back to top
12.5 C
Tirana
E diel, 10 Maj, 2026

Gogoli i Hermetizmit nuk e ngjall dot Kufomën e Socrealizmit Shaip Beqiri – Polemikë rrotull “letërsisë kosovare” me Ismail Kadarenë

Gazeta

Shaip Beqiri
Shaip Beqiri
Gogoli i Hermetizmit nuk e ngjall dot Kufomën e Socrealizmit
Shaip Beqiri – Polemikë rrotull “letërsisë kosovare” me Ismail Kadarenë

Nuk jam nga ata që vlerat e artit i ngrenë apo i zbresin në varësi nga konturët e tyre, por natyrisht nuk bëj pjesë as midis atyre që i shohin ato pezull, të shkëputura nga hapësira e koha, pra jashta bërthamës së vet. Në krye të herës mendoj që atë bërthamë duhet ta njohësh hollësisht, të krijosh një ndjenjë të përcaktuar saktësisht për të, sa të japësh pastaj një gjykim të drejtë dhe të qëndrueshëm për të. Në anën tjetër, të bësh një vlerësim tepër të hamendësuar apo një gjykim a priori eleminues pa e mbështetur tek asnjë argument, siç bëri shkrimtari i madh shqiptar I. Kadare këto ditë për “shumicën e letërsisë kosovare të botuar vite me radhë”, nuk është vetëm papërgjegjësi sharlatane e as hutesë momentale gjeniu!
Në pyetjen se çfarë e përligj reagimin e tij lidhur me kritikën që ai i ka bërë jo rrallë letërsisë kosovare, I. Kadare përgjigjet: “Mendoj se më mirë se gjithçka tjetër, koha që po jeton Kosova tash, e ka nxjerrë jashtë kohe një pjesë të madhe të letërsisë kosovare, që është krijuar, për fat të keq, jashtë çdo realiteti. Nuk ka asnjë vend në Evropë, mendoj unë, që tjetër dramë të jetojë një popull dhe tjetër pseudodramë të pasqyrojë letërsia. Për fat të keq, shumica e letërsisë kosovare, që është botuar vite me radhë, ka trajtuar probleme të paqena nën maskën e hermetizmit, modernizmit, avangardizmit. Është braktisur në mënyrë të turpshme gjithçka që ka lidhje me realitetin e këtij populli. Të thuash sot, për shembull, se letërsia e një vendi ballkanik pretendon të jetë më moderne se letërsia që krijohet në Nju Jork apo në Paris, këtë e kam thënë edhe një herë tjetër, kjo është qesharake dhe tragjike njëkohësisht. Është qesharake dhe fyese për një popull. Tash koha po e tregon se sa e panevojshme ka qenë kjo letërsi. Kjo s’do të thotë se duhet të krijohet një letërsi për të propaganduar. Letërsia është letërsi, ajo i ka ligjet e saj, por letësia gjithsesi ka një lidhje me dramën që jeton një popull, kurrsesi nuk mund të ndahet në mënyrë kaq të prerë siç ka ndodhur me një pjesë të madhe të letërsisë kosovare, e cila është e ndarë nga drama e popullit të vet”. Ky margaritar i zi është nga kurora kaherë e vyshkur e kontributit të përsëritur të I. Kadaresë për “një pjesë të madhe të letërsisë kosovare” në intervistën “Kosova nuk është djep i kombit serb, por djep i krimit serb” dhënë të përditshmes “Koha ditore” të datës 9 qershor 1998.

Dy nga akuzat ndaj Shkrimtarëve të Kosovës
Shkrimtarët shqiptarë të Kosovës ka kohë që ndodhen midis dy akuzave tepër të vrazhda, të cilat i kanë bartur një kohë të gjatë si një peshë kolosale të mëkatit të pabërë. Të parën akuzë e ka bërë dhe vazhdon ta mbajë hapur gjithnjë një lagje jo e vogël shkrimtarësh, gjuhëtarësh e intelektualësh të tjerë nga Shqipëria dhe sidomos ata nga pika të ndryshme të rruzullit të diasporës shqiptare përkitazi me kinse mëkatin që paskan bërë shkrimtarët dhe shkencëtarët e Kosovës kur kanë pranuar përdorimin e gjithanshëm nga ana e tyre të gjuhës së njësuar letrare shqipe. Kjo akuzë edhe qytën e ka tepër të mprehur, kurse presën veç me helm e gjak. Nuk di të jetë bërë ndonjëherë zhurmë në anën tjetër për këtë çështje, aq më pak të jetë ankuar ndokush për të hequr këtë barrë të pameritueshme.
Akuza e dytë është pak më ndryshe, ka hyrë disi ndërmjet me më shumë dinakëri dhe dredhi. Kjo është akuza që e bart ende në shpirt si një re kobtare shkrimtari i shquar I. Kadare: hermetizmi, modernizmi dhe avangardizmi i një pjese të madhe të letërsisë kosovare!
Natyrisht që nuk e kam ndër mend të zë ngoje e të përziej në këtë rast akuzat e një dore tjetër, ato të regjimit jugosllav, të cilat për gjysmë shekulli i kanë ndenjur mbi kokë letërsisë dhe kulturës shqiptare të Kosovës. Ato kanë qenë të pashmangshme, por disi më lehtë të përballueshme. Madje ajo dorë akuzash e ka forcuar dhe e ka shenjuar me saktësi udhën me rreziqe të mëdha të mendimit dhe shkrimit shqip, e cila me kohë është bërë ideali themelor krijues e jetësor i pjesës më vitale të shkrimtarëve të Kosovës. Po të thosha se pjesa më e madhe e asaj letërsie shqipe, apo siç parapëlqen ta quajë disi thjeshtësueshëm, diferencueshëm, denigrueshëm e injorueshëm zoti Kadare: letërsi kosovare(!), është krijuar jo me penë në letër, por nga mishi e gjaku i krijuesve të saj, do të tingëllonte në mënyrë paksa patetike, ndonëse brenda saj është gjithë e vërteta.

Aksionistët - vepër e Realizmit Socialist
Aksionistët – vepër e Realizmit Socialist

Gogoli Trishtues i Hermetizmit
Të ndalemi te hermetizmi, modernizmi dhe avangardizmi. Nga doli pikërisht tash, bashkë me flakën e luftës në Kosovë, ky gogol trishtues? A mund të dëftohej kjo ëndërr e keqe kurdoherë tjetër? Mos nuk kishte një rast më të zgjedhur të shprehte me kaq zjarrmi këtë shqetësim kaq të turbullt se ky i sotmi autori i nderuar i letrave shqipe? Kaq gërryes paska qenë ky ankth i zi i tij? Më në fund, nëqoftëse duam ta themi të plotë një të vërtetë, nuk ka asnjë rëndësi koha e as vendi që të bëjmë këtë gjë. Nuk është e nevojshme të tërhiqemi për gjuhe e as t’i mbulojmë me mjegullnajë e tymtajë humnerat e zeza. Le të jetë e dukshme dhe e prekshme me dorë çdo gjë. Pikësëpari të nisemi nga njohja! Natyrisht që nuk e vë në dyshim njohjen e letërsisë nga ana e z. Kadare. Përkundrazi. Mirëpo këtu fjala është për diçka tjetër, për diçka që lidhet me vlerësimin e tij për një pjesë të madhe të letërsisë shqipe të Kosovës. Do të ishte mirë sikur ai të hiqte dorë nga përdorimi i thjeshtësuesit të vet të stërpreferuar: “letërsi kosovare”, sepse po u ndoq një logjikë e tillë tipizuese aspak letrare, do të dilnin më shumë probleme se ç’mund të ofrojë lehtësi “praktike” një emërtim kaq i shpifur e denigrues për një letërsi kombëtare. Të vazhdojmë me njohjen reciproke! Ju dhe ne!!! Sepse duket që këtu është thelbi i problemit. Letërsia shqipe e krijuar në Shqipëri është botuar dhe studiuar gjerësisht në Kosovë. Kjo është bërë sidomos nga gjysma e vjetëve 60 e këndej pothuaj pareshtur deri sot. Ende më heret ka zënë të botohet dhe të studiohet në mënyrë të gjithanshme pothuaj gjithë trashëgimia letrare shqipe, që nga Buzuku e Barleti deri tek Poradeci e Koliqi. Natyrisht që në qendër të gjithë këtyre botimeve dhe studimeve ka qenë vepra letrare e I. Kadaresë. Që nga “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” e këndej nuk ka mbetur pothuaj asnjë libër i tij pa u botuar e ribotuar nga disa herë në Kosovë. Dhe kurrë s’është thënë se u bë mjaft, se u teprua apo diçka të ngjashme, përkundër shtypjeve të egra të regjimit që bëheshin për ndaljen e këtij “vërshimi”. Gjithçka ka qenë disi e pamjaftueshme. Dhe ato gjëra që s’kanë mundur të botoheshin për shkaqe joletrare, kanë qarkulluar pandalshëm dorë më dorë. Pra, në Kosovë janë botuar në vazhdimësi pothuaj të gjithë autorët e vjetër e të rinj, me më shumë e me më pak vlera, jo rrallë edhe pa to fare. Këtë nuk e ka lejuar me vullnet “liberalizmi” i regjimit jugosllav për t’ua mbyllur sytë kosovarëve(!) me libra nga Shqipëria, por e ka bërë shpirti i paepur i njerëzve të etur për një kulturë kombëtare të përbashkët dhe të pacenueshme. Se çfarë qëndrimi ka mbajtur ai regjim ndaj librave nga Shqipëria, më mirë do të mund të rrëfenin mija njerëz të bastisur e të arrestuar për shkak të atyre librave. I. Kadare do të thoshte se kjo është në nderin tuaj! Unë do të shtoja se nuk është veç punë nderi. Para së gjithash është ndjenja për diçka të domosdoshme, të cilës i rri gjithnjë pranë gatishmëria sakrifikuese për ta bërë sa më rrëzëllyes atë nder. Po ana tjetër? Çfarë qe dhe çfarë mbeti ajo? Nga librat e të gjithë shkrimtarëve të Kosovës janë botuar në Shqipëri përafërsisht aq sa mund të jetë vetëm çereku i sasisë së librave të I. Kadaresë të botuar në Kosovë. Kjo ndoshta nuk do të kishte ndonjë rëndësi të madhe po të mos merrej parasysh ana e zezë e asaj që është botuar atje. Nga shkrimtarët e njohur të Kosovës është hequr gjithë pjesa “hermetike, moderniste dhe avangardiste” e veprës së tyre, kurse nga ata të dorës së tretë e të dhjetë janë bërë botime të pasuara me një kritikë propaganduese jashta çdo kriteri artistik.

Shumimi i Kopesë Socrealiste
Ky është një fakt banal pa kurrfarë peshe të veçantë. Problemi është gjetkë dhe shumë më i thellë se sa që duket në shikim të parë. Problemi kryesor konsiston tek pikëpamjet, tek shkollat letrare dhe tek metodat krijuese. Ato qenë të ndryshme në letërsinë tonë dhe të papajtueshme njëra me tjetrën. Derisa në Kosovë kishte, përveç hermetizmit, modernizmit e avangardizmit, që përmend I. Kadare, edhe ndonjë shkollë tjetër letrare të këtij lloji, kishte poashtu edhe një socrealizëm të kamufluar dhe një tjetër fare të tërbuar; ndërkaq në Shqipëri kishte vetëm një socrealizëm të mjeruar e të përçudnuar letrar dhe ndonjë individualitet të rrallë krijues, që kishte fuqi të kapërcente atë mur rrethues, e ndër ta më i shquari dhe më i merituari pa dyshim që është vetë Kadare. Mirëpo nuk ka qenë e vogël as në Kosovë kopeja e mediokërve socrealistë. Madje, nëqoftëse gjithë ky vaj bëhet për mungesën ose rrallësinë e tyre, që tash po jap kumtin: ata po shumohen përditë në Kosovë, mu si bari i keq, sa pjesëtarët e kësaj kopeje e kanë gjithnjë e më vështirë të njihen edhe mes vete! Nëqoftëse nën maskën e hermetizmit shkrimtarët modernë e avangardistë kosovarë kanë trajtuar tema të paqena; në anën tjetër, socrealistët kosovarë, nën maskën e patriotizmit, kanë trajtuar dhe vazhdojnë të trajtojnë folklorizëm pornografik antiletrar me dengje. Po të shikohej problemi drejt dhe më thellë, I. Kadare do të duhej që pikërisht për këtë të nxirrte mllefin dhe shqetësimin e vet prej krijuesi të madh, duke pohuar të vërtetën se kjo është ana qesharake dhe tragjike e letërsisë bashkëkohëse shqipe në përgjithësi. Ndërkaq nëse me këmbëngulje vazhdohet të mbrohet kështu një qëndrim letrar i padrejtë dhe i pambështetur, siç del tash në vlerësimin e përsëritur me kaq zjarrmi të I. Kadaresë, atëherë më së paku mund të besohet se fjala është për letërsinë, për hermetizmin kosovar e dokrra të tilla. Një gjë qesharake pa dyshim është krahasimi që zë ngoje I. Kadare për kinse pamundësinë e një letërsie të Ballkanit për të qenë më moderne se ajo që krijohet në metropolet botërore, siç është Nju Jorku e Parisi. Kësaj gjepure normalisht më së paku do të duhej t’i besonte vetë I. Kadare. Por ky nuk është shqetësimi i vërtetë i tij. Nëse do të duhej ta shqetësonte dhe ta linte në ankth të përhershëm I. Kadarenë ndonjë gjë e sferës letrare në relacionin Prishtinë-Tiranë, pikësëpari do të duhej të ishte angazhimi i tij për të korrigjuar ndonjë gjë konkrete dhe të dobishme për gjithë letërsinë e kulturën shqiptare. Nëqoftëse ai e ka shpallur socrealizmin një kufomë, me të cilën s’vlen të merremi më, ç’i duhet tash hija trishtuese e asaj kufome!?
Po i kthehem edhe një herë thelbit të problemit. Pikëpamje të ngjashme me këto që shfaq kaq vonë I. Kadare kundër hermetizmit e modernizmit të një pjese të madhe të letërsisë kosovare janë shfaqur shumë më heret në Kosovë, qe më se tridhjetë vjet, duke filluar nga Rexhep Hoxha deri tek Rexhep Qosja dhe nxënësit e “shkollës së tij të moderuar socrealiste letrare”. Mirëpo, ka ndodhur ndërkaq një çudi e vërtetë, e cila ndoshta do ta gëzonte e do ta qetësonte deri diku I. Kadarenë. Ajo “pakicë” e shkrimtarëve johermetikë, jomodernistë e joavangardistë të Kosovës, që për fatin e keq të letërsisë shqipe në të vërtetë gjithmonë ka qenë shumicë edhe në Kosovë, tashmë është shtuar së tepërmi dhe nuk përdor tjetër maskë përveç asaj që është më e trishtueshmja për artin: maskën e patriotizmit të pornografisë primitive të kohës së gurit, prapa së cilës rropatet të fshehë gjithë bërllokun letrar. Brenda këtij kumti të shumëpritur(!), është edhe ai me pak zi për të shqetësuarit: në Shqipëri vjetëve të fundit po del një brez shkrimtarësh të rinj, të cilët, qoftë edhe duke u përvijuar tërthorazi nëpër hermetizmin e modernizmin e letërsisë kosovare, po lidhet me thelbin e letërsisë së njëmendtë europiane e botërore. Ndoshta pikërisht këtu do të duhej të filloja diskutimin e çështjeve aktuale të letërsisë shqiptare me I. Kadarenë, duke i kapërcyer humnerat e pambuluara me kurrgjë në ndërgjegje.

Pellgu i Logjikës së Humnershme
Pjesa ku I. Kadare bën vlerësimin e vet të prerë e të rreptë për shumicën e letërsisë kosovare është futur në konturet e një interviste për çështjet aktuale politike, me theks mbi dramën e sotme të Kosovës, ku bën fjalë edhe për propagandën antishqiptare serbe dhe për mitin e rremë serb për Kosovën dhe Betejën e Kosovës. Gjithë kjo do të dukej normale sikur I. Kadare, së paku derisa flet për mallkimin e përçarjeve shqiptare, të frenonte mllefin brenda vetes dhe të mos hidhte kryqin e fajit për propagandën e zezë shekullore serbe pikërisht mbi letërsinë moderne shqiptare të Kosovës. Po të ndiqet kjo logjikë nuk do të pushonte dot kurrë prodhimi i një sërë çorodish të tilla të pashembullta. Me një fjalë, në vijë të një mënyre të tillë të menduari, ndoshta do të duhej t’i hidhnim fajin gjithë letërsisë së ideologjizuar e të dirigjuar socrealiste të Shqipërisë për vrasjen e mija njerëzve nga përleshjet e egra të bandave kriminale shqiptare gjatë dy vjetëve të fundit në Shqipëri, ndonëse askush s’mund të lahet me aq lehtësi se ndikimi i asaj letërsie në vërtitjen drejt një katrahure të tillë nuk ishte pa një rol të zi. Nëse ka një turp për letërsinë shqipe, ai do të binte këtu dhe jo te letërsia moderne e Kosovës. Mirëpo kjo është logjikë e humnershme, nga pellgu i së cilës nuk mund të dilet me lehtësi kurrë.
Për problemet letrare, sa herë të konsiderohet se ato nuk janë plehurina, duhet diskutuar me kthjelltësi në mendje e me qetësi në shpirt. Kjo gjë duhet të bëhet edhe për të ashtuquajturin hermetizëm, modernizëm e avangardizëm të letërsisë kosovare. Është një e vërtetë e pakundërshtueshme se edhe ajo pjesë e letërsisë shqipe të Kosovës me pretendime dhe orientime për të krijuar vlera të mirëfillta të artit modern shqiptar, ka pasur jo pak mangësi, shkarje apo dobësi të ndryshme. Kjo është e kuptueshme dhe e natyrshme. Ato edhe mund të kritikohen, me ashpërsi ose me butësi, por gjithmonë konkretisht dhe argumentueshëm. Edhe kjo pjesë e letërsisë shqipe i ka pasur dhe vazhdon t’i ketë epigonët e vet të shpifur, të cilët, për mungesë të zotërimit të mjeshtërisë së shkrimit apo për shkak të ndonjë defekti a mungese tjetër, vërtet mund të ndjehen mirë për një kohë prapa maskës së hermetizmit e avangardizmit, siç thotë I. Kadare. Mirëpo, duket që I. Kadare ndonjë të maskuar të tillë don ta përdorë vetëm si shkas të vogël për të bërë goditjen e madhe të “shumicës së letërsisë kosovare të botuar vite me radhë”.

“Shakaja” për letërsinë e panevojshme të Kosovës
Nëqoftëse duam të flasim konkretisht e argumentueshëm, problemit duhet t’i kthehemi në zanafillë. Sivjet mbushen 45 vjet nga botimi i librit të parë të poezisë shqipe në Kosovë në periudhën pas LDB: “Nji fyell ndër male”(1953), autor i të cilit është Martin Camaj; dy vjet më vonë doli libri i Esad Mekulit: “Për Ty”(1955). Poashtu sivjet mbushen plot 40 vjet nga botimi i romanit “Gjarpinjtë e gjakut”(1958) të Adem Demaçit, kurse 47 vjet nga koha kur Hivzi Sulejmani bëri paraqitjen e parë fragmentare të të parit roman shqiptar të Kosovës: “Njerëzit” (1951), i cili u botua (prap fragmentarish) 15 vjet më vonë, më 1966, pikërisht në kohën e rënies nga pushteti të kryexhelatit antishqiptar, A. Rankoviqit, paraardhësit më të afërt me nam të zi të këtij të sotmit, S. Millosheviqit. Fjala këtu është për një kohë 50 vjeçare, ashpërsia e së cilës duket qartë po u pa brenda dy shtyllave më të egra shtypëse: mizoria rankoviqiane në krye të herës dhe kjo e tashmja millosheviqiane. Ky është vetëm një përkufizim i kohës dhe hapësirës ku mund të vihet topi i kësaj loje. Po them kalimthi se nga këta dhe shumë autorë të tjerë shqiptarë, meritat më mëdha për organizimin dhe nxitjen e jetës letrare shqiptare të Kosovës pa dyshim i takojnë Esad Mekulit, i cili qe një njeri me shpirt të madh dhe një poet i rrallë. Sado që kërkesat e tij ndaj letërsisë qenë mjaft utilitare, natyrisht jashta skemave socrealiste, ai tek revista e famshme letrare “Jeta e re” ua çeli dyert të gjitha stileve e metodave, të gjitha rrymave e shkollave letrare, duke mos përjashtuar asnjërën prej tyre. Fati më i madh i letërsisë së re shqipe të Kosovës qe pikërisht fakti që ajo u lind dhe u madhua në duart e një krijuesi e njeriu kaq kolosal. Nga duart e tij doli edhe ajo shumicë e letërsisë shqipe të Kosovës, të cilën I. Kadare sot e vë me ashpërsi të hidhur në shënjestër të goditjeve të ulëta. Prej asaj dere të madhe doli njëri nga shkrimtarët më të mëdhenj shqiptarë të këtij gjysmëshekulli, Anton Pashku, tregimtari, dramaturgu dhe romansieri më i shquar i gjithë letërsisë shqipe të Kosovës, i asaj letërsie që I. Kadare e quan me përçmim të hapur: hermetike, moderniste, avangardiste, madje edhe të turpshme. Nëse I. Kadare rastësisht mendon se gjithë nyja e këtij mallkimi të tij ndaj letërsisë kosovare lidhet në çfarëdo mënyre me emrin dhe veprën e Anton Pashkut, sidomos kur thotë se nuk ka ndonjë rast tjetër kur një tjetër dramë të jetojë një popull dhe një tjetër pseudramë të pasqyrojë letërsia, atëherë duhet të zbresim tepër poshtë në këtë komunikim tonin, pra duhet të zbresim pikërisht tek vendi nga del një denigrim i tillë. Në këtë mes një gjë është e vërtetë: një shkrimtar si Anton Pashku mund të mbetet përgjithmonë i pazbërthyer prapa maskës hermetike të modernizmit dhe avangardizmit letrar kosovar për të gjithë ata që veprës së tij vazhdojnë t’i qasen ende me paçavurën socrealiste të teorisë së pasqyrimit në letërsi, por për këtë më së paku ka faj vetë kryemjeshtri i shkrimit të shqipes. Do të ishte me shumë interes sikur I. Kadare të merrte mundimin, duke u liruar pikësëpari nga instrumenti i tij defektoz i pasqyrimit letrar të realitetit, e të thoshte se ku u strehuaka ajo pseudodramë dhe çfarë qenka ndryshe drama e popullit të braktisur!?
Nëse i shërben ndonjë gjë I. Kadaresë ose ndokujt tjetër, po them se edhe letërsia shqipe e Kosovës nuk ka qenë pa pjesën e vet kanceroze, pa anën e saj të zezë, që i ka shërbyer regjimit dhe ky i fundit disi e ka trumbetuar atë, pjesa që e ka madhëruar vëllazërim-bashkimin, Titon etj., por ajo nuk ka qenë “shumica” e saj dhe në asnjë rast nuk ka qenë e lidhur as cipërisht me hermetizmin, modernizmin dhe avangardizmin e letërsisë kosovare, të cilën I. Kadare e merr në shënjestër nga një pozicion krejtësisht absurd. I. Kadare duhet të dijë thelbësisht se çfarë rrethanash e kanë shtyrë letërsinë shqipe të Kosovës të vinte jo rrallë edhe “maskën e hermetizmit” dhe me çfarë përkushtimi mbinjerëzor krijues ajo i ka ngritur dhe i ka ruajtur të pastra vlerat e letërsisë së madhe moderne shqiptare. Brenda atij “hermetizmi” është përvijuar trajtimi i gjithë jetës (historike e aktuale) shqiptare në formën e vet më të kristalizuar. Nëqoftëse I. Kadare deri tash s’ka pasur kohë e as mundësi të vërejë se ç’trajtim i ka bërë atij realiteti shqiptar letërsia hermetike e Kosovës, e cila para së gjithash vetë është realiteti më sublim i gjithë artit shqiptar, pra nëqoftëse përveç “pseudodramave” ai s’ka gjetur tjetër pasqyrim aty, atëherë edhe helmi i “shakasë” së tij për mosnevojën e gjithë kësaj letërsie do të mbetet pasqyrim i një njolle jo të vogël dhe aspak të nevojshme në ndërgjegjen e tij. I. Kadare do të duhej ta dinte më mirë se shumëkush tjetër, në mos më së miri, se letërsia e vërtetë kurrë nuk e ka luajtur rolin e daulles së festivalit në prag të kongresit të partisë.
Këtë herë kaq.

1.Gogoli i hermetizmit nuk e ngjall dot kufomën e socrealizmit (polemikë me I. Kadarenë), Java shqiptare, Zürich, nr. 26 (4), 14.VI.1998, f. 22-23
2.Gogoli i hermetizmit nuk e ngjall dot kufomën e socrealizmit (polemikë me I. Kadarenë), Koha, Prishtinë, nr. 70, 17.VI.1998, f. 10-11
3.Te libri “Gëzhoja e perlës”, SHB “Faik Konica”, Prishtinë, 2018, f. 1121 – 1127

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in që të reduktojë mesazhet e padëshiruar. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komenteve tuaja.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.