back to top
35.5 C
Tirana
E mërkurë, 16 Korrik, 2025

Gjyqi i grupimit politik Bashkimi Demokratik

Gazeta

Gjyqi kundër grupimit Bashkimi Demokratik Shqiptar
Gjyqi kundër grupimit Bashkimi Demokratik Shqiptar
Gjyqi i grupimit politik Bashkimi Demokratik

Në qershor 1946, në Tiranë zhvillohej gjyqi i grupimit politik Bashkimi Demokratik. Në këtë grup ishin bashkuar tre rryma, në opozitë me Frontin Demokratik të udhëhequr nga PK, që ishin legalistët, rezistenca, dhe social-demokratët, të përfaqësuar nga Musine Kokalari. Aktiviteti i vetëm që mundi të kryejë ky grupim, ishin disa mbledhje me qëllim organizimin për të marrë pjesë në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945. Akti i vetëm ishte përpilimi i një memorandumi që ia dorëzuan aleatëve, ku kërkonin mbështetje. Së pari në memorandum paraqitet panorama reale e gjendjes në Shqipërinë e pasluftës.
Pjesë nga memorandumi:
qën influencë të një pjese të shtypit Aleat, nuk vazhduan luftën kundër forcave pushtonjëse. Djalërija dhe nacionalistët e tjerë që muarën pjesë në Lëvizjen Nacional Çlirimtare nuk u shkoj ndër mend kurrë se po binin në një grackë, dhe të kujtonin ngritjen me forcë të një regjimi komunist në Shqipëri.
Në këtë mënyrë, Fronti Nacional Çlirimtar u bë i vetmi grup politik i autorizuar nën direktivat dhe kontrollin komunist. Nacionalistat që përbëjnë shumicën nuk lejohen të formojnë një parti të veçuar nga komunistët; ata nuk lejohen gjithashtu as të çkëputen prej Frontit duke formuar një parti jashtë Frontit. Në të dy rastet akuzohen si sabotatorë, fashista dhe reaksionarë “rasti i Profesor Gjergj Kokoshit, më parë ministër i arsimit në qeverinë e Enver Hoxhës e tregon çquar këtë gjë.”

Musine Kokalari para gjyqit komunist
Musine Kokalari para gjyqit komunist

2.Pasqyra e përgjithshme e gjendjes së tanishme
A)Kryesija e Këshillit Antifashist Nacional Çlirimtar, qeverija, këshillat e Prefekturave dhe të N/Prefekturave si dhe lokaliteteve më të vogëla; ndodhen të gjitha nën drejtim edhe kontrollin komunist.
b). Të trija fuqitë, d.m.th. Pushteti legjislativ, egzekutiv dhe gjyqësor, ndarja e të cilavet garanton një regjim me liri politike, në fakt janë një përzierje. Shëmëzimi i zyrave bëhet për këtë qëllim. Si shembëll është që kryetari i policisë në të njëjtën kohë gjendet edhe antar i trupit gjykues (nënë president), Antar’ i Shtabit Përgjithëshmë, Kryetar’ i gjyqit më të lartë, Kryetar i Komisarëvet politikë në ushtri, etj.
(c). Të katër liritë (liria e fjalës, e fesë, e nevojës dhe e frikës) janë shkelur nënë këmbë.
(d). I tërë legjislacioni është marrë prej atij të Jugosllavisë; ligjet më të rëndësishme janë një përkthim besnik i ligjeve Jugosllave.
(e).Në të gjitha problemet shtypi ynë dhe radioja paraqitin tërësisht pikëpamjet Ruse.
(f).Puna e policisë bëhet prej Drejtorisë së Mbrojtjes së Popullit, programi dhe aktiviteti i së cilës përbën një G.P.U. të dytë. Kryetari i saj Koci Xoxe është një nga të dy sekretarët e përgjithëshmë të partisë Komuniste Shqiptare, tjetri duke qënë vetë Enver Hoxha.
(g).Numuri i atyre që janë vrarë egërsisht gjatë ditëve të para të regjimit (150 pa u gjykuar fare në Tiranë dhe në Rrethe) Si dhe ata që janë gjykuar, dendur me vdekje dhe pastaj egzekutuar, kapërxen të 1000-jën në të gjithë vendin. Nëqoftëse merr si shembull Francën, popullata e së cilës është 45 herë më e madhe se e jona, në të njëjtën kohë do të kishte 2321 dënime me vdekje, atëhere mund të kuptonit tragjedinë e popullit Shqiptar. Shumë prej këtyre janë egzekutuar për shkak se po të qenë gjallë do të kanosnin unitetin e regjimit të tanishëm.
Ka rëndësi këtu të përmendet që ca muaj më parë në Durrës, disa njerëz i bënë qeverisë një telegram me anën e të cilit kërkonin mëshirë për ca persona që u dënuan me vdekje nga gjyqi lokal, ata u arrestuan me njëherë, u nxuar në gjyq dhe u dënuan me burgim pse me qëndrimin e tyre kishin shkuar kundër mejtimit gjyqsor, i cili konsiderohet si shprehje më e lartë e vullnetit të popullit!
Aktiviteti i Mbrojtjes Popullit dhe mënyra me të cilën u zhvillua drejtësia kanë krijuar një atmosferë mbytëse dhe terrori në të gjithë vëndin. Natyrisht kjo gjë e ka shtuar me të tepërt numrin e të pakënaqurve po frika dhe vetëm frika i ka ndaluar ata që të organizohen në një opozitë.
Po të mos dish këtë gjë të nëndheshme është e pamundur të marrësh vesh pse populli do të shkojë në votime më 2 Dhjetor si mund të bëhej ndryshe kurse Shqipërija ndodhet për 13 muaj nën diktaturën më të tmerrëshme që ka parë historija e saj. Shko ndër katundet dhe bisedo me popullin fshehtësisht dhe athere do të konstatosh se një presion është ushtruar në favor të listës unike të Frontit Nacional Çlirimtar.
(h).Shqipërija nuk ka patur kurrë një ushtri kaq të madhe sa kjo e tanishmja; numri i saj është dyfishuar qysh prej çlirimit të vendit dhe tani përbëhet rreth 60.000. Mbajtja e një ushtrie kaq të madhe i kushtohet kryesisht faktit se autoritetet kanë frikë që numri i vazhduar i të pakënaqurve mund të përbëjë rrezik për regjimin. Kjo masë politike ka patur një efekt katastrofal jo vetëm për financat tona që përmbledhin më tepër se gjysmën e buxhetit për ushtrinë, po gjithashtu edhe për bujqësinë dhe blegtorinë në të cilat ndihet seriozisht mungesa e krahut të punës.
(j).Ligji i bujqësisë është nga reformat më me rëndësi për të cilën regjimi fryhet së lëvduari. Kjo është bërë dhe aplikuar në mënyrën më ekstreme:
1-Toka që u është lënë pronarëvet të mëparëshmë (15 hektarë) është e pamjaftueshme t’u sigurojë atyreve jetesën me gjithë që ka mjaft tokë për të gjithë.
2-Ligji bujqësor, kështu siç egziston, është vetëm e vetëm një konfiskim pse e tërë toka është çpronësuar duke mos u shpërblyer as pak.
(k).Qeveria e ka humbur besimin e tregëtarëve prej masave që ka marrë ndër degët e ndryshme të aktivitetit ekonomik. Nisjativa private është zhdukur pothuaj krejtësisht.
(l)-Përsa i përket politikës së jashtme, qeverija e tanishme i qëndron besnike aksit Beograd-Moskë.
*
Fotoja ilustruese: pamje nga zhvillimi gjyqit kundër grupimit Bashkimi Demokratik Shqiptar, postuar nga Kastriot Dervishi. Në të djathtë të fotos Musine Kokalari.
Marrë nga Muzeu Kokalari, 10 qershor 2025

Related Images:

More articles

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

Portali Radiandradi.com, prej 11 vitesh dhuron kontribute të përditshme në shumë fusha të kulturës, historisë dhe vlerave shqiptare. Herë pas here siti ka nevojë për mirmbajtjeje, rikonstruktim si dhe rikonceptim në formatin letër. Për ta mbajtur këtë punë shumvjeçare, ndër më seriozet dhe më të lexuarat që të vazhdojë aktivitetin bëhet e domosdoshme mbështetja e lexuesve.

Jozef Radi

Redaktor i Radi & Radi

Artikujt e fundit

Copy Protected by Chetan's WP-Copyprotect.