-hoxhen

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.