back to top
1.5 C
Tirana
E mërkurë, 18 Shkurt, 2026

Gomari i madhërishëm – satirë nga Rezar Palluqi

Gazeta

Rezart Palluqi
Rezart Palluqi
Gomari i madhërishëm – satirë nga Rezar Palluqi

Me të vërtetë i gjeti belaja gomerët e shkretë: jo, pak, por 999-të veshëgjatë. Ishin shtrirë bukuroshët për shtatë palë qejfe në livadhin e gjelbër. Nja pesë prej tyre po zhgërryheshin pakufi, saqë shtresa e barit u zhduk e tëra nga faqja e tokës. Disa të tjerë po këndonin këngët e zakonshme të gomerëve. Ato i thurin zakonisht lavde gjëmbaçëve jeshilë ose ëndrrës për të këputur litarin prej trungut të pemës. E gjithë kjo hare u fashit brenda sekondës kur papritur mes tyre ra nga qielli një gomar i veçantë. Menjëherë gomerët vërejtën se ky gomar i paparë fliste një gjuhë që ata mezor se e kuptonin. Nuk mbarte në kurriz samar, dhëmbët dhe gojën i kish më të vegjël se të tyret. Koqet dhe bythët i kish të mbuluara. Me ta parë këtë, gomerët qeshën në fillim.
Dhe kur gomari qesh, nuk ka kafshë më të bukur në botë.
-Nuk po më njihni more vëllezër? – i pyeti gomari mysafir.
-Jam sivëllai juaj i veçantë. Kam ardhur t’ju shpëtoj prej urisë, t’ju riparoj stallën dhe sa të jemë unë gjallë juve nuk do t’ju lidhë më askush në bythën e pemës apo shtyllës.
-As që kemi dëgjuar prej jush zotrote – iu përgjigjën disa prej gomerëve njëzëri. Të tjerët filluan të zgërdhihen dhe çuçurisin nëpër dhëmbë pyetjet: Sa të shkurtër që i paska veshët?! Po koqet dhe bythën përse i paska mbuluar? Putrat e këmbëvë të mbrapme i paska të mbathura me ca copa llastiku të bardha, ndërsa putrat e përparme qënkan më të vogla dhe u përbërkërkan prej pesë gishtërinjsh.
-Ku ka lindur zotrote?- e pyeti drejtori i gomerëve.
-Kam lindur në fshatin e madhërishëm të Surrelit, ndaj dhe më thërrasin gomari i madhërishëm!
-Pho, pho! – u shfryen gomerët njëkohësisht. As që e kemi dëgjuar ndonjëherë këtë fshat. Buzët e poshtme iu tundën si susta krevati.
Ndërkohë gomari i madhërishëm shkarkoi ushqimet që kish sjellë për ta. Qindra kilogramë sallam, salçiçe, bukë të butë,
Gjatë ditëve të para gomerët u ndjenë mjaft të lumtur. Pëllisnin prej lumturisë saqë disa prej gomerëve iu zgjat gjuha prej këngëvë. Disa të tjerëve iu ranë disa dhëmbë. Mirëpo lumturia nuk zgjati shumë ngaqë gomari i madhërishëm jo vetëm që nuk ia ndreqi stallën, nuk ia zhduku urinë, por përkundrazi, u kërkoi gomerëve dy gjëra mjaft absurde:
Ta mbanin atë në kurriz. Dhe të ecnin duke përdorur vetëm dy këmbët e mbrapme.
-Në këtë botë numërohen dyzet milion gomerë. Por deri më sot nuk na kanë dëgjuar veshët, as na kanë parë sytë që gomari të mbajë në kurriz gomarin, sado i madhërishëm që të jetë ky, dhe më e tmerrshmja: gomari të ecë mbi dy këmbët e mbrapme. Ku është parë kjo? Pikë e zezë ç’na gjeti!
Mirëpo gomari i madhërishëm nguli këmbë në të tijën.
-Ju mund të jeni dyzet milion gomerë nëpër botë , por askush prej jush nuk e flet më bukur gjuhën e gomerëve, sesa unë. Askush prej jush nuk mund të ecë vetëm me këmbët e mbrapme, si unë,- përsëriti për të satën herë gomari i madhërishëm, dhe demonstroi plot arrogancë e krenari ecjen e tij dykëmbëshe.
999 gomerët edhe pse të zemëruar me të, u mahnitën prej trupit gjatosh të gomarit të madhërishëm, pothuajse dy metra. Çfarë hijeshie që kishte ajo gjatësi e vetme, atje, në zemrën e turmës se gomerëve shkurtabiqë. Sa e pangjashme ishtre koka e tij, e stolisur me veshë të vegjël, shumë herë më të vegjël se veshët e gomerëve.
-Kini besim në gomarëllëkun tim. Nuk mund të gjeni mësues jete më të mirë se mua. Në të vërtetë unë jam ndryshe nga ju. Por, këtë e ka paracaktuar hyjnia e madhërishme. Prandaj, edhe unë e konsideroj vehten time, gomar të madhërishëm. Ai, që e vë në dyshim këtë, është ÇYRYK- gomari i madhërishëm e trashi zërin në fjalinë e fundit.
-I nderuar gomar i Surrelit! Na e fal mosdijen. Çdo të thotë fjala ÇYRYK?- pyeti një gomar i moshës së tretë,
-Çyryk është cdo gomar që nuk ecën mbi dy këmbë, nuk mëson gjuhën time dhe nuk këndon çdo mëngjes:

Votoni për mua!
Votoni për mua!

“Lavdi të përjetshme për gomarin e madhërishëm të Surrelit!”
U desh kjo deklaratë e gomarit të madhërishëm që nëntëqind e nëntëdhjetë gomerët të ngiheshin në kryengritje, që në fakt, tashmë kishin mbetur katërqind e nëntëdhjetë gomerë. Pjesa tjetër ish arratisur drejt maleve të Greqisë, duke notuar drejt Italisë e shumë më tutje. Kjo ndodhi ngaqë qysh prej kur gomari i madhërishëm i pakësoi bukën, ata iu kthyen kullotës. Mirëpo, gomari i madhërishëm i kish mbjellë kodrat ku ata kërkonin ushqim, me një bar jeshil, të cilin gomari i madhërishëm e korrte çdo mëngjes, ziente në çajere dhe e pinte çaj derisa i fryheshin sytë si BUF. Veçse tjetër gjë u ndodhi gomereve natyrorë. Me ta ngrënë barin, një pjesë e gomerëve nuk këndonte dot më, pjesa tjetër pëlliste si mace ose kakarisnin si pula llapazane. Mbas një kontrolli urgjent prej gomarit mjek, doli sheshit se bari quhej hashash.
Ky gomar i marrë na vodhi këngën duke na ushqyer me këtë bar të mallkuar. Epo, këngën ne na e vjedh vetëm zoti. E jo ky, gomar që na qenkërka kokrra e mashtruesit; që herë ecën mbi katër këmbë, e herë mbi dy këmbë.
Gomari i madhërishëm u tmerrua kur dalloi veshët e katërqind e nëntëdhjetë gomerëve të ngrihen si me magji njëkohësisht drejt qiellit. Mbas kësaj, gomerët u derdhën me furi drejt gomarit të madhërishëm, i cili u fliste atyre nga ballkoni i vilës së tij, në Surrel. Kësaj herë kishte dalë lakuriq. Truprojet e gomarit të madhërishëm hapën zjarr. Por, si për çudi, asnjë gomar nuk u plagos. Plumbat rrëshqitnin mbi lëkurën e gomerëve njëlloj si patinat mbi akull. Atëherë, gomari i madhërishëm u arratis nga vila e tij me helikopter. Helikopteri nuk ish tretur ende në qiell, kur njëri prej gomerëve ia qëndisi me gjithë shpirt këngës si kahera. Veshët e tij bukuroshë, tendoseshin sa herë që prej fytit të tij dilnin nota të larta.
Pasuan menjëherë në një kor të fuqishëm këngët e katërqind e tetëdhjetë e nëntë gomerëve të tjerë, saqë toka oshëtiu.
Qysh prej asaj dite, falë heroizimit të tyre, në vilën e gomarit të madhërishëm, u strehuan dhe do të strehohen gomerët disidentë.

Marrë nga Muri i FB Rezart Palluqi, 10 maj 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.